back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Bukur! Vërtet, sa Bukur! – Përshtypje dhe imazhe nga përurimi – nga Visar Zhiti

Gazeta

"Kepuca e Aktorit" e Visar Zhitit - ne Klubin e Librit ne Cikago
“Kepuca e Aktorit” e Visar Zhitit – ne Klubin e Librit ne Cikago
Bukur! Vërtet, sa Bukur! – Përshtypje dhe imazhe nga përurimi –
nga Visar Zhiti

Biblioteka dhe foshnja: …erdhën njerëz të bukur në Bibliotekën e bukur në Downers Grove, Chicago. Salla e bukur, me ato radhët e gjata me karrige, që nga pianoja e deri te dera në fund, po mbushej me shpejtësi dhe, teksa uleshin, vazhdonin bisedat me njëri-tjetrin. Po bëhemi Shqipëri dhe këtu, e madhe në zemër, ja, kemi shqiptarë të Shqipërisë, nga Kosova e Çamëria, nga Maqedonia e Veriut (e Jugut për ne) e nga Mali i Zi, po, po, por jemi dhe amerikanë…
Kishin ardhur dhe nga qytete të tjerë, madje dhe nga shtetet pranë, ishte dhe një nga Gjermania, Altini, të rinj plot, por edhe flokëzbardhur siç janë luleborat këtej dhe shkonin te tryezat ku ishte libri, e merrnin dhe kërkonin autorin. U krijuan radhë të vogla e të shpeshta para tij, donin një autograf…
Shih, shih, dhe një fëmijë i vogël, e mbajnë në krahë, s’është bërë ende një vjeç, e kanë marrë me vete mami me babin Bledi Stefa, Davidi i bukur, dua dhe unë ta marr në krahë, pranë është dhe një babi tjetër, i Olivias, që i bëri 40 ditë. Në karrocën e tij Davidit mbase i kishin vënë ndonjë libër me figura, por ai xhaxhi që çeli veprimtarinë, Taipi, edhe ai sapo është bërë gjysh me Elirën, tha se jemi mbledhur të gjithë për një libër tjetër, “Këpuca e aktorit” të xhaxhi Visarit…
Do të flasim për të sotmen dhe të ardhmen, duke kujtuar dhe të shkuarën, kështu është romani që na ka mbledhur këtu.

Filluam: …E organizojmë këtë takim ne, Klubi Shqiptar i Librit, e vazhdoi fjalën e tij të mirëseardhjes Taip Beshiri, jemi një grup shokësh e miqsh, që mblidhemi shpesh e vendosëm të hapemi më shumë me ju. Së pari tha ai, do të lexoj përshëndetjen që Presidenti i Shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, Adnand Mehmeti, dërgonte nga New Yorku. Dhe ia lë drejtimin e veprimtarisë Dr. Jani Gjonit. Ai menjëherë foli se ç’ishte ky roman, arketipin dhe vlerat që sjell, “Këpuca e aktorit” si metaforë e ecjes dhe ftoi Odise Priftin të thotë dy fjalë për jetën e autorit dhe veprat e tij.
Dhe u vazhdua me diskutim e parë nga Doktor Minella Aleksi, ndërkohë dhe ai autor i një libri dhe i shumë artikujve në media, ai lexoi shkrimin e tij kritik që kishte botuar në gazetën ExLibris, ku ndër të tjera cekte raportet e romanit “Këpuca e aktorit” më të vërtetat dhe historinë, me shpërpjestimet dhe zbehjet që krijohen me ata që bëjnë histori…
Edhe inxh. Artan Nati, që po shkruan dendur artikuj në gazeta, shikoi lidhjet e romanit me mitologjinë e lashtë, por dhe me politikën e ditës.
Edhe inxhinieri tjetër Milto Skrami në fjalën e tij zbuloi vlera të tjera, që e bëjnë romanin modern, tërheqës, ndër më të rëndësishmit në botimet e reja.
Përsëri vjen në foltore Taipi dhe lexon fjalën e Doktor Xhabir Alilit, i cili ka ikur në vendlindje, në Maqedoni. Edhe shoku ynë i grupit Dhimo Jano ka ikur në Greqi dhe mungon diskutimi i tij, por jo meraku për këtë takim.
Ja, në foltore shkon Dr. Ernest Nasto, Fjala i tij ngrihet dhe kap pjesën qiellore, andej nga na vijnë shpirtërat, bukuria e tyre hyjnore, Nënë Tereza, thotë ai, At’ Fishta, Frashëri… Atjoni, Hiri (Grace) etj, etj.
Po si u shkruar ky roman?
Drejtuesi i takimit, Jani, fton të flasë bashkëshorten e autorit, Eda Agaj Zhiti dhe ajo nxjerr disa “sekrete”, por dhe i thur një himn bibliotekave, që ruajnë kujtesën e botës. Jam e emocionuar, tha ajo, kam përballë mësuesin tim të parë, tim atë… Profesor Gëzim Basha kërkon fjalën. Ka ardhur nga larg. Jep lëndën e letërsisë në një kolegj në shtetin pranë, është kritik letrar dhe përkthyes, e paraqet drejtuesi i veprintarisë.
Gëzimi sjell vërtet gëzim mendimi dhe emocionesh. Me elegancën e fjalës u thotë të pranishmëve se letërsia lexohet vetëm si e tillë, as si histori e as si politikë. Në romanin “Këpuca e aktorit”, që sa nis, shohim presat e kovës së një ekskavatori si thika, ato lajmërojnë një krim shtetëror dhe në fund lexojmë, ‘…jam shtatzënë dhe ndjeu brenda vetes qiell plot dritë.’ Kjo është shpresë dhe poezi, autori është poet… Gëzimi lavdëroi veprimtarinë, praninë, nivelin e lartë të diskutimeve, rrallë kam parë takime të tilla shqiptarësh, përfundoi ai.
Foli dhe një mërgimtar i hershëm, Fejzi Sulejmani, i arratisur nga Shqipëria dikur dhe me znj. Vjollca nisën pyetjet nga salla.
Po i shikoja me dashuri njerëzit përballë. Davidi i vogël aty ishte ende, në krahët e të atit dhe lëshonte zëra gazmorë. Ishte hera e parë që merrte pjesë në përurimin e një libri. Dashi xhironte me celular. Te tryeza e librave rrinte në këmbë bashkëqytetari im, lushnjari Bujar… Të njohur plot. Të gjithë dinin të dëgjonin bukur… Pranë familjarëve dhe Leka Brisku, diakoni i parë shqiptar në shtetin Illinois, ja dhe Edlira… në rreshtin tjetër, Elsa me Nikon, ja dhe Nikoja tjetër me Merin… Imelda… Rita, Vjollca… Mirela me Nasin… Nebiu, Turi më tutje, Tasi, Elvisi… Labi… Ray me bashkëshorten, Fatmiri me bashkëshorten, Mirjani me bashkëshortin, Mondi… Agroni… Arben Bejleri… Mynyri, Artedi… etj, etj, ndjeva dritën e yllësive të kaq shumë syve që më rrethonin bukur… e ç’mund të thosha, që sjell përshëndetjet nga Shtëpia Botuese Onufri në Tiranë, nga drejtoresha, znj. Hudhri, të redaktorit nga Rumania, Dr. Luan Topciu, të miqve nga Miçigani, nga Wisconsin? Këtu folën kaq bukur të gjithë dhe ju jeni kaq të bukur të gjithë, veçse mirënjohje pafund… dhe erdhën të tjerë përsëri të më kërkoni autografe, u ula sërish në tryezën mes dy vazosh të mëdha me lule të bukura, lule motre, flatra shqiponje… dikush vinte me dy libra, donte autograf për një të tijin, që s’erdhi dot, ishte në punë, për në Shqiperi e donte një tjetër autografin, me tre libra, me pesë… çastet m’u bënë lule… një vazo tjetër e përhershme… dolëm… sheshi para Bibiotekës ishte plot me vetura, në shumë prej tyre në ndenjësen tjetër ishte dhe një libër i ri, ku do ta çonin, në shtëpi, në të ardhmen?… Eda ashtu ishte lutur.

Ne Klubin e Librit ne Cikago
Ne Klubin e Librit ne Cikago
Fjala nga Dr. Jani Gjoni
“Kepuca e Aktorit” një arketip letrar mjeshtëror

Libri “Këpuca e Aktorit” i shkrimtarit Visar Zhiti është një vepër letrare e rëndësishme dhe e vlefshme që sapo erdhi në peisazhin e letërsisë shqiptare. Ajo është shtesa e fundit në tërësinë e veprave të sjella nga Zhiti përpara publikut lexues. Nëpërmjet këtij romani, autori trajton tema të gjëra dhe komplekse që reflektojnë përvojën e jetës dhe mendime të thella të artikuluara në mënyre poetike për njerëzit, vendin dhe historinë e Shqipërisë.
Libri është një arketip letrar i krijuar me mjeshtëri nga Visar Zhiti, që çon lexuesit në një udhëtim të larmishëm dhe tërheqës në horizontin historik dhe shoqëror të Shqipërisë. Struktura narrative e tij mpleks në mënyrë të përsosur elemente të mitologjisë, besimit dhe historisë moderne, duke ofruar një eksplorim shumëdimensional të përvojës njerëzore në shoqerinë tonë. Libri ndahet në tre pjesë kryesore të cilat janë rrjedhim i natyrshëm i ngjarjeve në epoka të ndryshme, dhe që nga faqet e para, lexuesi zhytet në një botë magjepsëse, e ngjashme me epikat e mëdha homerike. Prania e personazheve si Hektori, Moisiu, Maria, Hëna, Donika e Nënë Tereza krijojnë një tablo të gjallë që lidh të kaluarën e largët dhe të afërt me kohërat moderne. “Këpuca e Aktorit” është në mënyrë simbolike udhëtimi në kohë i Shqipërisë nëpërmjet karaktereve e ngjarjeve të goditura të përshkruara me mjeshtëri nga shkrimtari.
Ndërsa lexuesit vazhdojnë të thellohen në lexim, ata zhvendosen në histori, në periudhat e turbullta të Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore ku fati i Shqipërisë dhe i popullit të saj varej në kufijtë e një ekzistencializmi delikat. Tregimi mjeshtëror i Zhitit i jep jetë këtyre udhëkryqeve historike me magjinë e metaforës, duke kapur thelbin e çdo kohe me detaje të kuptueshme për këdo. Përmes protagonistëve, lexuesit përjetojnë vështirësitë dhe sakrificat e individëve të kapur në marrëzinë e luftës, shohin jetët e tyre të përpjekura me fatet e kombëve. Aftësia e autorit për të lidhur së bashku narrativat dhe periudhat e ndryshme lejon një kuptim të ndërvarur e më të gjerë të identitetit të Shqipërisë dhe vendit të saj në kontekstin kohor. Autori shkel qetësisht tabutë e racave, kombësive dhe përkatësive tribale, duke ecur në territorin e egërsisë njerëzore, por pa e tejkaluar ne kufinjtë e vulgaritetit. Gjuha e pasur e shkrimtarit dhe ngjyrat e fuqishme që përdor krijojnë një tablo të plotë dhe një përshkrim romantik të Shqipërisë në fillimet e saj në shekullin e 20.
Një aspekt i rëndësishëm i librit është stili tekstual i Zhitit, i cili është i veçantë, unik dhe virtual. Ai shpreh ide dhe emocione nëpërmjet fjalëve të thjeshta e simbolike, duke krijuar një atmosferë poetike të veçantë. Shqipja e tij është e pastër dhe e qartë, ai përdor imazhe të fuqishme për të dhënë situata komplekse. Në përgjithësi, libri “Këpuca e Aktorit” është një vepër e thellë dhe e frymëzuar nga ndjenjat patriotike. Zhiti shpalos talentin si shkrimtar nëpërmjet tregimtarisë origjinale dhe trajtimit estetik të temave të rëndësishme. Ky libër ofron një perspektivë marramendëse mbi identitetin, dramën dhe kuptimin e ekzistencës së njeriut, duke bërë që lexuesi të reflektojë dhe të përsiasë për çështjet e shumta.
Në këtë roman Zhiti i përshkruan karakteret si pjesëtarë të një trupe teatrale, të cilët luajnë rolet e tyre në skenën e jetës. Për ta, jeta është një teatër i madh, ku secili prej nesh luan një rol të veçantë. Përmes personazheve të tij, ai shpreh konfuzionin dhe peshën emocionale që vjen me përgjegjësitë dhe pritshmëritë e shoqërisë ndaj nesh. Tensionet dhe kontradiktat e identiteteve shpalosin aktet e humbjes, ndarjes, frikës dhe dëshirës për të gjetur qëllimin e njerëzve në jetë. Duke ndjekur rrugëtimin e jetës, ata përballen me sfida të ndryshme dhe kërkojnë të zbulojnë vetveten. Shkrimtari shprehet – se roli që kemi në jetë nuk është gjithmonë i vullnetshëm, por shpesh imponohet nga pritshmëritë e jashtme dhe rrethanat. Për shkak të kësaj, karakteret përjetojnë konfliktin midis pritshmërive të jashtme dhe dëshirave të tyre të brendshme.
Një tipar tjetër stilistik është ndërthurja nga shkrimi normal në atë korsiv (italik). Ky ndryshim krijon një lehtësi në kalimin nga një gjendje në tjetrën dhe shërben si një urë lidhëse midis ngjarjeve të ndryshme pa u bllokuar nga ndarja e kapitujve. Kjo bën që leximi i historisë të jetë më i rrjedhshëm dhe më i natyrshëm duke zvogëluar rutinën me befasira.
Gravitetin kryesor në roman e zë paraqitja e diktaturës komuniste që mbajti Shqipërinë të mbyllur e izoluar pas Luftës së Dytë Botërore. Konturimet e qarta dhe gjuha evokative e Autorit paraqesin imazhe të atmosferës së frikës dhe shtypjes që mbizotëronte në çdo hapësire të jetës së përditshme. Duke u fokusuar në përvojat e personazheve, autori zbërthen ndikimin e thellë të sundimit totalitar mbipsikën njerëzore, ankthin dhe luftën e brendshme që përballen individët në këtë shoqëri. Frika e dhunës dhe propoganda djallëzore krijuan dyzimin e personalitetit të njeriut, pasojat e sëcilës ndjehen akoma. Ndonëse nën diktaturë, njerëzit nuk ndaluan të jenë humanë duke shprehur emocionet, gëzimin, dashurinë, dhe mirësinë si tipare qenësore – diktati nuk e vrau dot njerëzoren. Mardhëniet intime të personazheve nëpër sfidat e ashpra qartësohen si një revoltë natyrale që nuk pyet për kufinjtë artificialë. Mbi të gjitha, ai i nxjerr në pah vlerat dhe bukurinë e shpirtit njerëzor, të cilat nuk mund të bllokohen as nga diktatura më e ashpër.
Post diktatura, pas viteve 1990, e rrëmben Shqiperinë në rrejdha e stuhi në të cilat inercia dhe nostalgjia e së shkuarës trazuan keqas mendjet e ndjenjat e shqiptarëve për një periudhe jo të shkurtër. Shoqëria përjetoi absurde dhe mashtrime nga njerëz të ndotur prej së kaluarës, të cilët u prezantuan si fytyra e së ardhmes duke ngadalësuar e penguar zhvillimin demokratik të vendit.
Në roman, autori në mes të tjerave merret me brezin e ri, me fenomenet e dallgët që e tashmja po përballet, me ndryshimet gjeopolitike e shoqërore, me historinë e re moderne që po jetojmë. Kufijtë e shteteve pothuajse janë venitur, globalizmi me internetin ka çliruar mundësitë për një komunikim të gjithanshëm, lëvizja e lirë ndërthur jetën e personazheve në skena të reja. Ngjarjet natyrshëm kalojnë në kontinent tjetër, lëvizin njëlloj si në të shkuarën nga një qytet në tjetrin, karakteret lundrojnë me emocione e ndjenjat njerëzore, me veprime në një hartë më të madhe.
Aq me vërtetësi dhe me besueshmëri kalojnë kapitujt sa të krijojnë përshtypjen e një vepre autobiografike, por në fakt ajo është një krijim fikshën. Tregimtaria me një gjuhë të pasur të jep mundësinë për të përjetuar emocionet, përvojat dhe mardhëniet ndërkarakteriale. Monologu i gjatë i Hektorit, personazhit kryesor, vjen si një film personal duke e vendosur lexuesin në qendër të ngjarjeve dhe duke e bërë udhëtimin nëpër faqet e librit më të ngjitshëm.
Në përfundim, libri “Këpuca e Aktorit” është një vepër e mrekullueshme letrare që përshkruan ngjarjet historike me sy kritik e estetikë të fuqishme. Romani është një biografi e Sqipërisë e rëfyer në mënyrë artistike, mbase më e mira e këtyre kohëve.

Përshëndetja nga Adnan Mehmeti
President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë
Sa bukur të jesh në festën tuaj

Të nderuar miq të “Klubit të Librit”!
Sot jam shumë i nderuar dhe i lumtur sepse përkon në një event kulturor në komunitet. Ndokush prej jush do të nxitojë të thotë: “Është ditëlindja jote!”. Por, kjo është shumë personale, përballë një eventi letrar.
Bota njeh mjaft ambasadorë shtetesh me zyra, makina, shkresa, takime zyrtare, po ka ca ambasadorë të veçantë që mund t’i quajmë thjeshtë Ambasadorët e librit. Kur flasim për Visar Zhitin ai i ka të dyja këto emërtime, që i japin jetës së tij kurorë nderimi dhe na e bëjnë më të bukur e të dobishme jetën tonë kudo ku shkojmë.
Në Çikago, sot janë mbledhur një grup miqsh, shkrimtarësh të përfshirë te Klubi i Librit. Ua kemi lakmi.
Dëshirojmë të jemi aty, po qe se është mundësia.
Të ishim në rreshtin e parë të bibliotekës, që të jemi sa më afër shkrimtarit Visar Zhiti, autorit të ardhuruar prej të gjithëve, pa përjashtim.
Të bëjmë një foto.
Të blejmë nga një kopje të romanit “Këpucët e aktorit”
Të dëgjojmë vetë autorin e me vrap të shkojmë për ta lexuar brenda natës.
Në mesin tuaj sot gjenden shumë emra të njohur, që janë dhe miqtë e mi…
Sa mirë!
Sa emocion!
Të gjithë i përshëndes.
Ju kam zili për iniciativën për bashkëpunimin, për përurimin e librit shqip, duke filluar nga vendlindja e Heminguej… Ju mirëpresim në Nju York, për ta vazhduar në Boston, Philadelphia e gjetkë… Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe unë si President i saj e përshëndes. Kryesia e Shoqates, dashamirësit të librit, njerëz të mrekullueshëm, e mirëpresin.

I dashur Visar,
Anëtar Nderi, i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, jemi me fat që ju kemi.
Ne gjejmë frymëzim nga veprat tuaja letrare.
Sot, na bën më shumë krenar…
Juaji Adnani
New York, 15 korrik 2023

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.