back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Çfarë duhet menduar mbi fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet e nëntorit 2024 në Amerikë? – dy-tri idé nga Skënder Sherifi

Gazeta

Skënder Sherifi
Skënder Sherifi
Çfarë duhet menduar mbi fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet e nëntorit 2024 në Amerikë?
dy-tri idé nga Skënder Sherifi

Fitorja e padiskutueshme dhe mjaft e çuditshme e ish Presidentit amerikan Donald Trump m’i shtron mua personalisht dhe normalisht, nëse jemi krejt koherentë, etikë, të drejtë, të logjikshëm e mirë në mend, dhe duhet me na i shtrue të gjithëve, disa pyetje krejt esenciale, parimore, morale dhe njerëzore, mbi sensin që ka Pushteti, drejtimi i një Shteti, i një Populli, mbi çka po shohim sot dhe tash disa vite në lidhje me botën politike, do me thënë sesi është zhvilluar me kohën, në këto 25 vitet e fundit, po themi që nga viti 2000 dhe andej…? Dhe a ka ky evolucion kohor, kinse modernist ndonjë lidhje me çka është quajtur dikur Shkenca Politike, siç kanë pasë ligjëruar Profesorët e Universiteteve nëpër Sorbonë, Oksford, Harvard, Yale, Stanford dhe kudo që është thelluar ajo fushë me pak seriozitet? Sepse, prej aty, ose prej ENA, HEC, Institut des Hautes Études, Sciences-Po, Paris, kanë dalur po thuaja deri sot – 70 përqind të elitës politike dhe ekonomike franceze, të cilët e kanë drejtuar Republikën franceze, por jo prej rruge, prej diskotekash, prej bareve, ose prej aventurave të ndryshme, të cilat natyrisht edhe unë vetë i kam pasë praktikuar, po së paku në sferat kulturore dhe artistike, si ekplorim i disa kufinjve, i asaj çka është e mundur apo jo? Prej dijës kanë dalur diplomatët e shquar si Kisingeri, Brezhinski, Geremeku, këshilltarët e mëdhenj si Jacques Attali ose Alain Minc, por jo prej bixhozeve të Monte-Carlos ose të Las Vegasit. Mund të thuhet që globalisht në shtetet e quajtuara demokratike, Politika ka qenë afera e profesionistëve të asaj fushe… por jo e amatorëve të improvizuar, që vijnë për të na imponuar Cirkusin e tyre!
Okay, mund të ketë qenë një Kastë, apo Klasë Sociale në duart e disa Miseve apo Familjeve të caktuara, brez pas brezi, të cilët ua kanë transmetuar Pushtetet farefiseve, porse kanë qenë të formuar, të shkolluar dhe me një farë tradite të trashëguar. Ashtu siç janë sot Miliarderët francezë, të cilët e dinë se çka do me thënë libri, filmi, teatri, baleti, piktura dhe Opera. Apo aristokratët që i kanë ruajtur dhe mirëmbajtur Kështjellat e tyre me shekuj, duke i respektuar në një mënyrë skrupuloze të gjitha traditat antike.
Me siguri, do kishte qenë e nevojshme për ta demokratizuar në maksimumin e mundshëm, atë lloj bote tepër të mbyllur në vetvete, si një farë oligarkie politiko-financiare…dhe për t’ua mundësuar edhe atyre fëmijve të familjeve popullore apo proletare, që përmes një shkollimi serioz në Universitetet e famshme, që të kenë akses në sferat e Pushtetit. Porse, kur e mendon mirë: Shteti është Shtet dhe do patjetër ekspertë super të fortë, koka në fushat juridike për ligjet, kornizat e drejtësisë, specialistë të ekonomisë, për prodhimtarinë, eksportin, importin, mirëqenien dhe fuqinë blerëse, mjeshtra të diplomacisë fine dhe të shahut politik, për vizionin global, boshtin kurrizor dhe zhvillimin e ardhshëm… kah dëshirojmë të shkojmë dhe qysh mund t’ia arrijmë?
Do të kisha shtuar unë, përkundër shumicës: edhe një bazë serioze kulturore dhe historike, sa për ta njohur deri diku vetveten, shtetin tonë, historinë dhe identitetin kombëtarë në vijat e mëdha. E jo për të qenë askushi brenda një globalizmi të indiferencuar, pa emër, pa epiqendra burimore, si të ishim të ardhur nga hiçi, ose pse jo nga viçi!?
Ngaqë, unë i preferoj njerëzit me një të kaluar, një identitet preciz, një histori dhe një kulturë të caktuar, të cilët e dinë se kush janë, e kush nuk janë dhe të cilët nuk flotojnë komplet nëpër ajër, si fleta, duke u shndërruar në kllounë të konsumimit apo në Qenie robotike, e cila i përgjigjet urdhërave pavlovianë.
Mund t’iu them, që të gjithë Presidentët francezë, ata që i kam pasë njohur unë personalisht, po edhe të tjerë, po ashtu edhe disa prej Politikanëve belgë, kanë qenë të formuar dhe të kultivuar për t’u habitur, së pari, për nga dëshira e tyre ose për nga CV-ja, individuale. Nuk mund të them që kam qenë para një bufoni apo Analfabeti patetik, sepse kishin të gjithë përmbajtje… Atëherë, për të tjerat, mund të isha dakort ose aspak dakort me idetë e tyre politike apo me vendimet që i kanë marrë. Çeshtje subjektive që lidhet me shijet, bindjet tona, me personalitetin që kemi, brenda një shkëmbimi krejt të lirë!
Por një bazë referenciale ekzistonte, mbi të cilën një dialog ishte i mundur. Mirëpo, na erdhen modernizmi, ekranizimi, rrjetet sociale, imazhi, reklama, marketingu, globalizmi, amerikanizmi në formën e tij sa më vullgare dhe klishé, show dhe spektakli, influencuesit, buzzet dhe ç’buzzet… çka na predikonte për mrekulli para 60 vitesh, Andy Warhol në fabrikën e tij gjeniale New-York-eze, dhe miku im Guy Debord në vitin 1967, mjedis Parisit… me best-sellerin sociologjik: “Shoqëria e Spektaklit” me stilin e sotit, alla Klan dhe Top Chanel, me seriale debile, debate sterile sa për alibi apo pretekst, kinse po informojmë për diçka, telerealitete dhe lojëra narkotike të ndryshme, ku qëllimi është i qartë: adiksioni total në idiotësi dhe në vullgaritet dhe pastrimi radikal i trurit analitik dhe kritik, i aftësisë për të menduar diçka logjike dhe për t’i shtruar aty ku duhet pyetjet e duhura. Yes, Welcome for the brain washing… Pas Carwashit për makinat tuaja të luksit, a po na lejoni tani për t’ua pastruar pak trurin, nëse akoma ju ka ngelur ndonjë Neuron aktiv? Për një poet anarshist të Majit 68, dhe Woodstok-ut, është pak e komplikuar dhe gati e pamundur… ngaqë jam pjekur dhe zier në Lirinë e Lirë! Është pak vonë tani në pleqëri për t’u shndërruar në Skllav!
Po, po, ka kohë dhe duhet ta konstatojmë të gjithë me mjaft shqetësim dhe mjerim: që ka fituar injoranca tragji-komike, provokimi primar, anti-kultura, anti-vlera, anti-etika, anti-profesionalizmi, anti-serioziteti, anti-humaniteti, anti-logjika, hipokrizia, propaganda, imponimi primitiv me dhunë dhe sforcim, mbi inteligjencën, rafinimin, nuancën, lirinë e mendimit, analizën kritike, pikëpyetjen legjitime, thellësinë profesionale… Pra ka fituar anomalia mbi gjithçka duhet të ishte krejt normale dhe logjike në një shoqëri të shëndoshë, të vëtëdijshme dhe realisht demokratike, ka fituar kaosin mbi rregullin, çoroditja, çregullimi, bastardimi, mbi normën, kriterin, edukatën, etikën morale dhe qytetarinë.
Ah dakort, mister Sherifi, po pse more burrë?! Tek e fundit, jemi si të tjerët, po i ndjekim modat e kohës dhe po veprojmë sikurse gjithë Dynjaja… çka ka të keqe kjo punë? A ke ardhë për të na shitë mend dhe moral? Ti vetë, a ke qenë anarshist dhe aventurier nëpër Francë dhe Belgjikë? -Po, patjetër, por kam qenë i formuar siç duhet, i kultivuar, kam pasë lexuar me qindra libra, takuar gjithfarë personaliteti madhor të artit dhe inteligjencës dhe kam pasur një ëndër, një ideal, një horizont, një qëllim… Nuk isha komplet i servilosur, i droguar dhe i nënshtruar, pa asnjë bagazh njerëzor as kulturor, pa asnjë lloj trashëgimie familjare, ose një farë edukate bazë… I kam ruajtur kujtesat antike dhe porositë, kam qendruar besnik ndaj gjenezës dhe origjinës!
Nuk jam bërë sa për modë apo modernitet, ngaqë isha i kompleksuar ndaj asaj çka isha, ndaj familjes time apo Shtetit tim, ose vendlindjes: as italian, as grek, as sllav, as amerikan, as gjerman, as anglez, as holandez, as belg, as zviceran. Jo, jo… kam vazhduar për të qenë në thelb ai malësori i lashtë i Valbonës që jam, por i veshur me një kulturë dhe me një përvojë unike dhe multidimensionale. Dhe ashtu, me kanë pranuar dhe respektuar të gjithë, dhe e kam krenuar para Gjenive të shekullit 20, edhe botën time shqiptare antike, me Shqipërinë dhe Kosovën, ngaqë ua kam prezantuar me shumë liri, pa asnjë kompleks dhe me një dinjitet maksimal, dhe paralelisht, ngaqë ua kam faktuar që ua njoh perfekt edhe kulturën e tyre parisiane apo evropiane.
Kurse ju, po më dhimbeni shumë si Bashkatdhetarë! Si jemi shpërbërë gjer në atë shkallë? Janë shumë pyteje që duhen bërë, por të cilat e duhet një studim serioz, për një libër ese… Diçka mes psikologjisë së thellë dhe filozofisë politiko-historike të Kombit tonë. Si arsyetohet Kaosi ynë?
Natyra e saktë e lidhjes që kanë pasur gjatë shekujve gjithë Pushtetarët tanë shqiptarë me Atdheun, me vendin e tyre? Pastaj, në aspektin konkret, si e kanë praktikuar qeverisjen e tyre, si e kanë drejtuar këtë Shtet, mbi cilat baza, mbi të cilën logjikë? Si e kanë trajtuar dhe konsideruar Atdheun apo Shtetin e tyre? Pastaj, po të njëjtat pyetje mund t’ua shtrojmë të gjithë bashkatdhetarëve tanë, që banojnë në trojet shqiptare në Shqipëri, apo në Kosovë? Si e perceptojnë Atdheun e tyre në mendje, në shpirt, në ëndërr, në ideal, dhe pastaj, si e përjetojnë në aspektin konkret gjatë jetës së tyre të përditshme? Dhe si i menaxhojnë gjithë këto Kontradikta themelore? E dua shumë vendin tim, po kallem dhe po vuaj nga gurbeti, po e ushqej një nostalgji të paparë, një dashuri romantike për atdheun… por në praktikë, po deklaroj: “…ky vend nuk vlen asgjë, këtu nuk jeton askush, asgjë nuk funksionon normalisht, këtu ka vetëm mashtrim, abuzim dhe hajnì, ky vend nuk do bëhet kurrë, kështu që vetëm na duhet ta braktisim për të ikur sa më larg, ku të mundemi, për ta shijuar një jetë krejt normale me disa norma bazë! Do me thënë që të gjithë notojmë dikund në koshiencë apo në subkoshiencë, mes: “I love Albania dhe fuck Albania!” por pa e kuptuar mirë, pa e zbërthyer në imtësi. Dhe flasim për Atdheun tonë me njëfarë distance ose romantike, nostalgjike, ose ironike dhe cinike, si të ishte një vend i huaj, i qeverisur nga njerëz të huaj, të ardhur ku me e dijtë nga ku!?
Më kujtohen fjalët e Pleqve tanë – ashtu siç na dëshmonin: “O djem, ju nuk e dini se ç’ka kem përjetue kur na erdh Bullgari, Shkau, Gjermani, Italiani, Cërrnogora, në këto krahina…” dhe po në at stil, vazhdojnë duke na thënë: “Ah, më kujtohet kur na erdhi qeveria e Zogut me filanin, na erdhi Fan Noli me Iksin dhe më vonë komunizmi i Enver Hoxhës me Ypsilonin…
Kishit me thënë që na erdhi dikush i huaj dhe na u imponue ne me forca të jashtme për ta sunduar vendin tonë!
E do një pleqëri serioze kjo punë!!

Por le t’i rikthehemi çregullimeve të modernitetit aktual në fushat politike, dhe sesi na erdhi përsëri Donald Trumpi në Pushtet! Si shpjegohet ky fenomen?
Prej nga Harvardi dhe Oksfordi, Sorbona dhe Ena: po pse po e pushtojnë sferën politike, përditë e më shumë, gjithë populistat, mashtruesit, mitomanët, narcisistat megalomanë, delirantët, paranojakët dhe psikopatët? Tani kriteri i qeverisjes kalon prej nga Veprat madhore të Shkencave politike dhe diplomatike, te qejfi personal, humori i ditës, fantazia e rastit, irracionaliteti, arbitrariteti, injoranca e pakufi, vulgariteti, provokimi gratis, show permanent, si të ishim spektatorë të një Telerealiteti të përditshëm… adikt të kretinerisë, të shkallës zero të dijes, dhe sistematikisht alergjik ndaj çdo formë mendimi kritik apo formulimi analitik i rafinuar…! Po, sepse duhet t’i përngjajë asaj çka ne e supozojmë në filmin tonë që është Populli, pra, një tufë bagëti… kështu që, sa më bazik e primitiv që të dukemi në paraqitjen tonë, në mënyrën sesi do komunikojmë me ta, aq më tepër do na dojnë, ngaqë do i dukemi edhe ne, të cilët e kemi uzurpuar legalisht përmes votave të lira, por me 100 mashtrime dhe delire, Pushtetin, duke u bërë Kryeministra apo Presidentë të një Shteti. Thënë ndryshe, i kemi droguar, hipnotizuar dhe bindur për të na e dhënë votën e tyre, përmes një procesi natyrisht krejt demokratik, të cilin nuk e vnon në dyshim askush. Kështu, që në Amerikë, fitoj i madhi Donald Trumpi, pa asnjë diskutim të mundshëm!
Dhe tani pasi fitoj, pas këtij fakti të kryer, edhe pse shumica prej klasës politike ose intelektuale, e kritikonin rëndë ose edhe e urrenin, pas 5 minutash, ju është metamorfozuar në një Njeri i zoti, interesant dhe me plot kualitete. Kjo quhet koherenca dhe sinqeriteti individual brenda një shoqërie, ku oportunizmi, interesi dhe kalkulimi i paraprin çdo mendimi dhe çdo pozicionimi. Pastaj, do çuditemi përse nuk jemi të besueshëm, ose pse nuk gëzojmë asnjë lloj kredibiliteti? Po, se nga dje në sot, çuditërisht Derri na bëhet Dajë dhe Armiku, mik… ec e shpjegojani tani opinionit publik! Një pjesë të Popujve të botës, e kanë ndjekur me gjithë qejf dhe plot bindje De Golin, Çurçillin, Gandin, Mandelën, Havelin, sepse u kanë besuar atyre liderëve, janë pajtuar globalisht me personalitetin dhe me programet e tyre.
Porse kanë qenë të një kategorie superiore, të ndërtuar me një brumë krejt tjetër, e jo si Dallaverexhijtë aktualë të dalur nga interneti dhe telerealiteti.
E kam një ide precize, e cila vlen aq sa vlen, por po e pleqëroj me ju.
Kët rrugë të Populizmit, të debilitetit grotesk, të injorancës pa tabu, të rrenës dhe të lavazhit të trurit me çdo mënyrë, kam përshtypjen që e ka inspiruar Silvio Berluskoni, që në vitet 1960, i cili vepronte si Boss në fushat Imobiliare, sportive dhe mediatike, sidomos përmes televizioneve italiane, përmes firmës së tij “Fininvest” dhe grupit mediatik dhe të komunikimit: “Mediaset” me rreth 30 vitesh në krye të Klubit të famshëm: “A.C. Milan” Dhe përmes gjithë këtij afarizmi si miliarder i konsoliduar, hyn me sukses në Politikë, ku do i aplikojë saktësisht të njëjtat rregulla bazike, sikurse në televizionet e tij. Me një rezultat gjenial për të: Senator dhe Deputet italian, pastaj edhe evropian, dhe 3 herë Kryeministër i Italisë, me 4 mandate qeveritare të quajtuara: “Berluskoni 1 – 2 – 3 dhe 4… prej vitit 1994 dhe deri në 2011” Dhe kryetar i partisë së tij: “Forza Italia” deri në vitin 2023.
Bravo Silvio!
Kështu, që unë mendoj që ky është ai modeli origjinal i stamposur, të cilin shumkush e ka imituar më vonë në fushat politike, me një farë suksesi, së paku elektoral. Me pak fjalë: “Biznes, korrupsion, deal me çdokënd, qejfe, jahte, golfe, lukse, eskorte, bunga-bunga dhe bimbo… Jam mbi çdokënd, e kam fuqinë ekonomike, mediatike dhe tani edhe politike, jam mbi ligjety dhe mbi çdo gjë, mund të veproj tamam ashtu siç më teket, mund t’i realizoj të gjitha kapriçot, fantazmat, dhe nuk mundet askush të më ndalë në asgjë. I paguaj të gjithë me lekë, i blej kundërshtarët, opozitarët dhe ua mbyll gojën. Nisem nga ideja që çdokush shitet dhe blihet, që çdokush e ka një çmim.
Me një fjalë, jam deridiku i plotfuqishëm dhe i afërt me Zotin, si ç’ishte dikur Luigji 14, Mbreti Diell i Francës.”
Ky ishte modeli i saktë Berluskonian!
Të gjitha bizneset i ka ndërtuar siç dihet mirë me plot dredhina dhe dallavere. Porse e ka pasur një intuicion gjenial mbi gjithë të tjerët. E ka ditur që formula e Jul Çezarit është e pavdekshme dhe tepër efikase, nëse e veshim me pak modernitet dhe e adaptojmë sipas modave të kohës: “Bukë dhe Lojëra! – apo, – Mirë se vini në Bixhozlandin permanent alla Silvio Berluskoni, ku do ju presin Bimbot, Eskortet, nëpër Pallate luksi me 5 yje, të shtrira nudo nëpër Anije, dhe ku leku do ju bjen sikurse shiu mbi kokë… Jeta nuk është asgjë tjetër, përpos qejfe, lukse, ëndrra dhe konsumim për të blerë dhe akumuluar atë çka është e mundur!”
Me qenë adikt të materializmit dhe të konsumit!
Shikojeni, sesi e ka imponuar gradualisht kudo në Botë, atë modelin e tij të Televizioneve italiane alla Berluskoni, që në vitet ‘70 dhe ‘80 kudo nëpër Europë, me kanale që unë i çuaj narkotike në koncept, ngaqë nuk kanë objektiv tjetër, përpos biznesin, fitimin maksimal të lekut, duke ua pastruar në maksimumin e mundshëm trurin të gjithë spektatorëve, me lojëra, lotaria, telerealitete, seriale debile të pavlerë artistike, po ku logjika të çon në të njejtat ideale të cilat i përmenda më parë. Për ta arritur përmes lojërave të fatit atë ëndrrën Berluskoniane… ose atë lloj model jete. Bile, të gjitha televizionet tona shqiptare, dhe sidomos Klani dhe Topi janë komplet të ndërtuara dhe të menduara po në at stilin italian berluskonian. Më thoni, cili është mesazhi i saktë i programeve të tyre? Çka i ofrojnë publikut konkretisht si filozofi jetësore? Nëse do na shtronin pyetjen elementare: “Wich way of life do you want?” Do përgjigjem pa dyshim: për të qenë super i pasur sikurse biznesmenët dhe raperët amerikanë. Bile, unë mendoj ngaqë e kam luhatur shumë mirë psikologjinë tonë shqiptare intra-muros në Ballkan, që tek neve si në Tiranë, si në Prishtinë, çdo gjë, çdo fushë jetësore apo profesionale shërben në realitet në 90 përqind të rasteve, përpos ndonjë eksepcion i rrallë, si alibi apo pretekst për biznes, për të fituar lek dhe pushtet dhe asgjë tjetër… Jo vetëm politika apo ekonomia, tregëtia, çka është më se normale dhe e logjikshme, por edhe arti, bota kinse shpirtërore apo krijuese, universiteti, etjera… Pra, çdo gjë ushqehet dhe funksionon, jo përmes pasionit autentik për atë fushë profesionale, interesimit real të thellë, po me mentalitetin e lekut, e biznesit – se çka mund të fitoj unë duke e ushtruar kët zanat apo profesion, dhe a mund të korri një thes me dollarë a jo? Dhe pikërisht aty, qëndron ai infektimi tragjik, ajo çoroditje, ai bastardim global në çdo sektor të jetës. Prandaj, asnjë gjë serioze nuk qëndron në këmbë mbi disa baza dhe kritere të shëndosha profesionale, sepse aty ku nuk ke pasion, interes, përkushtim autentik total, një sinqeritet dhe integritet, një etikë ndaj punës të cilën e ushtron përditë… aty nuk ke asgjë në fakt, pos uzurpime dhe falsifikime, në të cilat tash sa dekada, është mësuar gjithë Shoqëria e jonë… dhe e cila sot, nuk e respekton apo vlerëson shpirtin, brendësinë, inteligjencën dhe kulturën e vërtetë, normën apo kriterin profesional…
Pse? Sepse, ka pësuar me vite pastrim truri, kaos, vulgaritete dhe antivlera dhe sot i duhet kohë, për ta rimarrë veten në dorë. Ka fituar Las-Vegasi dhe Kulti i Viçit të Artë mbi Shekspirin, Viktor Hugon dhe Dantin! Shpeshherë, e kam thënë, që me na pa sesi jemi sot ne si shqiptarë, Konica, apo Noli, do kishin ikë me vrap dhe do kishin ra në depresion nga zhgënjimi. Dhe i kuptoj shumë mirë. Cili është modeli i shqiptarizmit të cilin jemi duke ua propozuar gjeneratave tona të reja sot? Atë çka e ke natyrisht në filmin mitik “Scareface” të çuar gjer në ekstrem, por thelbi është real, atë të 50 Centit dhe të Rapit US nëpër klipet e tyre klishé “Seks, Luks dhe Pasuri me nga një diamant në çdo gisht dhe në çdo vesh”, sepse, pothuaj të gjitha Shtetet e Lindjes evropiane, për mos me thënë 70 mos 80 përqind të Planetit tokësor, dhe shqiptarët mes tyre: çka ëndërrojnë realisht, çka dojnë, cili është ideali i tyre? Pikërisht ai i Silvios, i Donaldit, i Rockfellerit… për të qenë të pasur, për të blerë gjithçka, duke mos pyetur për asgjë… Për t’i sunduar gjithë të tjerët dhe për t’i dominuar përmes pasurisë, duke menduar që absolutisht çdo gjë mund të blihet me lek. Çka në shumicën e rasteve edhe qëndron! Ajo çka më bën mua përshtypje, me atë naivitetin tim romantiko-atdhetar të lindur dhe autentik, është fakti, që globalisht Shqiptari i një Metropoli sikurse Tirana, nuk do me dijtë fare për Shtetin, për Kombin, për Atdheun, për fatin tonë si Popull, për ardhmërinë kombëtare… nuk i intereson absolutisht asgjë pos vetvetja me një egocentrizën të shtyrë deri në ekstrem. Përpos ambicionit individual i cili është natyrisht pozitiv dhe legjitim, (por nuk mjafton sipas meje, sepse je dikushi, i ardhur nga dikund dhe i takon dikujt, një origjine, një vendi, një familje? Dhe gjithë kjo gjë me një logjikë të thellë dhe etike, ta imponon një sjellje me pak më tepër përgjegjësi, e jo për të menduar që Bota fillon dhe mbaron rreth kërthizës tënde!) Pra, shqiptari noton dikund mes aventurierit dhe mercenarit, dhe shkëlqen shpeshherë në qëllimet e tija puro individuale, korr suksese… por i mungon ajo lidhje shpirtërore me kombin, nuk ndjen asnjë detyrim, asnjë lloj përgjegjësie ndaj fatit global kombëtar. Pra, reagon si të ishte një turist apo një i huaj në vendin e tij! Madje, është 100 përqind amerikan në mentalitetin e tij shoqëror, liberal dhe kapitalist, po pa anën besimtare dhe atdhetare të amerikanëve. “God bless Amerika!” Nuk ka mëshirë për të tjerët, nuk e ka atë kërkesën sociale, për ta ndihmuar të varfërin, të shkretin, të dështuarin, të sëmurin, handikapatin, ose së pari pensionistin që mund të jetë babai apo gjyshi i tij. E ka tamam atë lloj psikologjie amerikane. Nuk mobilozohet për të drejtat e tij elementare, nuk reagon sikurse francezët apo spanjollët kur i bëhen disa të padrejta flagrante.
Sot për sot, më duket mua Bashkatdhetari im, të cilin e dua patjetër, si një puro egoist i zgjidhur, i cili noton mes kulturës klishé dhe bazike të mitit amerikan, ajo ëndrra e famshme (u nisa nga hiçi dhe u bëra Onasis!) por e përzier me orientalizëm dhe bizantinizëm, dhe me një nënshtresë akoma postkomuniste të pa filtruar… mbi çka mund të shtohet kultura i imitimit të modeleve të supozuara në modë dhe ultra moderne… ngaqë, nuk e posedon personalitetin e tij, identitetin e saktë, historinë dhe kulturën kombëtare së pari dhe planetare së dyti. Prandaj, gjithë ky miksim hibrid, ky mish-mash total krijon deliriume dhe çrregullime, paradokse të papara. Nuk e di sesa jeni dakort, apo mos po gaboj? Por mua më duket evidente, që ka diçka që nuk funksionon në këtë alkimi, dhe nuk shoh këtu as ekuilibër, as harmoni! Kam përshtypjen që Shqiptari e ka një problem serioz për t’u pozicionuar siç duhet në botën e sotit globale, apo evropiane dhe së pari në Shtetin e tij ku jeton?
Si mund të jetë objektivi i tij jetësor kryesor: “ta braktisë Shqipërinë, sepse kudo tjetër është Jeta shumë më mirë se tek unë, në vendlindjen time!?” A nuk është problem prioritar ky sipas jush? E pse? Sepse, nuk e dimë saktësisht se kush është, se çka përfaqëson objektivisht, nuk i ka të gjitha kartat kombëtare kulturore, historike dhe politike në dorë… nuk sheh asnjë lloj ardhmërie në vendin e tij, kështu që floton në pikëpyetje dhe i duket vetja enigmatik, i padefinuar, apo askushi, i duket vendi i tij nul dhe i pa vlerë… çka e shtyn pastaj për të ikur deri në Australi, për t’i imituar modelet e të tjerëve, të cilat i duken shumë më moderne dhe interesante, sesa modeli i tij, që i dukët krejt i kotë, bordelik dhe kaotik, ngaqë nuk e njeh në thellësi. Por pastaj, nga largësia, do e vajtojë gurbetin dhe do e ushqejë nostalgjinë e një ëndrre kombëtare të idealizuar në imagjinatë, po asnjë herë e konkretizuar në realitetin e tij të përditshëm. “Oh e bukura dhe e mjera Shqipëri! Mjafton me aq, me një këngë të Vaçe Zelës dhe e kemi shërbyer Kombin!” Por duke përsëritur deri tek vet elita: “…se ky Shtet nuk do bëhet kurrë siç duhet dhe këtu në gjithë kët gabelhane, laperhane dhe bordelhane të ngopur me korrupsion dhe padrejtësi kronike, nuk jetohet…!”
Bravo burra, për këtë inkurajim shembullor! Okay, mirë, si konstatim të cilin do e kishte bërë edhe një çoban apo taksist, porse pastaj: a jemi investuar, a jemi implikuar, a jemi angazhuar konkretisht për ta ndryshuar apo përmirësuar kët situatë? A ishim qytetarë të këtij vendi apo kinezë të ardhur në Shqipëri?
Tani, nëse çdokush prej nesh thotë: “It’s a bullshit… dhe po iki!” a qëndron sipas jush kjo filozofi kombëtare? A kështu konsolidohet një Komb!?!
Kështu që gradualisht vetë Politika, e cila në Agorën e Athinës ishte dikur me qenë në shërbim të Qytetit dhe të Miletit… sot është shndërruar në një mjet biznesi, siç po e shohim qartë kudo dhe së pari tek ne në Shqipëri, ku po luhet me tendra, me miq, me rrjete Iks dhe Ypsilon, me qëllim për t’u pasuruar në një kohë rekord, sa për ta siguruar vetën dhe farefisin. Ashtu ndodh kur një Shtet konsiderohet si një Supermarket gjigant nën qiell të hapur, ku çdokush vjen për të plaçkitur maksimumin e mundshëm. Reagim nuk ke, kundërpushtet nuk ke, çdokush është i shitur apo i blerë nga dikush.
Mund të vazhdon ashtu teatri i Beckettit dhe i Anton Pashkut edhe disa kohë.
Pra, Berluskoni sipas modelit politik, të cilin ia ka imponuar gjithë Italisë, e ka dirigjuar atë Shtet gjenial dhe me 2000 vite art, kulturë dhe inteligjencë, çka është kulmi i kulmit, si shembull i një rrëshqitje tragjike, tamam si Perandoria romake, diçka e paimagjinueshme… si të ishte Firma e tij private e biznesit. Ah, faleminderit miku im, se na ke mësuar mirë dhe për së mbari!
Po kështu vepron Donald Trumpi në Amerikë, dhe të gjithë populistat apo autokratët e veshur me kostumin e një gjysmë Diktatori, ngaqë formalisht kanë qenë të zgjedhur me vota të lira, porse në praktikë, i kanë monopolizuar apo konfiskuar të gjitha format e Pushtetit në duart e tyre: pushtetin ekonomik e financiar, politik, juridik dhe mediatik… kështu që kanë ngelur në realitet shumë pak mjete legale për t’i kundërshtuar. Në atë familje të bekuar e kemi: Erdoganin, Viktor Orbanin, Bolsonaro, Robert Fico, Boris Johnson, Geert Wilders, Jordan Bardella dhe Marine le Pen, Raoul Hedebouw, Javier Milei, Pingun, Putinin, Kim Jong Un…. të gjithë modele të demokracisë autentike skandinave. Me ndonjë stazh pune, aty-këtu në Gulag, sa për të medituar dhe për t’u rrezitur në verë! Po, po, dikush Popullist, dikush autokrat, dikush Diktator total, të legalizuar nga votat… por të gjithë fansa të Pushtetit absolut dhe sa më i koncentruar në duart e tyre.
Unë e privilegjova Trumpin, sepse Amerika është superfuqia e parë botërore dhe roli i saj është gjigant për ekuilibrat e këtij Planeti blu. Dhe tani, me ja dhënë Amerikën zotit Donald Trump, nuk është vetëm befasuese dhe e papërgjegjshme, por edhe katastrofike sipas meje, ngaqë je në dorën e një Njeriu komplet irracional dhe të paparashikueshëm, i cili shumë rrallë pranon për ta dëgjuar dikë… duke menduar në delirin e tij, që i di të gjitha më mirë se të gjithë ekspertët e vendit… siç bëri në periudhën e Kovidit, në takimin me liderin e Koresë së Veriut, i shndërruar në një skeç burlesk.
Pas një fushate elektorale, e cila ka kushtuar mbi 14 miliardë dollarë, përballë një Kamala Harrisi, simpatike, por e cila nuk kishte asnjë program politik të caktuar, pos me thënë: “Mos e votoni Trumpin, sepse do ja shihni sherrin!” dhe një Donald delirant, plot sharje, urrejtje, provokime dhe rrena, sikurse emigrantët që i hanë macat dhe qentë e tyre, që dhunojnë femrat dhe vjedhin çdo qytetarë të ndershëm dhe i bardhë, i cili punon dhe fiton lek…!” fitoj ky Klouni tragji-komik, sepse ishte më i harmonizuar apo i sinkronizuar me atë publikun e tij besnik, të Amerikës së thellë bazike, primare, katolike, antiestablishment, antiemigracion, antigjithçka, përpos dollarit, pushkës, vilës me pishinë, kopshtit me barbecue, birrat dhe stekin e pjekur… duke jetuar pak të mbyllur mes tyre… “Ah shit, na erdhi një zezak, një portorikan, një meksikan… keni kujdes dhe mban dorën në brez!” Muroseni shtetin, fortifikojeni nga invadimet masive të kriminelëve dhe të degjeneruarve.
Mirëpo, na pëlqej apo jo, a votuan lirisht 75 milionë amerikanë me 4 milionë vota përparësi, për një Berluskon amerikan, i ndërtuar me të njëjtën logjikë.
Nuk ishte në top apo e bindshme Kamala Harris-i, por së paku ishte normale, e shkolluar, ish Prokurore e Shtetit, zavendës Presidente, e kishte një farë logjike në kontinuitet me politikën e Joe Biden-it, dhe pos asaj, një farë pjekurie, bon sensi… më ndryshe. Kurse, me Donaldin, jemi në një aventurë të panjohur dhe të papritur fare, në një film të cilit as ai vet nuk ja di mirë skenarin, ngaqë improvizon si një postadoleshent i vonuar dhe mendon që politika mediatike bëhet përmes internetit duke tentuar përditë diçka… Po, le të pshurrim mbi New-York Times, Newsweek, Washington Post, CNN, e të tjerat media shumë më serioze dhe profesionale… Sepse duhet luftuar elitat me çdo kusht, tamam siç bënin diktatorët e kësaj bote, me e zhdukur inteligjencën, për ta privilegjuar servilizmin dhe mediokritetin patetik. Do e konservojmë pushtetin, përmes një propagandimi dhe shërbimi informativ të fuqishëm. Pra, vetëm ai që është dakort me mua dhe më shërben mua, pa shtruar asnjë pyetje është i mirë dhe i pranueshëm. Kurse gjithë të tjerët janë armiq! Jeta dhe marrëdheniet njerëzore janë Biznes dhe pikë!
Tani okay, na erdhi në Pushtet mjedis Washingtonit ai aventurier i biznesit, i cili i ka bërë 6 falimentime ekonomike, i telerealitetit, i miseve dhe i jet-setit, por për të bërë çka? Dhe çka është edhe më delirante, është fakti që ai Person i ka 34 akt-akuza apo dosje xhudiciare, ka provokuar disa skandale dhe sidomos atë invadimin e Kapitolit në Washington, dhe ja ku e kemi tani si President të Amerikës. Ec e merreni vesh kët logjikë! Kishit me thënë që jemi në një Republikë Bananesh, por jo në një demokraci të konsoliduar. Bota është në pikëpyetje… si do veprojnë tani që ka fituar dhe e ka ushqyer hakmarrjen e tij Mixha Donald Trump, pas kësaj fushate elektorale aq agresive, histerike dhe gati tribale nga aspekti i saj primitiv? Aq më tepër kur i ka të gjitha pushtetet në dorë, Kongresin, Parlamentin e deputetëve dhe Gjykatën Supreme. Waouw, shit Men! Paraqitet si i afërt me popullin e thjeshtë, i cili çohet herët në mëngjes, punon pa i kalkuluar orët e tij dhe më në fund mbijeton në mënyrë krejt modeste. Mirëpo, paradoksi është evident, ngaqë mister Trumpi është një miliarder, i cili jeton tamam në stilin e Berluskonit… atëhere, ku qëndron vërtetësia e atij pozicionimi? Por publiku, baza e tij elektorale në Amerikën të thellë periferike dhe provinciale, e banuar nga shtresat e bardha të klasave popullore apo të mesme, e besojnë, sepse natyrisht e ka inteligjencën intuitive për t’iu folur me gjuhën e duhur, e cila i prek dhe e kuptojnë. “A po e shihni, që po ju përbuz, po ju urren qeveria e Washingtonit, ajo elitë universitare e korruptuar dhe e privilegjuar, e cila ju konsideron si hiça apo si bagëti? Vetëm unë ju kuptoj dhe mundem për t’iu fuqizuar, për t’ua rikthyer atë krenari amerikane të dikurshme. Sepse, edhe mua më ka pasë urryer gjithë Establishmenti, ato Familjet e Mëdha elitare të New-Yorkut, kur ja fillova biznesit… duke më konsideruar si një aventurier vullgar dhe provincial i pavlerë, një gjysmë bandit. Dhe tani që jam President, të gjithë kanë për t’u përpi dhe për ta paguar, në një mënyrë apo në tjetrën. Sepse, polaku rrugaç dhe oportunist i paskrupul, u ba për të dytën herë President, motherfuckers! Unë jam sikurse ju, dua sa më pak intervenime shtetërore, lirinë totale për të ba atë çka të dua, për të investuar ku të dua, si të dua… për të zvogluar taksat në minimum, për ta taksuar gjithë botën e jashtme në maksimum. Jam një Tip anti-sistem dhe anti-establishment… jam për aventurën individuale e çuar deri në fund. Se ashtu është ndërtuar miti amerikan… ku fiton ai që guxon, që nuk frigohet, që merr riske, që merr iniciativën për të ba diçka, po duhet me e lënë totalisht të lirë, dhe mos me e penguar me 100 rregulla dhe taksa.” A moret vesh ? Jam kundër rregullave, kundër burokracive, kundër atributeve të Ministrive të kota si arsimi, kultura, etjera… Pos ekonomia, drejtësia dhe mbrojtja ushtarake, të tjerat do i kisha mbyllur të gjitha… ha, ha, ha… çojeni gotën e birrës! Jam kundra Natos, Kombeve të Bashkuara, kundër të gjitha Organizatave Internacionale, të cilat i konsideroj komplet fiktive dhe të kota, dhe të cilat po i financojmë pikë së koti me disa miliarda dollarë. Dhe Amerika po e mban 50 deri në 70 përqind financimin e tyre, si xhandar i Botës.
Le t’i ruajmë ato buxhete kolosale për ta përforcuar lidershipin amerikan. Pastaj siç e dini, jam kundër intervencionizmit amerikan kudo nëpër botë, sepse na kushton tepër shtrenjtë dhe le ta merr tani e pas çdo Shtet vetën në dorë… pa e thirrur babën e nënën për t’iu ndihmuar.
Çka mua më duket mjaft interesante si alkimi, si kombinim, është ajo aleanca mes Donald Trumpit dhe Elon Musk-ut… një miliarder konservator, patriarkal dhe mjaft reaksionar me klanin e tij, provincial dhe arkaik (pavarësisht të gjitha devijimet e tij të shumta që dihen mirë) po baza e tij ose filozofia e tij jetësore ka diçka antike, bile edhe të pluhurosur. Ndërsa Elon Musk është një personalitet po ashtu konservator në shumë gjëra, por pa tabu, një aventurier 100 përqind, gjenial në luhatjet e tij dhe sot është bërë një faktor kryesor në Astronomi, në industrinë spaciale, baraz me Nasa-n amerikane… Projektet e tija janë super futuriste, me turizmin kozmik, me Marsin, me inteligjencën artificiale… pra, është një person, i cili nuk i vnon vetes asnjë limit. Dhe ky kombinim i të dyve më duket mjaft interesant. Konservatizmi klasik me liberalizmin total dhe revolucionin teknologjik futurist! Varet tani se deri ku mund të shkojnë ky bashkëpunim mes të dyve dhe sesi ka për të funksionuar në praktikë? Mirëpo, janë disa gjëra që duhet me i pasë parasysh me Donald Trumpin dhe programin e tij. Ngaqë nuk ka surpriza dhe jemi të gjithë të paralajmëruar tash ca vite. Nuk mund të themi, që nuk e kemi pas ditë apo nuk kemi pasur kohë për t’iu përgjigjë këtij realiteti të ri… Jo, por kemi stagnuar në verbëri duke i ushqyer përçarjet tona kronike.

1.Amerika First… ky slogan është i vjetër, por mos harroni që çdo President e ka aplikuar pa asnjë rezervë fuqizimin e ekonomisë, të industrisë dhe të firmave amerikane me çdo kusht, me investimet masive të Shtetit amerikan dhe me disa masa proteksionizmi përmes taksave të ndryshme mbi produktet e importuara, sikurse makinat gjermane për shembull, të cilat i konkurencojnë ato të vendit. Çka do me thënë kjo konkretisht dhe unë habitem, sepse nuk është ndonjë surprizë, të cilën nuk e kemi pasë ditë? Absolutisht jo, bile është dashur tash ca vite që së pari vet Europa, të para përgatitet me seriozitet dhe t’i mendon disa strategji të përbashkëta puro evropiane, si një kundërpërgjigje. Pyetja dhe problemi është super i thjeshtë, o Miq. Europa e Bashkuar është një treg dhe një fuqi prej 450 milionë banorë, me një kulturë, një përvojë dhe një trashëgimi të vjetër dhe ultra të pasur. A dojmë me qenë soveranë, zota të shtëpisë dhe shefa të padiskutueshëm brenda territorit tonë evropian, me vendosë ne vetë për fatin tonë të përbashkët si evropianë?! A dojmë t’i mbrojmë të drejtat dhe modelet tona politike, ekonomike, ushtarake dhe stilin tonë jetësor, pra, civilizimin dhe demokracinë europiane… dhe për t’i marrë të gjithë sëbashku ato vendime të qarta, duke e ndarë buxhetin e duhur për t’i realizuar? Po apo Jo? Ose pastaj, gradualisht do na sundojë në në gjitha aspektet Amerika, Kina, Rusia, India dhe do shpërbëhemi gradualisht, do përçahemi, do na blejnë kusho dhe do të shitemi tek fuqitë imperialiste dhe dominatore, duke u shndërruar vetëm në një treg për ata, por duke qenë de fakto të kolonizuar në një mënyrë krejt tjetër? Pra, do jemi skllavët dhe shërbëtorët e superfuqive! Ky është krejt qartë, paralajmërimi amerikan për ne, po edhe rus, edhe kinez.
Dhe fitorja e Trumpit duhet të na shërbejnë si një lloj elektroshoku për t’u zgjuar dhe për të dalur nga narkoza e jonë. Po, po, edhe miku ose aleati jonë historik pas Luftës së Dytë Botërore, do për të na sunduar dhe skllavëruar, pa asnjë dyshim. Ka 20 vite që na ka lajmëruar por ishim të shurdhur dhe nën drogë apo nën iluzionet tona… e çka po prisni pastaj prej Rusëve apo Kinezëve, të cilët na urrejnë?

2.Kjo është një Luftë e hapur ekonomike, e deklaruar kundër Europës, si aleat apo si mik i supozuar, por një luftë e vërtetë pa kompromis as mëshirë… Amerika dëshiron ta restaurojë identitetin apo krenarinë e saj amerikane… USA – USA… Proud to be american… ose Born in the USA i kushëririt tim Bruce Springsteen… ngaqë, ka disa dekada, që ka ra prestigji i Amerikës nëpër Botë, autoriteti i saj, dhe Donaldi mendon ta ringjallë Mitin amerikan të Pionierve. Shteti i cili e dominon krejt Botën… Po qysh? Duke i kushtëzuar dhe kornizuar gjithë lëvizjet ekonomike dhe financiare të Planetit tokësor, sipas diktateve amerikane, sipas kushteve që na i ofrojnë ose më mirë që na i imponojnë… edhe pse dihet që lufta e tyre madhore do jetë natyrisht me Kinën dhe për zotërimin e detit indokinez.
Mirëpo, ideja e Trumpit është që ta restaurojë lidershipin absolut të Amerikës, duke i kontrolluar të gjitha flukset ekonomike dhe financiare, dhe duke e rikonfirmuar fuqinë e dollarit, përmes tregjeve dhe shkëmbimeve komerciale. Pastaj, duke e ushtruar kontrollin absolut, sipas dëshirave të tyre në organizatat ndërkombëtare të tregëtisë planetare, sikurse OMC dhe GATT. Por natyrisht, gjithë kjo strategji politike ultra dominuese dhe agresive, sidomos me Trumpin, do krijon patjetër tek Shtetet tjera të konsideruara si konkurente, një varësi ekonomike direkte apo indirekte ndaj Amerikës… Kështu, që duke i tërhequr të gjitha kapitalet e botës, investimet kryesore, duke e blerë pa asnjë problem trurin dhe gjenialitetin teknologjik të çdokujt prej Polit të Veriut deri te Poli i Jugut, do bëhet gradualisht Amerika një model i superfuqishëm dhe atraktiv për të gjithë, do jetë referenca absolute. Kështu që do jemi të nënshtruar në një farë neo-kolonializmi ekonomik. Ideja e tyre është për ta penguar me çdo kusht Unitetin ose Bashkimin Europian, i cili është urgjentisht i nevojshëm. Se për Amerikën, vetëm një Europë e Bashkuar dhe e vendosur mund të jetë në fushën ekonomike, një konkurent super serioz.

3.Për t’u tërhequr nga intervenimet ushtarake nëpër botë, duke mos e luajtur rolin e xhandarit, veç nëse ka diçka reale për të fituar, por jo për parime politike morale apo krejt në humbje. Do me thënë, që duhet me e harrue çadrën ushtarake dhe nukleare amerikane si evropianë, dhe duhet për ta futur në kokë, që amerikanët janë partnerë të luhatshëm dhe të pasigurt në rast konflikti serioz. Prandaj, si pasojë e kësaj, duhet jo vetëm për t’u armatosur, por për të krijuar një fuqi ushtarake europiane të përbashkët, si garant, kundër çdo provokimi apo pushtimi hipotetik.
Putini me invadimin e Ukrainës, a po e rrezikon sigurinë europiane, së pari Shtetet Baltike dhe Poloninë? Cilat garanti na japin neve amerikanët nëse do të ndodhë diçka brenda kufijve të Europës dhe Shteteve të Nato-s?!
Bile, vetë ato Shtete kanë filluar sot për ta kuptuar. Duhet patjetër për ta krijuar një forcë ushtarake europiane, rreth Francës dhe Anglisë, edhe pse ka dalë nga Bashkimi Europian, po duhet për ta pasur si partner ushtarak detyrimisht, sepse janë në lojë këtu fatet e gjithë Kontinentit europian, sovraniteti dhe siguria e tij në të ardhmën. Por kjo gjë, nuk bëhet ashtu në ajër, por e kërkon një iniciativë politike të fortë pas një mbledhje mes 27 shteteve e Unionit Europian edhe pse mos t’i bashkangjiten edhe ato të Ballkanit…?! Ideja është për ta krijuar një Aleancë Ushtarake të qartë dhe të konsoliduar brenda Europës, duke i privilegjuar Fabrikat europiane të armatimit dhe duke ju thënë të gjithëve, që moralisht nëse kualiteti është i afërsisht i njejtë, duhet për t’i blerë materialet ushtarake europiane, e jo amerikane… sepse, do krijosh varësi në riparime, pjesë motorri, etjera… Pra, do na duhet herët a vonë, një industri dhe një ushtri europiane, e kompletuar me gjithçka dhe e pajisur me materiale në top nivel.
Mirëpo, ky lloj vendimi e do një iniciativë politike të fortë, nga disa liderë europianë të cilët gëzojnë një autoritet të padiskutueshëm. Pra sipas meje, duhet që Franca, Anglia, Gjermania, Polonia, këta të katër, po se po, si bazë kryesore, por duke përfshirë edhe Italinë me Spanjën,
të jenë liderët e kësaj iniciative, për ta startuar një ushtri dhe një mbrojtje europiane të përbashkët, dhe natyrisht me një industri të fortë dhe ultra profesionale të armatimëve “Made in Europa” ose po ju nënshtrohemi superfuqive të tjera dhe pikë! Le ta zgjedhim opsionin më të mirë për vete dhe le ta dimë saktësisht se çka dojmë? Pastaj, pasi që të merret vendimi, i do së paku 10 vite për t’i pa rezultatet
e para, mos më shumë. Po sot, lidershipi europian ka ra nën zero!
Kur dihet simpatia personale që ka Donaldi për Vladimirin dhe për disa autokratë apo diktatorë të tjerë, kjo është mjaft shqetësuese.
Po ua rikujtoj disa Dosje super delikate dhe të nxehta në Botë:

Lufta në Ukrainë: si do veprojnë sipas jush dhe çka mund të pritet nga Donald Trumpi? Një deal si në biznes me Putinin, por çfarë deali?
Me i thënë Ukrainës, e cila ka qenë e agresuar dhe e pushtuar nga Rusia e Putinit në tokën e saj, dhe e cila ka sakrifikuar rreth 500.000 ushtarë deri sot për ta mbrojtur me një kurajo dhe dinjitet të paparë sovranitetin e saj, dhe të cilës, sipas Institutit të Statistikës franceze, INSEE, mes shkurtit 2022 në fillimin e invadimit rus, dhe deri nga fundi i qershorit 2024, Amerika ka investuar në këtë konflikt për ta ndihmuar Ukrainën 75 miliardë euro, ndërsa Bashkimi Evropian 39 miliard. Okay, por atëherë gjithë ky investim për ta mbështetur Ukrainën, pse?
Dakort, për të shitur armatime. Por pastaj, për ta pranuar humbjen e partnerit tonë, të cilin e kemi ndihmuar me lekët e takspagueseve tanë, dhe për ta vulosur me firma dhe me disa fraza diplomatike fine, fitoren e një diktatori sikurse Putini, duke i thënë: “po ta akordojmë 20 deri në 25 përqind të territorit të Ukrainës… por tani e pas, a po na jep fjalën se do rrish urtë, pa i agresuar të tjerët komshi!?!” Trumpi, mund ta bëjë pa problem, sepse nuk i bëhet vonë dhe nuk i dhimbet fare Ukraina, bile e konsideron si zonë proruse, e cila nuk lidhet me interesat amerikane. Porse si mund të justifikohet gjithë ai angazhim financiar i fuqishëm në favor të Ukrainës? Ku qëndron dinjiteti jonë? Po besueshmëria ndaj të tjerëve, po kredibiliteti? E braktisëm Ukrainën, siç vepruam me debilët mesjetarë të Afghanistanit, çka nuk e kap filozofinë e tyre asnjë lloj logjike njerëzore, por as fetare normale. I lamë miqtë tanë ukrainias në llucë, e më në fund i shitem në favor të Putinit, pasi investuam mbi 100 miliardë dollarë për t’iu ndihmuar. Kjo do të thotë shumë qartë, nëse do ndodh ashtu, humbja morale e Amerikës, e kredibilitetit të saj në fushën ndërkombëtare, me një fjalë e cila nuk do gëzon më asnjë kredit, dhe aq më rëndë, humbja e Europës, e cila do përballet në fazat vijuese me një rrezik përballë saj që quhet Rusia ekspansioniste e Putinit, i cili nuk do ketë arsye për t’i kufizuar ambiciet e tia, për ta rikrijuar Përendorinë e madhe mitike ruse apo ish Bashkimin Sovjetik. Dhe pa një Amerikë të sigurt dhe të vendosur, kush do e ndalë?
Absolutisht askush…

Lindja e Mesme: Konflikti izraelo-palestinez. Ne e njohim lidhjen e privilegjuar që ka Trumpi me Izraelin dhe me qeverinë aktuale të kryeministrit Netanjahu, me epizodin e ambasadës amerikane të transferuar në Jeruzalem, dhe më vonë në fushën diplomatike, me ato marrëveshjet e Abrahamit, të cilat ishte në prag për t’i pranuar edhe Arabia Saudite. Mirëpo, problemi palestinez ishte komplet i harruar ndërsa zgjerimi i kolonëve izraelitë nëpër territoret palestineze nëpër Cisjordani ishte në rritje e sipër, duke krijuar gradualisht me dhjetëra enklava izraelite për ta bërë praktikisht të pamundur nesër apo pas disa vitesh një Shtet palestinez. Bota i mbylli sytë sikurse Mixha SAM, deri në atë akt kriminal barbar jashtë çdo logjike njerëzore, i njerëzve të Hamasit, kur u futën në territorin izraelit afër kufirit, aty ku ishin më tepër Kibutzët dhe ku banonin pjesa më e majtë dhe pacifike e Izraelit dhe i masakruan pamëshërishëm dhe kafshërisht 1400 Persona me gra, fëmijë deri në beba, një horror i paimagjinueshëm, për t’iu gërditur çdokujt që është humanist normal. Por përmes atij akti ultrabarbar, erdhi përsëri çeshtja palestineze në planin e parë të aktualitetit botëror.
Izraeli, me qeverinë Netanjahu, e ekstremit të djathtë dhe ultra raciste, me disa Ministra, të cilët këtu nëpër Metropolet tona euiropiane do përfundonin direkt në gjykatë, duke përhapur publikisht një urrejtje ekstreme ndaj palestinezëve dhe duke bërë thirrje për t’i zhdukur deri në fund. Besoj që asnjë lider i ekstremit të djathtë europianë, nuk mund t’iu afronte atij fjalori dhe zonja Marine le Pen t’u kishte dukur përballë tyre si një social-demokrate daneze mjaft simpatike. Dhe e morën si pretekst atë kundërpërgjigjen e tyre ndaj veprimit kriminal dhe krejt i pafalshëm i Hamasit, për t’i masakruar rreth 50.000 palestinezë në rrypin e Gazës, shumica prej tyre, civilë me pleq, gra dhe fëmijë, e për t’i rrënuar komplet gjithë atë territor, për ta ba në realitet komplet të pabanueshëm, që të largohen vetvetiu Palestinezët prej atij rrypi dhe ta okupojnë gradualisht vetë Izraeli, ngaqë lidhet edhe me detin përafër. Ideja supozoj unë ishte qysh me i transferuar Palestinezët prej rrypit të Gazës, te një shkretëtirë dikund afër kufirit me Egjiptin? Kinse, për ta garantuar sigurinë e shtetit izraelit. Pastaj, mbi këtë problematikë të Gazës, vjen edhe Cisjordania, vatër tensioni, dhe shtoje pastaj edhe Hezbollahun në Liban, dhe Iranin me satelitët e tij deri në Yemen, pa harruar problematikën e bombës atomike. Pra, gjithë ai regjion i lindjes së mesme duke përfshirë botën arabe, Golfin dhe deri tek Irani janë në një tension të paparë, dhe përballën të gjithë me Izraelin. Dakort? Tani, pyetja është, sesi do e menaxhon Donald Trumpi këtë situatë? A do e shtyjë Izraelin që ta vazhdojë luftën me Hezbollahun në Liban dhe ta bombardojë Iranin, me instalimet e tija nukleare, natyrisht me mbështetjen e fuqishme të Amerikës, apo do e arbitrojë me diplomaci!?!
Janë dy dosje kapitale për ekuilibrin global të botës, sipas meje. Sepse, nëse vepron si kauboj plot përbuzje dhe urrejtje ndaj botës arabe, duke e mbështetur verbërisht një Izrael, i cili sot i ka kaluar konkretisht sipas meje të gjitha vijat e kuqe, pavarërisht simpatisë globale që mund ta kam për atë shtet dhe atë popull, kur ishte nën sundimin e Rabinit, apo Shimon Perezit, persona me të cilët ishte e mundur për të dialoguar dhe për ta firmosur një traktat korrekt për të dy palët… Por natyrisht, jo me ekipin aktual të Benyamin Netanjahut, të cilin vetëm lufta është duke e mbajtur në pushtet, përndryshe, ka kohë që do ishte i eleminuar nga skena politike, e aq më tepër nga Pushteti. A demisionoj para pak kohe edhe Ministrin e tij të Mbrojtjes!? Por duke qenë peng i fundamentalistave hebrej dhe i racistave ekstremë, nëse e mbështet verbërisht pa limit Donald Trumpi, si pasojë e kësaj padrejtësie flagrante, do i radikalizojë të gjitha opinionet publike arabe dhe do ua ushqejë të gjithëve urrejtjen ndaj Izraelit dhe Amerikës, dhe prej atij burimi do dalin patjetër disa terroristë të gatshëm për t’u sakrifikuar nga dëshprimi kronik, dhe nga fakti që askush nuk po ua propozon palestinezëve një alternativë të pranueshëm, një hapësirë për të jetuar në paqe… dhe kur i shton gjithë bombardimet dhe dramat që i kanë përjetuar tash ca dekada, si të ishin një Popull i mallkuar, prej nga viti 1948 dhe deri sot… a mund të pritet prej tyre që të na del nesër Gandi, Buda apo Krishnamurti? Pra, vetë Amerika dhe Europa, duke ua hapur dritën e jeshiltë qeverive izraelite për të vepruar siç të dojnë ata vetë, me mbështetjen e tyre dhe duke ua garantuar një impunitet mbi çdo krim, ekzagjerim, masakër të kotë, devijim, kolonizim i tepruar, e të tjera… dhe pa ju thënë kurrë: “Hej, stop, ju kemi miq dhe aleatë, ju mbështesim, por kështu me këto veprimet tuaja, nuk bën dhe nuk jemi dakort… tash e pas, keni për të vepruar pak më ndryshe, dhe për t’u përgatitur për një dialog serioz me pjesën palestineze, nën garancinë tonë, ose do ua zvoglojmë të gjitha buxhetet, a morët vesh?!” Në një moment duhet me dalë nga ajo posturë hipokrite, aq më tepër me ata që i ke miq historikë. Për t’i rikthyer në rrugën normale diplomatike dhe humaniste. Kurse sot, çka e dallon qeverinë aktuale të Netanjahut, me një shtet terrorist? Vret kë të dojnë në çfarëdo shteti sovran, masakron dhe bombardon kë të dojë, a mund ta imagjoni 50.000 viktima në Gaza dhe një vend komplet i rrënuar si të ishte Gjermania e Hitlerit nga fundi i luftës. A është sipas jush demokratikisht dhe si humanista i pranueshëm, ky lloj veprimi? E kush e denoncon në metropolet e mëdha? Kush merr masa kundër Izraelit? – Jo por m’i vra 1400 veta terroristat e Hamasit, dhe tani kjo është përgjigja e tyre? Ec tani dhe del nga ky oqean plot urrejtje, i ushqyer në të gjitha anët nga të gjitha palët!

Deti Indokinez… Kina dhe Taiwani… plus dy Koretë! Kjo është dosja e tretë, e cila do ta preokupon seriozisht Amerikën dhe administratën e Trumpit, i cili i ka pasë deklaruar një luftë ekonomike gjatë mandatit të tij të parë, Kinës. Por tani është në pyetje edhe kontrolli i detit indokinez, ekspansionizmi kinez, i cili po ju pushton disa ishuj komshinjve… Filipinet, Vietnami, Japonia, dhe natyrisht problemi me Korenë e Veriut dhe të Jugut, ngaqë mos të harrojmë që Amerika, i ka disa aleatë dhe ca baza ushtarake në atë rajon të botës aziatike. Dhe mbi këtë konfrontim mes dy gjigantëve për kontrollin detar, vjen edhe çeshtja e Taiwanit dhe invadimin e ishullit nga trupat kineze.
Si do veprojë Amerika e Donald Trumpit në at rast? Pastaj, si mund ta garantojë Korenë e Jugut si aleat historik, kundër Koresë Veriore, superagresive dhe sot aleat me Rusinë, dhe shtetet “Bricks” çka quhet Jugu Global, kundër bllokut amerikano-perëndimorë europianë. E nuk po flas pastaj për Ballkanin me problemet e tij të mbrendshme. Po me një President amerikan komplet të paparashikueshëm, i cili mund të thotë sot “bardhë” dhe nesër “blu” pa asnjë problem… askush nuk mund ta dijë sesi do reagojnë dhe cilat vendime serioze do i merr në emrin e Amerikës? Duke shpresuar që stafi i tij, këshilltarë, ministra, state departament i shtetit, Pentagoni, e kanë deri diku nën kontroll!
Por ky është sinjali i alarmit, elektroshoku sipas meje, për të gjitha shtetet europiane: që ka mbaruar seanca e kanabisit dhe të kokteleve në plazhat e Saint-Tropesë, dhe që tani duhet me lëvizë dhe me i marrë vendimet e duhura për të dalë nga vartësia ndaj Amerikës, ndaj Rusisë dhe ndaj Kinës… duke e favorizuar një industri, një ekonomi, një prodhimtari, një politike energjetike, shëndetsore dhe ushtarake sa më shumë që është e mundur, “Made in Europa”.
Bile presidenti francez Macron ju foli tamam siç duhet partnerëve të mbledhur në Budapest duke ju thënë kështu: “Shikoni o Miq, sikurse në natyrë, ka disa Shtete të cilat e kanë de fakto një përbërje karnivore ose mishëngrënse, dhe disa të tjera që janë barngrënse. Porse ligji biologjik apo anatomik i natyrës nëpër savane bën që Luani i ha dhe i frikëson të gjitha Kafshët e tjera… Kështu ndodh edhe në politikë, ku disa shtete që llogariten si superfuqi, e kanë si të tillë një apetit të pangopur, duke qenë mishëngrënse dhe herët a vonë, do i hanë shtetet barngrënse, se nuk mund t’ua ndryshojë askush logjikën e funksionimit natyror. Kështu, që tani e vetma pyetje që duhet t’ia shtrojmë ne europianët vetes për momentin është kjo: Cilës kategori dëshirojmë t’i bashkohemi, a dojmë me qenë Shefa, me sundue, e me zotërue fatin tonë, apo me na përpi të tjerët derisa të bëhemi me kohë skllavë dhe shërbëtorë të tyre, brenda një Europe të shndërruar në një treg shitjesh dhe blerjesh?

Tani i gjithë problemi me një Francë të ligështuar dhe një Gjermani aq më tepër me Scholtz-in, i cili dështoj edhe më zi, është për ta startuar atë proces seriozisht… Se tani sa të na vijë lideri i C.D.U-së, dhe t’ia dimë filozofinë e tij politike, do i humbim përsëri 6 muaj, mos 1 vit…
Anglia është out, po na duhet për armatime. Poloninë duhet ta vendosim në rrethin e parë të shteteve bazë me Francën dhe me Gjermaninë. Mirëpo, paralelisht, i kemi në skenën europiane, disa persona sikurse Viktor Orban, me disa populista të tjerë, të cilët çojnë ujë në mullirin e huaj dhe janë gati zëdhënësa të Putinit. Dhe duhet për t’i futur nën disa presione ekonomike gradualisht komplet jashtë loje.
Kështu, që shtrohet shumë qartë pyetja e Lidershipit europian! Kundër Rusisë së Putinit, ambicieve të tij, jemi pak të kufizuar dhe hapësira e manovrimit e Europës është e vogël. Kurse Amerika e Donald Trumpit, i ka disa karta në dorë, nëse e biseson me të ndonjë deal: së pari mundet t’i propozojë për t’i hequr sanksionet ekonomike, kundër një favori tjetër Iks… dhe së dyti, mundet për t’i thënë “Eja dhe welcome përsëri si Person non grata që ishte deri dje, në skenën ndërkombëtare me të gjithë respektet dhe nderimet e duhura dhe kjo natyrisht nuk mund ta lërë Putinin krejt indiferent… Tani kundër këtyre dy favoreve esenciale, duhet për ta pa, se cilat koncesione mund të na i lëshojë Presidenti rus… dhe aty qëndron e gjithë mjeshtëria.
Me këta Klounë aktualë që i kemi sot në Europë është mjaft problem shqetësues, por fatkeqësisht nuk e kemi Charles de Gaulle, as Winston Çurçillin për ta definuar një politikë të qartë europiane në interesin e të gjithëve, dhe për t’i fiksuar rregullat e atij bashkëpunimi.
Por për mua, me fitoren e Donald Trumpit, shtrohen pyetjet esenciale:
Çka do me thënë sot politika, qeverisja, pushteti? Çfarë sensi kanë?
Ku kanë ra sot demokracitë e vërteta alla Beneluks dhe Skandinavi?
Pse janë fuqizuar rrymat dhe partitë populiste, raciste, shoviniste, nacionaliste, autokratike, diktatoriale, ekstremiste, fundamentaliste?
Pse ka fituar cirkusi, spektakli vulgar, moskompetenca, primitivizmi, rrena, mashtrimi, uzurpimi, hipokrizia mbi inteligjencën, kulturën dhe sinqeritetin, vërtetësinë objektive të gjërave? Kush e ka fajin?
E si do dalim nga gjithë ky vorbull tepër shqetësues dhe i rrezikshëm?
E ndërkohë deshëm apo nuk deshëm: Rroftë Dekadenca globale!
Kalofshi mirë dhe po ju propozoj ta pleqëroni me mua gjithë këtë problematikë, me një shishe verë dhe disa pula të pjekura.

Skënder Sherifi
Bruksel, me 12 nëntor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.