back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Ca vajza të gjata, bionde me pantallona kauboj si suedezet?” – kur Todi Lubonja jepte llogari përballë lukunisë Byroiste në Pleniumin e IV të KQPPSH

Gazeta

Byroja Politike... nji pjesë e të cilëve u eleminuan...
Byroja Politike… gjysma e të cilëve u eleminuan si agjente…

“Ca vajza të gjata, bionde me pantallona kauboj si suedezet?”

kur Todi Lubonja jepte llogari përballë lukunisë Byroiste

ne Pleniumin e IV të KQPPSH

Debat i ashpër në selinë e Komitetit Qendror të Partisë. Është data 27 qershor e vitit 1973.
Plenumi IV i KQPPSH i kishte i kishte nisur punimet një dite më parë,
dhe dukej se beteja atë ditë s’do të kishte të sosur.
Byroja politike i kërkon e llogarisë Todi Lubonjës për Fadil Paçramin.
Janë me dhjetëra akuzat e nxjerra nga arkivat e punës së Todi Lubonjës,
e midis tyre është kryeçeshtja: Bilal Xhaferri.
Ku Lubonja akuzohet ashpër se kishte e përkrahur dhe inkurajuar Bilal Xhaferrin.
Janë me dhjetra akuzuesit që e sulmojnë qenërisht Todi Lubonjën
në një dramë ca për të qeshur e shumë për të qarë.
Të gjithë sulmuesit janë shokë… po ka edhe edhe shoqe. Vetëm një prej tyre
s’e gëzon më këtë titull të nderuar “shok” ai në dramë është thjesht Todi Lubonja,
dhe i duhet t’i japë llogari gjithë lukunisë byroiste. Dhe apologjia e tij ka 26 përgjigje!
Komandanti që i prin kopesë së shokëve, flet 16 herë ashtu ashpër e partishëm,
pastaj vjen krahu i djathtë, po edhe krahu i majtë i komandantit… të gjithë në sulm të hapur,
janë edhe nja dy shoqe… edhe ato nuk rrinë pas shokëve…
Ashtu të ashpra, të sinqerta, të partishme, luftarake…
Mungon vetëm shefi i madh i kulturës komuniste, i futur në ndonjë vërrë për të dalë më vonë…
Këtë fragment e lexova edhe si dramë, edhe si komedi, edhe si tragjedi, edhe si histori, edhe si kulturë…
sigurisht si pjestar i kohës qesha ca, edhe pse më dhembi një detaj…
ku një i afërm i imi, ishte përmendur aty në formën më fyese…!!
Kur të levdontë Biroja ishe i mbaruar! Gjithsesi e kanë sharë… le ta quajmë fat!
Mos harroni, kur ta lexoni kujtohuni,
se mjaft prej atyre që bilbilojnë në këtë dramë, shpejt do t’i priste gijotina…
jozef radi
.
Byroja komuniste dhe Stalini
Byroja komuniste dhe Stalini

Shoku Rrapo Dervishi: Ja ta vërteton KQ, partia dhe kjo përgjigje është një sjellje arrogante nga ana jote. Ju kështu keni bërë dhe të gjitha këto i keni bërë me arrogancë. Ne dëgjojmë për veprimet tuaja dhe na ngjethet mishtë. Ne dëgjojmë që dikë e keni gënjyer, një tjetër s’e keni përfillur, etj. Këto ne nuk i kemi ditur. Të marrim për shembull Festivalin e 11-të të këngës në Radio-Televizion. Ju e keni organizuar dhe e keni bërë me koshiencë këtë. Ju kështu i keni organizuar këto dhe jeni grup. Për sa i përket çështjes së Minush Jeros dua të them se ai na erdhi në Gjirokastër dhe një vepër tjetër e tij mendohej të vihej në teatrin e Gjirokastrës, se këta kanë futur hundët gjithandej, duke vepruar fshehurazi. U gjend për këtë Viktor Zhusti, miku i ngushtë i familjes së Fadilit. Kërkonin ta vinin atje në skenë. Kur mora vesh pyeta, “Po ku është Minush Jero?”, “Në Durrës”, më thanë. Atëherë u thashë shokëve të pyesnin shokun Rita. Morëm të dhëna që Durrësi nuk e kish aprovuar, por kur nuk e aprovoi Komiteti i Partisë i rrethit të Durrësit, pse do ta aprovonim ne në Gjirokastër. Kjo punë mbaroi. Po prapë ne u ndodhëm nën presionin për këtë. Pyetëm degën e Brendshme, pastaj na thanë shokët e degës që ka aktivitet armiqësor. Shoku Rita nuk e kishte aprovuar. Nga dega e Brendshme kishim të dhëna se ka aktivitet armiqësor. Atëherë u thamë të mos na e linin në Gjirokastër. Pse e keni sjellë këtu në Tiranë Minush Jeron?

Todi Lubonja: Minush Jeron unë ta kam sjellë në Tiranë? Jo, nuk është e vërtetë.
Shoku Hysni Kapo: Premtimi i është dhënë. Këtu erdhi Mihallaq Luarasi, kurse atij i kanë dhënë fjalën, po i kanë thënë se tani akoma nuk është koha.
Shoku Rrapo Dervishi: Këta kanë bërë manovrime andej e këtej.
Shoku Enver Hoxha: Këto thuaji në diskutim shoku Rrapo.
Todi Lubonja: Për sa i takon Bilal Xhaferrit, në jetën time këtë tip një herë e kam takuar. Atëherë kur ky shkruante në gazetën “Zëri i Rinisë”. E mora vesh që është arratisur, që është element armik, i poshtër dhe thashë në djall të vejë me gjithë soj e sorollop.
Shoku Dashnor Mamaqi: Fadil Paçrami përdor edhe provokacionin. Në KQ ka një dokument që më akuzon mua se kam mbrojtur Bilal Xhaferrin. Ky dokument është dërguar nga Komiteti i Partisë. Kjo është një gënjeshtër. Kur kam qenë në Durrës më ka marrë Todi në telefon dhe më tha që kishim një Bilal Xhaferri. Unë as që e njihja fare, bile as e dija që punonte aty. Më tha që është një talent i madh për tregime, madje do të bëhet një nga tregimtarët më të mëdhenj të Shqipërisë. Unë s’kisha kënduar gjë nga ky. Atëherë fillova të këndoj, se ka botuar në gazetën “Drita” dhe në “Zëri i Rinisë”. Todi ka bërë presion te shoku Ramiz që të inkurajohet ai djalë, dhe unë me porosi të shokut Ramiz e kam thirrur në aparat që të punonte në Qytetin Stalin. Kur e kam marrë vesh këtë gjë, që ishte bërë me nxitjen e Fadilit kam shkuar tek shoku Ramiz. I jam lutur shumë ta sqaronte këtë çështje, ose do të shkoja te shoku Enver. Më ka thënë të rrija i qetë se s’kishte gjë.
Shoku Enver Hoxha: Edhe të tilla gjëra kanë bërë këta?
Shoku Manush Myftiu: Sipas materialeve që kemi dërguar ne si komitet, ti dhe Llazar Siliqi jeni ata që kanë futur Bilal Xhaferrin në Lidhjen e Shkrimtarëve. Ky ishte raporti që bëri Fadili.
Shoku Rita Marko: Kanë bërë edhe presion në Durrës te ne se pse ne nuk jepnim mendim. Ne nuk kemi qenë dakord.
Shoku Manush Myftiu: Kjo është një veprimtari me të vërtetë agjenturiale, e ndyrë.
Shoku Enver Hoxha: Atëherë, pse thua ti Todi që Bilal Xhaferrin e ke parë vetëm një herë?
Todi Lubonja: Një herë e kam takuar, shoku Enver, kur botonte dhe s’kam ndërhyrë për asgjë, as për shtëpi. Kam thënë vetëm që ka botuar disa tregime të mira.
Shoku Enver Hoxha: Po ia ke thënë që është një nga ata me talent?
Shoku Kadri Hazbiu: Meqenëse ky ishte njeri me rendiment dhe të tërhoqi vëmendjen, u interesove ti se kush ishte ky me prejardhje, me biografi.
Todi Lubonja: Po, u interesova dhe më kanë thënë që të atin ia kanë vrarë zervistët në Greqi. Këtë ma tha Ballkëz Halili.
Shoku Hekuran Isai: Të na flasë Todi për lidhjet me Fadilin. Edhe në qoftë se platforma e Fadilit dhe e Todit nuk është e shkruar, ajo është në kokat e tyre, ata me siguri i kanë pasur të qarta qëllimet se ku duhej të arrinin, duke vënë dorë në këto qendra të rëndësishme. Unë mendoj që të flasin më hapët se po i bënin këto qendra si Klubi i Petëfit në Hungari. Ata kanë përdorur të gjitha format për të tërhequr kuadrot që u vinin pas vetes, kanë përdorur të gjitha mjetet për të tërhequr disa elementë të rinj rreth vetes së tyre si Minush Jero. Edhe ne në Komitetin e Partisë na kanë bërë presione.
Shoku Muho Asllani: Gjosho Vasian që ka qenë i internuar në Lushnjë, pse e kanë përkrahur?
Shoku Mehmet Shehu: Ky është Gjergj Gaberi, për të cilin unë kam tërhequr vërejtjen në telefon. Eshtë ai diversanti që ka ardhur që andej.
Shoku Mihallaq Ziçishti: Të na i sqarojë mirë këto Todi, se ai po thotë se “jam dakord me të gjitha ato që u thanë”. Por të na i sqarojë, nëse këto kanë qenë pikëpamje apo edhe grupime.
Shoku Enver Hoxha: Tani ai do t’u përgjigjet pietjeve.
Todi Lubonja: Unë mendoj se këtu grupime nuk ka. Marrëdhëniet e mia me Fadil Paçramin, pavarësisht se ndodhi kjo që u lidh një krushqi midis nesh, e cila nuk varej nga vullneti e dëshira ime, nuk kanë qenë marrëdhënie të lidhura. Për këtë edhe shokët mund të flasin.
Shoku Enver Hoxha: Po në pikëpamje politike?
Todi Lubonja: As kam të bëj me Fadil Paçramin, as jam influencuar nga ai.
Shoku Mihallaq Ziçishti: Mbase kalin nuk ia keni mbajtur njëri-tjetrit, por trego si u puqët në këto mendime, në politikë?
Shoku Enver Hoxha: Ne marksistë-leninistët, po, puqemi si mishi me thoin, po juve që jeni në një rrugë, nuk jeni të puqur?
Todi Lubonja: Unë mendoj se një radhë çështjesh që u trajtuan këtu për Fadil Paçramin mua nuk më përkasin.
Shoku Enver Hoxha: Ashtu? Po edhe atij për liberalizëm, për pikëpamje e veprime antiparti i kemi thënë, edhe ti i pranon ato.
Todi Lubonja: Mendimi im është që unë nuk mund të futem në një thes me Fadil Paçramin, mund ta kem gabim po unë kështu mendoj.
Shoku Enver Hoxha: Ti i pranove të gjitha ato që janë thënë këtu, e ajo është një vijë.
Shoku Hekuran Isai: Jo vetëm në një thes t’u futim të dyve me Fadilin, por t’u mbyllim dhe grykën mirë me litar.
Todi Lubonja: E fute ti atë, po unë se fus veten atje. Gjosho Vasia që thotë ai shoku, është hera e parë që e dëgjoj këtë emër, nuk e di se ç’është ky njeri.
Shoku Mehmet Shehu: Eshtë Gjergj Gaberi, me flokë të gjata që i bie kitarës.
Todi Lubonja: Nuk e njoh dhe nuk e di.
Shoqja Zina Franja: Gjosho Vasia është e vërtetë që ka qenë i internuar, ka babën të arratisur. Ju e keni marrë këtu në Tiranë në kundërshtim me të tëra rregullat e shtetit tonë, i pa pasaportizuar. Ne si Shkodër kemi protestuar, atëherë ju jeni detyruar ta ktheni mbrapsht.
Todi Lubonja: Të verifikohet si është, unë për këtë nuk di asgjë.
Shoqja Zina Franja: Çfarë të verifikohet? Ai ka ardhur në Tiranë, ka ndenjur disa muaj këtu dhe pastaj e keni kthyer mbrapsht.
Todi Lubonja: Ai mund të ketë qëndruar edhe disa vjet, por unë nuk di gjë për këtë njeri.
Shoku Enver Hoxha: Ka dalë ai në televizion?
Todi Lubonja: Po nuk e njoh fare shoku Enver dhe nuk e di në se ka dalë, unë nuk e kam dëgjuar.
Shoku Mehmet Shehu: Pse gënjen? Ty të kemi marrë në telefon dhe të kemi thënë që hiqe Gjergj Gaberin.
Todi Lubonja: Mund ta njoh po ta shikoj me fytyrë.
Shoqja Fahrije Saliçaj: Ai është sjellë në Tiranë për në televizion dhe na është dërguar në kombinat për të punuar si zdrukthëtar.
Todi Lubonja: Unë këtë nuk e njoh.
Shoku Enver Hoxha: Nuk është mirë që të mos njohësh kuadrot e tua.
Shoku Mehmet Shehu: Eshtë ai me flokë të gjata që i bije kitarës.
Todi Lubonja: Ai veshpreri është tjetër shoku Mehmet. Po mundet. Po unë as e njoh dhe as që e di.
Shoku Enver Hoxha: Mirë, vazhdo.
Todi Lubonja: Për sa i takon asaj që tha shoku Sadik Bocaj, lidhur me një letër që ka ardhur nga Berati, desha të them se është e vërtetë që në radio për një periudhë prej një muaji, në orën 5.30 të mëngjesit kur jepej muzikë popullore, pa dijeninë time, e kam thënë në organizatën bazë të partisë dhe kështu ka dalë e vërtetuar, është ndërruar programi. Është dhënë muzikë popullore dhe muzikë masive. Në letër ashtu thuhet, siç thotë shoku Sadik, që duket ka ardhur një reformator në radio dhe ka bërë këto reforma. Sapo jam vënë në dijeni, kam dhënë urdhër të prerë dhe kam bërë kritikë që të vihej në vend ai gabim. Në fakt është vënë në vend.
Shoku Enver Hoxha: Po përse nuk dhe urdhër të prerë kur të foli Mehmeti, po nga një letër anonime e dhe këtë urdhër?
Todi Lubonja: Do ta them edhe atë.
Shoku Mehmet Shehu: Po edhe për këtë, unë i kam dërguar me shkrim nga Kryeministria që, përse keni ndryshuar programin se më kishin thënë, kur isha në Sarandë e gjetkë, që kanë ndryshuar programin. Fshatarët donin muzikë popullore mëngjes për mëngjes, kurse këta e kishin hequr.
Shoku Kadri Hazbiu: Populli thoshte se tani e ngatërronin me Italinë.
Todi Lubonja: Porosinë që më ka dhënë shoku Mehmet dhe ma ka përsëritur edhe shoku Ramiz, unë nuk e kam lënë në heshtje, prandaj thashë në diskutimin tim se kam luftuar po jo me forcën e duhur. E kam shtruar këtë çështje dhe kam thënë të ndalohet rreptësisht, por ka pasur raste që kanë dalë në ekran edhe njerëz me flokë të gjata. Sigurisht gabimi bie mbi mua. Unë nuk kontrolloja të gjitha emisionet, nuk ishte e mundur ta bëja një gjë të tillë.
Shoku Hysni Kapo: Ka qenë e rastit estetika që po përhapej në televizion apo t’i ke pikëpamje për estetikën dhe modën borgjeze?
Todi Lubonja: Të them të drejtën për flokët e gjata që mbanin të rinjtë nuk kam as pikën e simpatisë, madje jam grindur edhe me djalin tim.
Shoku Hysni Kapo: Po si shpjegohet që në organizatën e partisë të Radio-Televizionit, doli se ti ke thënë që, do vajza të gjata, bionde dhe me pantallona kauboj si suedezet? Kjo ka dalë në organizatë. Si është e mundur kjo?
Todi Lubonja: Kjo është shtrembëruar shoku Hysni. Duke folur kundër veshjes me pantallona kauboj, kam thënë veç të tjerave se, ka edhe disa që janë të shkurtra e që duken shumë të shëmtuara kur veshin pantallona të gjata. Këtë kam thënë dhe jo ashtu sikurse është shtrembëruar atje.
Shoku Behar Shtylla: Kur ishte shoku Enver në Uzinën e instrumenteve të precizionit të lartë në Korçë, ka kritikuar vajzat që veshin fustane të shkurtra dhe të ngushta, kurse ti atje ke thënë se ty të pëlqejnë ato vajza që i kanë këmbët e bukura.
Shoku Sadik Bocaj: Këtu Todi gënjen. Në organizatën e përgjithshme, në Byronë e Partisë të Radios, doli që, Todi nuk ka zbatuar urdhrin e kryeministrit dhe të sekretarit të KQ shokut Ramiz, as ka dëgjuar drejtorin e televizionit, as sekretarin e organizatës bazë, as kurrkënd. Madje, atje doli se në shtator të vitit 1972, në një mbledhje kuadrosh specialistë, Todi, lidhur me çështjen për njerëzit që do të dalin në ekran të televizorit ka thënë: Mua personalisht më pëlqejnë vajzat e gjata si skandinavet me pantallona kauboj, me rrip të gjerë me togëz në mes, por kemi urdhër që në këtë anë duhet të jemi të përmbajtur.
Shoku Enver Hoxha: Shoku Sadik është nga ata shokë që flet ekzakt. Këto janë thënë në organizatën bazë, pikërisht siç thotë Sadiku.
Shoku Mehmet Shehu: Asnjë nga ne nuk i mban shënimet si Sadiku.
Todi Lubonja: Edhe unë kam thënë në organizatën bazë këto që thashë këtu tani. Ashtu është siç tha Sadiku, por unë thashë ato që thashë edhe këtu. Dhe kështu është.
Shoku Haki Toska: Eshtë e vërtetë se keni thënë që po paguajmë haraçe? Dhe çfarë doni të thoni me këtë?
Todi Lubonja: Nuk është e vërtetë. Këtë e ka thënë Pipi Mitrojorgji, gjoja sikur ka bërë një bisedë telefonike me mua. Ia kam thënë edhe Pipit dhe nuk është e vërtetë. Nuk i jap asnjë kuptim kësaj gjëje. E kam thënë që në fillim dhe e them edhe këtu në plenum. Do të pranojmë ato që kemi.
Shoku Enver Hoxha: Mirë, po meqenëse ti e njeh veten se je liberal, je kundër shfaqjeve që ti i quan konservatore, prandaj këtu mund të bëhen fare lehtë deduksione dhe mund të kesh thënë që paguajmë haraçin e atyre të vjetërve, megjithëse ti e refuzon një gjë të tillë.
Todi Lubonja: Po unë nuk e kam thënë shoku Enver.
Shoku Enver Hoxha: Supozojmë se nuk e ke thënë, po duke qenë se ti je liberal atëherë sipas teje ne kemi jetuar në një obskurantizëm kaq të madh saqë paguajmë haraçet tani.
Shoku Mihallaq Ziçishti: Këtë thotë se nuk e ka thënë, atë që tha shoku Jashar e mohoi. Të gjitha i mohon. Atëherë çfarë pranon?
Shoku Hysni Kapo: Kur e pranon se je liberal, i je kundërvënë vijës së partisë apo jo?
Todi Lubonja: Në praktikë po.
Shoku Hysni Kapo: Vetëm në teori dhe në praktikë në art, apo në të gjitha fushat.
Todi Lubonja: Vetëm në art dhe në normat e kuadrit ka pasur subjektivizëm. Në rastin e Klimi Misës i kam shkelur normat, kjo është e drejtë…
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.