“Çështja” e Shën Naumit dhe e Vermoshit
Gazmend A. Bakiu
Shën Naumi u dha, u shit, u fal, u dhurua, apo u këmbye?!
Çështja e Shën Naumit dhe e Vermoshit
ka qenë një nga çështjet më të përfolura,
që në vitet ’20 të shekullit të kaluar e deri në ditët tona.
Kjo ka qenë arsyeja që më ka bërë të studioj me kujdes
“dosjen” e Shën Naumit e të Vermoshit,
dhe ç’është shkruar rreth kësaj teme.
Prandaj, le ta marrim me radhë duke e nisur nga Shën Naumi. g. a. bakiu
Shën Naumi (lindur në vitin 830 dhe vdekur në vitin 910) ka qenë mësues, shkrimtar dhe predikues nga Bullgaria, i përmendur si një nga themeluesit e Bibliotekës së parë sllave. Buzë liqenit të Ohrit në vitin 900, (sipas disa burimeve të tjera në vitin 905), Shën Naumi ngriti Manastirin që mban emrin e tij, ku edhe u varros në vitin 910. Si shenjtor i kishës ortodokse sllave, Shën Naumit i atribuohen shumë mrekulli. Periudha kur ai jetoi përkon me ekspansionin e Mbretërisë Bullgare, e cila në kohën e Simeonit (894-927), arriti shtrirjen më të gjerë në kurriz në Perandorisë Bizantine, duke pushtuar të gjithë Shqipërinë qëndrore veç Durrësit. Mbretëria Bullgare u rrudh pas vdekjes së Simeonit, por shenjtori Naum mbeti; madje kulti i tij lulëzoi gjithnjë e më shumë te sllavët duke nisur nga shekulli XVIII. Manastiri u shndërrua në vend pelegrinazhi, gjë që vazhdon edhe sot.
Si në të shumtën e legjendave, në historinë e shenjtorit Naum nuk mund të përcaktosh saktë të vërtetën, aq më tepër që në këtë rast bëhet fjalë për vaki më shumë se 1000 vjeçare. Kam lexuar e dëgjuar pretendime se Shën Naumi ishte një mit sa sllav po aq edhe shqiptar, dhe mbase kjo është e vërtetë sepse shqiptarë e sllavë jetonin pranë. Por, më bënte përshtypje që ndërsa lexoja “Gazetën e Korçës”, të gjysmës së parë viteve ’20, pikërisht në kohën kur manastiri i Shën Naumit ishte temë e ditës, pranohej pa mëdyshje se këtu kishim të bënim me një mit sllav. Ndoshta, sllavët e jugut ngritën turli mitesh e manastiresh në tokat që zunë pas dyndjes së tyre, pikërisht për të legjitimuar pushtimet dhe për të zënë si të thuash rrënjë.
Përpara se të bëjmë fjalë për manastirin e Shën Naumit dhe Vermoshin në veçanti, duhet të kujtojmë se si u vendosën kufijtë e Shqipërisë.
Ka qenë Konferenca e Ambasadorëve e Fuqive të mëdha në Londër, në vitin 1913, që i vendosi ato duke lënë jashtë shtetit shqiptar gjysmën e trojeve tona. Pas mbarimit të Luftës së I Botërore, Shqipëria rrezikoi një copëtim të ri në Konferencën e Paqës, i cili u pengua nga Presidenti amerikan Willson. Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve, e cila më 2 tetor 1921, me rezolutën e Asamblesë së saj u shpreh se pranimi i vendit tonë në këtë organizatë, nënkuptonte njohjen e sovranitetit dhe pavarësinë e tij, në kufijtë e 1913-s.
Në janar 1922, një Komision i posaçëm i Lidhjes së Kombeve pas vëzhgimeve në terren, i raportoi kësaj të fundit domosdoshmërinë e përcaktimit përfundimtar të kufijve, të Shqipërisë me fqinjët. Komisioni ndërkombëtar për caktimin e kufijve u mblodh për herë të parë në mars 1922, dhe delegati ynë i caktuar nga qeveria shqiptare ishte Mehdi Frashëri. Puna e këtij komisioni (që u ndërpre disa herë), për të caktuar kufirin shqiptaro-grek dhe shqiptaro-jugosllav është një odise më vete, gjatë së cilës Frashëri tregoi përkushtim. Ne do të ndalemi, në vitin 1925, kur u përcaktua vija e kufirit në zonat e Shën Naumit dhe të Vermoshit, të fundit që kishin mbetur si pasojë e kundërshtisë jugosllave, që zgjaste prej vitesh.
Manastirin e Shën Naumit, Konferenca e Ambasadorëve ia kishte lënë Shqipërisë, madje në favorin tonë ishte shprehur edhe gjyqi i Hagës. Mirëpo ndryshe nga viset e tjera, që nga viti 1912 e deri në vitin 1925 kur kjo çështje u shtrua për zgjidhjen përfundimtare, qeveritë shqiptare asnjëherë nuk e kishin zotëruar de facto manastirin dhe, Mbretëria Jugosllave nuk kishte ndërmend ta lëshonte. Ndaj arbitraritetit të saj s’kishin ndërmend të bënin presion as Lidhja e Kombeve dhe as Fuqitë e mëdha, përkundrazi, Franca mbështeste hapur Jugosllavinë. Në këto kushte, në vitin 1925, qeveria shqiptare iu fut bisedimeve për këmbim territori me qeverinë jugosllave, sipas këshillimeve të Fuqive të mëdha. Asokohe kjo ishte një praktikë e njohur ndërkombëtare, e cila nuk u shpik për këtë rast. Kjo diktohej nga mosposedimi de facto i manastirit, mospasja e takatit nga ana shtetit shqiptar për të detyruar Jugosllavinë të dorëzonte (qoftë edhe me armë) Shën Naumin, dhe siç thamë e mungesës së plotë të vullnetit nga Lidhja e Kombeve dhe Fuqitë e mëdha, për të detyruar fqinjin tonë problematik të zbythej nga manastiri. Nga ana tjetër, mbyllja përfundimtare i çështjes së kufijve me fqinjët ishte imperative, pasi mospërcaktimi përfundimtar i tyre shërbente për pretekst sulmesh, apo intervencioni. E gjithë vendimmarrja për Shën Naumin dhe Vermoshin është bërë nga legjislativi i kohës.
Diskutimi për çështjen e Shën Naumit dhe të Vermoshit filloi më 16 korrik 1925, në mbledhjen e përbashkët të Senatit dhe të Dhomës së deputetëve. Në përfundim të saj me 43 vota pro është vendosur që në interes të shtetit, mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura, (Bisedimet e Dhomës së Deputetëve, Mbledhja e përbashkët, Nr.16, Tiranë, 1925, f.480). Më 17 korrik 1925, në mbledhjen nr. 28, u lexua raporti i Komisionit të Punëve të Jashtme të të dy Dhomave, i kryesuar nga Eshref Frashëri. Në raport thuhej se “Qeverija Shqiptare mbas këshillave dy herë të përsërituna të Konferencës së Ambasadorëve u ndodh përpara disa proponimeve të Qeveris Jugosllave”, për Shën Naumin dhe një pjese të Velipojës në Vermosh, (po aty, f.483). Por, cili ishte propozimi i qeverisë jugosllave, që deri asokohe Shën Naumin dhe Vermoshin i mëtonte pa kompesim?
Meqenëse pala jugosllave i jepte Shën Naumit rëndësi kryesisht fetare, propozonte që manastiri në fjalë të këmbehej me fshatin Peshkopi, i banuar nga 60 familje shqiptare dhe me luginën e sipërme të Çërravës. Avantazhi i këtij propozimi për shkëmbim ishte sigurimi i mbrojtjes së rrugës Korçë-Pogradec. Kështu, Shqipëria do të merrte katër herë më shumë tokë se sa do të jepte; veç kësaj ishte për t’u nënvizuar fakti që Shën Naumi nuk banohej nga asnjë shqiptar, ndërsa në tokat që merreshin banonin 300 shqiptarë. Shkëmbimi në veri propozohej kështu: Qeveria jugosllave hiqte dorë nga pretendimi për të mbajtur Vermoshin, me përjashtim të një pjese të vogël të një pylli në perëndim të Velipojës. Në këmbim të kësaj ajo i ofronte Shqipërisë një bjeshkë tjetër midis Libovicës, majën e Bejsës deri në Lumbraja. Në këtë paketë përfshihej edhe e drejta e tregtisë së popullsisë kufitare pa taksa doganore.
Në fund të raportit rreshtoheshin arsyet politike, diplomatike, ekonomike dhe rekomandimet e Fuqive të Mëdha për zgjidhjen me marëveshje të çështjes. Pasi përmendej se Italia me Francën, Anglia me Gjermaninë, dhe Jugosllavia me Italinë kishin bërë shkëmbime të tilla, Komisioni rekomandonte që të pranohej këmbimi, (po aty, f. 484-485). Shënojmë se sipërfaqet e tokës në diskutim ishin krejt të vogla, dhe këtu nuk flitej veçse për ratifikim kufiri.
Në vijim të mbledhjes, delegati i qeverisë për caktimin e kufijve, Mehdi Frashëri ka treguar për ecurinë e bisedimeve. Ai ka nënvizuar se megjithëse Gjykata e Hagës është shprehur në favor të Shqipërisë, Lidhja e Kombeve dhe Fuqitë e mëdha kanë rekomanduar zgjidhjen me marrëveshje të problemit, midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Përsa i takon Vermoshit, ai ka thënë se Shqipëria nuk e humbet. Pas Mehdi Frashërit ka folur ministri i Jashtëm, Myfit Libohova, i cili ka thënë se çështja është në dorë të Parlamentit, dha pa vendimin e deputetëve, nuk do të bëhet asnjë këmbim. Mbledhja ka vazhduar me diskutimet e deputetëve, (pro, por edhe kundër), tek të cilët binte në sy liria në të shprehur, përgjegjësia dhe atdhetarizmi. Mirëpo nëse do të bëhej këmbimi, pengesë ishte Statuti (kushtetuta), i cili nuk e parashikonte një gjë të tillë.
Më 18 korrik 1925, Dhoma e deputetëve (mbledhja nr. 29) dhe Senati të mbledhura veç e veç, aprovuan me dy të tretat e anëtarëve, që artikullit (nenit) nr. 2 të Statutit t’i bëhej një shtojcë. Pas kësaj, Senati dhe Dhoma e deputetëve zhvilluan një mbledhje të përbashkët po atë ditë. Në mbledhjen nr. 29, më 18 korrik 1925 u ngarkua Komisioni i Jashtëm i të dy dhomave për formulimin e shtojcës në Statut. Amendamenti u formulua kështu: “I.Asnjë ndryshim kufini nuk mund të bahet veçse me nji vendim të marrun pas dispozitave të parapame n’artikullin 141 të këtij Statuti.
II.Kjo shtojcë e Statutit hyn në fuqi që sot”, (po aty, f.503). Votimi u bë nominal dhe rezultati qe: 43 pro, 8 kundër, 1 abstenim, (po aty, f.505).
Ministri i Jashtëm Myfit Libohova propozoi që Senati dhe Dhoma e deputetëve të pranonin në parim, që qeveria të hynte në negociata për shkëmbim territori me Jugosllavinë. Ai i ka sqaruar deputetët se marrëveshja do të nënshkruhet vetëm nëse të dy dhomat e mbledhura së bashku do ta pranojnë, përndryshe ajo nuk ka vlerë. Pas diskutimeve të deputetëve, votimi për propozimin e Libohovës u bë nominal, dhe rezultati ishte: 42 pro, 9 kundër, një abstenim, (Bisedimet e Asambles Legjislative, Tiranë, 1925, f.46).
Pas tre muajsh, më 14 tetor 1925 u zhvillua mbledhja nr. 48 e Dhomës së deputetëve. Së pari, u lexua raporti i Këshillit të Ministrave dhe pastaj Mehdi Frashëri si delegat fuqiplotë për çështjen e kufijve, dha shpjegime për bisedimet e kryera nga ana e tij. Ai i bëri me dije përsëri Parlamentit që bisedimet nuk i dëshironte pala shqiptare, por ato u kryen sipas porosisë së Këshillit të Ambasadorëve në Paris. Porosia e qeverisë shqiptare kishte qenë: “Përpiqu të marrim sa më shumë”. Sipas Frashërit, delegati jugosllav në veri kërkoi vetëm përroin e Voçipotokut, (si pjesë e bajrakut të Kuçit), dhe Shën Naumin. Në këmbim jugosllavët jepnin katundin Peshkopi, anën e sipërme të luginës së Çërravës dhe një pjesë së kullotës së Libovicës në zonën e Gusinjës, ngjitur në Vermosh. Pala shqiptare kishte kërkuar zgjerimin e zonës së Peshkopisë, duke përfshirë të gjitha lartësitë strategjike që zotërojnë fushën e Shën Naumit dhe lartësitë pranë Çërravës, ndërsa në veri: Luginën e Skrapatushës, kullotën e Libovicës, katundin Skenjë, Majanë e vogël me gjithë dy liqene të vegjël, (Bisedimet e Dhomës së Deputetvet, Nr.24, Tiranë, 1925, f.720). Meqenëse palët nuk ranë dakort çështja iu referua Komisionit të kufijve, i cili i udhëzuar nga Konferenca e Ambasadorëve hoqi një vijë mesatare, e cila u pranua nga qeveria jugosllave, ndërsa qeveria shqiptare e pranoi me rezervë. Kjo për arësye se duhej të merrej aprovimi i Asamblesë Legjislative. Në përfundim të kësaj mbledhjeje, Dhoma e deputetëve dhe Senati (veçmas saj) vendosën me unanimitet për mbledhjen e përbashkët të të dy dhomave, (po aty, f.723-724).
Pasditen e 14 tetorit 1925 u zhvillua mbledhja e përbashkët e Dhomës së deputetëve dhe Senatit, nr. 49. Mehdi Frashëri ka dhënë shpjegime për vendimin nr. 509, datë 12.10.1925, të Këshillit të Ministrave, dhe ka sqaruar edhe një herë se Konferenca e Ambasadorëve ka kryer rolin e arbitrit midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Ai ka përmendur se me këtë marrëveshje çështja e përcaktimit të kufijve merrte fund dhe nuk ekzistonte më. Deputetët që më parë kishin votuar kundër, tani janë të bindur se marrëveshja është e domosdoshme dhe Shqipëria nuk humbet, por përkundrazi fiton. Pas diskutimeve mbi formulimin e marrëveshjes, të dy dhomat e mbledhura së bashku pranuan formulim e bërë nga deputeti Ferid Vokopola si vijon: “Asambleja Legjislative, në bazë të shkresës të Qeveris edhe të shpjegimevet të dhanuna nga z. Mehdi Frashëri, delegat fuqi plotë i Kufivet, aprovoi me vota unanime marrëveshjen e bamun midis Qeveris s’onë e asaj të Jugosllavis, si mbas propozimit tranzaktional të Konferencës s’Ambasadorvet, i cili i përket ratifikimit të kufinit të Veriut në një pjesë të Velipojës e të Jugut drejt Shën Naumit”, (po aty, f.v734). Votimi ka qenë unanim, për arsye se edhe deputetët që fillimisht kishin qenë kundër, ishin tashmë të bindur për leverdinë e marrëveshjes.
Por, çfarë dha dhe çfarë mori Shqipëria “me vijën mesatare”, të diktuar nga Fuqitë e mëdha? Shteti shqiptar dha manastirin e Shën Naumit (një territor “me një distancë 750m”), dhe përroin e Voçipotokut, ku nuk banonte asnjë shqiptar. Në këmbim, shteti shqiptar mori fshatin Peshkëpi me 60 shtëpi dhe 300 banorë, fushën e Çërravës, kishën e Ajazmës dhe kodrat strategjike të Shën Naumit me kuotat 961 m, 965 m, 807 m dhe 862 m, së bashku me karakollin e Sërbisë, duke fituar një tokë me sipërfaqe 22km2; sigurohej në këtë mënyrë rruga Pogradec-Korçë, e cila më parë ishte shumë pranë kufirit. Sa thamë më lart ishte për manastirin e Shën Naumit, ndërsa për përroin e Voçipotokut shteti shqiptar mori kullotën e Libovicës, dy shtëpi të fshatit Grencë, rrugën e Lumbrajës, Majanë e vogël me gjithë liqenet, kurrizin e Velipojës me karakollin e vjetër të Turqisë, duke u zgjeruar kufiri në një gjatësi 25km (Shqipria më 1927, Tiranë, 1928, f.150-151). Zona e Peshkopisë u mor në dorëzim nga Xhandarmëria shqiptare më 27 nëntor 1925, ndërsa më pas u mor edhe toka në zonën e Libovicës, (po aty, f.152).
Arritjen e marrëveshjes, emigrantët politikë antizogistë, të dëshpëruar nga humbja e pushtetit, e përdorën për qëllim të pastër demagogjik. Grupi i Vjenës ishte i orientuar drejt Bashkimi Sovjetik, dhe në sajë të ndihmës së Federatës Komuniste Ballkanike kishte formuar Komitetin Nacional Revolucionar, (KONARE-n), më 25 mars 1925. Zëdhënësja e organizatës ishte gazeta “Liria Kombëtare” që botohej në Gjenevë; aty u njoftua për “lajmin e tmerrshëm” dhe “tradhëtinë e lartë” të Ahmet Zogut, i cili i fali Jugosllavisë Shën Naumin dhe Vermoshin, madje u shkruajt se Italisë po i falej Sazani dhe po i jepej Vlora, ndërsa Jugosllavisë po i falet Shkodra, (Liria Kombëtare, 2 shtator 1925). Ndërsa drejtonte KONARE-n, dhe më pas Komitetin e Çlirimit Nacional (KÇN), Fan Noli shkoi më tej: Shën Naumin dhe Vermoshin i quajti “krahina”. Pas 3 vjetësh, pikërisht në ditën që shpallej Mbretëria, Noli shkruajti se Zogu, “i la Pashiçit krahinat e Shën Naumit dhe të Vermoshit”, (rev. Federation Balkanique, 1 shtator 1928). Më pas për çështjen në fjalë nuk u fol më, sepse në fakt ajo nuk ishte çështje. Por siç u zhvilluan ngjarjet, manastirin e Shën Naumit ne mund ta merrnim përsëri, ndërsa Vermoshin e kishim, siç vazhdojmë ta kemi.
Pushtuesit italianë e gjermanë i bashkëngjitën Shqipërisë, shumë nga trojet shqiptare, që na ishin mohuar padrejtësisht nga Konferenca e Ambasadorëve në vitin 1913. Në dhjetor të vitit 1944, qeveria komuniste pati shansin të ketë në zotërim manastirin e Shën Naumit, si pasojë e largimit të forcave gjermane. Nga ana tjetër, në Kongresin i Përmetit (24-28 maj 1944) ishte vendosur që nuk do të njihej asnjë marrëveshje ekonomike dhe politike, që qeveritë e Zogut kishin bërë me të huajët. Dhe këtij vendimi qeveria e Enver Hoxhës i qëndroi fort, madje përpara amerikanëve dhe anglezëve. Mirëpo edhe këmbimi i Shën Naumit kishte qenë një marrëveshje e një qeverie zogiste. Në këto kushte, Hoxha duhet ta mbante manastirin, (që në dhjetor 1944, ne e posedonim), për më shumë sepse sidoqë në kushte vasaliteti, ai ishte asokohe në marrëdhënie të ngushta vëllazërore me Titon. “Çuditërisht”, Enveri shkeli vendimet e Kongresit të Përmetit, dhe ua dorëzoi jugosllavëve Shën Naumin.
Në vitin 1948, miqësia e pathyeshme shqiptaro-jugosllave u prish. Sipas zakonit për të akuazuar të tjerët për gjërat që i bënte vetë, Enver Hoxha akuzoi Zogun se u kishte dhënë jugosllavëve Shën Naumin dhe Vermoshin(!). Rrjedhimisht, kjo akuzë do të pasqyrohej në historiografinë tonë. Kështu, në “Historinë e Shqipërisë”, V.2, Tiranë, 1965, f.567-568, thuhet se Zogu “shpërbleu” Jugosllavinë dhe i “dha” Shën Naumin dhe Vermoshin, (një pjesë). Natyrisht, asokohe hartuesit e tekstit nuk mund të thonin çfarë mori, por nuk kanë përdorur fjalën “dhurim”. E gjithë kjo “gjëmë” shkruhet në 5 rreshta e gjysmë. Pothuajse e njëjta gjë thuhet edhe në botimin e Akademisë së Shkencave, “Historia e Shqipërisë”, V.3, Tiranë, 1984, f.323. Madje, këtu është kopjuar teksti i vitit 1965, duke shtuar një fjali në krye dhe një gjysmë tjetër në fund.
Me vendosjen e demokracisë, kjo çështje u rihap në shtypin e përditshëm. U botuan “Kujtimet” e Mehdi Frashërit, Tiranë, 2003, (ku ai sqaron sesi u vendosën kufijtë), dhe pati artikuj nga autorë seriozë, që nxirrnin në shesh të vërtetën. Por në të njëjtën kohë, lexuam dhe pamë një kor sharlatanësh që flisnin për “tradhëti”, “shitje të atdheut”, “larje borxhi ndaj Pashiqit”, “dhurim” në bazë të një “pakti të fshehtë”(!) Zogu-Pashiq, ose të një “marrëveshjeje xhentëllmenësh”(!) për kthimin në pushtet të Ahmet Zogut, etj. Madje u shkruajt se shenjtori Naum ka qenë shqiptar, se kemi humbur edhe ujë liqeni, etj.
Çuditërisht, këta nuk thonë nëse ky ka qenë, (apo nuk ka qenë?!), një këmbim territoresh dhe ratifikim kufiri. Kemi marrë gjë ne në shkëmbim, apo jo? Asnjëri nga këta nuk thotë që Shën Naumin, të cilin e kanë kaq shumë për zemër, Enver Hoxha ia dorëzoi Titos, duke shkelur vendimet e Kongresit të famshëm të Përmetit.
Kur në shtyp nuk po shkruhej më për këtë çështje, në vitin 2006 u ribotuan nga Bajram Xhafa dhe Hasan Bello, “Bisedimet e Asamblesë Kushtetuese për çështjen e Shën-Naumit dhe Vermoshit”. Tani pa u lodhur, jo vetëm historianët, por kushdo mund të lexonte se si kishin rrjedhur punët; kjo gënjeshtër 80 vjeçare mund të quhej përfundimisht e sqaruar edhe për publikun. Mirëpo s’ishte e thënë të ishte kështu.
Në botimin e Akademisë së Shkencave “Historia e Popullit Shqiptar”, V.3, Tiranë, 2007, f. 260, “çështjes” së Shën Naumit dhe të Vermoshit i është kushtuar ca më shumë vend, por gënjehet më keq se në kohën e Enverit. Tani flitet për “dhurim”, për “pjesë të çmueshme të tokës shqiptare si shpërblim”, etj, dhe nuk përmendet që ne kemi marrë shumë më tepër se ç’dhamë.
Megjithëse nuk shquhem për ndjenja fetare, përfundimi i Shën Naumit matanë kufirit, më ka bërë të besoj se ai ka qenë shenjtor i vërtetë. Me dhimbje më duhet të pohoj që, nëse manastiri do të na kishte mbetur neve, në vitin 1967, me siguri atë do ta kishin rrafshuar; Shën Naumin do ta kishin zhvarrosur dhe hedhur në liqen, përgjatë çmendurisë së shkatërrimit të ndërtesave të kultit, që pushteti komunist pati ndërrmarrë asokohe. E vërteta sado e hidhur duhet thënë.