back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Bujar Lako – Shënime dhe Opinione… mbi jetën e artistit

Gazeta

Bujar Lako (1948-2016)
Bujar Lako (1948-2016)

Bujar Lako – Një model moskonformizmi, pa klithma…

nga Ilir Demalia

Këta, pasi të çojnë drejtë vdekjes të këndojnë psallmin e Lamtumirës.
Largimi nga jeta i aktorit Bujar Lako, tregoi dhe njëherë maskat e karnavaleve të politikës, artit, kulturës sonë të djallëzuar deri në sadizëm, për të përdorur dhe vdekjen, të cilën, këta modele fytyrash të vrerosura ta legalizojnë si vdekje e lavdisë e tyre, në maskat Halluine të funeraleve. Pas i kanë marrë legalizimin e “triumfin” e përjetsisë së të larguarit nga kjo jetë prej Halluenerisë sonë si shoqëri, nuk kujtohen më për pronarin që iku por presin legalizimin e ri, duke shtuar të ikurit, për të mbetur vetë si “triumfatorë” dhe gjeneralë të “Ushtrisë së Vdekur” të artit, kulturës dhe realisht vendit pa shqiponja.
Ky mendim më erdhi në mend kur pashë prononcimet për aktorin Bujar Lako, të cilin më shumë se aktor, ku në shëmtim artin tonë që vazhdojmë e mburremi me socrealizmin dhe me vazhdimsinë e demokratosocrealizmit “modern” të modelit Vrima, pra Bujari, në opinionin tim, mbetet nga më të mirët si mjeshtri aktori, si plastikë dhe mbi të gjitha si një njeri që nuk e tradhëtoj veten duke ndërruar maskat si kameleon sipas “Daulleve të Dasmës” së radhës.
Bujo, i la një shije të hidhur kameleonëve kur nuk ja la pronsinë e vdekjes për të ndarë pronësinë e tij të vuajtjes, zhgënjimit, indiferencës ndaj tij për së gjalli, (po të shohësh faqen e tij FB janë vetëm pesë vetë që i hyjnë në faqe) asnjë prej tyre që u turrën të flasin, t’i legalizonin largimin nga kjo jetë e pisët që kanë krijuar pikërisht këta legalizues pronash, pushtetesh, zaptues e manipulues kulturash, këta Uriahipë zvarritës, këta Jago që të lenë të kryqëzohesh në dinjitetin vetmitar dhe pastaj, ta legalizojnë, ta vjedhin kryqin!
Lako, më shumë se me artin e tij, në opinionin tim, ka lënë një model moskonformizmi, pa klithma, pa përplasje, me përçmim, me shikim neverues, Jeta e tij në këtë turravrap skizofrenie, kameleonizmi, paftyrsie e paturpsie, hipokrizie e bythlëpirje pushtetesh, për pak lavdi të rreme, me çdo çmim, si pjesë e krimit në këtë tranzicion që është bërë si “Pëlhura e Penelopës”, duke mos iu zvarritur hijenave të politikës apo zagarëve të art-politikës, e tregoi dhe me largimin e tij, duke marrë tapinë e moralitetit dhe personalitetit një artisti me vete, duke mos ja lënë ta përdorin vjedhësit edhe të vdekjes, mbasi i kanë vjedhur gjithçka këtij vendi.
(Marrë nga Muri i Fb i Ilir Demalisë, 27 dhjetor 2016)

Kur të vjedhin vdekjen (në kujtim të një artisti)

nga Bashkim Zahaj

…Po, kur të vjedhin vdekjen është më keq se vet vdekja. Ta vjedhin… e nuk të lënë të jetë e jotja. Jo, ta vjedhin pasi janë mësuar me vjedhjen dhe grabitjen. E ku ka më mirë se një vdekje artisti? E kam fjalën për vdekjen e vërtetë, atë që mbyllim sytë e nuk shohim më përreth, se vdekjen e zakonshme e kemi përditë. Atë nuk na e marrin… e ç’ti marrësh asaj?! Aparamentet ku jetojmë në krahasim me vilat e tyre janë lecka, apo të na marrin pensionet apo pagat qesharake të artistëve… Apo të marrin pronat…?! E ku kanë pronë artistët, prona e tyre është marrë me qindra herë! Eshtë arti i tyre nga i cili ata nuk nxorrën asnjë qindarkë… E ç’të na marrin tjetër?! Vdekjen! Po, po vdekjen ta marrin, e bëjnë tyren, e kthejnë në kontribut e në lavdi të vehtes, në mirëqënie, në politikë në jetën e përditëshme.
Ti rri në arkivol, i mbyllur, i humbur, i varfër drejt ikjes pa kthim… “ai” (ata) rri sipër, të vendos një buqetë e flet për ty si të ishit vëllezër, “ai” që të tall, që s’të paguan, që të mbyll teatrin, që të mbyll filmin, që të shkurton organikat që s’të respekton e vlerëson për gjithë atë kontribut tëndin, “ai” (ata) që bën politikën e vjedhjes edhe të shpirtit. Ti rri në ajër i dalë zvarrë nga trupi yt e nga kutia e drunjtë e thua: Edhe vdekjen ma vodhën?!
Por tashmë askush nuk dëgjon më!
Marrë http://www.gazetaminerva.com/kur-te-vjedhin-vdekjen/

Artisti Bujar Lako
Artisti Bujar Lako

Amarcord – Bujar Lako

nga Edi Rama

Nuk besoj se do të kishte një regjizor të madh që s’do ta kishte dashur Bujar Lakon në fazën e lulëzimit mbresëlënës të talentit të tij kinematografik.
Aktori që luajti një mori personazhesh dhe, midis tyre, figura të shquara e të dashura të historisë sonë, rridhte nga një familje e rrënjosur fort në atdhedashuri dhe humanizëm. Prej nënës së tij, ai i përkiste njërit prej degëzimeve më fisnike të Frashërllinjve, derës së Sulejmanbellinjve.
U prehsh në paqe i shtrenjti Bujo, ylli yt në qiellin e kinemasë do të ndrisë përgjithnjë për të dëshmuar pavdekësinë e artit tënd!
Marrë nga muri i fb i Edi Ramës, 26 dhjetor 2016

Eleni Laperi

Nga një mesazh… Mësova për ikjen e aktorit Bujar Lako. Unë nuk e kam njohur, po për herë të parë kam dëgjuar për të kur isha studente. Dhe e kam mësuar emrin e tij nga Mira, që u bë gruaja e tij.
U organizua një mbledhje në Akademi atë kohë, për të ndarë Mirën nga Bujari. Atje unë kam parë atë vajzë të bukur e të zgjuar të ngrihet kundër organizatës së rinisë e të partisë, kundër të gjithëve, e të mbrojë dashurinë e saj me argumente të mençura. Që prej asaj dite e respektova Mirën… Prej asaj kohe i shoh me një ndjesi të bukur filmat e Bujar Lakos.
U prehtë në paqe.

Gazmend Mullahi

Kam qenë nxënes në Liceun artistik dhe jam dëshmitar asaj periudhe të modës së “Fletë Rrufeve” në kulmin e “lulëzimit” të tyre. Formatet e bardha të shkruara me të zezë për Mirën dhe Bujarin nxinin jo vetëm koridoret, por edhe dyert e mëdha e të rënda të Akademisë ku qëndronin me ditë të tëra. Mbahet mend dhe më është ngulitur që n’atë kohë karakteri dhe qëndresa burrërore për të mbrojtur dinjitetin dhe dashurinë e këtij çifti simpatik, të cilët u bënë jo vetëm modeli i rinisë simpatike të Tiranës, por edhe familje model artistësh elitarë të vendit!
(Marrë nga Muri i fb i Eleni Laperit 27 dhjetor 2016)

Bujo, e ule perden para kohe se s’të pëlqeu shfaqja!

nga Artur Zheji

……………..
Kohë të bukura dhe kohë të shkuara.
Mirëpo, kur mendonim se Teatri dhe Kinemaja Shqiptare, do të rilindte, ato vdiqën dhe u vranë në mënyrë kriminale. U Çmitizuan dhe u thyen në mijëra copëza. Të shihja shpesh me xhipin tënd të vogël dhe me Mirën tënde besnike, dhe nuk e harroj dot pasionin tënd për xhupat e lëkurës, mustaqet, flokët, kasketat dhe këpucët.
Vetmia juaj, harresa e pushtetarëve, Teatri i zymtuar, Kinemaja pa para dhe fonde, ose me para dhe fonde të zhvatura, ja bëjnë të pamundur jetën një aktori. Kur largoheni pa kthim Ju, largohen pa kthim pjesë të çmuara të Mozaikut shqiptar, që ka gjithë e më pak ndriçim, ngjyra dhe jetë.
Bujo, më duket se e ule perden para kohe se s’të pëlqeu shfaqja! (fragment)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.