back to top
7.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Brohorimë për Presidentin e Ri… nga Jozef Radi

Gazeta

Presidenti i Ardhshëm i Shqipërisë - Ilir Meta
Presidenti i Ardhshëm i Shqipërisë – Ilir Meta

Brohorimë për Presidentin e Ri…

nga Jozef Radi 

Me 28 Prill 2017, Kryetari i Parlamentit Ilir Meta,
është zgjedhur presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë,
në raundin e katërt të votimit
të mbajtur pasditen e kësaj të premteje në Parlament.
Meta ka marrë 87 vota pro dhe 2 kundër,
edhe pse për zgjedhjen e tij mjaftonin 71.
Meta bëhet kështu presidenti i 8 i Republikës së Shqipërisë,
detyrë të cilën do ta marrë më 24 korrik 2017, kur do të bëjë edhe betimin.
Në fjalimin e mbajtur në podiumin e sallës së Parlamentit,
Meta pasi ka falenderuar të gjithë deputetët,
përfshirë ata që votuan kundër dhe ata që munguan,
dhe ka premtuar se në detyrën e tij të re do t’i shërbejë demokracisë.
“Unë kam zgjedhur dhe do zgjedh gjithmonë
demokracinë në raport me pushtetin.
Dhe kjo për një arsye të thjeshtë,
unë kam patur mundësinë të jem këtu
vetëm përmes demokracisë”, – tha Meta.
.
Ish Presidenti Berisha - Presidenti Nishani dhe Presidenti i Ardhshëm Meta
Ish Presidenti Berisha – Presidenti Nishani dhe Presidenti i Ardhshëm Meta

Nga çasti kur veshi ma kapi emrin e Ilir Metës si President i mundshëm i Shtetit Shqiptar, s’mendova tjetër veçse kjo ishte një nga shakatë e rradhës të politikës shqiptare! Kjo, jo pse ishte e pamundur zgjedhja e tij, as pse figura e Metës nuk i ka të gjitha cilësitë për të qenë i Tillë, bile mundem të shtoj jo vetëm President i Shqipërisë, por të dhënat e tij dhe mënyra se si po operohet në kët botën e sotme, ai mund të marrë me siguri ndonjë përmasë edhe më të gjerë e më të lartë se President i këtij shteti tashmë tejet të vogël, për gjigandët e veprimit. Ajo çka nuk e mora vesh mirë, ishte fakti nëse ai u zgjodh pa u propozuar, apo u propozua dhe s’kishte më asnjë nevojë për t’u votuar mbasi çka ishin deputetë në sallë e kishin gati brohorimen. Gjithashtu, s’e kuptova pse gjithë “ky aksion me goditje të përqëndruar”, dhe s’iu la kohë as për ta trajtuar pak me lezet figurën e tij, as iu gjet ndonjë rival qoftë i mefshët apo formal për ta justifikuar edhe për sy e faqe të hallkut, trajtën më gazmore të zgjedhjes Presidenciale në kryeshtetin e shqiptarëve…

Por kjo tashmë më trishton gjithnji e më pak, sepse kësaj hullie ne i jemi futur kahera, dhe mund të thuhet qartë dhe shkoqur se ne shqiptarët as kemi nevojë për zgjedhje, as kemi nevojë për kanditatura që të krahasohen e të rivalizojnë mes tyre, as kemi nevojë për opozitë, as për ballafaqim programesh, ideshë apo opinionesh, as kohë për trajtimin publik të figurave dhe as nevojë për shtyp e as për media të lira: sepse I-lir është tashmë Presidenti Ynë! Ne mjaft t’i shkojnë brohoritshëm mbas gjurmave dhe veprimeve të tij.
Kujtoj se edhe në marsin e ’97, pra 20 vite të shkuara, Presidenti i asokohshëm u zgjodh me një ngut të papërligjshëm dhe pasojat i dimë të gjithë… por i vetmi problem, që desha ta trajtoj në kët befasi zgjedhore të Presidentit që po lëshon postin e Kryeparlamentarit, është trajtimi i zgjedhjeve të afërta, të cilat sipas këtij modeli zgjedhjeje dhe përzgjedhjeje dhe fulikares të të bërit fakt të kryer, dëshmojnë qartas se ne s’paskemi nevojë as për opozitë; as për atë shumësi të neveritshme partishë politike; s’kemi nevojë aspak për buxhete katastrofike zgjedhjesh dhe fushatash elektorale, as thasë mielli dhe as lekë për të blerë vota! Tashti mjafton të thirren gjithë daullexhinjtë e dikurshëm të festave të votimeve, edhe muzikantët e shumtë që ka shumëfishuar tranzicioni dhe ashtu të gjithë dorë më dorë si malet t’i dëshmojmë lumturisht vetes dhe botës mbarë magjinë e lirisë! Kështu, edhe pa qenë Kore e Veriut, në orën shtatë të 18 qershorit 2017, Ne me 99. 99 % të pjesmarrjes së popullit në votime, të realizojmë 99.999 % të fitores së koalicionit më të madh në histori, dhe ta shpallim modelin më të ri të lirisë me mbështetjen e Europës dhe Amerikës!
.
Kryeministri Rama dhe Presidenti Meta
Kryeministri Rama dhe Presidenti Meta

Kështu, me rradhë të shtrënguara dhe grusht bashkuar rreth Partisë, asaj partie që i lindi dhe i shumoi bijëzat e veta, le t’i rikthejë në gjirin e vet bijtë plangprishës. Le ta vazhdojmë brohorimën e “fitorjeve të mëdha” edhe për 46 vite të tjera; dhe të mos harrojmë asnjëherë se “armiqtë e klasës” mbetën shumë më të këqinj se sa ne i kishim shpallur, kurse imperializmi dhe kapitalizmi shumë më të mirë se sa ne i kishim sharë…

Le të jetë unanimiteti i zgjedhjes së Presidentit të ri, fitorja më e madhe e këtyre 27 viteve demokomunizëm; dhe le të shërbejë ky model i këtij vendi fanar si një mundësi që do ta ndriçojë Europën dhe Botën mbarë.
Rroftë sa Mali i Tomorrit Ilir Metaj!
Rrofshin partitë, të gjitha bashkë, që me misionin e madh të lirisë dhe demokracisë, edhe në ditët më të errta, na sollën diellin e shpëtimit Ilir Metajn!
Rrofshin deputetët heroikë, që s’patën asgjë kundra Presidentit të ri, edhe pse një shumicë e tyre, kohë më parë e kanë dëshiruar aq shumë “prapa hekurave”!
28 prill 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.