back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Çmimet Letrare 2013 – Për Prozën Thanas Medi për Përkthimin Guljelm Deda…

Gazeta

Ministria e Kulturës
Ministria e Kulturës

Dy fjalë për përkthimin

dhe përkthyesin ma të mirë të vitit 2013

Para disa ditësh Ministria e Kulturës nderoi në 20 vjetorin e vdekjes nji nga mjeshtrat e mëdhenj të gjuhës shqipe, Profesor Guljelm Dedën (Shkodër 5 shkurt 1915 – Perugia 12 prill 1994), me çmimin e parë të përkthimit më të mirë të vitit “Orlandi i çmendun” të Ludovico Ariostos.
 Nji vepër në dy vëllime me mbi 40 mijë vargje klasike, e cila i kushtoi autorit 17 vite pune të parreshtuna në kampet e shumta të diktaturës komuniste… Gjejmë rastin të falenderojmë në veçanti Institutin e Krimeve Kundra Komunizmit (ISKK) për botimin e kësaj vepre Monumentale, po njiherit edhe studjuesin dhe mikun e Lemit, Lekë Pervizi që ka dhënë nji kontribut të jashtzakonshëm për daljen në dritë të kësaj kryevepre të letërsisë, po edhe Jurinë e Ministrisë së Kulturës, e cila e gjeti me vend vlerësimin punës së autorit për kët vepër të rrallë, ku janë ndërthurur jo vetëm kultura dhe vullneti i përkthyesit po edhe sakrifica sublime e nji intelektuali të jashtëzakonshëm siç ishte Guljelm Deda, i cili në të gjallë të vet nuk mundi ta shohë botimin e kësaj vepre, e cila jetoi së bashku me kalvarin e jetës së përkthyesit të saj…

Jozef Radi
14 dhjetor 2014

Profesor Guljelm Deda Padova 1937
Profesor Guljelm Deda – Padova 1937

Çmimet Letrare 2013

Për Prozën Thanas Medi per Përkthimin Guljelm Deda…

nga Alma Mile 


Nga ceremonia e ndarjes së çmimeve letrare Thanas Medi dhe Guljelm Deda janë dy fituesit e çmimit të Madh të Letërsisë, ndarë dje nga Ministria e Kulturës… Në hollin e MK u zhvillua ceremonia e ndarjes së këtyre dy çmimeve kombëtare për veprën më të mirë letrare dhe përkthimin më të mirë për vitin 2013.
Pas shqyrtimit të 450 veprave në prozë e në poezi, kataloguar në Bibliotekën Kombëtare juria e përbërë nga Brikena Çabej, Saverina Pasho, Rita Petro, Ridvan Dibra dhe Ben Andoni arritën në një listë të shkurtër prej 10 kandidatësh: nga 5 për çdo çmim prej të cilëve dolën edhe dy fituesit Çmimi i Madh Kombëtar për veprën më të mirë të vitit 2013 iu dha shkrimtarit Thanas Medi me romanin “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, për arritjen e një niveli të lartë në ndërthurjen kompozicionale në veprën e tij dhe krijimin e personazheve që e mbajnë subjektin e tendosur deri në fund drejt një epilogu befasues. Çmimi i Madh Kombëtar, për përkthimin më të mirë letrar të vitit 2013, iu dha Guljelm Dedës për sjelljen në shqip të kryeveprës epike: “Orlandi i çmendun” me një përkthim të papërseritshëm që ruan bukurinë e fjalës ritmin harmoninë dhe elegancën e vargut në një regjistër të epërm të gegnishtes. Një vepër madhore që i ka kushtuar 17 vjet jetë autorit. Veç përkthimi ishte shpëtimi i shpirtit e i zemrës si një mundësi arratie në të tjera vise e qytetërime, por edhe si një mënyrë komunikimi e tërthortë me atë kohë të çmendur, së cilës nuk i foli dot me zë të lartë, sepse ia mbyllën gojën me pranga. 17 vjet nga jeta e vet i dha Guljelm Deda, përkthimit poetik të “Orlandit të çmendun” brenda ferrit te realitetit më të çmendur shqiptar në fshatin myzeqar Ndërnenas, do të shprehej ministrja Mirela Kumbaro.

Ministrja Mirela Kumbaro
Ministrja Mirela Kumbaro

Ndërsa fituesit e çmimit për veprën më të mirë letrare Kumbaro, i uroi mirëseardhjen në botën e letrave të bukura…
Për të arritur në dy emrat e fituesve, juria e çmimeve kombëtare letrare, mori ne shqyrtim gjithë prurjen e vitit 2013, në prozë e poezi shqipe e të përkthyer… Modaliteti që u zgjodh në përzgjedhjen finale, e ku u arrit në një numër të caktuar krijimesh dhe përkthimesh kish të bënte me zgjedhjen e autorëve që kishin sjellë risi në krijimtarinë e tyre, apo në zgjidhjen e detyrave të vështira të përkthimit. Ky ishte edhe momenti më i vështirë i punës sonë, pasi juria përmes debateve dhe diskutimeve të gjata duhej të vendoste për vetëm dy libra. Një nga kriteret më të përcaktuar qartë ishte sesi libri mund të tingëllonte për një publik më të gjerë që i kalonte kufijtë e vendit, u shpreh anëtari i jurisë Ben Andoni… Prej listës së gjatë të veprave të një viti më parë, rrethi u ngushtua në emrat e shkrimtarëve dhe poetëve si Thanas Medi, Shkëlqim Çela, Albana Shala, Flutura Açka, Azem Qazimi, dhe në përkthim te Arben Dedja, Alket Çani, Iljaz Spahiu, Guljem Deda e Sokol Zekaj. Kriteri në përkthim lidhej jo vetëm me tingullin në shqip të veprës, por edhe me vështirësinë e përkthimit dhe detyrat e zgjidhura të përkthyesit… Në këtë kategori ishte e vështirë përzgjedhja edhe për faktin se titujt në poezi dhe në prozë lidheshin me disa nga autorët më të njohur në botë që kishin ardhur nga emra të respektuar përkthyesish.
Për fat të keq çmimi akordohet një i vetëm për secilën kategori dhe zgjedhja tek e fundit i mbetet votimit të ftohtë. Në këtë stad vendosi realisht gjykimi i ftohtë – vazhdoi Andoni. Një gjykim ky që çoi edhe në zgjedhjen e emrave të Medit dhe Dedës… Mes të tjerash ai u shpreh se ka një rritje cilësore të prozës dhe poezisë kombëtare, ashtu si përzgjedhjet e përkthimeve janë vërtet të standardeve dhe kërkesave të larta…

Prozatori Thanas Medi
Prozatori Thanas Medi

Ndarja e çmimeve letrare nga Ministria e Kulturës prej vitesh është kthyer në një temë debati. Asnjëherë askush nuk ka qenë dakord me fituesit veç atij që e ka marrë atë…
Dikur ankoheshin se janë shumë, tani se janë pak, se i merrnin cmimet vetëm një grusht njerëzish, se ishin kthyer në cmime klanore, ndersa tani sepse fituesit janë tërësisht të panjohur.
Një vit më parë Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve letrare për vitin 2012, u shpreh se nuk do të kishte më aq shumë trofe… Gjatë ceremonisë së djeshme, Kumbaro u shpreh se me gjithë kritikat që u bëhen çmimeve edhe nga ajo vetë si pjesë e këtij sistemi. Gara e çmimeve është e rëndsishme, kur ajo është e vërtetë, sepse letërsia ka nevojë të nxitet, sepse krijimtaria ka nevojë të mbështetet, se krijuesit duhen falenderuar dhe nderuar nga ne, sepse lexuesi kërkon edhe të orientohet në leximet e tij, të edukohet në mënyrë të besueshme profesionale cilësore e pa zallamahi, pa bujë, pa thashetheme, çka një juri e vërtetë e paanshme, e qetë dhe e besueshme e bën me pasion…
Dje u ndanë vetëm dy çmime.
Një prej anetarëve të jurisë, gazetari Ben Andoni u shpreh se: “Mbase ka ardhur koha që çmimet kombëtare përveç këtij dikasteri për gjini të veçanta t’i kenë si atribut shpërndarjeje edhe subjekte të tjera. Ndërkaq çmimet kanë nevojë dhe për një status të përcaktuar deri në detaje për përzgjedhjet dhe votimin, një detyrë që mbetet të zgjidhet mbase që në zgjedhjet e vitit 2014…

Thanas Medi - "Fjalët e Fundit të Sokrat Bubës
Thanas Medi – “Fjala e Fundit të Sokrat Bubës”

Thanas Medi: Romani një homazh për komunitetin vlleh

Thanas Medi nuk është një emër fort i njohur për lexuesin shqiptar. Ai ka botuar vetëm dy romane dhe me këtë të dytin duket se qëlloi në shenjë… “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” një roman kushtuar komunitetit vlleh në Shqipëri, një përshpirtje siç e quan autori në librin e tij që i dha çmimin e Ministrisë së Kulturës si: Romani më i mirë për vitin 2013. Përmes romanit kam ndarë me të tjerët atë çka kam jetuar edhe vetë… do të thoshte Thanas Medi, kur mori në dorë çmimin letrar! Siç ndodh rëndom me shkrimtarët ata më mirë shkruajnë sesa flasin, edhe Thanas Medi nuk e ka një praktikë të zakonshme të folurit me gazetarët. Meqë libri i tij ka kaluar gati në heshtje para lexuesit ai shpjegon se romani i kushtohet komunitetit vlleh me një shtrirje në Greqi e Shqipëri. Janë një popullsi e vjetër në Ballkan, që nuk mund të quhet e ardhur po autoktone… Libri përpiqet të rrëfejë të veçantat e kësaj etnie zakonet traditat… e një kombësie që ende nuk dihet se nga e kanë prejardhjen nga vijnë… Ka variante të ndryshme, por unë nuk merrem shumë me këtë çeshtje. Mua më interesojnë historitë njerëzore – thotë Medi – Edhe pse një emër jo fort i lakuar, shkrimtari thotë se ka nisur të shkruajë herët, por vetëm tani i është kushtuar tërësisht letërsisë… Lidhja e parë e çdo shkrimtari me letërsinë është leximi i librave Më vonë kam filluar të botoj gjëra të pakta në organet e asaj kohe, si Drita, Nëndori, etj. Në vitin 1988, çova për botim pranë shtëpisë botuese Naim Frashëri një vëllim me tregime e novela, i cili m’u kthye pas jo për anën artistike… por ateë ideore me shënimin: “Nxin realitetin!” Më pas emigrova në Greqi dhe nuk u mora më me letërsi, por e kisha vazhdimisht ëndërr… dhe iu riktheva të shkruarit… Në vitin 2011, botova romanin e pareë “Hija e mallkuar” dhe në 2013 “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”…
Të marrësh një çmim që me romanin e dytë është me të vërtetë një gëzim i madh – thotë ai. Të merrte çmimin si romani më i mirë, ai e sheh si një përgjegjësi për të arritur një nivel më të lartë në krijimtarinë e tij. Tani merrem vetëm me krijimtari. Kam ende shumë për të shkruar. Pretendoj në këtë fushë dhe besoj se do t’ia arrij asaj që ëndvrroj…

Ariosto - Orlando i çmendun 2013
Ariosto – “Orlando i çmendun” 2013

Guljelm Deda – 17 vjet me Orlandin… nëpër kampe pune!

Nga njeri kamp internimi në tjetrin, ai merrte me vete edhe “Orlandin e çmendun”. Plot 17 vjet me radhë ngase – siç thotë prof. Ardian Ndreca, asokohe çmendunia ishte kthyer në sistem në Shqipërinë komuniste. Plot 20 vjet pas vdekjes dhe 57 vjet qysh se kur nisi të përkthente kryeveprën e Ludovico Ariostos, Guljelm Deda do të nderohej nga Ministria e Kulturës për përkthimin më të mirë për vitin 2013, vit kur edhe u botua kjo vepër madhore nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ISKK. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, përfaqësuesja e jurisë Saverina Pasho dhe Leka Ndoja në emër të ISKK, do të vlerësonin punën titanike të Dedës kryer në kushtet e mbijetesës… Guljem Deda lindi në Shkodër në vitin 1915. Studimet i kreu në Kolegjin Saverjan të etënve jezuitë, në qytetin e lindjes, ndërsa studimet e larta në Universitetin e Padovas në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në vitin 1937, me tezën “Osservazioni linguistiche sul ‘Cuenus Prophetarum’ di Pietro Bogdani” vlerësuar me Summa cum laude… Mbas studimeve kthehet në vendlindje ku jep mësim në Gjimnazin e Shkodrës, deri në vitin 1939, si profesor i gjuhës shqipe dhe i letërsisë greke dhe latine. Në vitin 1943, themelon gazetën “Balli i Rinisë”. Me vendosjen e sistemit komunist i pushkatohen gjashtë pjestarë të familjes, ndërsa vetë arrestohet dhe burgoset në janar 1945. Pas 6 viteve në kampin e shfarosjes në Vloçisht, të kënetës së Maliqit, lirohet në vitin 1951, por vuajtjet e tij nuk mbarojnë këtu, pasi nuk pranon të bashkëpunojë me Sigurimin e Shtetit, do të nisë një kalvar i gjatë persekutimi nga njeri kamp në tjetrin. E dërgojnë në Shtyllas, ku bashke me të internuar të tjerë i venë të hapin kanalin faraonik Vjosë-Levan-Fier. Më pas në Kuç. Ishte pikërisht aty në vitin 1957, kur nis të përkthejë veprën e Ariostos “Orlando Furioso” Miku i tij Mark Dema, që hidhërimin e persekutimit e kalonte duke përkthyer Eneidën e Virgjilit, në një letër i shkruan: “I ndaluem siç je prej çdo krijimtarie letrare dhe në at izolim të thellë ku je, se pakut mund ta kalosh jetën me këtë përkthim…”
http://www.arkivalajmeve.com/mimet-letrare-2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.