back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Burrëria trashëgohet… Po ju çfarë keni trashëguar deputeti Blushi?! nga Kujtim Cekani

Gazeta

Kujtim Cekani
Kujtim Cekani

Burrëria trashëgohet…

Po ju çfarë keni trashëguar deputeti Blushi?!

nga Kujtim Cekani

Letër e hapur deputetit Ben Blushit

Ben Blushi & Dhimiter Shuteriqi
Ben Blushi & Dhimiter Shuteriqi

Përshëndetje, deputeti Blushi!
Quhem Kujtim Cekani, dhe jam nga një fshat i Elbasanit, nga Polisi.
Të kam ndjekur shumë herë në Parlament duke folur dhe më ke berë të dyshoj në je i majtë a i djathtë, mbasi unë jam arratisur nga Shqipëria para vitit 1990, dhe s’e dija saktë se kush ishit ju. Duke lexuar autobiografinë tuaj dhe duke ndjekur shkrimet e tua zbulova se ju jeni edhe nip i Dhimitër Shuteriqit.
Ehh, si qenka kjo dynja…
Gjyshërit tanë kanë qenë takuar në ditë të vështira dhe kanë lënë edhe hesape të pambyllura, dhe sot nga brezat e largët po përpiqemi të komunikojnë ne nipat!!
Gjyshi im quhej Ali Cekani, në kohë të vet ka qene Kryetar i Ballit Kombëtare për Komunën e Polisit. Shtabi i Ballit ishte në Elbasan dheKryetar për Ballin në Prefekturën e Elbasanit ka pasë qenë daja im Nezir Muzhaqi… Besoj se këto gjëra, ju deputeti Blushi i dini shumë mirë nga historia e vërtetë e Elbasanit që jam i sigurt që e njihni mjaft mirë…
Babai im n’ato kohra ka qenë rreth 15 vjeç dhe rrinte mbas Gjyshit.

Ali Cekani
Ali Cekani

Ja se ç’na tregonte ai: Një ditë te Shtabi i Ballit erdhi një grua e vjetër duke qarë… “Dua te takoj Aliun – i tha rojës, – dhe ata e lanë të shkonte. Erdhi te Gjyshi dhe ai i foli: Ç’keni që qani? Ah more dajë Ali, më kanë kapur gjermanët djalin! Aman të lutem ma shpëto! Ali Cekani e njihte gjithë Elbasanin. Mbasi bisedon me Nezirin, ai vishet merr disa trupat besnike me vete dhe shkojnë tek komanda Gjermane dhe me një përkthyes ju thonë se ata që keni kapur sot nuk janë komunistë por ballistë… dhe midis tyre babai përmendte Kajo Karafilin e 6-7 të tjerë, të cilët gjermanët i lirojnë dhe i shoqërojnë deri  në Polis Mirakë te Myftar Hoxha, duke i strehuar dhe kuruar, ku simbas rrëfimit të babait “Gjyshi juaj ishte edhe i sëmurë, i ftohur dhe me kollë. Vetë babai im e ka shoqëruar atë deri aty ku i Ati ja këshilloi…
I nderuar deputeti Blushi!
“Bëj mirë, që të gjesh mirë në këtë dynja!” – kjo ka qenë dhe ka mbetur tradita e Shqiptarit. “Gjendju mikut në ditë të vështirë!”
Dhe mbas lufte Shqipëria u pushtua nga Komunistët… kështu më thoshte gjithnji Babai dhe vazhdonte: “Kur do të çlirohemi nga ky pushtim i kuq!?”
Menjëherë mbas lufte Nezir Muzhaqin e varën në litar, gjyshin tim Ali Cekanin e arrestuan, kurse dy dajë të tjerë i pushkatuan pa gjyq… shumë të tjerë u internuan në Berat, pastaj ne Bënçë, pastaj në Tepelenë në nji vuajtgje që nuk ka penë që e shkruan…
Po le te vazhdojmë te gjyshërit tanë.
Gjyshi im u burgos për të dytën herë, ku akuzat përveç të tjerave ishin se: kishte strehuar Alush Lleshanakun dhe Rexhep Kasën të hedhur me parashuta në malet e Polisit nga shërbimet angleze!
Babai im një ditë ka shkuar dhe i ka trokitur në derë gjyshit tuaj: Dhimitër Shuteriqit që ti merrte një firmë për t’ia lehtësuar sadopak burgun gjyshit tim Ali Cekanit!!  Përgjigja që negative! Unë nuk ju njoh!” i tha ai Babait tim… Babai këmbënguli mbasi ai vetë e kishte shoqëruar për në Polis, por gjyshi Juaj Dhimitri i thotë me ton: “Dil nga shtëpia përndryshe thirra policinë!”
Mbas kësaj ngjarje, Gjyshi im vdiq në Burgun e Vjetër të Tiranës, dhe ende sot ne nuk dimë vendvarrimin e tij…

Akuza e Ali Cekanit ne Dosjen e tij...
Akuza e Ali Cekanit ne Dosjen e tij…

Deputeti Blushi!!
Gjyshi Juaj tashmë ka vdekur dhe ju e dini varrin e tij. Kam përshtypjen se ndonjëherë kur e gjeni të arsyeshme shkoni te varri i tij dhe vini lule apo i këndoni ndonjë poezi…
Po çmund të them unë për gjyshin tim!?
Përveç Dosjes së akuzës së firmosur nga Mehmet Shehu, dëshmive false dhe gjyqit qesharak në Burgun e Tiranës nuk ka asnjë dokument, se kur ka vdekur dhe si ka vdekur. Babi im ka shkuar që ta tërheqë trupin e tij! A di se çfarë i kanë thënë: “I do eshtrat?! Futu ti në burg dhe bëji vitet që i kanë mbetur dhe ne jua japim trupin!!” Gjyshit duhet t’i kishin mbetur edhe nja 20 vjet dënim…
Ja kështu shkuan punët deputeti Blushi
I Juaji në shtëpi dhe i Imi në qeli!!
A doni ta dini edhe si ka vdekur Gjyshi im?
Para ca vitesh takoj në Tiranë Tomorr Alikon. Dëshmi e gjallë e tmerrit të vuajtjeve. Sapo i tregova foton e gjyshit tim, pa i thëne asnjë fjalë më th: “Ky është Ali Cekani!”
U çudita deputeti Blushi,
Ai më trego se si e futen në një birucë me ujë të mbushur dhe e lanë pa ngrënë deri sa vdiq. M’u drodh trupi nga rrëfimi i tij… dhe sa herë e kujtoj Gjyshin tim me atë kësulën e bardhë, gjithnjë me vjen ndërmend historia me Dhimitër Shuteriqin.
Kanë kaluar shumë kohë e vite, deputeti Blushi…
Ti ke pasur gjithnjë pranë një gjysh që të ka marrë në krahë, të ka përkëdhelur, e ndoshta t ka kultivuar edhe ndjenjat e veta, ndërsa unë jo
Gjyshi im i shpëtoi jetën atij tëndit! Dhe bëri që fati yt të kishe një gjysh…Kurse gjyshi yti nuk mundi t’ja shpëtojë jetën timit, – bile mohoi gjithçka!
Ti je sot deputet, gazetar, shkrimtar…
edhe unë shkruaj, deputeti Blushi qysh i vogël atë punë kam bërë, por gjithnji quhesha i nipi i armikut, Kryetarit të Ballit të vdekur në burg .. ndërsa ti nipi i komunistit Kryetarit të Lidhjes, që jetoi paqshëm, duke i mohuar miqtë, e mbetur  mosmirënjohës
Ti u bëre deputet kurse unë kam mbetur rrugëve në kurbet!

Dosja e gjyqit te Ali Cekanit
Dosja e gjyqit te Ali Cekanit

Deputeti Blushi!
Bëj atë që gjyshi yt nuk e bëri kur gjyshi im kishte nevojë për ndihmë. Bëj një gjest që t’i gjendet varri gjyshit tim… dhe ashtu si shkon ti te varri i tëndit, të shkoj edhe unë te varri i gjyshit tim… se atje përtej sigurisht ata do jenë takuar dhe atje patjetër i rregullojnë vetë punët e tyre.
Sepse ai imi ka vite andej dhe me siguri do të ketë zënë miq e shokë e kushedi si e ka pritur atë tëndin… Se ka qenë burrë gjyshi im kur ishte këndej, dhe thonë që burrëria ngelet edhe andej…
Sepse ne këtë dynja Burrëria trashëgohet… po Ju çfarë keni te trashëguar deputeti Blushi!?

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.