Njeriu që u përball me përbindshin diktaturë…
Në qershor të vitit 1989, Shqipëria ishte ende diktaturë… ende Muri i Berlinit ishte në këmbë, ende Çausheskët ishin gjallë dhe euforikë, ende Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia të aq shumë Republikave mbaheshin me shpirt nëpër dhëmbë…
Tienanmeni ishte nji shesh i madh qikllopik, që dikur përmendesh pothuaj përditë në shtypin shqiptar… Por, e pabesueshmja ndodhi befas at fillimverë… ndërsa komunizmi sundonte gjithkah me panxhë të hekurt, Tienanmeni kish ra në duart e studentëve kinezë… Nji ëndërr apo e vërtetë, shumëkujt sot mund t’i duket çudi… por aty në at shesh liria pagoi nji taksë gjaku, për të cilën flitet pak… pr mund të thuhet se prej aty ka nisur rënia e njipasnjishme e diktaturave…
Me nji vesh te “Zëri Amerikës” dhe me sytë ngulur në ndonjë kanal jugosllav apo italian (meqe ishte verë) Ai, njeriu i vogël që u doli para karvanit të madh të tankeve hyri jo veç në sytë dhe mendjet tona, po u ngul në shpirtrat tanë, edhe atje në skëterrën e kampeve… Ajo ngjarje mbetet nji imazh i pashlyeshëm në kujtesën time… e ndërsa tanket spostoheshin për të mos e shtypur, Ai shtyhej të mos i linte të kalonin…
Ai… nuk i la të kalonin…
Nuk mundem ta harroj atë djalosh jeta dhe fati i të cilit edhe sot e kësaj dite mbetet mister… Por, çfardo misteri që të ketë jeta e tij, në historinë e kësaj bote ai do të mbetet njeriu që ndali tanket e nji superfuqie ushtarake dhe komuniste siç ishte Kina…
Mbas kësaj dite, dhe mbas kurajos së këtij njeriu të vetëm, diktaturat nuk qenë më as aq të përbindshme dhe as aq të pathyeshme…
Nderim këtij njeriu… ose më mirë kësaj legjende që mbetet simbol lirie, e që e ka nji statujë të gdhendun edhe brenda meje…
Jozef Radi, 5 qershor 2014
Çfarë ndodhi me burrin që i doli para tankut
në sheshin Tien An Men
Në 25-vjetorin e ditës përkujtimore të shtypjes së dhunshme të protestave në sheshin Tiananmen, një burrë u bë dhe mbeti ikonë. Por cili është ai dhe çfarë ka ndodhur me të?
Teksa tanket rrotulloheshin në sheshin Tienanmen të Pekinit, protesta jo e dhunshme një burri u bë imazhi më i fuqishëm dhe më i njohur i lëvizjes së protestës.
Burri, që mbante në duar një çantë pazari, e gjeti veten përballë një kolone të dhjetra tankeve të modelit 59, në 5 qershorin e vitit 1989, të nesërmen pasi ushtria shtypi me dhunë protestat në shesh.
Kamerat e CNN kapën momentin kur burri qëndroi i patrembur përballë makinave të luftës, duke tundur qeset në shenjë mbrojtjeje. Kjo fotografi është bërë ikonë dhe prezanton fuqinë e njerëzve të zakonshëm përballë regjimeve shtypëse.
Po kush ishte Burri i Tankut? Dhe çfarë ndodhi me këtë rebel të panjohur që rrezikoi jetën për të protestuar kundër qeverisë së tij? Ja çfarë dihet:
Kush ishte ai?
Identiteti i vërtetë i Burrit të Tankut, i cituar gjithashtu si Protestuesi i Panjohur, nuk është konfirmuar kurrë. Ai është emërtuar si studenti 19-vjeçar Wang Wei Lin nga gazeta Sunday Express, por nuk ka prova që zbulojnë emrin e tij të vërtetë.
Çfarë ndodh me të?
Fati i Burrit të Tankut është po aq i pasigurt sa emri i tij. Kanë qarkulluar raporte të kundërta në lidhje me mbijetesën, burgosjen dhe ekzekutimin e tij që prej ditës së protestës, por disa pjesë informacioni janë të vlefshme për t’u marrë në konsideratë.
Mundësia
Jiang Zemin, që u bë më pas president i Kinës, u pyet në lidhje me Protestuesin e Panjohur nga legjenda e lajmeve ABC News, Barbara Walters. Ajo, i tregoi Jiang, atëherë sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste, një fotografi të Wang Wei Lin dhe e pyeti se çfarë ndodhi me të.
Pas disa shmangiesh të kujdesshme mbi pyetjen, zyrtari tha se ai nuk e dinte nëse burri ishte arrestuar. Por tha se Burri i Tankut nuk ishte vrarë kurrë. Kjo ishte deklarata e fundit që ai bëri mbi këtë çështje, por shumë pretendojnë se pikërisht Jiang Zemin kishte dhënë një urdhër sekret që burri të gjendej dhe të ekzekutohej.
Ka vdekur?
Pavarësisht pretendimeve të Jiang Zemin, do të ishte e çuditshme nëse Burri i Tankut të paktën nuk do të jetë arrestuar. Duke folur për një dokumentar të vitit 2006, fotoreporteri Charles Cole tha: “Jam shumë i sigurt se njerëzit e Byrosë së Sigurisë Publike e kapën atë. Ata ishin në majat e çative me dylbi dhe radio dhe po kontrollonin të gjithë zonën përreth sheshit, ashtu siç kontrollohen operacionet ushtarake”.
I pyetur se çfarë mund t’i kishte ndodhur protestuesit nëse burrat e Byrosë do e kishin kapur, ai tha: “Epo, mendoj se do të ekzekutohej. Ne pamë shumë ekzekutime publike në televizionin kinez pas protestave, dhe roli i tyre kishte qenë shumë më i vogël dhe më pak turpërues për qeverinë”.
Është ai gjallë?
Por autori dhe gazetari Jang Wong, nuk bie dakord dhe thotë: “Nuk mendoj se ata e kapën atë, do ta kishin shfaqur… Nëse keni parë ndonjëherë njerëz të sigurisë që merren me një qytetar kinez, ata janë shumë brutalë. Ata të ndrydhin krahun. Të shtrinë përtokë. Të qëllojnë disa herë. Të shkelmojnë. Ndaj, për mendimin tim ai u ndihmua nga ana tjetër e rrugës. Ai nuk është arrestuar”.
Një raport në Apple Daily të Hong Kongut thotë se ai u largua nga vendi, ia mbathi në Tajvan dhe ka jetuar atje si këshilltar i gjërave antike në muzeun kombëtar të vendit.
U ekzekutua?
Asistenti i veçantë i Riçard Nikson (Richard Nixon), Brus Hershenson (Bruce Hershensohn) mbajti një fjalim në Klubin e Presidentit ku pretendoi se Burri i Tankut ishte ekzekutuar 14 ditë pas protestave.
Artikulli i Sunday Express, që dha edhe emrin e tij përfshinte disa citime të miqve të protestuesit ku thuhej se ai kishte vdekur, por kjo nuk është provuar nga burime të tjera lajmesh.
Me kalimin e viteve, është përfolur se ai është vrarë nga skuadrat qëlluese disa muaj pas protestave në sheshin Tiananmen.
.
Gazeta ekspres 5 qershor 2014.