back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Bujani i Krasniqes… Prof. Haki Zllami

Gazeta

Profesor Haki Zllami
Profesor Haki Zllami

Bujani i Krasniqes… Prof. Haki Zllami

Për të cilin kurrë s’mund t’i thuash të gjitha!.

“Zo’ kah vjen fisi Krasniqe,
prej Kosove a prej Drenice?!”.

Mbresa nga vendlindja ime -Bujani, sa i shtrenjtë, sa i bukur, sa i përmendur, sa i madh!
Kudo që shkova, viseve të Ballkanit e të Europës, gjeta një vlerësim për Bujanin tim. E si të mos ndjej një kënaqësi të veçantë, një mburrje të ligjshme, për Bujanin e Malësisë së Gjakovës, për Bujanin e Krasniqes, për Bujanin e historisë!
Lexova Pashko Vason: “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”; Edit Durham: “Brenga e Ballkanit”; Kadarenë “Gjakftohësia”; “Mic Sokoli” i Sulejman Krasniqit; “Vranoci” i Sherif Daut Krasniqit e shumë të tjerë. Hulumtova, takova shumë historianë e kolegë dhe kudo e gjeta Bujanin e zemrës sime, në çdo dritare informative ai m’u shfaq si diçka që veç rritet e zmadhohet në vlerat e tij atdhetare, patriotike dhe kulturore.

Qendra e Komunes Bujan
Qendra e Komunes Bujan

Gjeta rrugë, objekte socialkulturore, punishte, restaurante, hotele me siglën “Bujani”. Si një pyetje retorike, shpesh dëgjova: -Nga je ti?
-Jam i Bujanit, jam nga Bujani i Epërm, nga Markajt… dhe vazhdoja bisedat e këndshme për trevën time, për vendlindjen e dashur.
Mendja dhe ëndrrat e mia më fluturonin andej nga Qyteza e Rosujës, Dezdari, Fangi, Molla e Kuqe, Kryqi i Deli Mulës, Blinat e Rrugës, Trokuzi, Gjarpëri i Mulosmanaje.
E di, mbase kam të drejtë, është thënë, është shkruar shumë. Megjithatë, ka mbetur vend edhe për mua, për t’i thënë ca fjalë zemre, sepse është një hapësirë e gjerë, e pafund, ku rregullisht mbillet e korret çdo vit… e çdo shekull.
Në hullitë jetësore të Bujanit ecën koha e cila nuk jeton dot pa historinë e saj, por dua të eci edhe unë, biri i Bujanit, në këto përthyerje të jetës. Dhe për këtë, sikur duan të flasin të gjithë, edhe kullat, edhe kalatë. Këto më ngacmojnë, më bëjnë të meditoj. Po, cili është fshati Bujan sot?
Punë e mirë është bërë e po bëhet për ndërtimin e rrugëve, të veçantë këtu dallojmë rrugën drejt Qytezës së Rosujës, e asfaltuar dhe shumë e bukur që ka shkuar gjer ne Doshlan. Duke kaluar me makinë, gjatë kësaj rruge nacionale, dallon shtëpitë e kullat e fshatit që i japin hijeshi të rrallë atij.
E veçanta është se aty dallon shtëpi të ndërtuar me projekte të reja të stilit europian. Karakteristikë e këtij fshati është se shtëpitë janë rrethuar nga pemët e llojeve të ndryshme. Janë për të përmendur shtëpitë e Bashajve, të Halucaje, Kolmakaje, ato të Margjekajve në Rosujë, të Hasanpapajve, të Vidricës si dhe shtëpitë e kullat e Mulosmanaje, të Logajve, Shpatajve dhe ato të Dunishës, në breg të Valbonës.

Rrjedha Magjike e Valbones
Rrjedha Magjike e Valbones

Gjatë kësaj rruge syri të sheh dhe disa objekte si hotele, karburante etj, që i kanë zëvëndësuar qarrat e gjatë shekullor (lisat), disa në ndërtim e sipër. Bujani ka shkolla, kopshte e qendra të shërbimit shëndetësor, xhami, tyrbe, teqe. Të gjitha këto e të tjera, tregojnë se fshati Bujan është një fshat më përmasa kombëtare, ballkanike dhe pse jo edhe europiane.
Sapo kalojmë kthesën që gjarpëron bregut të Shydenicës, dallojmë varrezat e dëshmorëve të Tropojës, ndërtuar atje në një sukë të veshur me pisha e bredha si një monument me vlera të jashtëzakonshme historike kombtare e më gjërë. E madhërishme është permendorja e luftëtarit të lirisë, e derdhur në bronx, disa metra e lartë, vendosur mbi disa disa gurë shkëmbi të mëdhenj, si simbol i bjeshkëve e maleve tona të thepisura.
Ky monument i mitizuar simbolizon luftëtarin e Malsisë së Mirë, me pushkë në dorë që me zë të lartë jep kushtrimin: “O ku jeni more! Bini, me shpejtësinë e rrufesë, në shtatë e shtatëdhjetë të bëhemi një në luftën për liri…!”
Ky trim luftëtar, është i rrethur nga martirët e këtyre maleve, shumë prej të cilëve edhe heronj te popullit…

Lkeni i Xhemes
Lkeni i Xhemes

Sinqerisht i them vetes dhe lexuesve të nderuar të Zemra Shqiptare: -Faleminderit shumë fshati im për këtë nderim që ju bëre bijëve tanë të pavdekshëm!
Aty ku shënja e rrugës automobilistike tregon drejtimin për në Kosovë, për Bajram Curri dhe tjetra për Fierzë, Avdi Rexha me të bijtë ka ndërtuar një klub-restorant të veshur me gurë të rrumbullakët të Valbonës. Sipër rrugës kanë ndërtuar shtëpitë e reja, poshtë asaj të të jatit. Shumë të bukura, gjithçka përsëmbari. Edhe shtëpia e vjetër, dikur ndër më të bukurat, atje në një kodër. Avdiu, sado që i ka kaluar të tetëdhjetë e pestat, është i fortë, mban mend dhe fshatin e tij e njeh mirë. Është shumë i angazhuar në problemet e komunitetit, sidomos dallohet si pajtimtar i  gjaqeve, një plagë e rëndë kjo e të së kaluarës.
Ai është i kudogjendur, sa në një krahinë në tjetrën. Për Bujanin, fshatin tonë ai foli gjatë: “Bujani është i privilegjuar nga vetë nëna natyrë. I ngjan një katrori të zgjatur, duke filluar nga brigjet e lumit Valbona, vijon gjatë përroit të Grazhdenicës, që e ndan me fshatin Gri, vazhdon drejt Llozhnës, në Bogishë, Depsyden, rreth Morajës, kalon në Cukal, sillet andej nga Liqeni i Ponarëve e në vijim drejt Qafës së Lugut të Thive, Lugut të Kaut, dirgjet nga kodra e Gojfilave në Bishevë, ku fillojnë kufijtë më Margegajt…”.

Bozhuret e Morajes
Bozhuret e Morajes

Edhe mësuesi veteran, Zenel Vidrica na foli për këtë fshat me pasion për figurat e njohura që bënë histori: Binak Alia, Mic Sokoli, Zeqir Halili, Sadik Rama, Sali Mani si dhe për bëmat historike të Bujanit, por në mënyrë të qartë për Kullat e Mulosmanajeve, për Mic Sokolin, për betejën tek Kryqi i Deli Mulës, për luftën në Dezdar, për Krasniqen, na citoi përmendësh vargjet epike:

“Moj Krasniqe, zemër e Tropojës
/ Ulë kamkryq në krahtë e Shqipnisë
/ Ndaç e pushkës, ndaç e gojës!”.

Dhe më poshtë:

“Kur në Kuvend u mlodh Malësia / Prin kuvendin Binak Alia…!”

e në vazhdim:

“Djemtë e rrugës po bien bashkë
/ Ku asht lufta ma e trashë

Në rrugë të Bujane asqeri s’mrrinë
/ Për pa mbet vendi pa gjindë.”

Vargje këto që ruajnë si muze betejën kundër Maxharr Pashës të viteve 1862.
Nëse bëjmë një prapavështrim historik: “Për nga dimesionet e ngjarjeve historike, Bujani zë vënd nderi në ngjarjet më madhore të Shqipërisë, Kosovës e të viseve tjera shqiptare. Vështrimin do ta nisim nga lashtësia më Qytezën e Rosujës: “Fillimet e jetës i takojnë periudhës së hershme të hekurit. (faza II-III). Në shek. e 4 p.e.r. zhvillohet si qendër qytetare e Luginës së Valbonës në kufirin e labeatëve dhe dardanëve. Një sipërfaqe 0,6 ha e rrethuar me mure gurësh të punuar. Kjo qytezë luante rol me rëndësi në rrugën natyrore tregtare midis Ilirisë bregdetare dhe Dardanisë. Shumë interesante janë gjetjet e prodhimeve qeramike të Dyrrahut e të Shkodrës. U zbulua një depo me pitosa të shekullit II p.e.r. me vulën e pronarit Marko. Në shek. IV-VI e.r., pas një ndërprerje prej katër shekujsh, u rifortifikua me mure me llaç…”, kështu shkruan prof. Neritan Ceka në FESH (Fjalori Enciklopedik Shqiptar). Sot kjo qytezë rri pranë, në të majtë të Rosujës. Është e mbuluar me gështenja të plakura e disi e harruar, sikur kërkon të ankohet për trajtimin e paktë që i bëhet civilizimit të lashtë.

Buni i Jezerces
Buni i Jezerces

Bisedova me të rinj nga Rosuja, që flasin me kurreshtje për këtë qytezë të lashtësisë. Më erdhi mirë për infomacionin që më dhanë: Jo vetëm prindërit tanë të moshuar, por edhe pleq më të zgjuar si Shaban Zmajli, Halil Mehmet Dunisha, etj, na kanë folë për Qytezën. Bile, ata kujtojnë dhe fjalët e më të përmendurit e fshatit si: Brahim Hoxhës, Ram Mehmetit, Bajram Avdylit, etj, të cilët kujtonin shumë gjëra për këtë histori të mbuluar me dhè…
Flisnin për qytezën e madhe dhe atë të voglën (Bogishën). Ata ndoshta ruanin edhe ndonjë relike të veçantë, për Rosujës e ditëve të sotme: një fshat me njëzetë e pesë shtëpi dhe ajo që të bie në sy është se Rosuja ka një pamje krejt të re.
Mbi të gjitha duhet theksuar arsimi i brezit të ri të fshatit, çka tregon edhe për një gen zgjuarsie. Përmendim këtu, Korab Margjekën, mbaruar në Krakov të Polonisë, i dalluar edhe si poliglot. Po nga Rosuja: Qazim Doshlani, Skënder Doshlani, një ndër muzikanët e i dalluar në rreth, Astrit Margjekaj, aktualisht nënkryetar i Bashkisë së Bajram Currit, etj.
“Do të jemi të lumtur e të nderuar nëse stërgjyshërit i kemi në zemër”. Urtësia buron në bashkëbisedimin me të rinjtë dhe kjo natyrisht se dëshmon vazhdimësi të traditës dhe kulturës në kët vend.
Të flasësh ose të shkruash për Bujanin, është e pamundur të mos e lidhësh atë me fisin e Krasniqes. Kështu që edhe unë në kët ese do të jap mendimin tim për prejardhjen e vendbanimin e këtyre.

Livadhe në Morajë
Livadhe në Morajë

Varianti më i pranuar dhe bindës është se Krasniqja, pra edhe Bujani, kanë zbritur nga Kosova, nga Drenica. Le t’i referohemi si dëshmi dy vargjeve të epikës sonë:

“Zo’ ka vjen fisi Krasniqe,/ prej Kosove, prej Drenice”.

Sado që prof. Çabej kur shkruante në vitin 1939, për fisin si kategori shoqërore, shprehej se fisi u përngjan njomëzave të një druri vigan që gjithmonë rritet, por rrënjët e tij lidhen me emrin e një të pari të përbashkët, që është shndërruar në gojëdhënë.
Sa herë flasim për Bujanin apo Krasniqen, është e dosdoshme që ta lidhim me historinë e Dardanisë, ku jetonte më i madhi fis ilir. Një gjë është e vërtetë si hëna që bën dritë, por nuk nxen, se këto fise qenë një popull vital e i mrekullueshëm. “Popull fatosash”, kështu apostrofonte me krenari albanalogu francez, Frasua Pukëvill.
Besohet se banorët e Bujanit kanë jetuar këtu që nga viti 1331-1335, qysh në kohën e perendorit Dushan, të zbritur nga Drenica si shenjë e shtypjes së perandorisë sllave. Edhe etimologjia e fjalëve Krasniqe e Bujan, si më e vërtetuara dhe bindësja: Krasniqja, nga bashkimi i dy emrave: Krast+Nikë, emra të babës dhe të birit. Krast+Nikë nga doli emri i përngjitur – Krasniqe, mbasi është shumë i njohur fenomeni i palatalizimit “k” në “q” për analogji, si tek shumësi i emrit: mik – miq. Ndërsa si datim i dokumentuar, fjala është për Bujanin, është i vërtetuar viti 1478, në defteret kadastrale të Sanxhakut të Shkodrës. Ndaj mendimin edhe për etimologjinë e emrit Bujan. Pa u zgjatur pohoj se versioni që më duket, më i sakti është: Bujan – nga emri bujtinë, ku siç dihet folja është para emrit bujtë. Interesant është se në të gjitha bisedat në odat e burrave në Malësi e Kosovë, të parat fjalë fliten për burrat e Bujane, për Binak Alinë, për zgjuarësinë e tij si prijës popullor i kryengritjeve antiosmane të malësorëve të Gjakovës e të Rrafshit të Dukagjinit në vitet 1840-80. Përmendet shumë së bashku me Sokol Ramën.

Sali Shijaku - Mic Sokoli
Sali Shijaku – Mic Sokoli

Binak Alia që u shqua, sidomos në kryengritjet lokale të viteve 1860. Mori pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Veçanërisht, la emër si pleqnar i mençur e sidomos për pajtimin e gjaqeve. Ai e mati kohën dhe fjalët.
Për të, si tipar ishte zgjuarsia tropojane, fliste pak, me fjalë të zgjedhura, shkurt e saktë.
“Mos blej çfarë nuk të duhet, sepse ndryshe shet atë që ke!” – e këshillonte një mik të tij, pra bukuria e tij ishin: fjalët, këshillat e pleqnitë, si më i dituri e më fisniku. Gjykimet e tij, shpesh herë shembën një mur dhimbje. Thjeshtësia dhe zemra e tij krijuan miq e admirues në Kosovë, Malësi, Mirditë, Shkodër…

Kulla e Mic Sokolit
Kulla e Mic Sokolit

Një tjetër figurë e ndritur është edhe Mic Sokoli, që është bërë legjëndë, si luftëtar i shquar, Hero i Popullit, i lindur në Fang të Bujane. Udhëhoqi njësi të mëdha luftarake në shumë beteja. U dallua në betejën e Nokshiqit kundër malazëezëve, luftoi në Plavë e Guci, në Hot e Grudë, në Tuzë e Prizren, në Gjakovë, Ferizaj e Gjilan… Në betejën e Slivovës, (prill 1881) kundër forcave osmane të Dervish Pashës, kreu një akt trimërie të rrallë duke i vënë gjoksin topit të armikut. A ka guxim më sublim, a ka krenari më të veçantë?

“Shkrinë çeliku e lulzon molla,
/ gjithë shqiptarët janë Mic Sokola!”

Me këto vargje lapidare, populli e përjetësoi aktin e tij të pashembullt në histori.
Historikisht Bujani ka qenë dhe është vendi jo vetëm i punës, pushkës, por dhe i arsimit dhe i kulturës. Këtë e vërteton fakti se Bujani diti ta vlerësojë arsimin si bukën e shpirtit, duke pasur filozofinë se kush mbjell e investon për arsimin e kulturën, do të korrë veç falenderime e urata, sepse jo vetëm për Bujanin, por për çdo komb, arsimi është mendja e tij. Ilustrojmë këtë ide me disa fakte domethënëse: Shumë vite më parë, bijtë e këtij fshati mësuan shkrim e këndim, ndoshta edhe vjedhurazi, nga dritarja e mejtepit ose e shkollës. Disa rrugëtuan larg për të mësuar. Përmendim këtu, Rexhep Shpend Vidricën  sot “Mësues i Popullit” së bashku me të motrën, dy mësues të tjerë nga Rosuja me titull “Mësues i Popullit” dhe “Mësues i Merituar” vëllezërit, Zenun e Mehmet Margjeka. Padyshim, Idriz Logu mbetet një figure komplekse dhe mbresëlënëse nga Bujani që la gjurmë të thella dhe të pashlyeshme në arsimin e Tropojës, si drejtuesi i parë i gjimnazit “Asim Vokshi” si drejtues për shumë vite i Seksionit të Arsimit të Rrethit, inicues dhe drejtues i Kabinetit Pedagogjik si bërthama krijuese shkencore, nga e cila u kualifikuan me dhjetra e qindra mësues të Tropojës. Mësues të tjerë të cilët kontribuan shumë për arsimin e kulturën në Tropojë nga ky fshat veçojmë: Kadri Basha, Mal Buçpapaj, Muharrem Ndoçi, Zenel Vidrica, Sherif Mulosmani, Kadë Mulosmani, Idriz Margjeka, Avdyl Buçpapaj, Hamit Novaku, Uk Logu e shumë të tjerë. Bujani ka shkollën 9-vjeçare “Jaho Salihi”. Sot kjo shkollë ka një mjedis shumë të mirë, ku japin mësim 13 mësues; shkolla drejtohet nga znj. Vera Hasanpapaj, të gjithë mësusesit janë me arsim përkatës. Shkolla sivjet përkujton 90-vjetorin e çeljes së saj. Bujani ka disa intektualë të fushave të ndryshme që duhet përmendur për kontributin e dhënë për zhvillimin e fshatit si: Ali Berbati, Zenel Ndoçin, Ahmet Malaj, Avni Breçani, Avni Malaj, etj. mjekë si: Rexhep Ndoçin, Sokol Mulosmani, Shaban Malaj, Fatmir Zenelin, Skender Hasandoçi, etj… Bujani përmendet dhe për krijuesit e tij në fushëm e letërsisë dhe të artit të cilët, janë të përmendur dhe në letërsinë kombtare. Të tillë përmendim: Lulzim Logun, djali i mësuesit të nderuar Idriz Logut, njëri nga kuadrot më në zë në trevën e Malësisë së Gjakovës.

Lagja e Zmalajve Dragobi
Lagja e Zmalajve Dragobi

Lulzimi, është shkrimtar dhe poet i talentuar, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Tropojës, mësues dhe kontributi i tij si krijues dinjitoz dhe promovues i kulturës tradicionale tropojane dhe i emrave të rinj të letërsisë nga kjo zonë është i njohur brenda dhe jashtë vendit. Ka botuar disa vepra letrare, libra mësimorë, shkrime e studime të ndryshme. Shumë i apasionuar pas bjeshkëve, nuk ka lënë bjeshkë apo majë të Bjeshkëve të Namuna, pa i shkelur… Ky pasion dhe një theks i veçantë për vendlindjen, pasqyrohet edhe në poezitë e tij:

“Në çdo bjeshkë, në çdo lartësi/ bëhem më i ri dhe më i lehtë 

kur mbetesh gjithmonë poshtë/ vetëm zvogëlohesh/ kurrë nuk i kupton retë…”
shprehet ai në librin e tij “Hiri”.

Ndërsa në librin që u botua këto ditë me titull “Pika mbi I”, duke shprehur dashurinë e respektin e përhershëm për Bujanin, shprehet:

“Krejt ditën/Kosita në Bujan/ Bar’ kujtimesh…”

Janë të shumtë poetët e shkrimtarët nga Bujani, pa u ndalur në veprat e shumta të tyre veçojmë Brunilda Zllamin, autoren e 17 romaneve, disa prej të cilëve tashmë bestseller, poetin Jaho Margjeka, Ukzenel Buçpapaj, poet dhe përkthyes, Alfons Zeneli, Petrit Zenelin si studiues i gjuhës shqipe, etj… Edhe për kulturën mund të shkruajmë shumë, në mënyrë të veçantë veçojmë bilbilin e këngës tropojane, Fatmira Breçani, zëri i së cilës degjohet dhe kërkohet në të gjitha viset shqiptare.
Ecja përpara e fshatit të Bujan në rrugën e zhvillimit të tij, vijoi gjatë gjithë harkut të historisë.

Brunilda Zllami - Autore e 17 romaneve
Brunilda Zllami – Autore e 17 romaneve

Në prehistori patëm lulëzimin e Qytezës së Rosujës… Në shek. XVIII – XX, pati një shfaqje të niveleve të jashtëzakonshme, të patriotizmit e atdhedashurisë te pakufishme…
Në periudën e Mbretërisë së Zogut, u hap kanali i Krasniqes e ndonjë shkollë. Më pas Bujani pati disa hapa zhvillimi si elektrifikimin, zhvillimin e arsimit e të kulturës, hapjen e shkollave, disa arritje në bujqësi, kultivimin e frutave karakteristikë si kumbulla e njohur tropojane, hardhia, mollët, mbledhja dhe përpunimi i gështenjës, rritja dhe kultivimi i bletarisë, mbështetur në sipërfaqen e konsiderueshme me gështenja, por edhe në bimësinë e livadheve alpine.
Sot vëmendja është kthyer kah turizmi malor, sidomos pas përmirësimit të infrastrukturës rrugore. Bujani ka masivin e gështenjave, një oaz i freskisë dhe bukurisë së ujrave malore, ka rrjedhën e lumit Valbona në krejt gjeografinë e tij, ka namin e vlerave të padiskutueshme dhe endemike të troftës së Valbonës, ka livadhet përplot bimë medicionale, Lkenin e Ponarëve me arealin e vet të mrekullueshëm alpin, ka pyjet halorë dhe kafshët e egra si dhia e egër, ujku, macja e egër, ariu i murmë…

Kengtarja Fatmira Breçani
Kengtarja Fatmira Breçani

Bujani ka visaret e Këngëve të Kreshnikëve, ka pasuri të njohura të polimetaleve, ka kullat malësore, ka shtëpinë ku u mbajt “Konferenca e Bujanit”, e njohur në histori për vendimet e saj kombëtare, ka ritet, doket dhe zakonet e dasmave, kanagjeçeve dhe lojrave popullore, ka Tumat e Bujanit dhe Gështenjën e Bajram Currit si monumente natyrore dhe historike, ka institucione tradicionale dhe muze me eksponate të historisë së lavdishme shqiptare.
Ky është fshati Bujan i Krasniqes. Një trevë e njohur për të cilën mund të shkruash shumëçka, por kurrë nuk arrin t’i thuash të gjitha…
Marrë nga Tropoja Poetike (Për Z.Shqiptare, Bajram Curri, verë 2013 – 
Nga Prof. Haki Zllami)

Falenderoj Mikun tim Ilir Secin, për fotot e tij e tij të mrekullueshme të përdorura në kët paraqitje…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.