back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 2 Nëntor, 2024

Çmime… dhe përçmime! nga Agron Gashi

Gazeta

Musa Ramadani - Profeti nga Praga - Roman
Musa Ramadani – Profeti nga Praga – Roman

Çmime… dhe përçmime!*

nga Agron Gashi

Sot, në ditën e lindjes së Franc Kafkës, ju kujtoj këtë roman të Musa Ramadanit, i cili ishte fitues i Çmimit “Kadare” për vitin 2017.
Musa Ramadani, çmimin e mori të plotë, pra nuk iu nda. Ndërsa, paratë, vetëm një pjesë, edhe pse ky çmim (me kontratë) është 10 mijë euro. Pra, shkrimtari ynë, i sëmurë, vetëm ata që e njohin e dinë, shkoi për t’u nderuar, por edhe për t’i nderuar, në Tiranë, çmimin e mori, iu dha edhe kontrata, por “pjesa tjetër e çmimit”, u avullua.
Vërtet kjo është e padrejtë, aq sa e padrejtë të luhet me çmimin dhe emrin Kadare!!!
.
P.s. mediet mund ta verifikojnë.
Plotësim: Ky status u bë pas rikonfirmimit për të satën herë nga vetë Musa Ramadani.
 
Cmimi Kadare - 2017
Cmimi Kadare – 2017

***

“Romani i Musa Ramadanit i titulluar “Profeti nga Praga” është roman për fatin e artistit në përgjithësi dhe shkrimtarit Franc Kafka në veçanti.
Shkrimtari hebre-gjermano-çek, Franz Kafka, pas 41 vitesh nga humbja, në 82-vjetorin e ngjizjes, krejt befas rishfaqet në vendlindjen e tij. Vizione krejt të vonuara, copëza reminishencash nga takimet me mikun e humbur, kthimi në shtëpinë e lindjes, fanitjet, kujtimet fëmijërore etj. bëhen objekt trajtimi të këtij romani.
“Profeti nga Praga” ka elemente dokumentare, i ndërtuar pjesërisht mbi shenjat biografike të Kafka-s, por edhe metafizike dhe mistike. Mbi të gjitha, procedimi i romanit në fjalë është realizuar sipas strukturës së skenarit të një filmi të metrazhit të gjatë, ku Ramadani shtrin vokacionin e tij narrativ prej pikëvështrimesh të ndryshme narratologjike.
Krejt narracioni ndodh në kohën e tashme, përmes së cilit Kafka si njeri, si shkrimtar dhe si personazh rikthehet në moshën që ka vdekur, duke kërkuar vendet që i ka dashur, një rinjohje kjo me miqtë, librat, të dashurat dhe familjarët. Ai herë del në rolin e narratorit, herë në rolin personazhit, duke e veshur romanin kështu me një tis të madh fiksional, por gjithnjë duke i ruajtur të sakta referencat kontekstuale, si: emrat e njerëzve, rrugëve, lokaleve, librarive, muzeumeve dhe toposeve të tjera, një empiri kjo autoriale e Ramadanit alla Umberto Eco, e provuar me kërkimet e tij për “Lavjerrësin e Fukosë”.
 
“Profeti nga Praga”, edhe pse në dukje fokusohet te një personazh, rreth tij sillen shumë storje për artin, kulturën dhe letërsinë evropiane. Autori, me erudicionin e tij na ofron një prozë që i ngjan një enciklopedie letrare me referenca të llojllojshme nga Talmudi, Zohari e Tora e deri te librat në gjuhën çeke, gjermane dhe hebraike. Duke qenë i tillë, në të gëlojnë format dramatike, muzikore, letërsia epistorale, imazhet kinomatografike për t’i dhënë konturat e një romani sintezë të kulturës dhe letërsisë së përbotshme, e që figurativisht ka intencë të paraqesë edhe fatin e artistit në botën shqiptare. Strukturalisht, romani kapërthen tri plane: Kafka si rrëfimtar i jetës së tij, Kafka në relacion me qarqet letrare e kulturore të Pragës dhe Kafka në relacion me familjen.”
.
Shkrimtaret Musa Ramadani & Ismail Kadare
Shkrimtaret Musa Ramadani & Ismail Kadare

Raportet krijuese midis Tiranës dhe Prishtinës

kanë sjell tek ky nënçmim

nga Jusuf Buxhovi

Çmimi “Kadare” i cili jepet tash e sa vite nga Universiteti Europian i Tiranës, i mbështetur nga Institucioni Europian Pashko, që përveç emrit të shkrimtarit Ismail Kadare, si çmim kap vlerën 10.000 euro, përcjell KultPlus.
Pikërisht kjo shumë është arsyeja që është bërë shumë zhurmë këto ditë, për vetë faktin që fituesi i këtij çmimi, para dy vjetësh ishte shkrimtari Musa Ramadani, me romanin “Profeti nga Praga”.
Ka dy vjet që autorit në fjalë nuk i janë paguar paratë e këtij çmimi, por vetëm 50% e tyre. Merret vesh se, edhe kjo pagesë e përgjysmuar i është bërë me rata, pas shumë përpjekjeve dhe ankesave nga të afërm të autorit.
Në rrjetin social Facebook, Agron Gashi, me vetë konfirmimin e shkrimtarit Ramadani, ka shënuar për këtë problem, ku pas publikimit kanë reaguar edhe shkrimtarë, publicistë, emra të njohur të letrave shqipe.
Po ashtu, ka reaguar edhe shkrimtari dhe historian, Jusuf Buxhovi: “Më vjen keq që është kështu, por ç’e do që raportet krijuese midis Tiranës dhe Prishtinës, të ndërtuara mbi një vasalitet tonin ndaj andej, kanë sjellë te ky nënçmim, që prek edhe shkrimtarët e rëndësishëm, si Musën e të tjerët!”, thotë ai.
KultPlus.com, 4 korrik 2019
 .
Musa Ramadani
Musa Ramadani

Opinione rreth shqetësimit të paraqitur nga Agron Gashi

Meri Lalaj
As nuk i skuqet faqja Henri (Neim) Çilit sepse soji i tij jeton me gjakun dhe djersën e shkrimtarëve.
Shëndet Musa Ramadanit
 
Granit Zela
E çuditshme qe puna e çmimit 10 mijë euro qënka gënjeshtër me bisht. Kur u krijua si çmim e gjithë propaganda u përqendrua tek çmimi 10 mijë euro. Faj kanë edhe fituesit e çmimeve që bëjnë kompromise, pranojnë të shpallen fitues sipas marrëveshjes të jap çmimin… por jo lekët. Pazar. Krijuesit me integritet nuk pranojnë të poshtërohen…
Musa Ramadani është i tillë. Bravo për denoncimin.
 
Besnik Mustafaj
Ti bën mirë që e denoncon, i dashur Agron. Dhe unë i bashkohem këtij denoncimi. Sepse Musa Ramadani është një shkrimtar i madh. Por do të jetë një “fola dhe shpëtova shpirtin tim”. Asgjë me tepër.
 
Bit Gecaj
Të them të drejtën, Agron, do të befasohesha tejmase, nëse ky realitet do të ishte ndryshe, ose pozitivja e çeshtjes!
Pothuaj shumica e përvojave, përafërisht si kjo, ose ndonjë fushë tjetër, e në raport me emrat e etnisë (jashtë) Shqipërisë, kanë prekur këtë fat! Tragjike është mendësia e kësaj lloj vrasjeje!
Gjithesesi, andej e këndej etnisë, loja me njerëzit e letrave është fort e ngjashme, krejt dekurajuese!
 
Balil Gjini
Kjo është shumë e turpshme. Më kujtohet që Kadare ka bërë një foto me shkrimtarin pas çmimit. Por… a thua s’e di ai çfarë bëhet më tej? Si mund t’i falet atij që një tufë sharlatanësh t’ia shpërdorojnë emrin në këtë farë feje? Vërtet: Si?!
Turp nëse s’e di, akoma më turp nëse e di!
 
Besart Ramiz Tafaj
Alda Bardhyli mendoj se do të duhej nji shpjegim nga ana juaj si koordinatore, organizatore dhe anëtare jurie e Çmimit Kadare!!!!
 
Dije Demiri Frangu
Mafia letrare, në Shqipëri e Kosovë, po ia kalon mafies politike. Po të shpërblejë si vlerë-publikisht, dhe shpërblimin po e mbaj për vete, kjo është ironia e dyftyrësia e (pseudo) intelektualit aktual në ambientet tona. Musa Ramadani, mbetet autor i madh si dhe turpi i këtij asociacioni. S’ka mbetur as të merret frymë në këtë llum grupesh-profitere! Shëndet i nderuari Musa, veprat tuaja do jenë larg çdo kundërmimi!
 
Ervina Halili
Agron miku, të falenderoj që e solle si të tillë. Njerëzit ende nuk e kuptojnë sa i ndjeshëm është raporti i shpërblimit për veprën, sepse për një autor si M. Ramadani, ai çmim do të duhej të ishte nderim dhe jo problematikë korruptive. Ndoshta do të vijë njëherë një kohë kur ne mësojmë ta nderojmë me të vërtetë tjetrin për punën e bërë. Duhet të ketë një sqarim publik për sjelljen e tillë. Për një njëri në moshën dhe interesin e M. Ramadanit ndoshta edhe është më shumë zhgënjyese trajtimi sesa vetë akti, por ky akt veç ne qarqet letrare nuk do të duhej të ndodhte, ato qarqe do të duhej ngrisnin nderimin dhe fisnikërinë kulturore. Pres që ky akt me pasë një sqarim ma të thellë.
 
Jozef Radi
Për sa kohë që politika shqiptare do të krijojë mite edhe përmes çmimeve, ajo do të kërkojë shërbime prej shkrimtarëve dhe jo t’u shërbejë atyre… Fakti që emri i Autorit të Çmimit në të gjallë edhe përdhoset… edhe heshtet… dëshmon më së miri për njëlloj dakortësie midis atyre që e ngritën këtë Çmim dhe atij që e dhuroi Emrin për kësi marrdheniesh fyese ndaj shkrimtarëve…
Eh, sikur të ishte hera e parë… edhe falesh!
 
Violeta Murati
Agron më vjen mirë që e ke shprehur këtë shqetësim, a më mirë denoncim, që duhej thënë qysh në gjashtë muajt e parë, kur prisnit e prisnit. Kur e dimë me kohe shqetësimin tuaj, me plotë të drejtë, pyetja ime e vetme: pse tani?
 
Agron Gashi
Violeta Murati, meqë ti je afër, aty, në Tiranë, gazetare kulture madje, pse nuk more përsipër ta ngrije vetë ketë çeshtje Violeta, po ma kërkon mua dhe, madje, bën dhe pyetjen e çuditur!?
 
Violeta Murati
Agron Gashi unë kam probleme të prapambetura financiare për vete me kompaninë për të cilën flet, dhe po procedojmë me gjyq, por pyetja ime nuk ishte “dashakeqëse” ështe po aq shqetësim sa edhe problemi juaj… pastaj, këto janë probleme aq të brendshme të juajat, që nuk e di a i keni të nënshkruara në kontratë gjitha çeshtjet qe lidhen me çmimin, dhe shpërblimin e tij. Dhe unë nuk mund të flas, pa u shprehur ju. Tani që fole, po mund ta bëje share, like, të komentoj për të terhequr vëmendjen, nëse do isha në media të përditshme, sigurisht që do ta botoja edhe denoncimin tuaj, sërish po të jepnit leje për ta publikuar. Ky është shqetësim moral, që ka të bëjë me çmimin, dhe për këtë jam edhe pranë jush në kërkesën e përhershme…
 
Agron Gashi
Violeta Murati, unë nuk e kam kontratën. Por, unë kam qënë aty, në cilësinë e studiuesit. Pastaj si mik i Musa Ramadanit, e që jam ndër të vetmit që kam kontakte më të shpeshta, përveç anëtarëve të familjes, kam qenë i mirëinformuar për krejt procesin. Pse tash? Sepse kam pritur nga gazetarët, kam pritur që së paku brenda dy vjetesh mund t’i bëhet pagesa. Musa, nuk është gjendje të dalë e të flasë publikisht, është keq me shendet. Ndaj e ndjeva si obligim moral ndaj tij. Dhe, natyrisht, nuk kam dashur më heret, sepse na kanë pritur dhe përcjellë mirë, si miq. Prandaj, edhe kjo e ka një fare morali brenda.
 
Manjola Brahaj Halili
Sinqerisht nuk po dimë më se çka të presim prej mëmës Shqipëri, dhe nuk di pse çuditërisht nuk po habitem, se përdhosja dhe mungesa e respektit ndaj figurave dhe njerëzve të letrave po bëhet normale fatkeqësisht.
 
Ana Kove
Atëhere, unë mendoj se shkrimtarët duhet t’i braktisin masivisht pjesëmarrjet në edicione të tilla konkurruese – depersonalizuese. Nuk lanë askund e asnjë vend pa i futur pazaret e tyre të ndyra… Edhe në artin e fjalës… E kam ndeshur edhe në Pejë unë vjet (si ndërmjetësuese) jam torturuar derisa i shkoi honorari i fituesit të Çmimit “Azem Shkreli” Hans Joachim Lanksch-it dhe Islam Cengës…, të publikuar si fitues në 23 maj. U desh të prisnin muaj e muaj të tërë. Të dy të ndjerët ndrruan jetë… ndaj edhe insistoja së paku të merrnin në kohë shpërblimet meritore. Por jo… duhet të likuidoheshin njëherë restorantetet e njerëzit e punërave të vockla, e kur të vinin fonde të tjera, meritorët; ndërsa të tjerët, emra shumë të nderuar në juri dhe në aktivitete promovuese nuk morën as lekët e rrugës, se gjoja “punuan vullnetarisht”; maskarallëk i madh edhe me fondet publike, vetëm e vetëm që lekëve t’u jepnin kushedi se çfarë destinacioni. Janë njerëz që asnjë lidhje s’kanë me letërsinë dhe kulturën dhe monstra vërtet shumë nga ata që menaxhojnë të tilla aktivitete, dhe indirekt dinjitetin e shkrimtarëve që s’i kemi, por edhe të atyre që i kemi.
.
*Titulli redaksional nga radiandradi.com
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.