Burgjet dhe kampet e Shqipërisë Komuniste
studim nga Kastriot Dervishi
Para disa kohësh doli studimi i Kastriot Dervishit
“Burgjet dhe Kampet e Shqipërisë Komuniste”.
Nji libër me 240 faqe, i cili trajton nji nga periudhat ma të errta
të historisë së Shqipërisë, atë të diktaturës komuniste.
I plotësuar nga nji dokumentacion rigoroz dhe i shumtë
autori ka dhënë shifra dhe emra, personazhe dhe vendime, krime dhe fakte,
për të cilat askush deri sot s’ka mbajtur asnji lloj përgjegjsie,
e deri më sot s’ka asnji gjyq (qoftë edhe moral) për dënimin e këtyre krimeve
shumë prej të cilëve kanë qenë edhe në shkelje flagrante të vetë ligjeve edhe t’asaj kohe.
Sado i ftohtë të jesh përballë këtyre shifrave monstruoze,
të kap nji ndjenjë trishtimi dhe revolte…
sepse krimet e pandëshkuara sjellin gjithnji me bollëk krime të reja…
E kjo në fakt, është edhe e vërteta e kohës që po jetojmë…
Nga libri në fjalë kemi përzgjedhur dhe shkëputur dy pjesë krejt të shkurta…
Kryetarët dhe drejtorët e ZPV
dhe disa prej komandantëve dhe komisarëve të burgjeve komuniste,
të cilët kanë qenë ushtrues të dhunës sistematike
dhe autorë të shumë krimeve dhe shkeljeve ligjore, të dëshmuara me shkrim e me goje
nga ata që kanë lënë kujtime dhe libra rreth vuajtjeve në burgje…
nji prej të cilëve ishte edhe i ndjeri At Zef Pllumi.
Këto lista të përgatitura nga vetë regjimi
janë dëshmia ma e qartë e nji krimi që sot përcillet me mjaft heshtje…
Ndërsa në burgje e kampe qe prangosur krejt ajka e shoqërisë shqiptare,
komandantë dhe komisarë të institucione të dhunës së përditshme
ishte pjesa ma injorante e ma e pashkollueme e krejt popullit shqiptar.
Mjafton me i hedhë nji sy të shpejtë këtyre listave të gjata,
dhe do ta kuptosh se shumica e këtyre personazhve drithërues
nuk i kalonte ma shumë se 4-5 klasë shkollë, dhe jo ma shume se bujq e barinj
kurse ata që ishin përplasur burgjeve dhe kampeve
ishin krejt elita intelektuale e shkolluar në universitetet e Europës…
95 % e këtyre drejtuesve vijnë nga zona e Jugut: Vlorë, Tepelenë, Skrapar, Gjirokastër
dhe pjesa dërrmuese e tyre vijnë nga zona të thella fshatare….
Studiuesi Kastriot Dervishi,
meriton nji falenderim të veçantë për gjithë punën dhe dëshmitë e sjella
jo vetëm në kët libër, po edhe në shumë libra të tjerë,
gjë që e bën atë njerin prej njerzve me shërbime fisnike e mjaft të kurajshme
në fushën e dokumenteve dhe zbardhjes të së vërtetave
të diktaturës gjysëmshekullore komuniste.
jozef radi, 15 maj 2016,
Kryetarët dhe drejtorët e ZVP
-Koço Kapo,
nga Dukati i Vlorës. Profesioni mësues. Arsimi i mesëm. Më 1946-1949, Dega e Ekzekutimeve të Vendimeve
-Aleks Gusho,
lindur më 19.2.1918 në Pogradec. Profesioni punëtor. Arsimi fillor. 11.10.1949-10.1.1951 Dega e Kampeve dhe Burgjeve.
-Sabri Sevrani (Bejko),
lindur më 11.1.1918 në Çepan të Skraparit. Profesioni bujk. Arsimi 5 klasë fillor. 2. 10.1.1951-13.10.1952.
-Bilo Bregu,
lindur më 9.3.1922 në Kala, Çorovodë. Profesioni bujk. Arsimi fillor. 5.12.1952-15.9.1953
-Çelo Arrëza,
lindur më 22.2.1922 në Arrëz të Tepelenës. Profesioni bujk. Arsimi 2 klasë fillore. Ishte kryetar më 15.9.1953-3.3.1954.
-Shpend Dega,
lindur më 13.4.1915 në Kolgecaj. Profesioni arsimtar. Arsimi i mesëm. 3.3.1954-15.6.1955.
-Qamil Mane (Islamaj),
lindur më 3.3.1916 në Çorrush. Arsimi 5 klasë fillore. 15.6.1955-1.3.1966 (si kryetar Degës Kampe e burgje), 1.3.1966-16.4.1967 shef i Degës Zbatim Vendime Penale
-Burhan Beqari,
lindur më 30.1.1916 në Vlorë, profesioni punëtor krahu, 5 klasë fillore, 16.4.1967-16.4.1972.
-Sulejman Manoku,
lindur më 3.1.1924 në Revan të Kosturit. Arsimi i mesëm. 16.4.1972-31.1.1975
-Bektash Toro,
lindur më 3.1.1924 në Gjirokastër. Arsimi 3 klasë fillore. 1.4.1975-31.3.1977
-Mit’hat Baraj,
lindur më 11.4.1929 në Kuç të Vlorës. Arsimi 3 klasë unike. 1.4.1977-15.1.1980
-Kasem Kaçi,
lindur më 16.6.1927 në Gjirokastër. Profesioni elektricist. 16.1.1980-1.8.1982 (drejtor)
-Dhimitër Krisafi,
lindur në Kakos të Gjirokastrës. Arsimi 1 klasë e mesme. Profesioni arsimtar. 1.8.1982-15.3.1990
-Fadil Cani,
15.3.1990-15.8.1990
-Edmond Caja,
lindur më 26.4.1959 në Tiranë, origjina nga Gusmari i Tepelenës. 16.8.1990-16.5.1992
(Më 1.8.1991 ndryshoi emri në Drejtoria e Administratës së Burgjeve)
Disa prej komandantëve e komisarëve të burgjeve
Në këtë pjesë kam përzgjedhur shkurtimisht
disa copëza biografike të disa prej komandantëve, komisarëve dhe drejtorëve
që i kam gjykuar si më të rëndësishmit e kampeve dhe burgjeve.
Lista mund të ishte më e gjatë, por me renditjen e mëposhtme
arrihet një përfundim mbi cilësinë e kuadrit që Partia e Punës
kishte vënë për të ruajtur elementin antikomunist dhe jokomunist,
të cilët përbënin shekuj të vërtetë dije e kulture. kastriot dervishi
-Vangjel Rrëmbeci
Nga Rrëmbeci i Korçës. Lindur më 7.9.1916. Profesioni tregtar i vogël. Deri sa mori funksione kishte 5 klasë fillore. Një prej komandantëve më të tmerrshëm të kampeve dhe burgjeve. Karriera e tij nis si roje personale e Enver Hoxhës në vitet 1945-1946. Me këtë përvojë ai i drejtohet rrëmbyeshëm drejtimit profesional kundër “armiqve të partisë e të popullit”. Më 1957-1959 komandant i burgut të Burrelit, më 1953-1955 i repartit 313 Tiranë, më 1956-1963 i kampit 309 në Tërbuf e Laç dhe e mbyll karrierën si drejtor i Artizanalit në vitet 1963-1966.
-Xhipe Mersin Kapaj
Nga Vajza e Vlorës. Lindur më 11.11.1914. Profesioni bujk, arsimi 5 klasë fillore. Karriera si komandant si vijon: më 1953 – 1955 në burgun e Burrelit, më 1955-1956 në kampin 301, më 1956-1964 në kampin 305.
-Metush Isuf Rrapo
Nga Ballabani i Përmetit. Lindur më 15.3.1912. Profesioni bujk. Deri në vitin 1944 (pra 32 vjeç) ishte fare pa arsim. Pas lufte kryen filloren, uniken dhe dërgohet në Bashkimin Sovjetik. Karriera si komandant: më 1956-1962 i burgut të Burrelit, më 1953-1966 9 repartit 313.
-Qani Kalo Nako
Nga Vithkuqi i Korçës. Lindur më 12.3.1912. Profesioni murator. Arsimi 1 klasë fillore, shtojcë kishte bërë në ushtri. Karriera si komandant: më 1957-1966 komandant i burgut të Shkodrës, më 1966 i kampit 307 Rubik dhe më 1966-1967 i burgut të Burrelit.
-Nazar Demiraj
Nga Tërbaçi i Vlorës. Lindur më 12.4.1921. Profesioni bazë bari. Arsimi 4 klasë fillore. Komandant i burgut të Burrelit më 1967-1971.
-Hajri Leskaj
Nga Bolena e Kuçit të Vlorës. Lindur më 5.7.1927. Profesioni bazë punëtor krahu. Arsimi 3 klasë fillore. Më 1971-1974 komandant i burgut të Burrelit.
-Idajet Deda
Nga Velça e Vlorës. Lindur më 8.4.1933. Profesioni bari arsimi 4 klasë fillore. Komandant i burgut të Burrelit më 1974-1981.
-Sotir Xharja
Nga Kavaja. Lindur më 12.5.1920. Profesioni punëtor krahu. Arsimi 4 klasë fillore. Drejtor i burgut të Shkodrës më 9.5.1945-25.8.1946.
-Rifat Llukaça
Nga Podgorica. Lindur më 4.2.1910. Profesioni kapelabërës. Arsimi 5 klasë fillore. Komandant ose drejtor i burgjeve të Shkodrës, me ndërprerje, në periudhën 1946-1953.
-Shyqyri Rrjolli
Nga Shkodra. Lindur më 3.2.1926. Profesioni bazë punëtor duhani. Arsimi 5 klasë fillore. Komandant i burgut të Shkodrës më 1947-1952.
-Ilo Stojko
Nga Hoçishti i Korçës. Lindur më 1.1.1921. Profesioni marangoz. Arsimi 5 klasë fillore. Komandant i burgut të Shkodrës më 1956-1957.
-Janaq Karapataqi
Nga Barçi i Korçës. Lindur më 1.2.1917. Profesioni këpucar. Arsimi deri në marrjen e funksionit 5 klasë fillore. Drejtori i burgut 313 në vitin 1945.
-Beqir Liço Lalaj,
Nga Kuçi i Vlorës. Lindur më 6.4.1919. Profesioni punëtor. Arsimi 4 klasë fillore. Karriera
si komandant: më 1947-1947 në burgun e Gjirokastrës, më 1949-1955 në kampin nr.1, më 1966 në repartin nr.315. Po ashtu ka qenë drejtor i Punëtorisë së Artizanalit në vitet 1958-1962.
-Tasi Marko
Nga Bistrova e Vlorës. Lindur më 5.9.1912. Vëllai i anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko. profesioni furrxhi. Arsimi 4 klasë fillore. Një ndër drejtuesit më famëkeqë të kampeve. Më 1945-1947 drejtor i dy burgjeve të Korçës. Në maj-nëntor 1947 drejtori i kampit të Maliqit. Më 1949-1950 komandant i burgut 313 Tiranë. Në vitin 1950 në kampet e Maliqit e Peqinit. Më 1955 komandant i kampit nr.4.
-Hysen Kapllani
Nga Fratari i Fierit. Lindur më 14.4.1917. Profesioni bujk. Arsimi 5 klasë fillore. Karriera si komandant: më 1953-1955 i burgut të Vlorës, më 1955-1956 i burgut 313, më 1961-1967 i kampit 303.
-Teki Veleshnja
Nga Veleshnja e Skraparit. Lindur më 20.2.1917. Profesioni bujk. Pa arsim, por “autodidakt”. Më 1956-1963 komandant i burgut nr.313.
-Azbi Lamçe
Nga Belishova e Fierit. Lindur më 20.2.1917. Profesioni punëtor krahu. Arsimi, i mesëm bujqësor. Burgoset në vitin 1948 para se të vihet në drejtimin e burgjeve e kampeve, por amnistohet. Karriera si komandant: më 1955-1956 në kampin 305 Shkodër, më 1956-1963 në kampin 301 Bulqizë, më 1963-1966 në kampin 309 Tiranë, Laç, Krujë; dhe më 1966-1967 në burgun 313 Tiranë. Dënohet disa herë për shpërdorim detyre.
-Banush Goxhaj
Nga Tërbaçi i Vlorës. Lindur më 14.4.1916. Profesioni punëtor. Arsimi 4 klasë fillore. Karriera si komandant: më 1966-1968 në repartin 315 Lezhë dhe më 1968-1972 në burgun 313 në Tiranë.
-Sami Kamberi
Nga Peladhia e Peshkopisë. Lindur më 13.1.1928. Profesioni bujk. Arsimi 1 klasë unike. Më 1975-1979 komisar i repartit 309 Ballsh. Më 1979-1982, komandant i repartit 313 Tiranë.
-Imer Manaj
Nga Bolena e Kuçit të Vlorës. Lindur më 5.3.1927. Profesioni bazë punëtor. Arsimi 5 klasë fillore. Më 1964-1966 komandant i repartit 305 Tiranë. Më 1967-1983 komisar i burgut 313 Tiranë.
-Neim Musaraj
Nga Koculi i Vlorës. Lindur më 5.1.1915. Profesioni bazë bujk. Deri në vitin 1948 nuk kishte kryer asnjë lloj shkolle. Më 1945-1947 komandant i burgut të Gjirokastrës. Më 1949-1951 komandant i burgut të Durrësit. Në vitet 1951-1953 komandant në kampet 1 dhe 4 dhe në vitet 1953-1954 i kampit nr.4 Tiranë. Largohet pas përpjekjes për arratisje të të burgosurve në këtë kamp (shih më lart) dhe i jepet gjyqit.
-Kamber Halilaj
Nga Çepani i Skraparit. Lindur më 1.5.1895. Profesioni xhandar (1924-1943) dhe bujk. Arsimi 4 klasë fillore. Karriera si drejtor i dy burgjeve: më 1946-1947 në Berat, më 1947-1949 në Elbasan. Pastaj komandant në vitet 1951-1953 në kampin 1 dhe më 1953-1955 në kampin 2.
-Muço Maska (Canaj)
Nga Brataj i Vlorës. Lindur më 15.3.1903. Profesioni bujk. Arsimi 1 klasë fillore. Më 1945-1947 drejtor i burgut të Vlorës.
-Mustafa Gjini
Nga Gjirokastra. Lindur më 23.5.1913. Profesioni bazë baxhoxhi. Arsimi 5 klasë fillore. Komandant i burgut të Vlorës në vitet 1961-1.6.1964.
-Medi Bilbil Hoxhaj
Nga Hadëraj i Koculit Vlorë. Lindur më 1.1.1917. Arsimi 4 klasë fillore. Më 1964-1966 komandant i burgut të Vlorës.
I-smail Malaj (Erallaj)
Nga Vreshtasi i Cakranit Fier. Lindur më 15.8.1919. Profesioni bujk. Arsimi 4 klasë fillore. Më 1947-1951 komandant i burgut të Elbasanit e më 1951-1952 i atij të Beratit.
-Riza Veip Himo
Nga Picari i Gjirokastrës. Lindur më 17.1.1901. Profesioni bazë bari. Analfabet. Drejtor e më pas komandant i burgut të Gjirokastrës më 1949-1953.
-Muharrem Beqiraj
Nga Bënça e Tepelenës. Lindur më 4.1.1926. Profesioni bari. Arsimi: 4 klasë fillore pas lufte, shkruan se është “autodidakt”. Më 1970-1973 komandat i burgut 307 Tepelenë. Më 1973-1977 komandant i repartit 303 Spaç dhe më 1977-1981 i atij 325 Tiranë.
-Yzeir Gjoka
Nga Gusmari i Tepelenës. Lindur më 22.11.1918. Profesioni bari. Analfabet. Në vitin 1953 komandant i kampeve 6 e 7.
-Dervish Sanxhaku
Nga Vlushi i Skraparit. Lindur më 20.6.1920. Profesioni bujk. Arsimi 4 klasë fillore. Më 1950-1952 komandat i kampit nr.5 (më vonë nr.3 ose reparti 305) dhe më 1952-1953 komandat i Punëtorisë së Artizanalit.
-Sotir Vullkani
Nga Korça. Themelues i PKSH-së. Lindur më 24.10.1902. Arsimi 4 klasë fillore. Profesioni këpucar. Më 1953-1958 komandat i Punëtorisë së Artizanalit. Pas çmobilizimit dhe arratisjes së djemve të tij, ndiqet nga Sigurimi i Shtetit deri në vdekje.
-Zija Çela
Nga Progonati. Lindur më 20.7.1925. Profesioni bari. Arsimi 5 klasë fillore. Më 1966-1967 komandat i Punëtorisë së Artizanalit. Më 1969-1978 referent për zbatimin e vendimeve penale pranë Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë.
-Çelo Arrëza
Nga Arrëza e Tepelenës. Lindur më 22.2.1922. Profesioni bujk. Arsimi 2 klasë fillore. Më 1953-1954 kryetar dege në Degën e Kampeve dhe Burgjeve. Më 1954-1964 komandant i Gardës, prej nga ku hiqet pasi po ndërtonte shtëpi sipas modelit të bllokmenëve. Më 1964-1968 komandant i kampit 305 Tiranë, më 1968-1972 i kampit 303 Spaç dhe më 1972-1975 i kampit 309 Ballsh.
-Haxhi Gora
Nga Delvina. Lindur më 22.7.1923. Profesioni punëtor. Arsimi 4 klasë fillore. Karriera si komandant: më 1967-1968 në repartin 303 Elbasan dhe Spaç, më 1968-1972 në repartin 315 Belësh, më 1972-1973 në repartin 303 Spaç dhe më 1973-1980 në repartin 307 Valas.
-Niko Kolitari
Nga Hoçishti i Devollit. Lindur më 23.2.1926. Profesioni bujk. Arsimi 4 klasë fillore. Më 1967-1969 komisar i kampit 303 Spaç dhe Elbasan.
-Shahin Skura,
Nga Lisi i Madh Mati. Lindur më 14.7.1932. Profesioni minator. Arsimi 4 klasë fillore. Më 1969-1979 komisar i kampit 303 Spaç.
-Abaz Kushova
Nga Spathara e Skraparit. Lindur më 12.3.1919. Profesioni bujk. Arsimi 5 klasë fillore. Më 1952-1954 komandant i kampit nr.3 (kampi 305).
-Çize Hamiti
Nga Vajza e Vlorës. Lindur më 15.3.1920. Profesioni bujk. Nuk kishte pasur arsim deri në vitin 1951, kur në moshën 31 vjeçare mbaroi 2 klasë fillore. Më 1967-1976 komandant i repartit 305 Borsh.
-Besnik Çomo
Nga Libohova. Lindur më 8.4.1928. Profesioni bujk. Arsimi 4 klasë fillore. Karriera si komisar: më 1953-1955 në kampin nr.1, më 1966 në kampin 307 në rubik, më 1955-1967 në kampin 323 Fushë-Krujës.
-Bajram Korvarfaj
Nga Kuçi i Vlorës. Lindur më 2.2.1913. Profesioni punëtor, arsimi një klasë unike. Komandant i kampit nr.4 (më vonë 307) në vitet 1956-1966 Tiranë e Rubik.
-Mihal Marko
Nga Grykë Pisha Novosela e Vlorës. Lindur më 1.5.1928. Pa zanat dhe pa shkollë. Në vitet 1966-16.3.1967 komandant i kampit 307 Rubik.
-Njazi Banushi
Nga Vishocica e Devollit. Lindur më 14.5.1926. Profesioni bujk. Arsimi 3 klasë fillore. Në vitet 1952-1953 komisar në kampet 6 e 4.
-Gani Vajza (Sulçe)
Nga Vajza e Sevasterit të Vlorës. Lindur më 20.1.1917. Profesioni bujk. Arsimi 1 klasë unike. Më 1971-1972 komandant i kampit 309 Vlorë.
-Xhevdet Sakaj
Nga Krahësi i Tepelenës. Lindur më 10.1.1942. Arsimi profesional 2 vjet për baxhoxhi. Pastaj kursi i kufirit. Më 1979-1983, komandant i kampit 309 Ballsh.
Burgjet dhe kampet e Shqipërisë Komuniste – Kastriot Dervishi (faqe 85-90)