back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Çashtja e Elementavet Fetare në Shqipni – Ligjërata e Shkëlqesës Anton Harapi 1944

Gazeta

At Anton Harapi
At Anton Harapi

Çashtja e Elementavet Fetare në Shqipni 1)

(Ligjërata e Shkëlqesës Anton Harapi

në Theatrin “Kosova”, Tiranë 1944)

Zotni të ndershëm,
Më falni për guxim: unë due ta përballoj çashtjen ma delikate në jetën shqiptare.
Kush e kishte zanë besë?… Antagonizmi fetar qiti kryet dhe mizorisht u fut edhe ndër atheistat e ditës. Egërsit e bame në Jug, midis djelmnis shqiptare, vetëm pse muhamedanë e kristjanë, janë fakte qi nuk lanë me luejtë, por janë edhe prova të tmershme për jetën t’onë fetare, shoqnore e kombtare.
Për sa dij unë deri më sod, kjo çashtje kurr nuk qe përballue kjartë e mirë; sa herë qe kallë, menjiherë edhe qe mbulue porsi gaca nën hi. T’i mbetet hatri kuj të duejë, unë due ta thom mendimin t’em haptas: Marrë në shumicë, muhamedani shqiptar asht fanatik, orthodoksi fanatik, katholiku fanatik, e këta jo për besim, sa për inát e për parti. Ndër çasat ma të vështirë të jetës s’onë kombtare, njimend se shpëtuem format e bashkimit shoqnuer e të qetsis ndër elementa, porse në fund të punës mbeti nji tharm, nji fond rryme e partije, sa me të trembë e me të demoralizue.
Tue prekë me dorë plagën, vjen pyetja: A do të mund të rrojnë, e si do të mund të rrojnë në qetsi tre elementat fetarë ndër né?
Atheistat me të gjithë skeptikët, indiferentat, naturalistat, aventurjerët e oportunistat, thonë se jo: Na shqiptarët nuk mund të rrojmë të qetë, as nuk mund të formojmë shtet, për pa i zhdukë të gjitha besimet, pse besimi i shqiptarit asht shqiptarizma!
Këta shpresoj t’i përballoj nji herë tjetër; këtyne tash po u thom vetëm se Shqipnija nuk asht vend i pa Zot; e se shqiptarët as nuk janë, as nuk duen të jenë të patënzonë.
Fjalën ketë herë e kam me besimtarët e tre elementavet. 
Pa kontestim na jemi nji komb, nji shtet e nji popull me nji shpirt, me nji gjuhë e me nji histori, e po t’ishim edhe të njij besimi, patëm me qenë ma të bashkuem, ma homogjenë, dhe as nuk patëm me bjerrë mund e kohë për t’u kuptue ndër shumë punë. Por fakti asht ky, se na jemi pra muslimanë, orthodoksë e katholikë, e si të tillë duem të rrojmë në nji harmoni vllaznore. Unë thom se për ketë punë nuk asht nevoja me shue besimet, pse po të duem, mund të rrojmë vllaznisht, sikurse kemi shembullin ndër sa shtete të tjera të qytetnueme.
Pra, thezin t’em e vé këso dore: shqiptarët po qenë vertè të qytetnuem e nacjonalista të sinqertë, besuen edhe përnjimend në nji Zot të vërtetë, nuk kanë se si mos të rrojmë vllaznisht shoq me shoq; përkundrazi, deri sa mos të kenë kulturën njerzore në shpirt, gjegjën kolektive kombtare, e deri sa t’u mungojë kultura fetare, ata kanë me qenë të dám e të përçám, jo pse janë tri besimesh, por pse nuk kanë bazat e jetës shoqnore, kombtare e fetare.

Pengimi i madh: fanatizmi

Pengimi i madh për jetën shoqnore, pra, për qetsin e vllaznimin t’onë asht fanatizmi, i cili asht nji turp për vehtjen, turp për besimin të cilin i përket vehtja e turp për jetën shqiptare. Besimi qi mbahet për pasjon, pra me fanatizëm, nuk asht besim i arsyeshëm as faktor i jetës; ai nuk nalton por poshtnon, e ma tepër rrenon se sa trajton. Besimi në nji Zot të vërtetë, Ati i të gjithë njerëzvet, nuk do ta shtojë antagonizmin, por do ta pakësojë; besimi do ta zbusë njerin ndër ndiesi e jo ta egërsojë, do t’i rregullojë prirjet e instinktit, ndër të cilat asht edhe egoizmi vehtjak e kolektiv. Dhe siguroj me krye se nuk asht besimi ai qi të ban me mëni shqiptarin, por asht egoizmi qi don të justifikohet me shkakun e besimit.
Këtu asht nevoja ta dalloj njerin fanatik nga njeriu me karakter: të dy ngulin kambë për nji bindje të vetën, të dy tregojnë fuqin e vullndesës deri në kulm, por me ketë ndryshim, se njeriu me karakter ngulë kambë për nji parim t’arsyeshëm ndërsa fanatiku don t’i rrijë asaj së vetës arsye e pa arsye; njeriu me karakter tregon nji zotsi morale, ndërsa fanatiku dishmon nji dobsi personale, pse ai, edhe po ta shohë të pa arsyeshme atë të vetën, nuk asht i zoti ta mundë pasjonin e egoizmin; brutalisht mund të jetë i fortë, por njerzisht asht i ligësht; karakteri moral ka caqet e arsyes, fanatizmi nuk ka cak, ai të verbon, të shtynë deri në ves e n’egërsi. Fanatizmi asht antinjerzuer, prandej edhe antifetar e antishoqnuer.
Pra, për të rrojtë vllaznisht, nuk asht nevoja të hjekim besimin, por konditë e parë asht të hjekim fanatizmin në besim.
Shqiptari mund të zbutet tue marrë kulturën vërtè njerzore, kulturën e shpirtit, d.m.th. nuk mjafton të ketë sjelljen e mirë, paraqitjen e njerzishme, format e përshtatëshme, mënyrët e hijshme, e në shpirt të rrijë i egër, por duhet të jetë edhe përnjimend në vehte ashtu si mbahet e duket përjashta, atëherë ka me u ba i zoti të rrojë në harmoni me vllaznit e vet shqiptarë të çdo kondicjoni shoqnuer edhe të çdo besimi.
Ngjitas me kulturën njerzore, shqiptari do të, marrë kulturën fetare. Kaloi koha qi ta mbajmë besimin pse na e kanë lanë të parët; pse ashtu e kemi gjetë, pse besojnë të tjerët, ase për nji çdo tjetër arsye të jashtme; sod duhet të dijmë shka besojmë dhe pse të besojmë; lypet a justifikojmë, nemose para vehtes, besimin t’onë. Por nuk mjafton kaq: besimin nuk do ta mbajmë as për etiketë, as për nji gja vetëm theorike; besimi duhet të jetë faktor i jetës; parimet e besimit do të përfitojnë në bindje të plotë, ndiesi të gjalla, lëvizje, shprehje, fjalë é punë, drejtue në nji system jete. Kjo don me thanë kulturë fetare.

Të rrojmë shoqnisht e vllaznisht

Jo se kërkohet prej shqiptarëve kristjanë e muslimanë të jenë të gjithë Shejtën a Peigamera, por po deshëm të jemi komb e shtet, lypet me doemos të jemi në atë shkallë kulture njerzore e fetare, sa mjafton të rrojmë shoqnisht e vllaznisht.
Pa kulturën njerzore nuk jemi të pjekun të rrojmë si njerëz e si shokë; pa kulturën fetare, besimi nuk na trajton për jetë, për ma tepër na pengon.
Kam pa muslimanë edhe kristjanë qi me vetmohim mbërrijnë deri në heroizëm për të mbajtë Ramazanin e Krezhëmt, por prej se nuk e kanë kulturën fetare, ata me atë vepër sado heroike, nuk çfaqin nji madhni shpirtnore të cilën nuk e kanë, pse qindresa e tyne të shumtën e herës themelohet fjeshtë në nji zakon, në nji traditë, në nji moskuptim të jetës fetare qi e shvleftëson motivacjonin edhe veprën e tyne.
Nji qyshk tjetër qi rrjedhë prej kulturës së shpirtit àsht nderimi për bindjet e të tjerëvet. Po t’ia bajmë diagnozën shpirtit të shqiptarit në skajin ma të fundshëm kemi për të gjetë ketë fenomen të çuditshëm: kush nuk mendon si unë, thotë, ai asht kundërshtari i em. Ky paravendim antishoqnuer çfaqet jo vetëm në lamën fetare, politike e shoqnore, por edhe deri në lamën ditunore.
Më ka ra rasa për vjetë e vjetë të marr pjesë ndër shoqni, mbledhje, nisjativa e shkoqitje çashtjesh ndër shqiptarë, edhe do të thom se me pak ndryshime e me forma ku ma shumë, ku ma pak egoistike, si ndër njerëz me shkollë, si ndër njerëz pa shkollë, kam gjetë e prekë me dorë se mjaft me tregue kush nji mendim a parim të kundërt apo edhe të ndryshëm, për me u shikue shtrembët e me u ba shenj antagonizmi e luftimi.
Shkakun e këtij fenomeni të pa arsyeshëm prap e gjejmë në gabimin trashanik, pse shqiptari, edhe po të mbahet se ka kulturë, kujton se me ndjekë arsyen e njij tjetri, asht dobsi. Historija e djeshme e rysnija e soçme na e vërtetojnë ketë përbindsh të individualizmit egoistik.
Për të rrojtë vllaznisht nuk lypet të mendojmë të gjithë me nji kokë, as nuk kërkohet të kemi të njejtat parime ase të jemi të pagabueshëm, por me doemos duhet t’ua njohim të tjerëvet të drejtën e arsyetimit e të bindjes, po n’atë mënyrë si kërkojmë qi të tjerët të respektojnë mendimet t’ona. Do ta dijmë se secili njeri, edhe pa dashtë, mund të ndjekë nji rrugë a nji parim të gabuem, prandej, sikurse nuk duem të na përbuzë kush nè edhe po të jemi në gabim, ashtu as na mos të përbuzim askend. Themeli i shoqnimit, prandej, edhe i harmonis shoqnore midis shqiptarëvet, qofshin edhe besimesh së ndryshme, asht në mbajtjen e sinqertë të pàrimit: Mos i ban kuj, shka nuk don me ta ba kush ty; banu të tjerëvet si kërkon me ta ba ata ty. As në ketë pikë besimet nuk pengojnë, por e kanë detyrë të ndihmojnë.

At Anton Harapi (Pjerin Sheldija)
At Anton Harapi (Pjerin Sheldija)

Çashtja e Elementavet Fetare në Shqipni 2)

(Ligjërata e Shkëlqesës Anton Harapi

në Theatrin “Kosova”, Tiranë, 1944)

Shkaqet e dasisë

Mbasi vumë qyshket pa të cilat nuk ka si mbahet jeta shoqnore e fetare, vijmë ndër parime: E parimisht secili besim ka dogmat e veta, por dogmat nuk ndrrojnë, prandej, sikurse besimet janë të papërkueshme me njêni tjetrin për shkak të dogmavet, ashtu besimtarët, në themel të dogmavet nuk kanë si afrohen e puqen njêni me tjetrin. E, ja, se dasija asht e detyrueme, shqetsimi i domosdoshëm. Nuk ka si shkohet jeta vllaznisht. Kështu arsyetojnë ata qi besimet i kanë ferrë në sy.
Problemi vërtè asht i vështirë, por zhvillimin e vet e gjenë të plotë ndër tri parimet qi janë: 1.Intoleranca dogmatike, 2.Toleranca shoqnore qytetse, dhe 3.Toleranca shoqnore politike.
Nuk e kemi shqip fjalën tolerancë, por i afrohet kuptimit me bartë, me durue, si b.f. na durojmë e bajmë (kemi tolerancë) kur na fyejnë fëmijt, i dejuni, i marri, i gabuemi, por nuk barim as nuk durojmë kurrsesi (jemí intolerantë) kur ndokush me të mendueme na merr nderin.
Parimisht lypet ta kemi e ta mbajmë intolerancën theorike-dogmatike, due me thanë, në punë të besimit, secili ta mbajë bindjen për atë dogëm qi ndërgjegja ia urdhnon për të drejtë, as mos të durojë t’i thotë tash zi e tash bardhë njij parimi, të cilin e ka për ideal të parë.
Intolerancë! Fjalë e fortë, fjalë qi nuk baret as nuk durohet, pse nuk bán as nuk duron as sa të zit e thonit. Fjalë qi me të parën përshtypje tregon fanatizëm, mentalitet të ngushtë, regres, mos-afrim në kurrnji mënyrë. Por edhe fjalë e sinqertë, e arsyeshme, e drejtë: e vetëmja fjalë e mënyrë për me zhvillue problemin shoqnuer-fetár.
Ja, edhe arsyeja e thanjes s’eme: Nji besimtár i cili lëvdohet se besimi i tij asht i vërtetë, po nuk desht me mohue vehten, edhe besimin e vet kundrejt njij çfarëdò Kredoje tjetër, do të përgjigjet me nji “jo” kathegorik të prém.
Indiferenti fetár, prejse ai vetë nuk mban kurrnji besim përnjimend, thotë se besimet janë njinji të vërteta, si t’ishin besimet etiketa e kostume të ndryshme, të cilat vlejnë njinji për ta krye e për ta plotsue nji nevojë të jetës. Po qè si njena dogëm tjetra, edhe pse të kundërta, atëherë asht njinji si e vërteta si e kundërta, e po qè se Zoti i dha e i dau religjonet e kundërta atëherë Zoti asht hartuesi i gabimit, i rrenës dhe i përçamjes.
Duen me thanë se kjo intolerancë dogmatike nuk baret, nuk durohet në nji shtet, në nji popull, pse asht tepër refraktare, e ngushtë e fanatike.
Lêne, e për nji herë ashtu po e zamë, edhe po e vêjmë për bazë të kundërtën, due me thanë tolerancën dogmatike. Në ketë themel b.f. Krishti qè as s’qè Zot Muhammedi qè a s’qè Profeti i Zotit, në ketë rasë, për mue do t’ishte njipërnji; unë bari e toleroj të thohet në daç kështu, në daç ashtu; si Krishti e Muhameti të kenë pasë punë me Zotin, si të kenë pasë punë me djallin, si të kenë qenë hypokritë e mashtruesa, si të kenë qenë të ndershëm e të drejtë.
Kush nuk e sheh ketë dobsi mendore e morale? Njeriu të cilit i vjen era njeri, mosbindjen kurr nuk e tregon për bindje, dhe ata për shka asht i bindun se àsht gabim, kurr nuk e pranon për të vërtetë. Kjo nuk ásht vetëm nji detyrë e fetarit, por nji detyrë e secilit njeri të ndershëm e t’arsyeshëm.
N’emën të së vërtetës, pra, e për hir të sinqeritetit, lujtë çdo gabimi, kudò ta gjejmë edhe ndër kërkesat e shkencavet, edhe ndër interpretimet e dogmavet.
Për ketë intranzigjencë ideale, shpirtnore, theorike, jemi të paditun na besimtarët, sidomos na katholikët, ndërsa ketë intolerancë e gjejmë edhe ndër njerëzit e ditunis, t’artit e të politikës, për shka u përket parimevet të tyne. Këta, e dijmë të gjithë, se as sa çon miza në krah nuk lëshojnë në systemin e vet porsi bazë.
Këta po e thomi në lamën parimore e ideale, pse mandej, tjetër gja asht praktika si për shkencatarë, si, për besimtarë.

Nji formë e intolerancës: Polemika

Nji formë e intolerancës asht e cila po qè serjoze, ditunore, e páanshme, e bame ndër sfera të nalta, vërtè ndritë, nalton e trajton. Rrallë më ka ra me pa ndër shqiptarë polemikë pa pasjon. Me nivel kulture njerzore e fetare qi kemi, thom, se polemika nuk asht për nè. Edhe po patëm arsye e të drejtë në çashtje, kurr nuk kemi arsye e të drejtë të kapërcejmë caqet e njerzis, të shajmë shoqi-shoqin, të përdorim rrenën, të falsifikojmë historin, të shtijmë në punë motiva t’ultë, të polemizojmë me pasjon.
Tjetër mandej, asht toleranca qytetse, praktike. Nëpër ketë parim, na e dallojmë kjartë se tjetër àsht gabimi e tjetër gabuesi, tjetër asht vehtja e tjetër ásht vepra; vehtjen e falim, veprën e gabueshme e dënojmë, atê e duem, këtê e mënijmë, atê e barim, këtê nuk e durojmë. Ky asht parim-bazë qi na shoqnon: me kurrnji gabim as kompromis as shoqni, por me të gjithë atdhetarët, edhe të jenë të gabuem, afrim, dashuni.
Natyra na mëson ketë parim: ajo me gjithë ndryshime e kontraste, e patrandshme mban nji harmoni të çuditëshme; jeta njerzore na imponon: si b.f. ndër nè të marrunit me ndore, besa, mikpritja, që se shumë herë e mprojmë si fajtorin si të pafajin.
Ketë shoqni, qi na mëson natyra, na e imponon jeta; po njiketë na urdhnon besimi, cilidò të jetë. Shpirti i shqiptarit me gjithë besimet e ndryshme, e ndien fuqishëm se nji i njejti Zot i vërtetë, asht Zoti i muhamedanëvet, Zoti i orthodoksëvet e Zoti i katholikëvet. Në saje të njij Zoti, Babë i mirë, i drejtë për të gjithë, na jemi vllazën, pse të gjithë bijt e njij Zoti qi na ka falë. Pra, Zoti i të gjithë neve, e na të gjithë të Zotit. Në themel të këtij imperativi na jemi nji.
Ja, pra, se kurrgja nuk na vllaznon ma fort se Zoti. Zoti asht visari i përbashkët i të gjithë shqiptarëvet pa ndryshim.
Në themel të këtij parimi rrjedhë toleranca fetare, e cila mbështetet në kuptimin e kjartë: muhamedani i biri i Zotit, kristjani i biri i Zotit, pra, vllazën; mbështetet ndër ndiesi të sinqerta: porsi vllau për vllán të ndiejmë njeni për tjetrin; mbështetet në nderimin reciprok, për bindjen fetare të shoqishoqit: Për kurrnji arsye nuk kemi të drejtë të përbuzim kend; porsi me të drejtë kërkojmë të na shikojnë, ashtu kemi detyrë t’ua shikojmë të tjerëvet. Kjo tolerancë fetare kështu e naltueme deri në fisniki, sa asht e bukur, aq asht e vështirë. Kush e ushtron ketë asht me të vërtetë i madh.
Toleranca qytetese-shoqnore, e gjen plotsimin e zbatimin e vet në tolerancën shtetnore-politike. Statuti themeltar i njeh e i respekton njipërnji të trija besimet në Shqipni; shteti njimend asht afetar, d.m.th asnjanës, por jo antifetár, as atheist, as indiferent; shteti shqiptar e njeh Zotin, por nuk anon për kurrnji besim ma fort se për tjetrin; hartuesat e Statutit u shtynë deri në ma të naltën shkallë të liris e të të drejtat të besimit; ata pranuen tri besimet në themel tê barazimit të plotë; para shtetit e zyrtarëvet të tij nuk ka as ndryshim as pengim ndër të drejta të kurrnji elementi; të gjitha ligjet, masat, vendimet edhe mënyrët zyrtare mirojnë aty: të forcohet e të sigurohet sa ma mirë qetësija fetare në Shqipni. E tanë puna mbetet ndër zyrtarë, me sa ata punojnë apo jo me shpirtin e këtij parimi e me drejtësi.
Shteti pra jep liri të plotë, edhe të tre elementavet u a siguron të drejtat qytetse e politike; parimi i tij mbështetet në drejtësi e jo në dashuni; shteti nuk ka miqësi as anmiqësi me kurrnjenin element.
Pra, për me mbajtë qetsin midis elementavet fetarë: 1.duhet të kemi për bazë të vërtetën kundrejt parimevet. E vërteta
nuk luen: Intoleranca theorike-dogmatike, 2.duhet të kemi dashunin e sinqertë midis vehtjevet: Toleranca shoqnore-qytetse, 3.duhet të mbahet drejtësija me ndërgjegjë ndër ligje e ndër zyrtarë: Toleranca shtetnore-politike.
Arsyeja e këtyne udhëzimeve asht këtu: na do të rrojmë sëbashku, jo si përdhuni, por me vetëdashje; ketë punë do të na e thotë mendja, do ta duejë vullndesa, do ta ndjejë shpirti: mendjes do ta flasë e vërteta, vullndesën do ta vendosë e drejta, ndiesit do t’i shtyjë dashunija. Toleranca qytetse asht nji virtyt, për ushtrimin e të cilit, krejt njeriu, ndër të gjitha fuqit kryesore do të jetë i prekun e i tërhjekun. E tanë puna asht këtu: me dijtë e me qenë të zotët të barim shqiptarin, jo si të huej, por si vllá.
Kështu, pra nuk janë besimet ato qi e shqetësojnë jetën vllaznore në Shqipni, por gabimet, pasjonet e padrejtësija e besimtarëvet shqiptarë, janë ato qi e krijojnë çashtjen fetare në vendin t’onë.

Pengime që duhen kapërcye

E mjaft me theori. Kush don, ja ka marrë vesht me kaq, ja nuk ka marrë vesht kurr. Tash të vijmë te praktika. E praktika asht kjo: Me muhamedanët nuk bahet, orthodoksët janë grekomanë, katholikët janë italofila. Kështu qi nuk mbetet kush shqiptar, as nuk mbetet kund shpresë për Shqipni; kështu nuk bajnë për Shqipni as Ismail Qemali, as Bajram Curri pse muhamedanë, as Gërmenji as Negovani pse orthodoksë, as Gurakuqi as Dedë Gjo’ Luli, pse katholikë; kështu kemi ardhë ndër përfundime qesharake e do të vemi ndër konseguenca rrenimtare!
Për të rrojtë vllaznisht na shqiptarët do t’i mbajmë, thamë, disa kondita, do t’i vendojmë disa parime, por edhe do t’i hjekim disa pengime.
1.Pengimi i parë, për shërimin e (kësaj plage së kobëshme qi e shqetëson jetën ndër shqiptarë, asht gabimi i madh i disa udhëhjeksave, të cilët duen ta mbulojnë a edhe ta mohojnë plagën, e cila, mjerisht, asht edhe do të shkojë në kankrenë, po nuk u shërue, me dorën e njij kirurgu t’aftë e të ndërgjegjshëm. Shka asht gabim e kalbsinë, fanatizëm e pus, ves e dobsi, le të qitet në shesh, le të thohet kjartë, pa i a shikue hatrin askujt. Pse ta mohojmë? Nji pjesë e mirë, muhamedanë e kristjanë, orthodoksë e katholikë nuk shikohen me sy të mirë; nji antagonizëm shoqnuer qindron në mes të tyne; ata nuk kanë mbërrijtë ende t’i rregullojnë relatat fetare, shoqnore e civile qi do të kenë. Duhet ta pohojmë botnisht se për mungesë kulture jemi këtu. Ky do të jetë hapi i parë i përmirësimit: ta njohim e ta ndiejmë sa duhet ketë plagë shqiptare.
2.Me e shikue hollë, aty ku duket se ndeshen muhamedanë e kristjanë, nuk janë parimet dogmatike; ato populli as nuk i din, as nuk i merr aq në kujdes; sigurisht as për hatër të Krishtit, as për hatër të Muhametit, sot nuk ban kush parti as nuk ngrehë ngatrresa.
Shkaku i parë do të kërkohet ndër faktorë historikë, ndër tradicjone të kalueme, qi na lanë kujtime fatale, predispozicjone mënije midis elementavet: na trashiguem ekzaltime, përbuzje, paragjykime e zemrime kundrejt shoqi-shoqit; me këto lejmë, me këto rritemi, me këto formohemi, e për rrezik t’onë me këto edhe vdesim. Vetëm koha e kultura mund të na i shrrajosë. Do të kalojë edhe ndonji brezni, qi muhamedani ta harrojë tradicjonin e të parëvet, ta zhduki krejt idèn kauri, ashtu për nji predispozicjon të bam petk, – si kristjani i sotshëm edhe i nesërmi, qênë e pa qênë, për çdo punë qi nuk i bjen për shtat, ka me kujtue e me ankue: po më bahet e padrejtë, pse jam orthodoks, pse jam katholik. Me atë masë qi të marrim kulturën e shpirtit e të hjekim shkaqet e pretekstat, po me atë masë kanë me u dyndë edhe këto rè të helmueme.

.
(Përgatiti për publikim Agim Morina)

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.