back to top
4.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

“Ç’tu desh Dasma në Karbunarë!” nga Jozef Radi

Gazeta

100 vjetori i Shkollës Karbunarë
100 vjetori i Shkollës Karbunarë 

“Ç’tu desh Dasma në Karbunarë!”

nga Jozef Radi

Dikur, fshati Karbunarë ka qenë nënprefekturë, derisa nga fundi i shekullit të Nëntëmbëdhjetë, ajo njësi organizative administrative i kaloi qytetit të Lushnjes dhe “lavdia” e Karbunarës sikur u zbeh ca, e megjithatë ata s’e harrojnë lavdinë e dikurshme…!! Karbunarasit e vjetër ndjehen krenare për fshatin e tyre; Ata janë përgjithsisht 7-8 fise të vjetra, që në harkun e një shekulli janë shtuar mjaft, dhe ai fshati i dikurshëm në të dalë të qytetit është sot pjesë integrale e qytetit, përfshi këtu edhe të ardhurit që përbëjnë një masë jo të pakët… Megjithatë, atyre u mjafton dhe besoj do t’u mjaftojë gjithnji të qenit karbunaras!
Vazhdimisht jam interesuar ta lexoj historinë e shkruar të këtij fshati “të Madh”, por deri sot s’kam mundur të gjej asgjë të plotë, pra kam veç atë pjesë jete të jetuar aty rrotull, njohje të shumta me miq, shokë shkolle, shokë pune o shokë ushtrie, po mjaft edhe të njohur të rastësishëm.

Karbunarë - No comment...
Karbunarë – No comment…

Me aq sa njoh e sa kam dëgjuar, karbunarsit duhet të jenë malsorë të zbritur nga veriu dhe verilindja, më së shumti për hasmërira o për përzenie për shkak të shkeljes së ligjeve të Kanunit, dhe po të vëresh e të ndjekësh linjën e paskodrave të Myzeqesë, nga Karbunara deri në Peqin, përfshi edhe nji pjesë të mirë e Darsisë, ku janë nji vargan fshatrash të populluara kryesisht me të ardhur historikë nga veriu, gjë e cila dallohet lehtësisht nga emrat e fshatrave, nga mbiemrat e fiseve, nga fizionomia e individëve, po më shumë nga e folura dhe traditat, pasi edhe pse ardhja e tyre duhet të datojë disa shekuj më parë, ende gjen tek ata akcent veriore dhe verilindore në shqiptimin e shumë fjalëve, po dukshëm kjo shfaqet edhe në karakterin krenar e individualist, kokfortë, të paepur pse jo edhe pak hakmarrës…
Karbunarasit, jo pa përçmim quhen ndryshe edhe karadakas (karadak – mal i zi – turqisht), që në zhargonin lokal ka marrë kuptimin njerëz kokshkretë, gjaknxehtë e të panënshtrueshëm… bile nji prej mundsive është, që ata të jenë malsorë shqiptarë të muslimanizuar të zonave të Malit të Zi, ose Karadakut, të përzënë me dhunë… “Ka ba luftë me Karadakun” – ka kuptimin – ka ba luftë me malsorë të ashpër e kokkrisur të zonave midis Malsisë dhe Malit të Zi… 
Këto janë thjesht biseda e diskutime të hershme me njerëz të kësaj zone, me ata që e njohin historinë, por qe ende s’ka asnji dokument të shkruar, (të paktën unë nuk kam hasur e as kaluar nëpër duar) asnjë studim serioz, ndaj kjo hipoteze, që po rrëfej me të dëgjuar dhe me diskutime, mbetet të vazhdohet me kërkime, studime e gërmime ndër arkiva…
Meqë jemi te Karbunara, ajo shtrihet përgjat gjithë gjatësisë së kodrës që nis nga qyteti i Lushnjes deri te Brryli i Lunjës, përroi që shkon përskaj fshatit. Kjo quhet Karbunarë e Madhe, pse ekzistojnë edhe dy të tjera: Karbunara e Vogël disa kilometra më në thellësi, dhe Stan-Karbunara pak me tej poshte Kodrës së Mollasit, fshat me një komunitet arumun, i banuar nga popullsi çobane (vllah).

Sheh Ibrahim Karabunara
Sheh Ibrahim Karabunara

Fiset më kryesore të Karbunarës së Madhe janë: Shehlerët, Ymerët, Xhekët, Çelët, Sulenjtë dhe Kasapët, po ka edhe fise më të vegjël si Mezinët, Lloshët, Çanakët, Mankot, Shkurtët, Manet, Saraçët e ndonjë tjetër që e bëjnë kët fshat karakeristik të jetës fisnore e klanore. Figura më e rëndësishme e historisë së këtij fshati mbetet padiskutim ajo e Ibrahim Sheh Karbunarës, njeriu që përkrahu dhe mbrojti Kongresin e Lushnjes, por që gjatë periudhës së komunizmit pësoi jo veç Ai po krejt fisi persekutime e dhunime të shumta, edhe pse e kishte përkrahur Luftën. Megjithatë edhe nën komunizëm Karbunara mbeti fshat kokfortësh dhe të paepurish ku individualizmi i tyre karakteristik qe mjaft indiferent ndaj Partisë!
Por unë do të ndalem pak më gjatë te historia që u bë shkak i këtyre shënimeve: diskutimi i gjatë në nji rrjet social me miqtë të mi për shprehjen e famshme: “Ç’tu desh dasma në Karbunarë!”.
E ndërsa përpiqesha ta kujtoja historinë e kësaj shprehje, më  erdhi ndërmend edhe nji shprehje tjetër që lidhesh me Karbunarën: “Qentë e Karbunarës”. Si fjala vjen: “Po s’kapet ai, edhe me ia lëshu qentë e Karbunarës nga mbas!” Pra, bëhej fjalë për një njëri të zotin dhe i shkathët. Kjo shprehje, vinte si arsye që Karbunara ishte fshati, që kishte shumë qen. S’kishte shtëpi në Karbunarë të mos kishte 2-3 qen të fortë e të egër. Pra dikush që i sfidonte “Qentë e Karbunarës” ishte me të vërtetë i zoti! Tashti le të kthehemi të shprehja më e famshme se fshati, e që thuhet në disa variante si fjala vjen:
“Ç’tu desh dasma në Karbunarë!”, “Ç’më duhet dasma në Karbunarë!”,  “Ç’ju desh dasma në Karbunarë!”- janë shprehje që kanë lidhje me rrezikun në të cilin futet njeriu prej mëndjelehtësisë. Po si është e vërteta e kësaj shprehje… që shumë janë ata që përdornin, po mjaft pak ata që e dinë si duhet historinë e vërtetë… Unë e dija historinë, po për siguri këtij rrëfimi i bashkohet edhe ai i nji shoqes sime nga Karbunara… Florës!

Pamje nga Karbunara
Pamje nga Karbunara

***
Karbunara është buzë rrugës për Berat. Shumë kohë më parë, kur mjetet e qarkullimit ishin tejet të pakta, ndodhi që dy udhëtarë të zonave përtej Semanit t’i zinte nata në rrugë. Ishte vjeshtë dhe bënte pak ftohtë. Meqë mjete për në qytetin e tyre s’kishte, e rruga xhan-xhin s’kishte rob të gjallë, ata u vërdallen rrugëve të Karbunarës. Diku dëgjuan nji aheng… Afrohen, dhe nga gardhi shohin se ishte dasëm. I thonë njeri tjetrit: – A nuk shkojmë deri afër oborrit dhe shtyjmë ca orë…
Në traditën e dasmave në Karbunarë, djemtë që kujdesen për mbarëvajtjen e saj, qëndrojnë gjithë kohës në këmbë, janë ata që presin e përcjellin njerzit nga lesa e rrugicës e deri te vendi i caktuar në dasmë; janë atë që sjellin ujin, që mbajnë rregullin e valleve, që marrin porositë për orkestrën; janë ata mbrojnë autoritetin e të zotit të dasmës me mjaft disiplinë. Ishin ata që i panë dy jabanxhinjtë jashte gardhit, u shkuan afër, i përshëndesin gjithë respekt dhe i pyetën se ç’e mirë i kishte sjellë n’ato anë. Jabanxhinjtë u treguan me hollsi të vërtetën, dhe djemtë e dasmës si mikpritsa me shumë dashamirësi dhe me lejen e te zotit të dasmës, i ftuan dy të panjohurit në dasëm, duke u thënë:
-Oooooooo, mirësenaerdhët dhe urdhëroni brënda. Ne kemi  dasëm! Do hamë, do pimë, do kërxejmë e do bëjmë qejf, nesër kur të zbardhë drita me kismet të Zotit, ditë e re kismet i ri nisuni. Sonte rrini këtu me ne, hani e pini, dhe nesër shkoni për ku jeni nisur!
Kështu të dy mysafirët u shtruan në sofrën e miqve të afërt… Ata jo vetëm hëngrën e pinë me dolli pranë familjarëve… por rrëkëllyen edhe ca gota rakie, e  bashkë me këngët e vallet e dasmorëve nisën t’u japin bezdi edhe vajzave të dasmës. Po karbunarasve s’u shpëtonte gjë kollaj… Me marifet djemtë e shërbimit u bëjnë shenjë jabanxhinjve, që ta mbledhin pak veten, se po e teprojnë. Po nga avulli i rakisë së mirë ata e vazhduan të tyren, pa ju dhënë asnjë rëndësi këshillave, derisa erdhi një çast që e mori fjalën druri dhe shqelmat… dhe ata nga tavolinat e mishit, pilafit e rakisë, e gjetën veten me turinj të përgjakur mes pluhurit, shtrirë si dy thasë byku te rruga e makinës.
Të nesërmen në mëngjes herët u ndalon një makinë. Zbret shoferi, dhe i sheh ashtu të gjakosur e të pluhurosur dhe ju thotë… -Po ju ku paskeni qenë që jeni katandisur kaq keq?
-Ja aty, me nji dasëm ishim… – iu përgjigjën të dy.
-Po në ç’dasëm, o qyqarë, ju qenkeni telendisur…
-Ja, në një dasëm këtu në Karbunarë!
-Po ç’ju desh dasma në Karbunarë! O të shkretë, dhe i mori në makinë e i çoi ku ata kishin rrugën!

***
Ama shprehja “Ç’ju desh dasma në Karbunarë!”,  mori dhenë! Ajo jeton sot e kësaj dite e do të vazhdojë të jetojë, sepse gjithnji ndodh që njeriu edhe pse i nderon e i respekton të panjohurit, ndodh që tjetri të rrezikojë e t’ia prishë gëzimin dhe festën… Prandaj, me humor, njeriu duhet t’i thotë vetes nganjëher: “Rri… Ç’të duhet dasma në Karbunarë”!

Related Images:

More articles

7 KOMENTET

  1. …si gjithmonë shkrime empirike dhe te vyera…!
    Po qesh vërtet me shkrimin… pse më tërhoqi fjala aq shumë e përdorur në Karbunarë… xhanxhin…!
    Ju faleminderit Jozef Radi… Respekt..!

  2. Një përshkrim i bukur… Kështu pak a shumë e kam dëgjuar edhe unë këtë histori…
    Doja të theksoja mikpritjen… ndërsa druri është dhënë për arsye të forta!!!
    Edhe kjo shprehje e mbetur, sikur është zbehur ca te brezat e rinj… Vetën nqs e lexojnë në rrjetin social, besoj se më shumë do t’u ringjallet krenaria!!!
    Respekte Jozef Radi, për përshkrim dashamirës dhe origjinal!!

  3. Ky është shkrimi më i bukur që kam lexuar. Mban brenda histori për atë vend të bukur dhe për ata njerëz kokfortë dhe krenarë njekohesisht, po edhe të dashur edhe të rreptë… për traditën e tyre të mikpritjes, por edhe të ndëshkimit nëse i shkel nderin e truallit të tyre…
    Një shkrim me shumë humor dhe profesionalizëm…
    Respekte Jozef Radi

  4. Ke bërë një pëshkrim thuajse realist! Të përshkruar këndshem e me humor, të ndërtuar rrjedhshëm e me një gjuhë të përpunuar mbi bazë standardin, puhitur lehtas e ëmbel tek-tuk nga gegërishtja, çka e bën leximin me të kapshëm e të pëlqyer nga të gjithë.
    Sipas njoftimit që kishe dhënë para disa orëve në fb, po e prisja me kërshëri shpjegimin tuaj dhe nuk u zhgënjeva… Vazhdon të mbetesh i dëshirueshëm për ne lexuesit, dashamirës të tu!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.