Ca gjëra duhen thënë…
nga Desada Metaj
Saimir Tahiri nuk është “kokë turku”. Ai është përgjegjës për çorbën që sajoi dhe e gëlltiti bashkë me shefin e tij.
Kur u zgjodh ministër i brendshëm, pakkush apo askush publikoi faktin e thjeshtë: 0 eksperiencë pune për dikë që do drejtonte ministrinë më të vështirë të çdo qeverie. Dikush që nuk i kishte thënë “mirëmëngjes” asnjë punëdhënësi në privat apo në shtet, u caktua të drejtonte ministrinë më delikate në qeveri. Dhe vazhdimësinë e dimë të gjithë. Drogë, arrogancë dhe luftë për pushtet mes tij dhe Erion Velisë brenda PS dhe qeverisë. Ky padyshim ishte bilanci i ministrit më “jetëgjatë” të punëve të brendshme.
Pjesa më e madhe e medias heshti, analistët që bredhin banak më banak për të folur nga konfliktet botërore dhe zgjedhjet në Amerikë kishin gurë në gojë kur pyeteshin për kanabizimin e Shqipërisë. Vetëm pak gazetarë, më së shumti reporterë, denonconin atë që ndodhte dhe që shihej me sy të lirë.
Sepse në qeverinë e PS, ai që fuqizohet politikisht ka dhe fuqi ekonomike. Saimir Tahiri nuk ishte vetëm i përkëdheluri i Ramës. Ai ishte dhe i përkëdheluri medias tradicionale. Emisione të tëra kushtuar “punës” së tij. Për llogari të ish ministrit sulmoheshin në portale ata që publikonin informacione apo detaje të dosjes që e çoi në burg. (Autorja e këtyre rreshtave ka hequr në kurriz llumë dhe baltë të sponsorizuar nga Tahiri).
Saimir Tahiri nuk ishte dhe nuk është “kokë turku”. Ai është përgjegjës direkt për çdo takim që ka zhvilluar me persona apo kushërinj të inkriminuar. Për çdo akt që ka firmosur dhe për çdo “ulje sysh” para kanabizimit stratosferik të vendit. Saimir Tahiri nuk ishte djali i mirë që ja “zhytën” shokët. Ai ishte thjesht bashkëpunëtori me kohë të pjesshme i Edi Ramës. Që u përpoq të përdorte mekanizma diabolike për të konkuruar pushtetin e kapobandës. Dhe kjo ka sigurisht një çmim.
Sepse ai dhe sishokët e tij ambiciozë pa fre në PS, kanë sot pushtetin ekonomik, kanë burime financiare të mëdha për të blerë dhe sabotuar çdo përpjekje mediatike për të thënë të vërtetat. Sigurisht që Saimir Tahiri nuk ja doli të fitonte mbi Ramën. Ndonjë tjetër më i zoti dhe me tentakula më të shtrira mund të vazhdojë lojën që Saimir Tahiri la në mes. Por kujdes! Djalli vetë nuk lejon që t’ja marrin pushtetin pjellat e tij. Të paktën jo pa ja ngrënë kokën vetë kujtdo që guxon të mendojë se mund ta rrëzojë nga pushteti për të cilin ka investuar gjithçka dhe sakrifikuar çdo normë apo parim.
Ndaj këto elegjitë për ish ministrin e brendshëm duken si këngët qesharake për heronjtë pa heroizma të shqiptarëve.
Lufta për pushtet të paskrupullt ka viktimat e saj. Dhe mjerë kush mendon se me shumë para, ligësi dhe arrogancë do të mund të sundojë për gjatë në një vend ku kryesundimtari ka në dorë çdo mekanizëm diabolik për të ngrënë kokat e atyre që janë prodhim “made Edi Rama”.
Saimir Tahiri do të shënjojë historinë e demokracisë në Shqipëri si ish ministri që për pak kohë mendoi se kishte gjithçka, por nuk arriti të kuptonte që “gjithçkaja” e tij ishte ajo që i fali Edi Rama.
Ministrat e rilindjes dhe bashkëpunëtorët e afërt të kryeministrit lenë për të dëshiruar në formim dhe janë përgjithësisht të palexuar. Nëse mendojnë se me djallëzitë banale apo intrigat e tavolinave do të arrijnë të mbijetojnë në terrenin që zotëron Edi Rama e kanë gabim. Në krye ata kanë një djall që në fund do t’i përdorë pa mëshirë dhe që tallet pa fund me “garat” që u cakton vartësve të tij mes njëri-tjetrit. Ndaj ata që e quajnë veten të zotë, bëjnë mirë të mbledhin mendjen dhe të largohen nga loja pa u djegur si letër gazete, hirin e së cilës Edi Rama e përdor zakonisht për t’u argëtuar netëve të ftohta!
Marre nga muri i Desada Metaj, 5 shkurt 2022