back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Branko Merxhani e meriton të quhet ati i përndritjes shqiptare – nga Ndriçim Kulla

Gazeta

Branko Merxhani (1894-1981)
Branko Merxhani (1894-1981)

Branko Merxhani e meriton të quhet ati i përndritjes shqiptare

nga Ndriçim Kulla

Nga një gazetë e vogël provinciale, e quajtur “Neoshqiptarizma”, në vitet ‘30-të të shek. të kaluar, Branko Merxhani hodhi pyetje-sfidën e një shpirt-gjallonjës: “Kur do të ngrihemi në këmbë, që të dëbojmë nga zemrat tona nëmën e së ligës, gjumin kriminal të fodullëkut dhe gjarprin dinak të vetëgënjimit? Kur do të vijë dita në të cilën errësira e thellë, që përmban brenda historia e shpirtit shqiptar, të arrijë të shpërndahet edhe në qiellin e kthjellët të atdheut tonë dhe të shfaqen yjet e bukur të mendimit dhe shkencës? E atij që e kuptonte se gjithë kësaj ëndrre duhej t’i përballej një luftë e paepur për sinkronizimin e jetës së të gjithë kombit, një luftë që një ditë të arrinte të krijonte një dogmë të re kombëtare, një legjendë të re shqiptare, së cilës neoshqiptarizma iu përgjigj me pasion dhe guxim intelektual në formulat e saj të famshme. A mos vallë ka ardhur koha të mendohet seriozisht se është e pavend braktisja e një modeli të tillë?
Ajo lindi si një tendencë idealistike, me vija realiste, e mori hovin dhe fuqinë nga studimi dhe analizimi i elementeve sociologjike të jetës sonë kombëtare, teoria dhe veprimi i saj pati për bazë shkencore ‘Shtetizmën’ ose konceptin për shtetin, shpirti i saj qe idealizma shoqërore, kurse filozofia e saj drejtuese pati për mbështetje ‘Idealizmën’ kombëtare. “Nuk jemi nga ata që thonë: Atje ku gjej të bukurën, të mirën dhe të drejtën, atje është edhe atdheu im”, – shkruhej në formulat e saj. “Ne preferojmë të themi se: Atdheu ynë është në anën e një rrëkeje të freskët që vadit arat, kënga e së cilës dëgjohet gjer nëpër shpellat e maleve të Shqipërisë, ku janë të varrosura kockat e stërgjyshërve tanë; atje në hirin e oxhakut të hidhërimit, ku ka rënë loti i parë i mëmave tona, në pyllin e dashurisë që na çeli misterin e jetës në kohën e djalërisë – atje është atdheu ynë”.
E si qëllim të fundmë të të gjitha këtyre përpjekjeve, ajo vendoste parimin e “krijimit të një Shqipërie, brenda të pakufishme, jashtë të kufizuar”.
Krijimi i një Shqipërie! Një Shqipërie të mendimit dhe të ndjenjës! Ç’porosi zemër-lartonjëse a ç’amanet përkushtim-ndjellës akoma edhe sot! Por, edhe një fjalë-betim të cilit iu përgjigj menjëherë konstatimi kundër-utopik: S’jemi nga ata që besojnë vetëm në influencën e ideve individualistike mbi rrymën e jetës shoqërore. Po kur idetë mbështeten mbi një fuqi shoqërore dhe marrin karakterin e një ndjenje kolektive, të cilën Durkheimi e konsideron si origjinën e të gjitha fenomeneve shoqërore – atëherë ato bëhen jo vetëm faktorë, por edhe edukatorë të shoqërisë. Ndjenja kolektive! Një koncept përbri të cilit ata vinin një tjetër, po kaq të rëndësishëm, atë të njeriut-qytetar. “E ardhmja e shtetit varet vetëm nga veprimi politik dhe edukativ, i paprerë e sistematik i njeriut-qytetar. Për ketë arsye na duhet një jetë intelektuale, për të formuar një klasë të caktuar njerëzish, që të përbëjnë një burim të madh dhe jetik të mendimit shoqëror, ku të mishërohen në mënyrë simbolike elementet e një intelektualizmi, që influencon shoqërinë. Pa këtë gjë s’është e mundur të fitohet as ndonjë ide shoqërore, dhe pa iderë, as ndonjë jetë kolektive, as ndonjë përpjekje reformonjëse, as ndonjë shtet”.
Ndaj, lipset të përtërihemi, të reformojmë dhe moralizojmë qenien tonë të brendshme – shpirtin tonë. Ndaj na duhet moral, edukatë! Kur një njeri rron brenda në ëndrrën e ideologjisë së tij, kur ai beson në dinamizmën mrekulluese të ideve të brendësuara shoqërore, atëherë zemra e tij bie në një pikëpjekje shpirtërore me mbretërinë e intelektit dhe arrin ta kuptojë thellë kuptimin reformonjës dhe kryengritës që përmbajnë brenda tyre këto dy fjalë të shkurtra. Ja, për të gjitha këto shkaqe, çështja e arsimit përbën gurin filozofal të së gjithë dinamizmës rilindëse të një brezi a të brezave që vijnë. “Ndaj, kam bindjen e thellë – shkruante ideologu – se që të shpërndahen retë e zeza që mbulojnë horizontin tonë, Shqipëria duhet të transformohet anembanë në një fabrikë pedagogjike, në mënyrë që të rregullojmë aktivitetin tonë modern dhe të përgatisim kryengritjen e jetës nëpërmjet krijimit të një brezi të armatosur mirë për të ardhmen”. Pse vallë, a e kemi ndërtuar ende dhe sot këtë lloj “fabrike pedagogjike”, që pat projektuar dikur Branko Merxhani?
Filozofi Branko Merxhani
Filozofi Branko Merxhani
Gjithsesi, e gjitha kjo nuk mjafton – thekson ai diku gjetkë. “Të mësuarit nuk është të edukuar. Sepse vetëm atëherë kur të arrijmë të formojmë edukatën e brendshme dhe dispozitat shpirtërore dhe ideologjike të një brezi, vetëm atëherë mund të arrijmë të nxjerrim ndoshta një ditë një farë qytetërimi. Por, s’do të arrijmë kurrë një ‘kulturë”, pasi diçka e tillë lyp një individualizëm ideologjik të goditur dhe një dozë të qëndrueshme moraliteti”. ‘Vetëm vlera shoqërore e njeriut i jep atij një ‘kulturë’, – thotë Kanti. (A kemi vallë në gjirin e jetës intelektuale, njerëz që mund të quhen vërtet ‘njerëz të kulturës’ nën prizmin e vlerësimit të kulturës nga kritere të tilla? Apo mos ndoshta një ‘kulturë’ e tillë sot duhet të kthehet në një ideal udhërrëfyes?)
Ndjenja kolektive! Njeriu-qytetar! Jeta intelektuale që influencon shoqërinë! Ja sfidat, që si të trashëguara, na kanë ndjekur vazhdimisht pas e që sot na shfaqen me gjithë qelibarësinë e domosdoshmërisë dhe jetikën e dhimbshme të aktualitetit të tyre. Për kë bien, atëherë, kambanat e mendimtarit tonë? Për jetën politike, që ende s’po arrin të udhëhiqet nga këto parime të nxjerra nga dija filozofiko-sociologjike apo s’po ndihet ende e ndriçuar nga drita e një jete të tillë intelektuale që pohon: Le të jetë në fuqi cilado qeveri që të dojë, mjafton të jetë në duart e idealistëve dhe të njerëzve të ditur e me ndërgjegje!
Gjithsesi, fatet dhe e ardhmja e një populli varet vetëm pjesërisht prej politikanëve dhe diplomatëve të tij. Më tepër rëndësi ka jeta dhe lëvizja e tij e përgjithshme shoqërore. “Jemi më parë të shtetit dhe pastaj të vetvetes, – u drejtohej Merxhani bashkëkombësve të vet. Vetëm gjysma e ditës është e jona, gjysma tjetër i përket shtetit. Andaj vendin e njeriut të thjeshtë duhet ta marrë bashkatdhetari, që ndjen se rron gjallërisht brenda dhe për jetën shoqërore të Shqipërisë”. (A mos vallë e kemi ende edhe sot një bashkatdhetar të tillë, në kuptimin modern të fjalës, pra një njeri shoqëror që shpenzon një pjesë të ditës së vet duke punuar për të tjerët dhe bashkë me të tjerët?)
Shpirti i punës dhe shpirti i bashkëpunimit! Ja cila është me dy fjalë i gjithë programi i organizimit moral të shoqërisë shqiptare. Emocioni i punës dhe ai i bashkëpunimit duhet të bëhen fuqia kryesore vepruese e kohës së sotme. Duhet të luftohen pasionet egoiste apo tendencat individualiste, në mënyrë që të përhapet dhe zhvillohet një kuptim i ri i punës”. A e ka fituar vallë individi i shoqërisë sonë një kuptim a një shpirt të tillë? Kam frikë se këto kambana duhet të buçasin fort në mendjen dhe zemrën e çdo pjesëtari të jetës shqiptare. Megjithatë, vetëm politika dhe individi e kanë të pamundur t’i kryejnë funksionet e tyre shoqërore pa një dritë, pa një busull. “Që të mund të gjejmë udhën e përshtatshme drejt një jete shoqërore kombëtare, me një vlerë njerëzore dhe një kuptim historik është e nevojshme të kemi një filozofi të gjallë e reflektive. Aq më tepër që filozofia s’ka vetëm qëllim teorik, por edhe një rëndësi praktike. Ajo është faktori kryesor i ndryshimit dhe përparimit në çdo fushë të aktivitetit intelektual të shoqërisë njerëzore. Idetë filozofike sundojnë tërë jetën. Ndaj, që të marrim një qëndrim të zgjuar kundrejt problemeve të mëdha shoqërore të jetës sonë kombëtare, duhet të kemi marrë pikësëpari një edukatë të shëndoshë filozofike”. Ja se si shkruante Merxhani në përshëndetjen e numrit të parë të “Përpjekjes shqiptare”, një revistë filozofiko-shoqërore, që ai e mendonte jo si një gazetë të thjeshtë, por si një “libër të vogël e të përmuajshëm”, i vendosur në bindjen e tij të thellë se një nga shkaqet më kryesore të pazotësive dhe të trazimeve tona ishte mungesa e një kulture mendore dhe eksperience shkencore. Po sot, a e kemi vallë një revistë të tillë që të shërbejë si pikënisje a si bazë mbështetëse? Aq më tepër që parimet filozofike, pasi të shtrohen mirë e mirë, lipset të mishërohen e gjallërohen nga ana e intelektualëve për t’u përdorur më pas në sistemimin e materialit kaotik që na jep realiteti shqiptar. Aq më tepër që për të formuar një “kulturë” ose për të pasur sa më shumë “njerëz të kulturës”, që do të formonin më pas edhe ideologjinë e një jete të organizuar intelektuale, nuk mjafton vetëm intelekti, talenti apo logjika; duhet mjaft përshtatshmëri mendore, duhet përgatitje dhe mendim sistematik, që do të thotë fitim i një zotësie të vazhdueshme mendore; duhet së fundi edhe jetë sistematike. E jetë sistematike do të thotë jetë e rregullt, e pastër, e thellë, që nuk harxhon kot as kohën, as fuqinë e as talentin, por përpiqet me vullnet dhe dashuri të bëhet një element i dobishëm jo vetëm për veten e vet, por edhe për të tjerët rreth e rrotull. Po jeta jonë intelektuale sot, a e ka vallë këtë përshtatshmëri, këtë mendim sistematik, e më tej, a e bën vallë këtë jetë të quajtur aq bukur, sistematike?
Sepse, tekefundit, shkenca nuk është për shkencën, por është për jetën. Dhe e vetmja jetë që ekziston në të vërtetë, të paktën nga pikëpamja e gjurmimit sociologjik, është vetëm jeta shoqërore. E në kohën që rrojmë, për të formuar dhe për të rregulluar një jetë shoqërore nuk mjafton vetëm inteligjenca, as dhe vetëm karakteri. Duhet edhe shkenca, shkenca e shoqërisë. Duhet sociologjia. Mirëpo, meqë është e pamundur që jeta reale të zhbirohet vetëm me mjetet sociologjike, ne jemi të detyruar të drejtohemi edhe te fantazia shpirtërore, tek idealet, te fuqia e tyre krijonjëse, për të përfunduar kështu përsëri në prehrin e filozofisë. Një bashkatdhetar ose një qeveritar i ynë, që nuk ndjen nevojën të studiojë në prizmin e këtyre parimeve, në një mënyrë shkencore, abstrakte dhe teorike strukturën e shoqërisë brenda së cilës rron ose fatin e së cilës ka në dorë, i ngjan atij mjeku të mjerë, që s’e ka studiuar kurrë organizmin e brendshëm të trupit të njeriut; i ngjan atij mjekut qesharak dhe shumë herë të rrezikshëm, që s’ka haber fare nga anatomia. “Kombet që e kanë ndjerë thellësisht nevojën e një reforme, nuk kufizohen as në përsosjen e institucioneve të tyre juridike, as kanë për qëllim vetëm punimin më të mirë të mekanizmit të shtetit, por rëndësinë më të madhe ia japin rregullimit dhe lartësimit të jetës arsimore si dhe cilësisë së prodhimit të saj”. Po sot, a e kemi vallë një ide të tillë pedagogjike? A është vallë në lartësinë e misionit të vet për “popullarizimin e shkencave të mendimit dhe shoqërisë”, jo vetëm instanca jonë drejtuese arsimore, por edhe vetë trupa jonë e mësimdhënies? Sepse aty ku mungon ideja pedagogjike, aty ku shkolla nuk është e zonja të përdoret si organi më i sigurt për përhapjen dhe zbatimin e ideve të reja dhe të tendencave reformonjëse, kjo do të thotë se predispozitat dhe dëshirat e shoqërisë nuk janë të zhvilluara akoma në atë pikë sa të mendojnë dhe punojnë për sigurimin e përparimit dhe mirërrojtjes së nesërme.
Mirëpo, ku është filozofia jonë? Ku e kemi? Në raftet e dhomave apo në dejet e kryeve tona? Ja cilat qenë pyetjet-sfidë që Branko Merxhani i pat britur fort që atëherë. Po edhe sot, nëse arrijmë t’i shtrojmë ato mbi jetën tonë intelektuale, nga këndvështrimi i bazimit të saj te shkenca dhe dituria, atëherë me dëshpërimin por, edhe me kurajën mendore që kërkon e vërteta, na duhet të themi se kambanat e përndritjes shqiptare lipset të buçasin fort në veshët e të gjithë intelektualëve tanë. Studim, formim, dhe pastaj veprim. Vetëm kështu do të arrijmë të kemi një jetë mendore që influencon shoqërinë, një jetë që është djepi i formimit të ndjenjave shoqërore dhe baza e një edukate kolektive. E pas kësaj, vetëm kështu do të arrijmë të krijojmë një qendër që të frymëzojë besimin e të bëhet simptomë e një orientimi të ri të njeriut shqiptar, për të organizuar të gjitha fuqitë intelektuale në një drejtim të caktuar dhe me një iluminim të mjaftueshëm! Ja përse duhet të ushtojnë fort kambanat e filozofit dhe sociologut tonë të parë modern!
E kanë cilësuar si “meteor” të publicistikës shqiptare! Vërtet jetoi e punoi veç për një dekadë në Shqipëri, por drita që duhet të shkëlqejë sot në mendjen e çdo shqiptari duhet të jetë dielli i atij idealizmi shpirtëror, i atij “mobilizimi për pushtime morale”, i asaj “Shqipërie të mendimit dhe ndjenjës, të ideuar si brenda të pakufishme e jashtë të kufizuar”, që Branko Merxhani e briti me të gjithë forcën që i buronte nga thellësia e zemrës.
E kanë quajtur ndryshe edhe figurë “enigmatike” apo e “mistershme”! Ndoshta, për shkak të ardhjes dhe ikjes së heshtur nga ky vend. Ka shumë për të thënë mbi të, që shpresoj që t’i them në një libër që po shkruaj dhe do ta botoj së shpejti, sepse zemrën dhe mendjen e vet ai e shpalosi në të gjitha anët nëpërmjet ideve në shkrimet e tij. Foli për të rinjtë, për nënat dhe djemtë, për lirinë dashurore, duke marrë për bazë studimet e psikologëve më të mëdhenj të kohës si Frojd, Jung, Adler apo W. James. Vazhdoi më pas të sqarojë kuptimet dhe lidhjet midis jetës dhe ligjeve, midis kulturës, fesë dhe qytetërimit. Shpjegoi materializmin historik të Marksit dhe idealizmin shoqërore të Durkheimit, argumentoi se përse në Shqipëri nuk kish vend përhapja e bolshevizmës, duke kulmuar me pohimin e tij të famshëm “Nuk jam marksist”! Shkroi për këngëtarët e epokave të mëdha, për Gëten si një përrallë, hodhi idenë e një reviste-ide, reviste-mision, reviste-tendencë, hodhi idenë e themelimit të një muzeu etnografik, një Instituti Albanologjik në Tiranë, duke dhënë madje ide apo këshilla edhe për mënyrën dhe strukturën e historisë dhe historiografisë sonë. Përpiloi një projekt-rregullore të detajuar për mbledhjen e folklorit, hartoi një skicë sociologjike të perandorisë së osmanllinjve; shkroi për doktrinat ekonomike të kohës, për kongreset filozofike, shpjegoi se ç’është filozofia, metafizika, sociologjia, mitet, ideali, njeriu. Shkroi për Dekartin dhe Comten, shpjegoi teoritë e nacionalizmit (determinizmin shpirtëror dhe atë lëndor), komentoi teorinë evolucioniste të Darvinit dhe Spencerit dhe e përballi me teorinë bergsoniane të evolucionit krijues, duke arritur në përfundimin se “problemi i brendësimit të shpirtit është një problem krijimi”, për t’iu drejtuar më pas të rinjve të Shqipërisë me fjalët shkrepëtitëse: “Flaka e besës le të ndrijë prapë në zemrat tona të ngrira dhe rreze të ra shprese le të përtërijnë trutë tona të ndryshkura. Dhe nga thellësia e shpirtit tonë mizor të nxirë tejpërtej me pisën më të trashë t’interesit egoistik e të fatalismës, le të dëgjohet më në fund një zë trimërie dhe dinjiteti burrëror dhe le të pëlcasi më në fund ajo furtunë e madhe e shpresës mendore, pa të cilën nuk do të arrijmë dot kurrë të bëhemi as njerëz, as popull, as ‘Nation’”! Ja, për të gjitha këto Branko Merxhani e meriton të quhet ati i përndritjes shqiptare!
.
Revista letraro-kulturore "Perpjekja Shqiptare"
Revista letraro-kulturore “Perpjekja Shqiptare”
Nuk ishte ambicioz, në kuptimin që ambiciozë dhe budallenj kryelartë janë të gjithë të pseudo-kulturuarit. “Në një fushë të lartë, të rrethuar në të katërta anët me maja të mprehta si thika dhe me kufij që njerëzit e quajnë atdhe, atje jam lindur, atje janë varrosur kockat e gjyshërve të mi, atje jam ushqyer e rritur qysh në vogëli. Në këtë fushë gjeta edhe veten time dhe këtu jam duke qëndruar në këmbë, dikur me qejf, dikur pa qejf. Në këtë fushë po eci, po vrapoj, po mërzitem, po dëfrehem, këtu çqetësohem, këtu lodhem dhe këtu bie në gjumë. Pse më duhet të zgjedh një fushë tjetër, kur i tërë dheu është një fushë e gjerë dhe e madhe. Kosmopolitismi nuk mundi ende të futet në palcën time, të trazohet në dejet e mia, të bëhet prona dhe ndjenja ime. Ai për mua është një përfytyrim i huaj. Mund ta kuptoj vetëm me logjikë, por ndjenja ime nuk do të jetë kurrë”. Ja kështu rrëfehej Merxhani në një nga shkrimet e tij të fundit, përpara se të largohej nga Shqipëria. Megjithatë, jehonën e këtyre pohimeve e ndjejmë të na e kthejë edhe një fakt i treguar nga e bija e tij, tashmë e moshuar, që rron në Amerikë me të cilën kam pasur rastin të komunikoj në Amerikë. Ishin dy fjalë që atij i pëlqente t’i përmendte shpesh deri në çastet e fundit të jetës: “Kur s’ke atdhenë, asnjë dhe s’të bëhet më atdhe i dytë”!
“Nuk rrojmë për të fituar pozita dhe pasurira, – theksonte që në fillim në shkrimet e tij. – Larg qoftë në e sjellshin rrethanat të bëhemi politikanë. Jo! Roli i njeriut të kulturës kufizohet në gjurmimin dhe shpërhapjen e së vërtetës. Ai që rron, rron se e pa dhe e mundi rrezikun. E jeta nuk ka tjetër vlerë, tjetër kuptim. Jetë do të thotë të mundësh rrezikun. A nuk jemi vallë të përfshirë të gjithë në një krizë morale e të rrezikshme? A nuk duhet të kujtojmë edhe njëherë fjalët e Niçes se rreziku i madh ishte ai që i lartësoi kombet. Është pikërisht ky rrezik, ai që i shton mjetet e qëndresës njerëzore, çfaq virtytet më fisnike, shpërndan në zemra kurajë dhe zbulon njëherësh vlera të panjohura mendore që flenë brenda tyre. Rreziku i shtrëngon njerëzit të bëhen të fortë.
Mendimtarit, nga ana e tij, s’i nevojitet të ketë në zotërim një fuqi reale shtetërore. Ai ndjek rrugën e vet dhe e ndjek këtë rrugë me qetësi dhe guxim. Ecën edhe duke vuajtur. Fjalë të sinqerta që koha besoj ua përmbushi gjithë vërtetësinë. Po në këtë pikë, natyrshëm lind pyetja: Ku shkoi Brankua? Ku vajti? Ç’vepra të tjera la pas ky njeri? Mirëpo, në një nga të paktat copëza autobiografike të shkrimeve të tij, autori dëfton për fajin e tij të madh. “Shpirti i gazetarit, ky instinkt çqetësonjës i mbledhjes dhe gjurmimit të lajmit e të së vërtetës, më ndjek pas në çdo hap të jetës sime. Gazetaria ka qenë puna ime e parë e kënaqshme, që më tërhoqi thellë dhe më fali oreksin e punës. Kam nxjerrë gazetë, doemos qesharake dhe të shkruar me dorë, qëkurse kam qenë nxënës i vogël i shkollës së mesme. Më pas, kjo nxehje djalotare, që në krye më dukesh si një lodrë, u kthye në një profesion të rregullt e të dashur, me gjithë kundërshtimin e familjes. E më vonë kur zura të bashkëpunoj me revista të ndryshme letrare dhe të punoj për vjet me radhë në redaksitë e disa gazetave të përditshme, nisa ta dashuroja dalëngadalë zhurmën harmonike të maqinës rotative, aq sa era e rëndë dhe e helmuarë e mellanit të njomë derdhur në kartën gazetare të rrodhës së madhe të presës, u bë dëfrimi dhe gëzimi im i vetëm në orët e para të mëngjesit. Që nga ajo kohë e tëhu, nuk e gjeta gjëkund gjetkë qejfin dhe gëzimin që mjeshtëria gazetare i fal një redaktori të lindur e me ndërgjegje”.
Udhët e jetës u kthyen për në drejtime të tjera, Me gjithë këtë, instinkti gazetar nuk u qetua në vehten time. Mbeta thellë, kudo dhe kurdoherë, gazetar, njeri që e shkon natën pa fjetur, mik i pandarë i penës, kudo që u ndodha, jo vetëm në atmosferën e zhurmës së një qyteti ose gjysmë-qyteti, por edhe në fshatin më të largët e më të shkretë. Dhe që nga ajo kohë nuk munda ta bind dot veten se orët plot diell të ditës janë, për punët e mendjes, më të mira nga qetësia dhe vetmia e natës së errët…
Ja, ky është faji im!”
Ndaj, hamendësojmë se ky temperamenti i tij prej gazetari, që nuk diti tjetër lloj prehje përveç asaj që e bën njerinë të punojë pareshtur, do ta ketë ndjekur pas për gjatë gjithë jetës. Aq më tepër që është e njohur se ai punoi për vite me radhë në gazetat kryesore turke si Tan, Yeni, Gunaydin, Hurriyet etj.
Botën e tij e kanë emërtuar shpesh si idealiste, madje deri në kufijtë e utopisë. Mundet. Megjithatë, mendimtari ynë e kish shprehur qartë që në fillim. “Nuk shoh me idenë platonike. Mendoj. Dhe mendoj duke shëtitur brenda në natën shqiptare”. Filozofia më e mirë është ajo që lind nga shkenca sociologjike, ajo që mbështetet mbi njohje pozitive dhe arrin deri në majën e idealeve më të larta e më të bukura. E përballë këtij fakti ai vendoste edhe pohimin se një intelektual shikon rrezikun më të madh e më të tmerrshëm kur bie në hendekun e gabimit dhe të vetëgënjimit, po të dojë të bëjë një udhëtim në sferën e pasosur dhe kaotike të fantazisë së tij. Kjo sferë përmban vetëm botëra të rreme, vlera të vdekura, që sjellin vetëm gjumë dhe “utopistë gjenialë”. Drita është shkenca, bota e realiteteve. Problemi i jetës, misteri i së ardhmes, kanë nevojë për këtë dritë. Ndaj, le ta kthejmë vështrimin kundrejt jetës, le ta shohim jetën ashtu siç është dhe jo siç e duam ne të jetë. Jeta do një zgjidhje. E kjo zgjidhje nuk gjendet lart në qiellin kombëtar, por është e fshehur thellë në shpirtin kombëtar. Ja, për këtë zgjim shpirtëror shërbejnë idealet”.
E Branko Merxhani mbeti gjithmonë “ushtar i idealeve”. “Idealet janë e rrojnë, – shkruante ai – qoftë edhe sikur të mos jetë e mundur të realizohen. Janë dhe rrojnë, si simbole të një dëshire të thellë përmirësimi, si kritere ideale të realitetit dhe si të tillë kanë një vlerë shumë të lartë dhe bile jo vetëm teorike, por edhe praktike. Nuk janë utopi, por janë kritere morale dhe si të tilla shënjojnë të vërtetën, qoftë edhe kur ajo nuk pajtohet me realitetin aktual”.
Ja, ky është testamenti shpirtëror që besoj se u ka lënë brezave idealisti dhe mendimtari ynë. Kombet ngrihen dhe mbahen në këmbë vetëm për hir të të vdekurve të tyre të mëdhenj. Të gjallët vetëm i përbëjnë kombet. Ata që i bëjnë, që i shtyjnë përpara, që u japin frymë, erë dhe gjak, janë të vdekurit e tyre të vajtuar e të nderuar.
Branko Merxhani rrojti vërtet për një ideal. Le të bëhet pra ideali i tij, një diell ide-dhënës për të gjithëne!
21.05.20

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.