Branko Merxhani, Korife i publicistikës shqiptare…
nga Pertefe Leka
Branko Merxhani,
parashikoi si profet
rrugën që duhet të ndiqte populli shqiptar
drejt Evropës dhe Demokracisë
Të dhëna biografike të panjohura më parë për Branko Merxhanin, nga vajza e tij Afërdita Kici, Petro Marko, Dr. Jakov Milaj, Shefqet Musaraj. Nga studiuesit e publicistikës së Branko Merxhanit, shkruhet se është autor pa biografi. Por sipas disa të dhënave jetësore, nga bashkëkohës te tij, si Petro Marko, Dr. Jakov Milaj dhe nga vajza e tij Afërdita Kici, pasurohet jetëshkrimi i tij.
Kam pasë rastin të komunikoj me të lartëpërmendurit, prandaj nuk mund të hesht për ato material që kam mbledhur për t’i hapur rrugën studiuesve të mirëfilltë, të cilët mund të hulumtojnë akoma më shumë nga shkrimi i Dr. Milajt dhe nga botimet e Branko Merxhanit në Turqi.
Branko Merxhani erdhi në Shqipëri dhe hyri në rrethet intelektuale gjatë viteve 1926-1939.
Në mesin e viteve ‘30-të, kur Shqipëria kishte nevojë për të gjetur rrugën e së ardhmes dhe kur diskutohej në eliten intelektuale se cili do të ishte fati i Shqipërisë, në atë kohë plot trazira, nga partite fashiste, naziste e komuniste, Branko Merxhani botonte artikuj filozofikë e sociologjikë duke argumentuar se çfarë i duhesh kombit tonë, për të dalë nga prapambetja kulturore, ekonomike dhe politike. Ai paralajmëroi se Shqipërisë nuk i duhej rruga qe ndoqi Bashkimi Sovjetik, sepse “është një eksperiment pa të ardhme”. Prandaj e pohoi botërisht “Nuk jam marksist, nuk jam fashist, por jam një Demokrat…”. Ai e parashikoi se rruga e vetme e Shqipërisë është ajo rrugë që ndoqën shtetet më të përparuara të Europës.
Ai pati kurajon të analizojë me argumente në artikullin “Pse nuk jam marksist” “Përrallen e profecive të bolshevizmit” të cilën “do të na e kallëxojë…”
Historia
Dhe historia nuk vonoi shumë të regjistrojë shkatërrimin e komunizmit, ashtu siç e parashikoi i Urti, Branko Merxhani.
Branko nuk jeton më, por vizionet e tij për demokracinë dhe rrugën për emancipimin shoqëror janë aktuale edhe për sot. Ai ishte një udhëtar i shpejtë në rrugën e jetës moderne drejt Evropës. Ai shkruante: “Shqipëria ka nevojë për njerëz që mundën të lartësojnë vetën e tyre përmbi logjikën e imponuar të ditës dhe për njerëz që kuptojnë kohën dhe ndiejnë fund e krye nevojat e saj.” B.Merxhani
Pikëpamjet e tij për të ardhmen e vendit tonë i shprehte në lidhjet ekonomike e politike të Shqipërise me botën, me vendet më të zhvilluara evropiane siç ishte Anglia e Franca dhe lartësonte demokracinë amerikane që udhëhiqej nga parimet e një demokracie tradicionale. Thirrjet e vazhdueshme që u bënte bashkatedhetarëve për të nxjerrë Shqipërinë nga pellgu i varfërisë mendore e fizike, ishin njerëzore.
Branko Merxhani, pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Turqi, materialet që kam mbledhur mund të ndihmojnë studiuesit të hulumtojnë në disa drejtime.
Shkrimet e Petro Markos, Dr. Jakov Milajt etj. do të vlejnë për t’ia pasuruar biografinë. Ata e kanë njohur personalisht dhe kanë punuar me kolegun e tyre, për një kohë të gjatë.
Këto të dhëna i nis me fjalët e të paharruarit, Petro Marko “Branko Merxhani është një ndër korifejtë e publicistikës turke dhe shqiptare… Si i ri që isha, e admiroja Brankon për karakterin, kulturën e gjerë dhe penën e tij. Ai u bë mësuesi im…”
Ishte prilli i vitit 1991, kur unë, (Pertefe Leka) dërgova dorazi një shkrim te Gazeta “Republika”. Ishin muajt e parë të rrugëtimit të kësaj gazete. Në redaksinë e gazetës takova për herë të parë dhe të fundit të ndjerin Petro Marko. Shkrimi im titullohej “Pse nuk jam marksist?” duke iu referuar kryeartikullit të Branko Merxhanit shkruar në revistën “Përpjekja Shqiptare”. Zoti Petro Marko, edhe pse i rënduar nga pesha e vuajtjeve e priti me një entuziazëm, duke më përgëzuar më tha: “Oh ç’ma solle në mendje. Tani më dëgjo: Branko më kishte thëne, – kur u ndava prej tij, – do të më kujtosh më vonë. Ai ishte mendjendritur dhe shumë patriot, prandaj, tani do të nis ta shkruaj se si lindi ky kryeartikull”.
Nuk vonoi shumë, u botuan të dy shkrimet në një faqe: “Pse nuk jam marksist” dhe artikulli i Petro Markos, “Si u shkrua një kryeartikull” shoqëruar me nje foto të Petro Markos me Branko Merxhanin. (Gazeta Republika, datë 28, Prill 1991)
Ndër të tjera, Petro Marko shkruan në atë artikull: “Branko Merxhani ishte bir nga Sopiku i Pogonit. Pasi mbaroi studimet e larta në degën e filozofisë në Turqi, shkoi në Austri ku mbaroi studimet për sociologji.
Pas triumfit të plotë të Ataturkut ushtroi profesionin e publicistit në Ankara në organet më përparimtare dhe u dallua në gjirin e inteligjencës turke. Rastësisht, duke vizituar Janinën u takua me publicistin Vangjel Koça, i cili e bindi të kthehej në Shqipëri dhe t’i shërbente kulturës tonë. Brankoja pranoi, dhe në Gjirokastër nisi bashkëpunimin në gazetën “Demokratia” të Jorgji Meksit. Vlerat e tij u shfaqen menjëherë, prandaj u thirr në Tiranë të bashkëpunonte në revistën “Illyria” Aty punoja edhe unë (Petro Marko)
Po në atë artikull, Petro Marko shkruan se si bashkëpunuan edhe në Revistën “Perpjekja Shqiptare” e cila drejtohej nga Branko Merxhani. Ndër të tjera, ai thekson se si u thirrën nga Ministri i Brendshëm, Musa Juka, i cili u kishte thënë: “Kam urdhër nga Naltmadhnia t’ju komunikoj se, nëse dëshironi vazhdimin e botimit të revistës “Përpjekja Shqiptare”, duhet të bëni një deklaratë në faqen e parë se nuk jeni komunistë.
Si i ri që isha, shkruan Petro Marko, nxitova të përgjigjem: “Nuk kam bërë deri më sot asnjë deklaratë që jam komunist, që të bëj një tjetër e ta mohoj”. Ndërsa Brankoja me pjekuri i kërkoi Ministrit njëfarë kohe që të mendohet. Pas pak ditësh, më thirri Brankoja dhe më tha: “E gjeta. Unë vërtetë nuk jam as marksist as fashist. Jam një demokrat, prandaj ulu të të diktoj të shkruash… Për habinë time dëgjova titullin; “Pse nuk jam marksist?”
Pa iu kundërvënë mësuesit tim të respektuar shkrova në makinë kryeartikullin e tij. Kur mbaroi se diktuari i thashë: Atëhere unë po e heq emrin tim nga revista.
Ai më përkëdheli flokët dhe më tha: Je akoma i papjekur, je shumë i ri, më vonë do të më kuptosh, jam më se i sigurt” (marrë nga artikulli i Petro Markos) Mbas kësaj ndarje, Petro Marko iku në Spanjë, ndërsa revista vazhdoi të publikohej duke kryer funksionin e një universiteti laik për rininë, siç e kishte cilësuar vetë Brankoja.
Bashkëpunëtorët e kësaj Reviste ishin intelektualët më të shquar përparimtarë të kohës si: Aleksandër Xhuvani, Ernest Koliqi, Eqrem Cabej, Lumo Skëndo, Lasgush Poradeci, Skënder Luarasi… deri tek më të rinjtë si Vedat Kokona, Jakov Milaj, Musine Kokalari, Nexhat Hakiu, Shefqet Musaraj, Dhimitër Shuteriqi… etj.
Branko Merxhanin edhe unë (Pertefe Leka) e adhuroja, sepse isha rritur duke shfletuar revistën “Përpjekja Shqiptare”, të cilën im atë, e ruante me shumë kujdes. Kështu kërkoja të dija me shumë rreth personalitetit tij, prandaj e kisha gjithmonë në vëmendje.
Në prillin e vitit 1992, pata rastin ta vizitoj Stambollin, para se të nisesha, takova rastësisht me Prof. Fadil Repishtin, nga i cili mësova disa të dhëna për jetën e Branko Merxhanit, por që ato ishin të ngjashme me ato të z. Petro Marko. Profesori me porositi që ta kërkoja në Stamboll, me emrin Ali Pazari. Ata që u angazhuan për të marrë ndonjë informacion, nuk arritën të gjenin ndonjë gjurmë me këte emër.
Në shtator të vitit 1993, në një përkujtimore për Prof. Dr. Mirash Ivanaj, ishte i ftuar edhe 83-vjeçari Dr. Jakov Milaj (ish-nxënës, e më vonë edhe koleg i Dr. Mirash Ivanajt), i cili kishte shumë njohuri për jetën e Branko Merxhanit. Me kërkesën time Dr. Milaj më dërgoi me faks 3 faqe të shkruar me dorën e tij, në gjuhën italiane të dhëna biografike për Branko Merxhanin “Cenni biografici di Branco Merxhani”. Sipas të dhënave të Dr. Milajt rezulton se Branko Merxhani kishte lindur në Nish, ku babai i tij kishte qenë nëpunës (gjykatës) i qeverisë turke në ate krahinë. Atje ishte martuar me nje vendase. Më vonë qeveria turke e transferoi në Stamboll, ku Brankoja vazhdoi shkollën elementare dhe Liceun gjerman të Bursës.
Mbasi mbaroi studimet universitare në Filozofi, ai u ftua nga Mustafa Kemal Ataturku, të hulumtonte në arkivat e famshme të Vjenës për disa dokumente që kishin lidhje me qeverinë turke. Për këtë çështje, në vitin 1926, Branko Merxhani shprehet verbalisht për disa shkrime që bënin fjalë për një grusht shteti, kundër Ataturkut, në fillim të revolucionit, nga besnikët e tij.
Qeveria e Ankarasë, pas këtij informacioni, vendosi të dënojë Brankon (aveva deciso di condanare Branco – Jakov Milaj). Babai i Brankos sapo mori vesh një lajm të tillë, lajmëroi të birin që të shkonte në Shqipëri, pasi zotëronte të gjitha dokumentet kadastrale për një pronë që ata zotëronin në fshatin Sopik të Pogonit.
Kështu, Brankoja i këshilluar nga i jati vendosi të vinte në Shqipëri, në tokën e të parëve të tij. Branko nuk dinte shqip, por ai hyri menjëherë në lidhje me intelektualët shqiptarë që njihnin gjuhët turke, greke dhe gjermane. Ai filloi të shkruante në gazetën “Demokratia”
Shkrimet e të cilit i përkthenin miqtë e tij në gjuhën shqipe. Zgjuarsia dhe vullneti i tij i paepur bënë, që për disa muaj të flasi në gjuhën shqipe.
Më vonë punoi si redaktor në revisten Neo-Shqiptarizma. Nga mesi i vitit 1937, Ai drejtoi revistën “Përpjekja shqiptare”.
Tani për Brankon nuk kishte më vështirësi për gjuhën. Ai e shkruante korrekt gjuhën shqipe dhe botonte drejtpërdrejt artikuj filozofikë, historikë, sociologjikë ku tërhoqi shumë intelektualë prej të cilëve shumë të rinj të cilët e admironin.
Kritiku i tij ishte, shkrimtari Tajar Zavalani, i cili ishte kthyer nga Bashkimi Sovjetik. Ai shkruante: Pse revista “Përpjekja shqiptare” është okupuar nga filozofia e sociologjia dhe nuk ka interes për të varfërit. Përgjigjja e Brankos, i cili pasurinë mendore e pagoi me varferinë ekonomike ishte: “Ne nuk jemi fashistë, as bolshevikë, as liberalë, por jemi Demokratë të disiplinuar, demokratë me një disiplinë e me një ideal. Unë dua një Shqipëri demokratike ku të kenë vend edhe komunistët, edhe të gjithë patriotët dhe antifashistët…”
Shtatë Prilli i 1939, e komplikoi edhe më shumë jetën e Brankos në Shqipëri. Dy numrat e fundit të revistës “Përpjekja Shqiptare” ia konfiskuan dhe e porositën që nëqoftëse donte të vazhdonte punën e tij si gazetar të nxirrte një revistë me titullin “Përpjekja Fashiste”. Kështu, ai vendosi të largohej nga Shqipëria.
Në fillim të gushtit 1939, u nis për në Korçë, ku vizitoi Kishën Ortodokse me vlera historike, vizitoi fshatin Butka, fshat i Kolonjës dhe së bashku me Inxh. Qemal Butkën e agronomin Dalip Zavalani (vëllai i Tajar Zavalanit) kaluan kufirin grek dhe u vendosën në Turqi.
Branko u takua atje me disa miq të vjetër të Kostatinopulit. Ata, duke ditur vështirësitë ekonomike të Brankos e ndihmuan pa kursim, ndërmjet atyre përmendet emri i Tare Libohovës, i cili kishte ndihmuar shumë refugjatë të varfër dhe patriotë.
Në viti 1941-’42, një organizatë amerikane që vepronte në Egjipt, kërkonte folës për Zërin e Amerikës në një stacion radioje. Ndër refugjatët shqiptarë u zgjodhën: Branko Merxhani, Prof. Dr. Mirash Ivanaj dhe Xhemal Farka (ky i fundit ishte student në Universitetin Amerikan të Bejrutit). Pas pushtimit të Libise, të tre te lartpermendurit, shkruan Dr. Milaj, kaluan në Jeruzalem dhe punuan atje deri në mbarim të luftës.
Pas luftës Xhemal Farka kthehet në Shqipëri që të kontaktonte me mikun e tij Lef Nosi, por e pësoi keq nga komunistët. Edhe Prof. Mirash Ivanaj, u kthye ne Shqipëri për të vazhduar karrieren e tij në edukimin e brezit të ri, por vdiq në burg. Branko nuk u kthye në Shqipëri sepse kishte shkruar artikullin: “Pse nuk jam marksist”.
Branko Merxhani kur u vendos përfundimisht në Turqi ka shkruar për Shqipërinë dhe për traditat shqiptare, por asnjëhere për personalitete marksiste (marrë me faks nga Dr. Jakov Milaj)
Nuk mund të lëmë pa përmendur, edhe Shefqet Musarajn, në romanin “Para Agimit”, ku e përshkruan me detaje, figuren reale të Branko Mexhanit, të mishëruar në personazhin e Zotit Bardhi.
Lidhjet e Branko Merxhanit me Mit’hat Frashërin, Musine Kokalarin (ne roman me emrin Ermira Velo), dhe intelektualë të kohës e evidentojnë si njeri me influencë për mendimin progresiv. Eshtë e çuditshme që Shefqet Musaraj e ka paraqitur me aq dinjitet personazhin në fjalë, por qëndrimi kritik i tij ishte ndaj thënies profetike të Merxhanit se: “Bashkimi Sovjetik është një eksperiment pa të ardhme…”
Disa të dhëna të panjohura më parë i kam dëgjuar nga vajza e Branko Merxhanit, zonja Afërdita Kiçi. Një artikull, që i kisha dërguar gazettes “Illyria” të New York-ut “Visionet e një publicisti të viteve ‘30”, u botua me datën 15 Janar 1995.
Në ditët e para të shpërndarjes së gazetës, mora një telefonatë. Ishte zëri i një zonje, e cila fliste nga Uashingtoni. Si më përgëzoi me përzemërsi dhe respekt për artikullin në fjalë, në bisedë e sipër më tha: “Jam vajza e Branko Merxhanit.” E surprizuar nga ai moment, mësova se Aferdita, ishte martuar me një zotni nga Shkodra, Gaspër Kiçi. Ishte një emër i mirënjohur, sepse zoti Gaspër kishte punuar në ‘Zërin e Amerikës” dhe së bashku me z. Hysni Alikon kishin botuar fjalorin” Albanian English Dictionary. English-Albanian”. Me motrën tjetër të Aferditës nuk munda të hyj në lidhje. Ajo jetonte në Kaliforni edhe ajo ishte martuar me një zotni nga Shkodra me mbiemrin Fekeçi.
Nga Lidhjet me Afërditën mësova se emri i vërtetë i babait të saj ishte Aleksandër, por nëna e tij nga Nishi e thërriste Branko. Babai i Aferdites, Branko, ishte martuar me një vendase në Sopik.
Afërdita më shkruante se babai i saj ishte i dhënë pas Descartes (filozof francez, matematicien e fizikant 1596-1650), por ai admironte Ataturkun.
Ataturku, për Br4anko Merxhanin ishte shembulli më i përkryer si burrë shteti, dhe ishte bërë pjesë e filozofisë së tij. Ajo kishte dijeni edhe për jetën e babait të saj në Egjipt, për këtë, një zonjë me emrin Myrvete Sula, i kishte treguar shumë detaje nga jeta e tij atje.
Afërdita e kishte vizituar të jatin në Stamboll dhe më tregoi se atje njihet me emrin Baha Ozler.
Unë duke kërkuar shkrime me këtë emër, gjeta disa tituj në turqisht, por e pasigurtë për ta, i mbetet dikujt tjetër të hulumtojë jeten dhe shkrimet e Branko Merxhanit në Turqi, ashtu siç bëri edhe gazetari turk Nexhip Allpan, i cili ndër të tjera shkruan edhe emrat e gazetave turke, Tan (Agimi), Hurriet (Liria), Yeni Gazete (Gazeta e Re), Gunaydin (Mirëmëngjes) në të cilat kishte botuar publicisti Merxhani.
Në vazhdimësi, ku pistat e kërkimit janë të qarta, studiues profesionistë do ta plotësojnë biografinë e Branko Merxhanit (1895-1981), sepse Ai meriton shumë. Pavarësisht nga këto, vepra e tij vazhdon të jetë një shkollë për publicistët e të gjitha moshave. Dhe ai duhet të nderohet si kryemësuesi i kësaj shkolle. Arma e tij më e fuqishme ishte Argumenti. Ai e çliroi psenë e tij me fakte, Shqipërisë nuk i duhej marksizmi.Ai parashikoi gjithçka, si një profet, mesazhet e tij do të vazhdojnë të komunikojnë me brezat sepse kanë vlera universale.
Sot, që Shqipëria është në procese refomuese janë me vlerë dhe do të jenë gjithmonë aktuale mësimet filozofike dhe sociologjike të djalit nga Sopiku me emrin Aleksandër (Branko Merxhani), kur shkruante se: “Reformë do të thotë, studim sociologjik i jetës së një turme njerëzore dhe zbatim jo vetëm i ligjeve, jo vetem i urdhëresave, po para çdo gjëje zbatim i një sistemi sociologjik, i një sistemi të nevojave kombëtare. Vetëm një e tillë lëvizje reformonjëse mundet të ketë njëfarë vlere historike, e cila bazohet në kuptimin shoqëror të një populli. Është nevoja që të krijojmë një jetë mendore. Dhe jetë mendore do të thotë për Shqipërinë, jo vetem krijim shfaqjesh tipografike, as ngrehje qendra dëfrimesh, po princip, çap, kurajo për një gjurmim shkencor, serioz, të vazhduar, për analizimin dhe shpjegimin e vonesave historike dhe sociologjike të jetës kombëtare. Vetëm mbi një punë të tillë mund të mbështetet mendimi dhe sistemi i reformave. Dhe vetem pas një zbatimi besnik të kësaj pune do të mundemi edhe ne të hyjmë një ditë në qarkun e popujve të qytetëruar…”