back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Cezari në Shqipëri” – libër i historianit Engjëll Gishti

Gazeta

Cezari në Shqipëri - Engjëll Gishti
Cezari në Shqipëri – Engjëll Gishti

“Cezari në Shqipëri”, – libër i historianit Engjëll Gishti

Të dashur miq, Doli nga shtypi libri: “Cezari në Shqipëri”!
Siç kuptohet edhe nga titulli, tema e këtij studimi është jeta dhe aktiviteti i Cezarit në këtë pjesë të Ilirisë, ku sot gjendet vendi ynë! Një shok që beson tek unë më pyeti: “Me gjithë këto problem që ka Historia e Shqipërisë, pse vajte e zgjodhe një studim që nuk lidhet me historinë tonë?” Po listoj më poshtë arsyet e përzgjedhjes.
1.Shteti romak (Republikë dhe Perandori) është formacioni politiko-shoqëror më i madh dhe më jetëgjatë në Historinë e Njerëzimit. Roma pushtoi pothuaj gjithë Europën dhe shkoi deri në Indi! Ajo transformoi jetën e gjithë këtyre popujve dhe hodhi bazat e modernizimit (më shumë ideor) të jetës së ardhshme të këtyre popujve, përfshi edhe Ilirinë. Shumë nga perandorët e këtij shteti ishin ilirë, por shqiptarët përdorën (apo huazuan) në shekuj vetëm emrin e Cezarit, figurës më të famshme të Romës, një nga më të famshmet në Historinë e Njerëzimit! Cezari është nga të paktat figura të Globit, që me aktivitetin e tij, e ka ndryshuar rrjedhën e Historisë së Njerëzimit (për mirë apo për keq) si askush tjetër; falë vullnetit të tij, Roma Republikë perëndoi dhe hyri në fazën e zhvillimit perandorak. Kjo është arsyeja se përse mijra e mijra studiues (sikurse dhe unë) merren akoma sot me jetën e Cezarit.
2.Në këto 300 vitet e fundit (ndërsa ishim të pushtuar nga Turqit), vendin tonë e kanë vizituar me mijëra udhëtarë, aventurierë, spiunë, murgj, kontrabandistë, agjentë, konsuj, ambasadorë, dijetarë, historianë, arkeologë, etj. Pothuaj asnjë prej tyre nuk ka mundur ta mposhtë kërshërinë e zbulimit dhe vizitës së vendeve dhe rrethimeve ku Cezari dhe Pompeu bënë betejat e tyre kryesore. Madje Napoleoni i III, dërgoi historianin e vet Heuzei në Shqipëri që të bënte një studim të plotë shkencor mbi këtë pjesë të panjohur të jetës së Cezarit në “Greqi”! Në garë se kush do e realizonte më parë këtë studim dhe kush do merrte i pari famën e autorësisë, niset privatisht edhe historian tjetër Stoffel. Të dy shkencëtarët i ranë kryq e tërthorë Shqipërisë, shpesh duke u përplasur me njëri-tjetrin, e shpesh edhe duke i vjedhur material njëri-tjetrit. Ata zbuluan mjaft rrugë dhe vendbeteja të Cezarit në Shqipëri dhe realizuan botimet në vitet 1860. Por ai që vërtet u thellua në studimet Cezariane në vendin tonë është koloneli austriak Georg Veith, i cili erdhi dy herë e bëri dy studime të thella; të parën para e të dytën pas Luftës së Parë Botërore. Veprat e tij janë veprat më autoritare në Botë për këtë temë. Ai e dyfishoi inventarin e gjetjeve të veprave cezariane në vendin tonë dhe përmirësoi shumë aspekte të ngjarjeve ushtarake në fjalë.
Ne jemi krenarë të themi se këtë inventar e kemi dyfishuar përsëri, por çfarë ka më tepër rëndësi është fakti se në këtë studim, vijnë për herë të parë shumë vepra të jashtëzakonshme inxhinierike të Cezarit në vendin tonë, të realizuara në zona ku fati nuk i ka çuar studiuesit e tjerë. Për të gjetur këto vende, mund të themi se nuk kemi lënë kodër pa bredhur nga Palasa, Karaburuni, Mallakastra, Ardenica, kodrat e Divjakës, Karpenit, kodrat në lindje të Kavajës, të Dumresë, të Peqinit e deri në kodrat Kërrabës në Tiranë; një punë që na ka kushtuar vite. Bëhet fjalë për kështjella të jashtëzakonshme, për rrugë, për diga e për qytete që Cezari ka lënë pas në vendin tonë; gjurmët e të cilave janë akoma prezente! Nëse ne sot, do klikojmë në internet për të gjetur një “roman castle in Europe”, kërkimi do na cojë në një fshat pranë Vjenës të quajtur Carnuntum. Arkeologët europianë kanë zbuluar në këtë vend një kështjellë romake me formën e një drejtkëndëshi jo fort të rregullt. Pas gërmimeve arkeologjike, fushën me bar, ata kanë ditur ta shndërrojnë në një sit arkeologjik që sot e viziton e gjithë Europa! Atje janë ngritur muzeume dhe godina të tjera që imitojnë jetën romake të kohës; e gjithë ajo zonë sot është mbushur me hotele sepse turizmi është bërë mënyra e tyre e jetesës! E pra të dashur miq ju them se kjo kështjellë është një hiç para asaj qëMe miliona njerëz do vinin jo vetëm nga Europa, por nga e gjithë Bota! Dhe kjo është një tjetër arsye serioze për të ndërmarrë këtë studim!
3.Por një arsye edhe më e rendësishme është për një studiues, gjetja e përgjigjeve të shumë të situatave ushtarake ku sqarimi i vendndodhjes së betejave dhe përshkrimi real i tyre, është një kërshëri shkencore që nuk mundëm t’i rezistojmë. Janë mbi 200 studiues që kanë shkruar mbi Cezarin në Shqipëri në këto 300 vite, por studimet ende nuk i kanë dhënë shumë përgjigje! Psh, të gjithë studjuesit mendojnë se Cezari, pasi zbriti me anije në Palasë (poshtë Llogarasë) në dt. 5 Janar të v. 48 para erës sonë, u ngjit bashkë me ushtrinë natën mbi Llogara për të zbritur e sulmuar më pas Orikumin. Por asnjë nga studiuesit, nuk hyn të na shpjegojë (edhe pse ata sigurisht ja kanë bërë vetes këtë pyetje) se çfarë magjie bëri Cezari që të nesërmen në mëngjes u gjend në det përballë Orikumit me 12 anije?! Të gjithë studiuesit na thonë se dy ushtritë (e Cezarit dhe Pompeut) u vendosën në dy anët e lumit Aps (sic e thotë vetë Cezari), por askush nuk e ka përcaktuar se ku ishte ky vend duke na lënë në diskutim një hapsirë nga Bashtova në Urën Vajgurore. Cezari na thote se rrugës për Durrës, ai pushtoi (dhe natyrisht masakroi banorët) një qytet që ai e quan “oppidum parthinorum” (qytet i parthinëve), por askush deri më sot nuk ka arritur të na thotë se kush ishte ky qytet që guxoi të mos i hapte portat Cezarit dhe pse! Dihet nga Cezari dhe autorët e tjerë antikë se beteja më e madhe midis dy gjeneralëve (që është një nga betejat më të mëdha në Historinë e Romës dhe të Njerëzimit) u zhvillua diku pranë Durrësit; më saktësisht pranë Shkëmbit të Kavajës! Të gjithë studiuesit (çuditërisht përveç humanistit tonë Marin Barleti) na thonë se kjo betejë u zhvillua në moçalet e fshatit të sotëm Qerret, pra në bregdetin kavajas. Por askush nuk na thotë se çfarë rëndësie strategjike kishte ky vend për Pompeun e rrjedhimisht çfarë objektivi kishte ai që të sulmonte e rrezikonte në këtë vend! Pa u zgjatur, në studimin tim, unë e hedh poshtë të gjithë skemën e derisotme mbi zhvillimin e kësaj beteje (hartën e të cilës e gjeni në Vikipedia) me një shtjellim të gjerë të kësaj lufte që pati mijëra të vrarë dhe rrezikoi edhe jetën e vet Cezarit.
4.Një nga objektivat jo më pak të rëndësisëme (përkundrazi) ka qenë edhe dëshira jonë për të polemizuar me historinët europianë mbi shumë tema të historisë sonë! Sikurse e dini, në Europë zhvillohen akoma sot konferenca shkencore të cilat “provojnë” “padiskutueshmërinë e etnicitetit grek të Epirit dhe më gjerë!” Dihet se historianët shqiptarë kanë një gurë të rëndë varri mbi krye në realizimin e hartimit të Historisë reale të Shqipërisë! Për të shkruar këtë histori, ne duhet të hedhim poshtë një pjesë jo të vogël të Historisë së Greqisë (pjesën që ajo fallsifikon), pra duhet të hedhim poshtë një pjesë të Historisë së Njerëzimit! Por të gjithë historinët sot, nga Europa në ShBA e Japoni, mbrojnë tezat greke të kësaj historie. Ata me kohë na kanë hequr gurët e themelit të historisë; çka na e bën shumë të vështirë punën tonë! Ne sot duhet të punojmë me kujdes duke i rivendosur një nga një këta gurë! Praktikisht, në temën tonë, të gjithë këta studiues, na thonë se fisi ilir i parthinëve (ku u zhvilluan betejat kryesore të Cezarit) “ishte një fis ilir greqishtfolës i vendosur në lindje të Durrësit”! Imagjinoni të dashur miq se si mund të mbrojmë ne etnicitetin shqiptar të Epirit ku ata na e sjellin greqishten në mes të Tiranës! Praktikisht, këtë ata e bëjnë duke ndryshuar lehtësisht tekstet origjinale e duke u dhënë atyre një tjetër kuptim! Ja një shembull: Kur Cezari vjen për të pushtuar Orikumin, komandanti pompean Torquato që ishte aty bashkë me një garnizon parthionësh i urdhëron këta, “cum Graecos murum ascendere…” pra urdhëron që këta (parthinët) “me grekët të dalin mbi mure” për të mbrojtur qytetin, dhe jo siç na thotë autori “urdhëron këta parthinët grekë të dalin mbi mure” duke na krijuar kështu një konfuzion të keqpërkthimit. Në këtë mënyrë ata konkludojnë se “grekët” e tekstit janë parthinët! Ne natyrisht kemi korigjuar përkthimin duke sfiduar profesorat tanë në Itali (për këtë arsye ky studim do botohet edhe në Italisht). Janë gjithsej tre korrigjime të tilla, dhe nja dy të tjera të bëra nga akademikët tanë në leximin e teksteve antikë.
Nëse pyesim sot çdo shqiptar se nga vjen ky popull, ata do të të përgjigjen me vendosmëri se “ne jemi autoktonë dhe se vijmë nga ilirët”! Por nëse ne i pyesim ata se nga cilat fise ilire vijmë (sepse ne nuk mund të themi psh se vijmë nga ilirët panonë të Hungarisë), ata mjerisht do ngrenë supet! Dhe kjo jo për faj të tyre, por të rezultateve studimore të Akademisë sonë, e cila deri më sot nuk ka mundur ta japë këtë përgjigje. Kështu, nëse ju lexoni sot në enciklopeditë e botës për origjinën e shqiptarëve, ato shkruajnë se “shqiptarëve u pëlqen të thonë se rrjedhin nga ilirët, por kjo është një tezë e paprovuar shkencërisht!” Për këtë arsye, në këtë studim, ne i kemi kushtuar një rëndësi të veçantë shtrirjes gjeografike të fisit më të madh ilir në këtë trevë, parthinëve, i cili i mbeti pothuaj deri në fund besnik i vetëm i Pompeut! Njëkohësisht jemi marrë (shkurtimisht) edhe me tema të tjera për historinë tonë si traseja e detajuar e Egnatias, pozicionimi gjeografik i krahinës së Kandavisë, lokalizimi i zonës “Asparagus”, leximi më korrekt i Itinerareve romake, si dhe nja dy korrigjime ne tekstet latine (ku psh fjala “dificilis” është përkthyer “malore” për të justifikuar teorinë e ngjitjes nga Llogaraja të ushtrisë së Cezarit) etj.
Në fund i them lexuesit se nëse kërkon një roman historik, ky nuk është i tillë; ky është një libër shkencor i mbushur me referenca që shpesh “e mërzisin” një lexues jo të apasionuar pas shkencës së historisë.
Lexim të këndshëm!
.
Tiranë, më 25 nëntor 2020

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.