back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Bukra Hysenukaj Kastrati
 – Cikël me poezi 2021-2022

Gazeta

Bukra Hysenukaj - Kastrati
Bukra Hysenukaj – Kastrati

Cikël me poezi 2021-2022

Bukra Hysenukaj Kastrati


Prej kohësh e shoqnoj poezinë e Bukra Hysenukajt,
si nji pasuni shpirtnore jo vetëm e saj
po e krejt nji treve, që me siguri asht ndër ma të pasunat jo veç në male,
bjeshkë e ujna po edhe në shpirtna poetikë t’nji bukurie t’pashoqe…
E Bukra asht pjesë e këtij relievi po edhe nji prej k’tyne zonjave të ksaj zone,
që i ka dhanë kësaj poetike nji fluiditet magjeps
po edhe nji sinqeritet që të mbin në shpirt
mbasi futesh n’rrjedhë të vargjeve të vargjeve të këtyne çikave t’malsisë.
Asnjena prej tyne nuk vjen prej nji jete të lehtë e t’shtrueme po prej betejash,
 e poezia e tyne asht pjesa ma e bukur e ma sublime e këtyne betejave…
jozef radi, 10 maj 2022

***

Nji jetë tuj kput vargoj
n’emën t’lirisë
S’pari i kputa vargojt e mendjes
Mandej t’duerve e t’kamve

Hallkat e tyne i farktova
I bana kafaz ku e kam rujt zemrën

T’vetmes si ja mohova lirinë

Sa zemra vinë e ikin prej ksaj bote
Pa ja u gjetë kush çelsin e kafazit
Virgjnesha si e Shejta Mari
10 maj 2022

.

Diell bjeshke i pa m’shirë


Kur shndriti e para rreze
mora rrugën, me ty n’krah si hija jeme
Kur folsha me ty, rrugtart thanshin “asht e marrë”
Ani çka!
Pa kanë pak e marrë 
nuk mundesh me kanë as e lumtun
Pushuem leqeve e kundruem gojfilet si vallëzojshin me erën
Erën e majeve që m’i mshtjellke flokt me shami lulesh
E ti m’kqyrshe e gzojshe,
a m’dojshe a drojshe prej meje, s’e di
Asht zheg…
Po kurrkund tjetër nuk mundesh me u flladitë me borë gushti,
si n’bjeshkë teme
Çobajt m’dveten “për ku je nis moj çikë”?
E unë u përgjegja
“Deri n’fund t’kësaj rruge
Ku dielli ka me prendue
e bashkë me të dhe hija jeme”
Shkova si zanë e u ktheva si korb
Prej at natë shkrepat rreth nesh kanë met memec
Grykat kanë shndrrue ushtimën n’vaj
Lumit i asht shtue rrjedha prej lotve
E çobani e ka thye fyellin
Natën me hanë, thonë se endet hija jote tuj lyp mue
10 shkurt 2022

***

E di çka asht ma e randë se vetmia?
Ma e randë se ndamja
Ma e randë se largsia
Ma e randë se malli
Ma e randë se mërzia
Ma e randë se urrejtja
Ma e randë se verbimi
E di çka asht më e rand edhe se vet deka? 
Asht harresa
Ndaj, kujtimet janë t’shejta
Se falë tyne s’jena vetëm
Shuejm mallin
Nuk urrejm po falim
Afrojmë largsitë
Dritën terr e terrin dritë e bajmë
Falë tyne, prap jetojmë e guxojmë t’andrrojmë
Ndaj mos harroni
8 shkurt 2022

Lulet e Shen'Gjergjit
Lulet e Shen’Gjergjit

A e mban mend…!


A e mban mend 
kur fjetshim n’vjeshtë e u çojshim n’dimën?
A i mban mend rrehet e nadjes
si i hapke baba si rrugë t’bardha jete
A e mban mend lamën n’dimën, 
si burrat me kapuç t’bardhë t’mledhun n’kuvend
A e mban mend kur molla e kuqe n’rrem 
u bajke nuse bore
A e mban erën e pishës si ndezshim zjermin e parë 
e ja kqyrshim kahun tymit për me kuptue erën
A e mban mend porosinë e Lokes me mlue gacën e fundit n’darkë
n’paçim fat me e gjetë “gjallë” n’nadje
A e mban mend gurrën n’oborr 
që kurrë dimni s’ja ndali rrjedhën
A e mban mend kur dimni qendiske xhamat
si ma e mira çikë pajën
A e mban mend se andrrat tona i patëm shkrue n’borë
Prandaj mbetën veç andrra,
se pranvera asht bukuri e pamshirshme

Bukra Hysenukaj - Kastrati - Veç tash s'guxoj ma me andrrue
Bukra Hysenukaj – Kastrati – “Veç tash s’guxoj ma me andrrue…”

N’kishe me ardh nji her n’bjeshk t’mija

N’kishe me ardh nji her n’bjeshk t’mija, 
trup e shpirt kishin me t’u harlis
e mendja kish me t’i shperthye kufijt e arsyes
Zani i lshuem i dishrimeve kish me
t’jehue nder shpate e lugje deri n’qell, e kish me e zgjue t’dekunin mrenda teje
E ti kishe me i hap syte e me pa nji bote
me ngjyra qe kurr ma pare si kishe njoft
E kishe me than, “tash po jetoj !”
Vec n’kishe me ardh nji her n’bjeshk t’mia
13 shtator 2020

***

I mora vjet’t e mija e i palova n’arkën e jetës
Përbri tyne vndova kujtimet që kanë shenjue seicilën
Gzimet, idhnimet, m’katet, dilemat e pendimet
Bashkë me to edhe do dallgë rinie t’pa shueme
Do kangë dashnie t’pa kndueme e nji histori t’patregueme
I mbulova me nji pëlhurë malli që e pata qendisë kur verova me ty
Dhe e mbylla si inventarin e jetës
Mbasi e gozhdova si arkmort arkën e drunjtë,
pashë se kisha lanë jashtë shpresën…
26 korrik 2021

.

Krejt Malsia…

Krejt Malsia,
Me Bjeshkë e me Vrri,
Kish me u shkrumue
n’zjermin ku m’u patën djeg andrrat
Ken ba hí
Hí si e njoma me lot
Mora edhe do gurë guximi e durimi
E me to ndërtova themele t’forta
Mbi t’cilat qëndroj e sigurt
Veç tash s’guxoj ma me andrrue
20 prill 2022
.

Kanga e deks

Kur t’kem dek
mos m’përcillni me vaj e kuje
Boll i kam ndie n’t’gjall,
As elegjitë s’i due
Veç nji kangë t’gzueshme
me fjalë mrizash e za grykash,
me fyell e çifteli
E at’her shpirti ka me marr kraht’ e nji dallndyshje
si ka harrue rrugën e kthimit
e ka me shtegtue andrrimeve
t’jets s’rrejshme,
n’pafundsi horizontesh
t’nji tjetër jete
N’e m’paçi dasht’ ndoj her
m’përcillni me kangë!
29 prill 2022
.

***

Kur koha t’hedh 
hapsinave t’panjoftuna
Kur i përhumbun s’di ma kush je
Thirri t’kaluemes
Kujto kush je kanë e prej ka vje
E mbi at vet’dije, kie me mujt m’u kjartsue
Me çelë edhe i herë
Me u ringritë
Me i ngjitë prap shpatet e jet’s, qysh ke ba përherë
Se jeta s’din me kanë ndryshe
Veç e përpjetë
Edhe n’hassh ndonjiherë n’log, shmange
M’beso
Asht kurth
Përtej tij t’pret humnera
Mundesh me ngjit shpate tan jetën e mos me i mrri kurrë majet,
por t’paktën ke ecë nalt…

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.