back to top
5.5 C
Tirana
E mërkurë, 6 Nëntor, 2024

Chekhov – Nji letër e veçantë… lexue mbas 130 vitesh – Desantila Qerimaj

Gazeta

Anton Chehov (1860-1904)
Anton Chekhov (1860-1904)

Nji letër e veçantë… lexue mbas 130 vitesh

nga Desantila Qerimaj

Shpesh na lind pyetja se ç’kuptim ka shprehja me kenë njeri i kulturuem: me lexue? me pikturue? me ditë çka asht muzika apo me i ra ndonji vegle muzike? me njoftë botë – qytetnime e shtete, apo me u ba psikolog, avokat, me kenë intelektual e të tjera vlera t’pafundme si këto? Simbas botkuptimit të Chekhov, në nji letër që ai i shkruen të vëllait të vet artist thotë se: “…kultura e njeriut përbahet prej nji game sjelljesh e ndjenjash t’përpunueme gjatë e me kujdes, siç asht me dashtë, me kuptue, me respektue, me kenë i sinqertë e shum vlera tjera, t’cilat për nga përmbajtja kërkojnë nji punë mjaft të madhe shpirtnore e ma tej… Veç kshillave të kjarta e të kuptimta mbi vlerat njerzore, shkrimtari thekson se ka tetë pika kryesore që nji njeri duhet me plotsue për me u quejt njeri i kulturuem, duke nxjerr në pah në kët letër të rrallë, edhe dashninë e tij të përkushtueme ndaj të vëllait. “Spikasin” momentet kur ai shprehet: “randë dhe kjartë”, pa asnji lloj zbukurimit, e ku të vërtetën e cilëson si miken ma të afërt…

Desantila Qerimaj
Desantila Qerimaj

Mendoj se në kohën kur asht shkrue kjo letër, ka pasë thjesht nji synim personal për Chekhov, por e lexueme në ditët e sotme, mbas gati 130 vjetsh, ajo merr tjetër vlerë dhe po qarkullon gjithnji e ma shum në mjaft site të botës së internetit…
Mos ndoshta njerzimi sot ka nevojë me i rifreskue konceptet rreth asaj çka quhet kulturë e njeriut?! O mos ndoshta të qenunit i kulturuem sot përban nji botkuptim krejt të ndryshëm prej atij të Chekhovit të mbetun në letër…?!?
Anton Pavlovich Chekhov (Anton Pavloviç Çehov 1860-1904), mjek, dramaturg, eseist nji ndër figurat ma të shqueme të letërsisë ruse dhe ndër autorët ma të spikatun në historinë botnore për tregimet e tij të shkurta, ia shkruen letrën e maposhtme të vëllait Nikollaj Chekhov, asokohe 28 vjeç, dy vjet ma i madh se Antoni. Nikollaj ishte artist, (piktor) po i alkolizuem, tuj çue kështu nji jetë të paekuilibrueme. Shpesh ndër momentet ma t’vshtira të jetës, janë pikërisht njerzit ma të dashtun ata që na e thonë në sy t’vërtetën e hidhun… por “të domosdoshme”, e kjo asht nji ndër shum arsyet pse e përzgjodha kët letër, pse mendoj se asht me vlerë me e sjellë kët “gur të çmuem” edhe në gjuhën shqipe.
Jam e sigurt se ka me ju pëlqye!
21 gusht 2014

Vlleznit Chekov: Anton e Nikollai 1882
Vlleznit Chekhov: Anton e Nikollai 1882

Shkrimtari Anton Chekhov i shkruen

të vëllait piktorit Nikollaj Chekhov…  

***
Moscow, (Moskë) 1886.
Shpesh m’je ankue që njerzit “nuk të kuptojnë”! Goethe (Gëte) dhe Newton (Njuton) s’janë ankue kurrë për nji gja të tillë… Veç Jezu Krishti asht ankue për kët, por ai flit’te për doktrinën e tij e jo për vedin… Njerzit të kuptojnë krejt mirë. Dhe nëse ti s’e kupton vedin, kjo s’asht faji i tyne.
Të siguroj, si vlla dhe si shok, që t’kuptoj dhe të ndjej me tanë forcën e zemrës teme. I njof cilësitë tueja të mira, ashtu siç njof pesë gishtat e dorës teme; dhe i vlersoj e respektoj ato thellsisht. Nëse dëshiron me ta vërtetue se të kuptoj, mundem edhe me t’i rrjeshtue kto cilësi.
Mendoj se je i dashtun deri n’pikën e butësisë, bamirës dhe joegoist, i gatshëm me nda qindarkën e fundit; s’ke as lakmi, as urrejtje ndaj kërkujt; je zemërbutë e t’dhimbset njieri e shtaza; je i besueshëm, s’ke as fyemje e as mashtrime, dhe s’je aspak i djallzuem… Ti ke nji dhuratë të atillë prej Nalt, si pak njerëz n’botë e kanë: Ke talentin! Ky talent të vendos mbi miliona njerëz, pse n’tokë veç nji ndër dymilion asht artist. E talenti jot asht ai që të “veçon”! Po edhe nëse do t’ishe bretkocë a merimangë, njerzit do të t’respektojshin, sepse talentit i falet shumçka!
Ke dështue në nji pikë: Pavërtetsia e pozitës tande, jo-lumtunia jote dhe gëlbaza e zorrëve tua janë pasoja të ktij dështimi e që ka lidhje me:  Mungesa e kulturës së vërtetë.
Ndjesë të lutem vëlla, por “veritas magis amicitiae…”1*. A e din, se jeta ka kushtet e veta. Dhe me u ndje mirë midis t’njerzve të edukuem, me u ndje i lumtun tuj jetue në nji shpi me ta, njeriu duhet me kenë i kulturuem deri në nji masë t’përcaktueme mirë. Asht e vërtetë, talenti t’ka vendosë në njifarë rrethi, dhe ti i përket atij, por… tuj u tërhjekë sa ma larg ktij rrethi, je luhatë midis   njerzsh të kulturuem dhe qurraçash vis-a-vis.2*

Nikolay Chekhov - Vejusha e Re
Nikolay Chekhov – Vejusha e Re

Njerzit e kulturuem, simbas meje, duhet me përmbushë kushtet e maposhtme:
Së pari, ata të respektojnë personalitetin njerzor, e për kët janë gjithnji t’njerzishëm, të dashtun, t’sjellshëm dhe t’gatshëm me iu dhanë të tjerëve. Ata s’shpikin shkaqe pse shofin nji çekiç a nji copë gomë fshirse t’humbun (ardhun prej Indiet). Nëse jetojnë me tjerë ata s’e quejtë kët gja sikur po u bajnë nder atyne, dhe tuj ikë, ata s’thonë: “Askush s’mundet me jetue me ty!”. Ata e falin edhe zhurmën dhe të ftoftin, edhe mishin e thamë, edhe ironinë kur kanë të huej në shpinë e tyne…
Së dyti, ata s’ndjejnë keqardhje veç për lypsat dhe micat. Zemra e tyne dhemb për gjithçka sytë s’mbrrijnë me e pa… Ata rrijnë çuet natën me ndihmu me U…3*, me pague Universitetin e vllezënve të tyne, e me ble tesha për nanën!
Së treti, ata e respektojnë pronën e tjetrit, dhe për kët i paguejnë krejt detyrimet e tyne.
katërti, ata janë të sinqertë, e i druhen rrenës si zjermit. Ata s’rrejtë as për gjanat ma të vogla. Nji rrenë asht fyese për ndigjuesin dhe e vendos atë në nji pozicion ma të ulët në sytë e folësit. Ata s’luejnë teatër, po njashtu si sillen ndër shpija, sillen edhe n’rrugë, ata s’kapardisë” para shokve të tyne t’përulun.
Ata s’janë të dhanun mbas flluskave e s’i msyjnë ato me krejt forcën e besimit të tyne kur kjo gja s’u pëlqen të tjerëve. Për respekt të veshëve tjerë ata ma së shumti rrinë në heshtje se sa t’flasin.
Së pesti, ata s’e nënçmojnë vetvedin me ju me ngjallë tjerve dhimbsuní. Ata s’luejnë me telat e zemrave t’njerzve, me i ngashërue ata e mandej me i trajtue sa shpirtgjansi. Ata s’thonë “Jam i keqkuptuem”, o “Ndjehem i dyti në listë”, pse e tana kjo asht përpjekje e shkujdesun, vulgare, qëndrim falls…
Së gjashti, ata s’mburren për me u dukë, s’i bahet vonë kujt për diamantat edhe ma të çmuem, tuj i dhanë dorën të dehunit P…4*, se nuk i bahet vonë kujt me ndigjue shpërthimet e nji spektatori të dishruem për  kinema, apo atij që don me u ba i njoftun ndër taverna. Nëse ata mbrrijnë me fitue vlerën e nji qindarke ata s’krekosen kurrë a thue se kan fitue njiqind rubla, dhe nuk ngrehalucen kur kanë të drejtë me marrë pjesë atje ku tjerët s’lejohen… Të talentuemit e vërtetë, edhe midis turme, rrinë gjithnji në hije, dhe sa ma larg t’jetë e muejtun prej reklamës… sepse edhe Kryllovi thotë: “Nji fuçi boshe ka jehonë ma të fortë se nji e tillë plot!”
Së shtati, nëse kanë talent, e respektojnë atë. Ssakrifikojnë për hir të tij gratë, pijet, mendjen e madhe… Ata janë krenarë për talentin e tyne… e veç ksaj ata janë edhe tejet të rafinuem.
Së teti, ata e përsosin ndjenjën estetike në vedvedi dhe s’i zen gjumi me veshjet e përditshme, kur shohin mure të çamë mbushë me insekte, kur frymmarrin ajër të ndytë, kur ecin ndër sipërfaqe  mbushë me pshtyma, kur gatuejnë ushqime ndër furra të lëtyrta. Ata zhyten në thellsi të gjithçkaje me mujtë me i frenue e me e fisnikrue instinktet seksuale… pse s’asht fjala veç nji shoqeshtrati, ajo çka ata kërkojnë te nji grue… Ata s’lakmojnë asnjilloj mençunie që shfaqet përmes rrenash t’vazhdueshme. Nëse janë artista ata kërkojnë të veçantën, freskinë, elegancën, njerzoren, forcën e ndjenjës së amësisë… Ata s’bajnë gargare me vodkë në tana orët e ditës e të natës, ata s’i fusin turinjtë ndër rafta, pse s’janë derra dhe ata e dinë që s’janë. Ata pijnë veç kur janë të lirë, e simbas rastit… sepse ata dëshirojnë: “mens sana in corpore sano…”5* e kështu me rradhë.

Kjo asht ajo çka njerzit e kulturuem janë. Me qenë i kulturuem do me thanë mos me ndejtë në nivelin e asaj çka të rrethon, e s’mjafton aspak me pasë lexue: “The Pickwick Papers” o me recitue bukur ndonji monolog të “Faust-it”…
Ajo çka duhet asht punë e vazhdueshme, ditë e natë, lexim i vazhdueshëm, studim, vullnet… çdo orë, çdo sekondë asht e artë me e bà kët gja…
Eja te ne, theje copash njat shishen e vodkës, dhe ulu, qetsoju… lexo Turgenevin, nëse t’pëlqen, edhe pse ti e ke lexue.
Duhet të hjekësh dorë prej kotësisë tande, se nuk je fëmi… Shpejt ke me qenë tridhjetë vjeç.
 Je në kohë!
Unë të pres… Ne të tanë të presim.
Përkthye nga Desantila Qerimaj – (Version anglisht i marrun prej Constance Garnett)
* * *
Shënime:
1*Veritas magis amicitae – E vërteta asht mikja ma e mirë.(Lat.)
2*Vis-a-vis – Sy më sy.(Frengj.)
3*Ata rrinë çuet natën për me ndihmue me U… ndoshta Chekhov i referohet ndihmës për ndonji të smunë per nevoja personale.
4.*P… (Shënim i C.Garnett), ndoshta asht fjala për Palmin nji poet minor.
5*“Mens sana in corpore sano” – Mendja e shëndoshë në trup t’shëndoshë. (Aforizëm Latin)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.