back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ç’duhet bërë me Dekoratat e Komunizmit nga Ilir Hashorva

Gazeta

Ilir Hashorva
Ilir Hashorva

Ç’duhet bërë me Dekoratat e Komunizmit

nga Ilir Hashorva

Lexova në gazetën “Minerva” dhe, më pas, edhe te “Dielli”, një shkrim me titull “Pse nuk i tërheq Tirana zyrtare dekoratat e Rankoviçit dhe kriminelëve të tjerë serbë?!”, në të cilin shprehej keqardhje që ende shteti shqiptar nuk u ka tërhequr dekoratat që u ka dhënë Rankoviçit dhe kriminelëve të tjerë jugosllavë. Më parë kam dëgjuar shumë herë që shoqata të ndryshme të ish-të persekutuarve kanë kërkuar që Enver Hoxhës t’i hiqet titulli a dekorata “Hero i Popullit”. Po ashtu, shumë zhurmë është bërë dhe bëhet, shumë shkrime janë bërë dhe bëhen nga shumë njerëz me bindje të djathta që si ditë e “Çlirimit” të caktohet 28 dhe jo 29 Nëntori, siç duan të majtët.
Ndërsa pajtohem me frymën që i detyron këta njerëz për kërkesat që bëjnë, nuk mund të pajtohem me vetë kërkesat.
Në lidhje me dekoratat, në një shtet normal, në një shtet që ka qindra vjet që ekziston pa ndërruar sistemin, pra me një vazhdimësi politike të pushtetit, ta zëmë, Franca, Anglia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të tjera si këto, parashtrimi i kërkesave të atilla, të tërheqjes së një nderimi bërë një personi, me ndryshimin e disa kushteve, apo me zbulimin e fakteve të reja, do të ishin diçka normale e me kuptim, por në një shtet që përmbys plotësisht sistemin e tij qeverisës, si, për shembull, Gjermania, pas mundjes së nazizmit, apo Shqipëria pas rënies së komunizmit, vetvetiu vlera e dekoratave të mëparshme bije, prandaj nuk ka kuptim kërkesa për heqjen e dekoratave të këtij apo atij personi. Ai shtet, dhe konkretisht shteti ynë, mund të bëjë diçka tjetër, për arsye se të gjithë ata që janë nderuar në kohën e komunizmit nga komunizmi, mburren edhe sot me ato nderime. Shteti ynë sot duhet të zhbëjë me ligj të gjitha nderimet, dekoratat, medaljet a titujt e dhëna nga sistemi që tashmë është përmbysur së bashku me politikën dhe praktikën e tij. Këtë duhet të kërkojnë të djathtët e vërtetë dhe jo të përqendrohen te heqja e titullit “Hero i Popullit” Enver Hoxhës, sepse, ja, ia hoqe Enver Hoxhës, por atë titull e mbajnë dhjetëra, në mos qindra kriminelë të tjerë dhe, kështu, sistemi i vjetër, në atë mënyrë, duket sikur jeton ende përmes dekoratave të të tjerëve.

Veteranë dekorimesh...
Veteranë dekorimesh…

Asnjë sot nuk duhet të mburret më, dhe asnjë nuk duhet ta mburrim e ta nderojmë, se i janë dhënë gjatë regjimit komunist tituj të tillë si “Hero i Popullit”, “Mësues i Popullit”, “Artist i Popullit”, “Çmimin e Republikës”, apo dekorata, tituj a çmime të tjera si këto, të gjitha mbi kritere politike. Nuk e besoj se gjermanët në Gjermani mbajnë ende dhe mburren e kapardisen me dekoratat a medaljet e dhëna në kohën e nazizmit. Në qoftë se dikush i mban ato në Gjermani, i mban si relikte të një kohë të shkuar me të cilën nuk mund të mburret më. Ai nuk del e parakalon në ditëlindjen e Hitlerit apo në festat e tij me dekoratat e tij në xhaketë.
Po ashtu, zhurma që vazhdon të bëhet për datën e të ashtuquajturës “Dita e Çlirimit”, ndonëse bëhet në emër të antikomunizmit, nuk ka asnjë rëndësi. Rëndësi ka nëse atë datë do të vazhdojmë ta festojmë si një të kremte të gëzueshme të çlirimit real, të ardhjes së popullit në pushtet, të ardhjes së qeverisë demokratike komuniste, apo do ta përkujtojmë si ditën e ardhjes së klikës komuniste kriminale në pushtet, si ditën e fillimit të diktaturës më të ashpër dhe më të gjatë në historinë e popullit shqiptar, pra ta  përkujtojmë ashtu siç përkujtohen ngjarje të tilla të trishtueshme.
Nju Jork, janar 2015
marrë nga Minerva, 7 janar 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.