back to top
7.5 C
Tirana
E diel, 17 Nëntor, 2024

Brezi i Parë i Diasporës: Bohrmaschine! esse Gjergj Jozef Kola

Gazeta

Sebastian Kurz dhe Gjergj Jozef Kola
Sebastian Kurz dhe Gjergj Jozef Kola

Brezi i Parë i Diasporës: Bohrmaschine!

esse Gjergj Jozef Kola

Kush jeton në diasporёn shqiptare në perëndim,
për nji arësye apo nji tjetër, ka ndeshë me fenomenin absurd të asaj,
që në botën gjermanofolëse quhet: “Albaner – Bohrmaschine” = turjela shqiptare.
Për mue që jetoj përditë në ambjentin pedagogjik gjermanofolës
ky fenomen më asht krejt i njoftun dhe më futet përditë nën lёkurë,
si nji pickim mushkajet e nxen vend si malarje.
.
Gjergj Jozef Kola
Gjergj Jozef Kola
Kanga Rap e “Bohrmaschine” = “Turjela eletrika” asht nji prolog i dhjetra video-klipeve mbi shqiptarin në perëndim. Ky asht ai shqiptari i brezit të parë, i lindun dhe rritun aty, pa asnji traditë, sikur ka ra prej planetit X dhe këneta, që ka gjetë me u rritë asht: lumpenizmi europian. Ky lumpenizëm dihet se për kё bahet ushqim nji ditë, kufomë e terrorit dhe fanatizmit e krimit dhe drogës.
Shqiptari i këtij brezi subkulturë në perëndim, veçanarisht në diasporën europiane, përban mjerisht shumicën e shqiptarëve, se ai asht shqiptari i Shqipnisë, i Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të zi.
Videoklipet e shqiptarit te tipit “Bohrmaschine”, sidomos në botën gjermanofolëse janë të mbushuna me shamje banale, përbuzëse, antifeministe, ku sidomos pjesa ma e brishtë dhe e shejtë e familjes si Nana apo Motra, Gruaja apo Vajza shahen vendshe. Kuptohet nuk shahet vetëm Nana dhe Motra e shqiptarit “në mes vedi”, porse mbi të gjitha shqiptari ja shan atë të tjerëve, në nji formë gjuhësore që asnji komb nuk e ka. Kjo subkulturë e shamjes si emblemë e prezantimit të shqiptarit në perëndim asht thellësisht dekadente dhe patologjike, si nji neurozë e nji brezi “gojëpleh”.
Kur më pyesin në ambjentet pedagogjike mbi kuptimin e strukturës shoqnore të shamjes së Nanës, Motrës, Bijës apo Bashkshortes, në kët mënyrë dëshirore-urdhënore të formës gojore të “përdhunimit seksual” në shprehjen “ta qif…”, tek shqiptarët, unë përpiqem krejt kot me justifikue kët gja me patriarkalizmin primitiv rural shqiptar.
Shqiptarin e kanë katapultue këto video youtubore në kandin e “Lachnummer” të Europës. Kazakistani i Borat asht amator ne krahasim me “plehun” që prodhon brezi i parë i subkulturës shqiptare mbrenda dhe jashtë atdheut.
Nga statistikat që kam unë si pedagog, vetëm 10% e shqiptarëve të gjeneratës së parë në Vjenë arrin me vazhdue shkollën e naltë dhe kjo asht ma e ulta ndër tana vendet europiane… (vetëm boshnjakët janë diku me 8% ma poshtë). Ndërsa përsa i përket statistikës ma të zezë, kët e përban ajo e ministrive të drejtësisë, ku numri i shqiptarëve në burgjet e botës gjermanofolëse (sidomos atyne të vogla Austri dhe Zvicër) mbante ndër vite vendin e parë, e këtu në përmirësim të biografisë nuk ndihmon as “prejardhja pellazgjike” e shqiptarëve. Natyrisht këtu nji faj të madh kanë edhe shtetet shqiptare te Ballkanit, që nuk ju afrojnë punë njerëzve, porse i detyrojnë me marrë rrugat.
 
Rasti i Lorenc K., djaloshit vjenez me prind nga Tirana, i cili nga ambjenti i lumpenit tё “Bohrmaschine” kaloi nё akte terrorit pёr fanatizёm fetar, asht shembulli ma flagrant i nji brezi qё po digjet pёrditё e ma shumë. Kёtij brezi askush nuk i afron shembuj identiteti dhe identiteti asht rranja e natyrshme qё jep lule.
Paraqitja e shqiptarëve si “kopje e zbehtë” e turqve në youtubet e Bohrmaschinës asht nji propagandë miserable mbas të cilës mshehet aty këtu edhe nji dorë e specializueme antishqiptare. Këtu nuk ndihmojnё as këpucet Adidas të kryeministrit të Rilindjes me dhanë nji ngjyrë sadopak perëndimore. Mentaliteti prej kameleoni, pasqyrue në frymën e kohës që kalon kombi shqiptar, mentaliteti as mish as peshk, as lindje as perëndim, boshllëku i kotësive i mbushun me fantazmat paranoide, se çdo njeri i famshëm në botë na paska qenë shqiptar, vetëm sa e zvenitë përherё e ma shumë genin e shqiptarit.
Në gjithë këtё shkretim babilonik, nji gja asht e vërtetë; askёrkush nuk e don Shqipninë me zemër e me pasion. Postkomunistat e shfrytëzojnë se kanë pushtetin, ndërsa antikomunistat e shohin të zhgёnjyem, se atdheu ju ba strehë dhe shtroje Njeriut tё Ri. Nё vend që rranja e kulutrёs shqiptare, që u zhvillue aq natyrshëm nё mes dy luftnave botnore, tё merrte nji shans në demokraci, kjo rranjë u mbulue me dheun e vazhdimsisë realsocialiste.
Kane kalue 30 vjet postdiktaturë dhe ende nuk e njohim nji kolos si Konica, Fishta, Noli, Koliqi, Mjeda, Poradeci, Camaj…
Prandej edhe romani jem mbi brezin e parë të diasporës “SMS für dich“, që përpiqet me ju kundërvue brezit të “Bohrmaschine”, trajton dashuninë e nji piktorit Gegё dhe nji modeles Toskё, fëmijë të brezit të parë të diasporës, që ndonëse kanë mbarue shkollat e nalta dhe janë me inteligjencë mbi 120, prapseprap nuk kanë mujtë me u realizue në perëndim, ashtu siç kanë dashtё dhe bajnë punë të zakonshme për mbijetesë. Sponsorët e shumtë që ka në perëndim diaspora shqiptare turren me pague shuma tё mёdha për muzikë tallava, porse nji vepёr apo aktivitet cilësor të karakterit perëndimor askush nuk asht gati me e mbështetë dhe kjo asht ana tjetër e medaljes së mjerë të diasporës.
Kjo esse asht pjesё e nji studimi disavjeçar të International Institute for the Protection of Cultural Gege and Toske, institut virtual ky që mbahet në mënyrë vullnetare nga shqiptarët vullnetmirë, që e duen Shqipninё si komb në detin e madh tё njerzimit dhe jo si anije të mbytun për me kapë thesarët që kanë mbetë në të.
Videoklipi i ministrisë së kulturës për Hymnin e Flamurit me motivet e diasporës, që paraqet disa “personalitete arti e kulture” të “suksesshem” në perëndim, asht i nji lumpenizmi tjetër primitiv, ku ndodhet shteti postkomunist i pseudorilindjes. Këto persona në video janë individë që nuk kanë punue kurrë në perëndim, në institucionet e vendeve ku jetojnë dhe egzistencën apo mirëqenien e tyne aty e kanë ndërtue në mënyrë të dyshimtë e të pajustifikueme, e thanё shqip: pa mund dhe djersё. Tipa të tillë nuk mund t’i bahen shembuj askujt, e në Shqipni reflektohet subkultura e orientit: Fasada ka randsi, jo thelbi!
Asht koha ma e mirё sot, që diaspora të organizohet në struktura të kjarta, në institute që zbulojnë dhe ushqejnë rranjën shqiptare dhe kulturën autentike. Forca e diasporës asht e jashtzakonshme, që nga koha e hebrejve të parë = krishtenve të parë e deri në atë të diasporës së sotme në USA, ajo luen në momente të caktueme të historisë nji rrol përcaktues në shumë kombe.
Diaspora shqiptare në Europё përfaqsohet ma shumë me organizata amatore, vёrejnё qё ma fort shohin me mbledhë dromca = thёrrime nga shteti në fuqi, se sa me krijue struktura të mirëfillta social-ekonomike. Rasti flagrant i paraqitjes së Maqedonisë në TV austriak në dy qendrat e saja kulturore, atë Maqedonase – sllave dhe atë Maqedonase – shqiptare në Vjenё, ku maqedonasit – sllavë u paraqiten me nji ambient perëndimor me gra, fëmijë, kostume dhe kulturë, ndërsa Maqedonasit-shqiptarë me nji ambjent të mbyllun burrash, që lozin tavёll dhe pijnë duhan, duhet me ba që në kombin shqiptar të bijnё tana sirenat e alarmit.
Vetëm nji diasporë e fuqishme dhe në nivelet europiane të dijes dhe kulturës bahet nji ditë udhërrëfyese dhe mbrojtëse e fateve të kombit.
Miq, mos t’ja lajmё atdheun thundrave tё bakёqijve, mbrenda dhe jashtё tij!
Vjenё, 25.04.2018.
Marre nga https://www.fjala.info/brezi-i-pare-i-diaspores-bohrmaschine/

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.