back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Copëza shënimesh mbi një dasëm princore… ose Princi Shqiptar mes “gjakut blu” të të botës… nga Jozef Radi

Gazeta

Princ Leka Zogu dhe Elia Zaharia
Princ Leka Zogu dhe Elia Zaharia

Copëza shënimesh mbi një dasëm princore…

ose Princi Shqiptar mes “gjakut blu” të të botës…

nga Jozef Radi

Nëse dita e 7 tetorit 2016, lëshoi një shi të pafundmë vjeshte dhe trembi gjithkënd të ftuar në dasmën e Leka Zogut me Elia Zaharian… mëngjesi i 8 shtatorit, ndoshta nga lutjet, ndoshta nga vetë trillet e natyrës shpalosi magjinë e krejt një tjetër vjeshte dehur me ajër kristalin që e mbushi me dritë krejt Tiranën… Ritmi i hapave të mi nga Porta e Residencës Presidenciale – (quajtur për 70 Vjet prej Mekeve: Pallat Brigadash) e deri te shkallët e asaj ndërtese, kishte një kumbim solemn aty mes pemëve të shumta. Hijet e zeza, aq të hijeshme të selvive në dy anët e rrugës me asfalt, që dukej edhe më i errët prej shiut të djeshëm; sikur m’i jepnin kësaj dite bekim hyjnor, për të cilin si dukej edhe vetë natyra s’mund ta anashkalonte pa e thënë deri në fund fjalën e saj!!

Dasma e Princ Lekes me Elia Zaharian
Dasma e Princ Lekes me Elia Zaharian

Në mirseardhje qe banda muzikore, që shpërndante muzike klasike e solemne, më lart televizione të shumta dhe gazetarë – të vendit e të botës – që kishin pushtuar krejt sheshin dhe shkallët e ngjitjes e deri të hyrja. Ca “gjak blu” nga Europa dhe Bota ngjiste ngadalë shkallët tapetkuqe dhe ti ndjeheshe pjesë e një Shqipërie mikpritëse, që s’kish pasur ndonjëherë kaq shumë luks e sharm të pashtirur, ku gra kapelesh të llojllojshme dhe nji fisnikëri aq hijshme e aq e fisme nuk mbahej mend në ndonjë festë të këtyre anëve. Ajo Shqipëri e ndrydhur dhe e ndryshkur që kish jetuar gjatë nën plasdarmë refuzimesh dhe urrejtjesh ndaj fisnikërisë, s’kish njohur kaq veshje; kaq ngjyra; kaq elegancë; kaq burra dhe gra që përshëndesin në shumë gjuhë të botës dhe që në pamjen e tyre shfaqin shumë prej heraldikave më të zëshme me aq ndikim në historinë e botës…

Dasma e Princ Lekes me Elia Zaharian
Dasma e Princ Lekes me Elia Zaharian

Shkallët ngjiten ngadalë, blicet kërcasin me zhurmë, zërat e gazetarëve lartohen mbas çdo makine të zezë që ndalet para hyrjes dhe zhurma bëhet e pazakontë kur prej tyre zbresin figura si: Sofia e Spanjës, Mbretëresha e Marokut apo Duka i Kentit (kushëri i Mbretëreshës angleze), Princesha e Romanovëve apo dhe mjaft të tjerë.

Duka i Kentit dhe e Shoqja
Duka i Kentit dhe e Shoqja

Salloni i hyrjes së Rezidencës Presidenciale dhe salla e përzgjedhur për Ceremoninë Martesore të çiftit Zogu & Zaharia, në orën 11:00, s’pranon më as “kokrrën e mollës”.
Edhe pse martesë dy të rinjsh, kjo është martesë e paragjykuar, martesë e anatemuar, martesë e përfolur; ku dëshira për ta gjetur qesharaken e kësaj feste përballet me solemnen e hijshme dhe madhështore të gjithçkaje që vërtitet rreth saj. Duket sikur krejt vjeshta e këtij vendi ndjehet e ftuar në fytyrat e të mysafirëve, jo vetëm nga bota po edhe nga krejt fisnikëria e trojeve shqiptare të nëpërkëmbura. Mjafton veç të përshëndetesh me disa prej miqve dhe do gjesh aty plot mbiemra gjurmëndritur në historinë e këtij vendi; do të gjesh fytyra të një aristokracie që s’e ka lejuar veten të braktiset edhe në kohët më të vështira. Ndaj drita e kësaj feste derdhet përmes buzëqeshjesh, veshjesh, fjalësh e gjestesh… e ku përtej mbiemrit Zogolli që është pritësi i kësaj feste, do të gjesh plot mbiemra që ndrisin në të shkuarën dhe kujtesën tonë kolektive si: Vlora, Libohova, Toptani, Delvina, Frashëri, Resuli, Kupi, Dibra, Hrushiti, Sefa, e plot të tjerë…!

Mreteresha e Dpanjes Sofia dhe Mbreteresha e Marokut
Mbreteresha e Spanjes Sofia dhe Mbreteresha e Marokut

Sallës së ceremonive, në orën 11:00, I shfaqen siluetat plot dritë mirësie të dy të rinjve: Elia Zaharia dhe Leka Zogu. Vajza me nji veshje punuar shkëlqim mbi shkëlqim derdh buzëqeshje diellore të parreshtur… Djali me atë seriozitetin e tij karakteristik: të fisëm e të ndrojtur ecën me hapin e matur.
Në këtë dasmë, ai s’ka asnji nga prindët e vet – dhe kjo është dhimbja e madhe e kësaj feste, edhe pse krejt fisi tij ka bërë gjithçka ta mbështesë, ta nderojë e ta lartojë fatin e tij prej vetmitari. Dhe jo vetëm fisi… po edhe shumë nga të sërës së tij prej “gjakut blu” të Europës së Lashtë janë aty… Janë aty edhe dashamirët e vullnetmbarët e këtij vendi që ende ruajnë respektin dhe mirënjohje ndaj Mbretit Zog, që e mbylli jetën rrugëve të mërgimit; ndaj Mbretit Lekë, që mërgoi në të dytën ditë të jetës, po që fati e ndihmoi të vdesë në kët vend; dhe së fundi ndaj djaloshit Lekë, Princi i Ri Vetmitar, që në kët dasëm ka me siguri bekimin e të munguarve të tij aq të dashur, (Mbretit Leka i I, Mbretëreshës Suzanë dhe Nënës Mbretëreshë Geraldinë).
Sepse nganjëherë përrallat, nuk janë veç rrëfime e filma, po edhe të vërteta…

Valle e kostume shqiptare
Valle e kostume shqiptare

Ndërrimi unazave, deklarimi dashurisë reciproke dhe puthja në prani të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Z.Veliaj dhe bekimet e pesë komuniteteve fetare, do ta shpallnin aktin zyrtar të kësaj martese që përsëritet këtyre anëve mbas 78 vitesh, duke e shënuar kështu 8 tetorin e 2016: Martesën Shqiptare të Shekullit XXI…

Valle e kostume grash Shqiptare te Jugut
Valle e kostume grash Shqiptare te Jugut

Po festa e vërtetë e kësaj martese është tjetërkund… aty ku hareja do të nxirrte gjithçka jashtë protokollit dhe do ta bënte gjithkënd të ndjehej pjesë e këtij gëzimi pakufi; në Rezidencën Mbretërore pranë Galerisë së Arteve, ku si për paradoks në hyrje të sajë shfaqen kërcënueshem armiqtë e gjakut blu: dy Stalinë gjigandë, një Lenin pa dorë, statuja e “Frymës Revolucionare”, një makinë sigurie me firmën “Hoxha” – pra, krejt Cerberët e Hadit Shqiptar duket sikur vigjilojnë vëmendshëm nën gjelbërimin e lisave, elegancën e të ftuarve; ngjyrën e veshjeve popullore shqiptare që s’e teproj aspak po të them s’i ka kush në botë…

Ironia e dasmes se Princit
Ironia e dasmes se Princit

Ndaj një hije trishtimi rrëzohet mbi bronxin e fytyrave të tyre muzhike mbetur mbas dere! Në lartësitë e shkallëve është deti i ngjyrave dhe valleve, një tabllo ku janë derdhur male dhe fusha, lumenj dhe pyje, lëndina dhe lugina; një krenari e rrallë vajzash e djemsh, një harmoni tingujsh dhe këngësh, ritmesh e vallesh… duket se aty ka zbritur krejt ajo që quhet dritë Shqipërie dhe futet nëpër ekrane kamerash e gazetaresh, displey celularësh e dasmorësh… në shpirtin e çdo pjesmarrësi të kësaj Shqipërie ndryshe, të kësaj Shqipërie përbashkuese, të kësaj Shqipërie të stërlodhur ndarjesh e sharjesh, e cila edhe sot përpëlitet të shohë përtej sinoreve të kohrave dhe politikave.

Ne Rezidencen Presidenciale
Ne Rezidencen Presidenciale

Festa tashmë ka dalë jashtë prej protokollit, ajo është bërë hare, biseda, diskutime, falenderime, urime; ajo është bërë foto e pakufi, pazëll i një gëzimi të madh ku Shqipëria i dëshmohet vetes dhe botës se ështe edhe Ndryshe; u tregon se ngjyrat dhe shpirtrat e këtyre njerëzve e duan festën, e duan lirinë edhe pse mjaft dashakeqësi mediash me tendenca përçmuese dhe izoluese, u përpoqën me gjithë mënyrat që këtë festë ta paraqisnin me cinizëm e ta paraqesnin dukshëm si groteske.

Shpirti i festes
Shpirti i festes

E vërtetë është se fitoi mirësia, fitoi respekti, fitoi dashuria e këtyre dy të rinjëve që prej vitesh janë bashkë e që në kët ditë të bukur tetori, me vullnet të lirë vendosën te ndajnë të ardhmen, pa harruar asnjëherë të shkuarën, dhe me shumë buzëqeshje e shpërfillin at cinizëm të paskaj që do të vijonte të rëndonte padrejtësisht mbi dy të rinjtë e pafajshëm. Kjo martesë tregoi edhe njëherë se e keqja e mbjellë mes nesh është sa rrënjëthellë aq edhe rrënjëdalë, se ne ende vazhdojmë të jemi pengje të asaj tragjedie që kërkon këmbëngulshëm të mbillet urrejtja aty ku mund të mbillej dashurija, të mbillet përçmimi aty ku mund të mbillej besimi; e që fryma e një brezi që ishin 6 a 7 vjeçarë, kur Shqipërisë i trokiti Liria në portën gjysmë të hapur, shfaqet sot si Sfidë. Janë pikërisht ata të dy që po përpiqen të festojnë guximshëm të përditshmen e tyre në prespektivën e këtij vendi… aq përplot me instikame të së djeshmes.
Leka Zogu dhe Elia Zaharia më shumë se dashuri dhe buzëqeshje janë një mesazh për këtë botë ku tërheqja e litarit vazhdon nga të dyja anët për të mos mbrritur kurrë te e vërteta!

Bisede pertej urimeve me princin e ri...
Bisede pertej urimeve me princin e ri…

Zoti e bekoftë martesën e këtyre dy të rinjve dhe mesazhin e kësaj martese;
Zoti i bekoftë shpirtrat tanë të mbetur në ndarje e dashakeqësi;
Zoti e bekoftë këtë vend të dritës, ku hijet ende e mbjellin me kujdes errësirën edhe në ditët e mëdha të gëzimit!
8-10 tetor, 2016

Gjithë fotot e përdorura janë të Radiandradi.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.