back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Çuliq, poetja që gjithësisë i jep krahë njerëzorë nga Rezart Palluqi

Gazeta

"Patitullni" Libri i Elona Culiq
“Patitullni” Libri i Elona Culiq

Çuliq, poetja që gjithësisë i jep krahë njerëzorë

nga Rezart Palluqi

Përshtypje mbi librin me poezi,

“Patitullni” të poetes Elona Çuliq

Poetja Elona Çuliq e shkurton distancën e gjithësisë me Tokën dhe njeriun që e konsideron atë dyqanin e saj. Këtë ajo e bën, ashtu si poetët natyralistë, duke i dhënë zë njerëzor gjithësisë. Sa herë që njeriu në poezinë e saj tenton të dalë nga errësira, ajo përdor fuqitë natyrore, burimet e saj, që herë na shfaqen të ujshëm, herë të zjarrtë apo të ngurtë si në rastin e poezisë ku Dielli përpiqet të bëjë atë që s’e bën dot njeriu; të zvogëlojë vetminë e tij ose ta ekspozojë atë me rrezet e tij përtej perdeve të dritareve kryeqytetase.
Ndoshta poezia më e bukur, të paktën për mua, është ajo e titulluar “Zot i njimijë duerve”

Ai zhytej,
gjerbte qiell në prehnin tem
dehej,
dehej me
kambë,
duer,
sy, buzë,
me krejt andjet e tij,
me krejt njimijë Virgjinemariet,
që e kryqtonin me të mbyllë sytë!

Zoti këtu na shfaqet inferior përballë gruas. Në këtë rast, ne gjejmë përgjigjen e pyetjes stërshekullore, se  kush lindi e para, pula apo veza? Përgjigja sipas poetes do t’ishte: Pula, ose gruaja lindi para vezës. Zoti nëpërmjet seksit të gruas zbulon qiellin. Abstraktja këtu, që e dominon këmbë e krye poezinë e saj, vihet me shpatulla mbas murit. Kjo arrihet me një ëmbëlsi të madhe, të përtypshme por edhe muzikale, falë gegnishtes së tejkumbueshme.
Në poezinë, “Qytet i trisht”, autorja na ofron një poezi ku përpiqet të prekë realitetin e një qyteti të mjerë, por për fat të keq ajo aty vetëm se konstaton, ndërkohë që mund të vinte me ndonjë rrugëzgjidhje alternative, mungesë që e hasim pothuajse në të gjithë librin e saj.

Druej
se nata e syve tuej
nuk m’lajmnon agun,
as vjeshtën e vonueme
që bjerret duerve
a gjetheve, që halà
mbulojnë mëkatet e pemëve.
Druej se ky zâ që sonte m’flet
nuk âsht e vërteta që ndez qirinjtë
e stinëve,
që flaknojnë nën hapa.

Lojë me diell...
Lojë me diell…

Në këtë poezi poetja na sjell një dështim dydimensional të njeriut mbi Tokë. Dështimin për t’i zënë besë njëri-tjetrit në rrafsh universal. Dhe në një univers pak më të vogël, pamundësinë e shqiptarit për të gjetur vetveten, për të kuptuar dhe besuar te genet dhe vendi ku u lind.
Poezia e Çuliqit është një minierë marramendase figuracionesh që ajo di t’i përdorë ato ashtu si ustai mjeshtër gurët në muret e kalave apo shtëpive. Çdo figuracion ka vendin, peshën dhe funksionin e tij, pa iu bërë barrë vargut, apo penguar rrugën figuracionit në vargun e ardhshëm.
Çuliq e urren hierarkinë e ëndrrave. Për të, çdo ëndërr lind, lulëzon, vdes dhe rilind. Shkurt në poezinë “A, si andrra”, ajo shpalos frymën sokratiane.

Prejse nuk mbaj mend asgja,
çohem përditë me dëshirën
me shkue n’klasën e germës A.
A si andrra!

Në poezinë “Rruga”, ajo distancohet prej ëndrrës prej mishi dhe zgjedh për ëndrrën e ngurtë. Ajo ëndërron që të bëhet kalimtarja e rrugës ku ajo jetoi si qenie e gjallë prej mishi, gjaku dhe ndjenjash. Pra, ajo e hollon murin e jetës prej mishi dhe atij metafizik.
Poezia “Nanduer” është një odë që i bën thirrje njeriut të falë mëkatet ose krimet në jetë. Kjo poezi mund të shërbejë shumë mirë edhe si model paqësimi për të gjithë të ngujuarit e gjakmarrjes, kryesisht  në veriun e Shqipërisë.

Fala vedin edhe atëherë kur sytë
t’i mbusha me lotët e mi
dhe ti qave për të dy,

Mësova me falë mëkatin që puthte freskët,
dashunonte dhimbshëm e
ikte bukur,
siç ikin engjëjt qiejve për me korrë
andrrat që ne ia pëshpërisim netëve
lëkurëve tona,
e mandej vijnë në Tokë me duert plot
dritë,
me nijetin me na mësue nji tjetër falje.

Elementët fizike të gjithësisë janë në poezinë e Çuliqit, pothuajse kudo të pranishëm. Drita, errësira, lumenjtë, deti, yjet.
Në strofën e mëposhtme ndeshin për të satën herë natyrën me të gjithë gjymtyrët e saj, por edhe revoltën Migjeniane. Dhe revolta s’ka se si t’i mungojë Elonës. Poezia e saj vlon prej ritmit, dinamikës dhe aksionit. Aty vërejmë edhe ndikimin e Camajt, veçse ky i fundit është shumë më konciz dhe fin në gjuhë, ndërsa Culiq nuk e kursen vargun. Ajo i jep poezisë një shtrat më të gjërë.

Poetja Elona Culiq
Poetja Elona Culiq

Çelu tash! – bërtas.
Zâni përshkohet n’asht të majave,
tue rrëzue krejt malet.

Çelu tash! – bërtas, prap!
E rr’nojat gjallnohen bashkë me ty,
e m’arrini,
terrin tue ma mat’ buzë për buzë.

Në aspektin erotik, herë ndeshim një Evë dhe Adam rebel, siç ndodh në poezinë “Afër” dhe herë një Evë dhe Adam të bindshëm siç e shohim në poezinë “Nji hurth ag”
Çuliq, ndoshta  operon në zona të ngushta, por që në ecuri e sipër ato zgjerohen. Në poezitë e saj, dominon njejësi, “ti dhe unë”, por që më vonë, “ti dhe unë” bëhen “ne dhe ju”
Çuliq, jo se i ka frikë tematikat e caktuara, por ajo i shmang sepse ato të detyrojnë të futesh në një kornizë të caktuar kohore. Çuliq, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen i bën mish të grirë. Kjo, sipas meje, e shtyn Çuliqin të distancohet pak si shumë ndaj problemeve të kohës së saj. Edhe problemet shekullore të njeriut, ajo përpiqet t’i zgjidhë nëpërmjet mjeteve abstrakte, pa ndonjë logjikë të realizueshme. Në këtë aspekt poezia e saj, reflekton një cektësi filozofike, mungesë erudicioni. Si të thuash, ajo na jep një lloj fshese magjike, e cila ndodhet në duart e natyrës.
Këtë e vërejmë edhe në titullin e këtij libri: “Patitullni”.
Megjithatë Çuliq ndonjëherë i mëshon më shumë së kaluarës se sa të tashmes apo së ardhmes, si në poezinë “Sa bukur me të dashtë” ku poetja dashurinë e nxjerr kryegjyshen/ paraardhësen  e gjithçkaje.
Ja sa bukur e përshkruan Çuliq kryenënën e dashurisë.

Na duhena para se me u dashtë dashnia,
duhena para se duert me njoft’ prekjen
e t’dridhunat e shpirtit me u ndie
n’përkëdhelje.
Duhena në mosnjohjen tonë,
n’asgjanë që e ndërtojmë frymë mbas
fryme.
Duhena çdo ditë, edhe kur sytë nuk
shohin sytë

Poezitë e Çuliq duhen lexuar të paktën dy, por pse jo, edhe tre herë. Leximi i dytë dhe i tretë nuk lind prej bezdisë apo acarimit, por prej magjisë së figuracioneve dhe dinamikës. Vargjet e Çuliqit janë damarë të ngrohtë, plot emocion por edhe plot intrigë e abstraksion. Në çdo poezi të saj gjejmë strofa marramendase, që nëse i bashkojmë së bashku, krijojnë një univers planetesh ku njeriu herë u jep këmbë, herë i verbon ose vetverbohet.
Çuliq ia beson më mirë poezinë e saj ëndrrës. Asaj ëndrre që është kudo dhe askund. Asaj ëndrrë që përbuz çdo formë me karakter tradicional. Asaj ëndrre që lind për të vdekur, për të fjetur kur duhet me fjetur  dhe ringjallur.
Poezia e Çuliq sjell pa dyshim një risi në rrafshin e poezisë natyraliste. Megjithëse ajo është rrahur dhe ka lindur shumë më herët, Çuliq e vesh/ mbush atë me emocion, ndjenjë por edhe muzikalitetin magjik të gegnishtes, kësaj pianoje me miliarda tinguj të mrekullueshëm.
Përballë fesë ajo merr dy pozicione. Herë reflekton frymën Niçeane ku Perënditë vdesin njësoj si njerëzit, dhe herë na paraqet anën mistike të fesë si në vargjet e mëposhtme, ndaj dhe mund të themi se ajo është një poete e nuancuar ndaj (mos) ekzistencës së Zotit! Ajo demonstron një fleksibilitet fetar, që shekullit tonë i duhet.

Ti,
faltore bosh,
mëkat i parrëfyem,
je kujtimi që s’din me heshtë!

Ai që shkruan në gegnishte nuk ka nevojë për të bërë poezi me rimë, sepse gegnishtja zien prej muzikalitetit. Këtë bën edhe Çuliq. Ajo zgjedh për vargun e lirë. Tufani metaforik që ndeshim aty, na kujton shpesh magjinë e gjuhës markeziane.

Në dhomën teme kam nji çils kozmik;
prej aty unë ve n’lëvizje krejt botën;
shtëpitë përreth i manovroj si marioneta
heshtimi,
qiellin e rrethrrotulloj n’gisht
si nji premtim lidhun me kangë
fallxhoresh,
yjet i marramendi der’ n’dehje
shkëlqimesh,
pemët i lidhi prej gjethesh
tuj krijue stin’rrethime apokaliptike,
gurët i lmoj der’ n’gulçin e fundit t’syve
e trotuarët i lidhi prej gjuhësh
der’sa t’kapërdijnë edhe kujtimin e fundit
të kalimtarit të fundit.

qiell dhe degë...
qiell dhe degë…

Mund të them me plot gojën dhe optimizëm se Çuliq bën pjesë në atë grupin e atyre poeteve femra shqiptare të mbas vitit 1991, si F. Açka, E. Ristani, D. Dabisheci, I. Zajmi, E. Tabaku/Sorman, A. Kruti etjerë, që po guxojnë të shprehen ashtu siç duhet në poezi duke demonstruar intelektualizëm. Sepse deri më dje, poezia ishte më shumë një art për meshkujt. Për fat të mirë kjo tabu po përmbyset, çka na bën të shpresojmë se tempulli i poezisë po zgjerohet për të dyja gjinitë që nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën jo vetëm në art, por edhe në jetën e përditshme.
Po i mbyll përshtypjet e mia me strofën e mëposhtme që kristalizon jo vetëm ringjalljen e çdo ëndrre, qoftë kjo prej mishi apo prej guri, zjarri a uji, por edhe të tërë librin e poetes, kollonat e të cilit janë ëndrrat ndër shekuj përballë njeriut dhe natyrës.

Jeta ime asht një parathanie e stërzgjatun
dhe fryma mbetet i vetmi portret,
që blatohet trupit tim
pa gjymtyrë…

Rezart Palluqi
Holandë, Shtator 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.