back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Colette” – tregim nga Xhabir Tabaku

Gazeta

Filmi "Colette" - 2018
Filmi “Colette” – 2018

“Colette”

tregim nga Xhabir Tabaku

Kisha veç disa javë në Londër. Punoja te një shtypshkronjë e vogël e lodhesha shumë. Ishte e premte mbrëmje e u ktheva vonë. Shtëpia po më hante. Mbasi kisha bërë banjë e kisha thithur dy a tri cigare, brofa më këmbë dhe pa ditë për ku, u lëshova gjysëm me vrap shkallëve të drunjta të shtëpisë së vjetër në Soho. Ecja me të shpejtë, thua se ndonjë fantazmë po më ndiqte në rrugët bosh orëve të para të mbrëmjes. Ndalova te kafeneja në qoshe të rrugës, mora një çajë e ndërrova dy – tri fjalë me mikun tim Stavros, kafexhinë grek . Se ç’dalloi në fytyrën time plaku i mirë e më pyeti: Ke ndonjë hall? – Jo, veç po shijoja vetminë në apartamentin tim e thashë ta provoj rrugave a shijon po aq, fola i mërzitur.
-Po. Shijon vetmia rrugëve të Londrës, – foli Stavros duke më parë me dhimbje, – Mbaj mend, vazhdoi ai, isha në fillimet e mia kwtu, ja kështu si ti, vetëm… Oh, ç’po ta prish vetminë e bukur me përrallat e mia të vjetra foli ai plot gjallëri. Ik!
Desha të rrija edhe pak por s’fola. Duke dalë nga dera e kafenesë, thirri: – Vetmitar! – shkruaje ketë adresë e shko shijoje vetminë tënde atje! – është mirë. Është si furrik, do ndjehesh rehat – dhe buzëqeshi. Mora copën e letrës me adresën dhe dola në rrugë e ndala një taksi.
.
Xhabir Tabaku
Xhabir Tabaku
***
Kinemaja nga jashtë ngjante si magazinë e vjetër mobiljesh. Me tulla të cilave nuk u shihej ngjyra nga pluhuri i viteve. Provova të shtyja një derë, një tjetër e një tjetër. Dikush hapi të parën: – Taverna? – Jo, i thashë, kinema. – Shko nga rruga tjetër, dera numër nëntë.
Hyje brenda në një sallon të madh katror, shtruar me dërrasa të gjëra mbërthyer me gozhda të mëdha të ndryshkura. Shtatë a tetë tavolina me karrige të vogla metalike përreth e ndonjë gazetë a revistë përsipër. Filmi donte kohë të fillonte. Mora një ëmbëlsirë, një gotë lëng boronice. U ula në një nga karriget me llamarinë pa lyer e zura një gazetë. Ishte gazetë lokale. Kur më bie rruga andej pari ndaloj dhe e marr. Rubrikën për artet e ka të dorës së parë. Mund të gjeje oferta me çmime të ulëta fare për koncerte solo të pianistëve, violinistëve a instrumentistave të tjerë të konservatorit aty pranë. Kishte edhe hyrje pa pagesë herë pas here për shfaqet e artistave të rinj të pa afirmuar për publikun.
.
Pjesë nga filmi "Colette"
Pjesë nga filmi “Colette”

 ***

Sonte ndjeva të më pëlqente vetmia më shum se zakonisht. Shkova te kinemaja ime vetëm, si përherë. Mora te banaku një shishe ujë të gazuar dhe u struka në një qoshk të kafeterisë duke i kaluar një shikim përsipër gazetës në pritje për filmin “Colette”…
Nuk kisha informacion paraprak për te. Kisha parë shkarazi ca fragmente dhe më intrigoi kur mësova se në rolin e parë luante një aktore e preferuar imja.
Veç kur filloi filmi pashë që ishte prodhim i “Bleeker Street” dhe “30 West”…
Kinemaja ishte plot me vajza e gra e ndonjë tjetër tek-tuk si puna ime.
Dy vajza në të majtën time druheshin se mos më tërhiqnin vëmendjen me puthjet e tyre të shkurta të shpeshta gjatë shfaqes.
“Colette” ishte film interesant. Rreth një shkrimtareje të talentuar franceze e martuar me një shkrimtar plot vese e dëshira të pafrenueshme për aventurë.
E dashura e saj… kritike arti, luan rol vendimtar në jetën e saj.
Sigurisht që ishte së shumti loja e aktorëve që më pëlqeu. Kiera Knightley gjithmonë i jep sharm filmit.
Përherë kur dal nga salla, e lë shishen e ujit në dyshemenë e drunjte të kinemasë. Kurrë nuk arrita të mësoj si e fitova ketë ves!
Eca shpejt, për të dalë në rrugë sa më parë. Doja t’i rijetoja fillimet në Londër disi. Mora një doner në dorë e u futa në metro. Treni plot. Kur dola jashtë, binte shi shtruar. Edhe po të kisha çadër nuk do e hapja.
.
Londër, më 2018
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.