Brezi i Dashurisë së Ndaluar…
nga Eugjen Merlika
(Nderim kujtimit të Liri Dori – Kupi)
“Dashuria përqafon gjithë jetën e një gruaje;
dashuria bëhet burgu i saj dhe mbretëria e saj qiellore:
ajo që përulësisht flijohet duke dashuruar, shërben e zotëron në të njëjtën kohë.”
Adalbert von Chamisso (1781-1838) poet dhe romancier gjerman
18 prilli 2015 qe një ditë zie për shumë shqiptarë të Nju Jorkut. Ishin ata, që vinin nga një qëndrim i gjatë në sektorët e fermës së Lushnjes, të atij kampi të madh internimi që emërtohej “29 nëndori”, datë që tingëllonte si një ironi e fatit, mbasi shënonte zanafillën e fatkeqësive të tyre.
Atë ditë ata u mblodhën të gjithë aty, në lagjen Forest Hills Quins, me fytyrat e zymta e të ngrysura, për të përcjellë në banesën e fundit tokësore një nënë, një grua, një shoqen e tyre, e cila ishte bashkuar me ta në një ditë tashmë të largët të gjysëm shekulli më parë.
Sëmundja e pamëshirshme e rrëmbeu para kohe Lirinë nga gjiri i familjes, nga bashkëshorti i drobitur në afër gjysëm qindvjeti internimesh e burgjesh, si “armik i popullit”, si biri i “tradhëtarit”, edhe se babai xhelatët e tij i quante “kalamaj” që nuk dinin se çfarë bënin e nuk deshi të luftojë kundër tyre, sepse ishin “bij të shqipes”, bashkë me të cilët duhej përzënë pushtuesi nga toka shqiptare. Liria u nda nga fëmijët, tashmë të rritur e prindër vetë, nga kunatat që e pritën si motrën e tyre, kur ajo vendosi të bëhej shoqja e jetës së Fatbardh Kupit, mbiemri i të cilit atëherë, ashtu si edhe disa të tjerë, njëzet vjet mbas t’ashtuquajturit “çlirim”, ishte sinonim i urrejtjes që shoqëria duhej të kultivonte kundrejt pjesës më të mirë të saj.
Liria atë ditë u la lamtumirën edhe bashkëvuajtësve të saj, atyre shoqeve e shokëve të sektorëve kampe të Grabianit, të Savrës, të Gradishtit që, për afër tre dhjetëvjeçarë, jeta i bëri të përballonin së bashku fatkeqësinë e të qenit në të njëjtën geto, lodhjen, shqetësimet, ankthin e përditshëm, dhimbjet e ndonjë çast gëzimi, siç ishin lindjet e fëmijëve.
Ata njerëz, ata burra e gra, pleq e të rinj, të mbijetuar kalvarit të gjatë të fushave të Myzeqesë, në atë ditë të trishtuar, thellë në vetvete i kanë njohur së ndjerës, që kishte emrin e konceptit më të bukur në botë, një meritë të veçantë, të tillë që e kishin shumë pak prej tyre. Liria nuk lindi me një mbiemër të njohur, me “mëkatin origjinal” që, shumica dërmuese e atyre që quheshin “armiq të klasës”, trashëgonin që në embrion si pasojë e një ideje ogurzezë e fatale që kasta drejtuese komuniste shqiptare kishte përvehtësuar nga përvoja më çnjerëzore e kriminale e zbatimit të doktrinës, së cilës i kishin besuar jo vetëm bindjet e tyre, por edhe fatet e shqiptarëve. Liria kishte mbiemrin Dori, mbiemri i thjeshtë i një familjeje nga Përmeti, e cila kishte menduar se e ardhmja e Vendit të tyre duhej t’ishte e lidhur me “shpresën” që frymëzonin ca djem e vajza të reja që kishin marrë malet, duke vënë në kokë një kësulë me yllin e kuq pesëcepësh në ballë e që këndonin: “Bijtë e Stalinit jemi ne/ Që derdhim gjakun anembanë/ Sa të valojë përmbi dhe/ Flamuri drapër e çekan!”
Babai i Lirisë, xha Mitroja, në punën e tij si kamarier në klubin e vetëm të Lushnjes së viteve ’50 – ’60, dukej se nuk e parapëlqente “luftën e klasave”. Në klubin e tij vinin shpesh djem të rinj, që kishin në ballë një vulë të padukshme, por që thithte mbi të syrin “vigjilent” të besnikëve të regjimit. Xha Mitroja i trajtonte ata si gjithë të tjerët, madje shërbimi ndaj tyre, në normalitetin e tij, zbulonte një simpati të heshtur. Liria ishte fëmija e parë e, për t’i ardhur në ndihmë familjes, i u bashkua t’atit në punën e tij. Kanë kaluar më shumë se pesëdhjetë vjet nga ajo kohë, por fytyra e saj, mbas banakut të klubit, më vjen ende e gjallë para syve të mendjes. Ajo vazhdonte gjimnazin natën së bashku me mjaft djem nga Savra e Pluku, që ishin të internuar.
Mund të tingëllojë si i çuditshëm ky fakt që u lejohej atyre djemve të vazhdonin gjimnazin në Lushnjen e udhëzimeve të posaçme nga udhëheqja qëndrore e partisë. Ndoshta dyshja Nuçi Tira – Qemal Myrseli e lejuan atë shkollim, mbasi dhjetë vjet më vonë, të tjerë drejtues përjashtuan nga shkolla e mesme edhe vajza 15 – vjeçare.
Në bangat e gjimnazit lindi dashuria ndërmjet Fatbardh Kupit dhe Liri Dorit. Ishte një dashuri e pastër dhe e vetëdijshme për muret që duhej të shkallmonte në sendërtimin e jetës së përbashkët. Vajza, që ende nuk kishte mbushur të njëzetat, gjeti në shokun e klasës, që ishte pesëmbëdhjetë vjet më i madh, njeriun e ëndrrave të saj vajzërore, “princin e kaltër” që i frymëzonte jo vetëm ndjenjën fisnike të dashurisë së parë, por edhe besimin në jetën, atë siguri që çdo femër kërkon instiktivisht të gjejë tek partneri për të krijuar një familje.
Ky ishte aspekti romantik i lidhjes së tyre, dukuria që ka lindur së bashku me njeriun, më fisnikja e më e pranishmja në fantazitë e veprat e shkrimtarëve dhe artistëve të gjithë epokave. Epoka e enverizmit në Shqipëri, duke huajtur nga përvoja më e keqe botërore e dasivet njerëzore konceptet penguese e kriminalizuese të dashurisë, kishte krijuar tabù të pathyeshme në krijimin e familjes. Marredhëniet dashurore nuk mund të dilnin nga kornizat e parapërcaktuara të përkatësive “klasore”. Familja që krijohej jashtë këtij konteksti ishte e paracaktuar të pësonte gjithë “mërinë e Akilit” të regjimit, nëpërmjet masave administrative siç ishte largimi nga puna apo internimi. Veçimi shoqëror, që fillonte nga ai i familjes së atij apo asaj që kishte “përbërje të mirë”, për të kaluar tek njerëzit e farefisit, tek shokët e shoqet e shkollës apo të punës, tek të njohurit e thjeshtë ishte synimi kryesor i pushtetit dhe “organizatave” të masave.
Le të mos shkandullohet ndonjë e re apo i ri i sotëm, që nuk mund të konceptojë një rend të tillë gjërash, nëse lexon historinë e asaj gruaje që mbylli sytë para pak ditësh në Nju Jorkun e demokracisë. Sa drama të tilla, herë herë të kthyera në tragjedi, ka përjetuar brezi i ynë, brezi i prindërve të tyre. Sa raste të panumurta dashurish të ndaluara kanë gjymtuar shpirtërisht atë brez, sa dhimbje, sa lotë, sa brenga cfilitëse kanë shoqëruar vitet e rinisë. Sa e vështirë ka qënë prova, në të cilën u vunë shumë të rinj e familje të tyre, sa familje të shkatërruara, sa ëndrra të varrosura nën peshën e “luftës së klasave”, sa fëmijë të rritur pa një prind edhe në rradhët e atyre që, deri në çastin e katastrofës vetiake, hymnizonin regjimin e përligjnin mizorinë e tij.
Qenë të paktë, n’atë kohë të ashpër, ata apo ato që dolën fitues në luftën e tyre të pabarabartë me pushtetin e dhunës e të poshtërsisë njerëzore. Liri Dori, që mori mbiemrin Kupi, përmetarja njëzet vjeçare, qe një nga ato, një nga të paktat. Ajo pati forcën të sfidojë gjithshka, mendësinë e familjes, dhunën e shtetit që u shfaq në tërë shëmtimin e saj në vitet e gjata t’internimit së bashku me familjen e katër fëmijët që mbushën vatrën krutane, mungesat, indiferentizmin, madje edhe “dënimin” e shoqeve të fëminisë. Në vend të shkollës së lartë e të profesionit të rehatshëm në një jetë normale pranoi të marrë shatin e lopatën e të punojë me dhjetra vite nën diellin përvëlues dhe erën e ftohtë dimërore të Myzeqesë. Jetoi në një kasolle majë kodrës së Grabianit, pa u ankuar kurrë, pa hapur gojën. Nuk kishte nevojë të fliste, sytë e saj shprehnin më së miri gjithë botën e saj të brendëshme, në të cilën zotëronte vetëm dashuria, ajo sublimja, e përjetëshmja, që bashkohej me respektin për familjen e burrit, për vlerat morale, për aftësinë e flijimit për to.
Jeta e saj i shëmbëlleu asaj të shumë shoqeve të fatkeqësive, që regjimi u kishte paracaktuar mënyrën e jetesës ashtu si dikur një tjetër regjim kishte vepruar me hebrenjtë në pjesën më të madhe t’Evropës. Ato gra që mbajtën mbi supet e tyre peshën më të rëndë të diktaturës, duke çuar përpara familjet shpesh pa burra, duke rritur fëmijë, duke respektuar e kujdesur pleqtë, janë krenaria e vërtetë e rracës shqiptare. Ato janë heroinat e heshtura të Shqipërisë fisnike. Ato që u rritën kampeve të internimit, që u lindën, jetuan e u plakën duke përballuar çdo ditë mizorinë njerëzore në të gjitha format e saj të mundëshme, që nuk morën kurrë përkëdheli të babait, sepse u rritën pa baballarë, që ditën t’i dhurojnë dashuri e përkëdheli burrave e fëmijëve të tyre, janë stolia më e çmuar që shoqëria shqiptare ka në trupin e saj. Emrat e tyre janë të panumërt, ashtu siç është e pamatëshme madhështia e shpirtit të tyre, ashtu siç është i pakufishëm borxhi që Shqipëria ka ndaj tyre, sepse gratë e virtytshme janë pasuria më e çmuar e një kombi.
Liria ishte njëra prej tyre.
Lotët e shoqeve, që shoqëruan fjalët e mbesës së vogël në funeralin madhështor të Nju Jorkut, ishin dëshmia e dhimbjes së thellë, por edhe e nderimit të posaçëm, të veçantë. Ishte nderimi për gruan që atë jetë privacionesh e sakrificash në kufijtë e heroizmit, për të krijuar e mbrojtur familjen, institucionin më të rëndësishëm të shoqërisë njerëzore, për të ruajtur e lartësuar dinjitetin njerëzor, qoftë edhe me çmimin e flijimit, ajo e zgjodhi vetë. E zgjodhi n’emër të ndjenjës së dashurisë, t’asaj vlere që e bashkuar me emrin e saj, përbëjnë një dyshe të përjetëshme, motorrin më të fuqishëm që çon përpara njerëzimin.
Shpirti i Lirisë sot është në dritën e përjetësisë, ndërsa për ne emri i saj mbetet një shembull e një simbol.
Faleminderit Liri!
Prill 2015
Marrë nga Dielli 29 prill 2015