back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dalip Greca ndërroi jetë: humbje e madhe për gazetarinë shqiptare në diasporë dhe në atdhe In Memoriam nga Frank Shkreli

Gazeta

Darka e daljes në pension e Dalipit, Korrik, 2021 -Idriz Lamaj -Dalip Greca dhe Frank Shkreli
Darka e daljes në pension e Dalipit, Korrik, 2021 –
Idriz Lamaj – Dalip Greca dhe Frank Shkreli

Dalip Greca ndërroi jetë: humbje e madhe

për gazetarinë shqiptare në diasporë dhe në atdhe

In Memoriam nga Frank Shkreli

Një mik e koleg i dashur dhe i nderuar për mua dhe të gjithë ata që e kanë njohur, u nda papritmas nga kjo jetë. Gazetari i njohur Dalip Greca ndërroi jetë. Lajmi na tronditi dhe na mjeroi. Një zi me plot dhimbje mbuloi familjen Greca, pikëlloi kolegë, miq e dashamirë të shumtë të tij, këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri. Mik i çmueshëm dhe i përzemërt! Humbëm një mbështetës të papritueshëm të aktiviteteve kulturore këtu në Amerikë, por mbi të gjitha u thye një shtyllë e fortë e gazetarisë shqiptare në mërgim dhe në mbarë botën shqiptare.
Më pak se një vit më parë, familja, miq, shokë e dashamirë të Dalipit – mbi 100 veta – të ftuar nga Vatra historike e shqiptarëve të Amerikës organizoi një darkë në nder të Editorit të Diellit dhe puntorit të palodhshëm të Vatrës, për të celebruar daljen e tij shumë merituar në pension.
Dalip Greca për 12 vjet udhëhoqi me profesionalizëm, korrektësi dhe ndershmëri gazetën Dielli, ndërsa ndikimi i tij në Vatër dhe kontributi i tij i jashtëzakonshëm në organizatën më të vjetër të komunitetit shqiptaro-amerikan do të mbetet trashëgimi e tij, sidomos ndihma e tij në ringjalljen e gazetës historike Dielli. Puna e gazetarëve atdhetarë si Dalipi, nuk njohin bjerrje. Puna e tij për ringjalljen e gazetës Dielli në veçanti dhe të Vatrës në përgjithsi shihet dhe pranohen tanimë edhe nga disa kritikë, si diçka me rëndësi në dobi të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të interesave të shqiptarëve dhe të Kombit – të cilit Dalipi ia kushtoi jetën, mundin dhe djersën e tij.
Nderimi në darkën e daljes së Dalipit në pension ishte një mirënjohje e vogël kundrejt punës së madhe dhe vlerave të çmueshme që Dalip Greca kultivoi dhe transmetoi për 12 vjet në gazetën Dielli, në veçanti dhe në veprimtarinë e Federatës Pan-Shqiptare Vatra, në përgjithësi, duke u përpjekur t’i kthente ato në misionin origjinal të tyre, të përcaktuar nga themeluesit Fan Noli e Faik Konica.

Darka e daljes në pension e Dalipit, Korrik, 2021mes kolegesh dhe miqsh
Darka e daljes në pension e Dalipit, Korrik, 2021mes kolegesh dhe miqsh

Dalip Greca e kishte në gjak gazetarinë. E kishte pasion dhe e merrte me shumë seriozitet punën e gazetarit dhe editorit. Me një rast i thashë, more Dalip, mos kemi zgjedhur profesionin e gabuar, se me gazetari as në Amerikë, nuk pasurohemi dot. Buzëqeshi pak dhe më tha: Jam gazetar për pothuaj 40 – vjet dhe nuk jam penduar fare. Dalipi ishte nga ata gazetarë të përkushtuar ndaj profesiosnit të tij – siç thonë se janë mjekët dhe infermierët të përkushtuar për shpëtimin e jetës së pacientëve – ashtu ishte Dalip Greca i përkushtuar ndaj profesionit të tij – nëpërmjet gazetarisë së lirë – si një mjet për të zbuluar të vërtetën – në shërbim të të mirës së përbashkët. Për këtë, ne që e kemi njohur, jemi të gjithë dëshmitarë dhe krenarë me punën e tij të gazetarit dhe editorit. Ai ishte aq i pasionuar pas gazetarisë, sa që edhe pas pensionimit, Dalipi nuk u largua nga Dielli, nuk i tha lamtumirë, por premtoi se edhe në pension do të vazhdonte të kontribuonte artikuj, analiza, komente dhe shkrime të tjera. Fatkeqësisht, shkuarja e tij në amshim, ia ndërpreu këtë kontribut të mëtejshëm, të premtuar për gazetën “Dielli” pas daljes në pension – një humbje e madhe kjo për të gjithë lexuesit e gazetës më të vjetër në botë, gjithnjë në ekzistencë.
Besoj se siç ka thënë paraardhësi i tij, i Madhi Faik Konica, me rastin e botimit të 1-vjetorit të gazetës Dielli, “Kur bënë një udhë të gjatë, udhëtari qëndron nga ndonjë herë, rri mbi gur dhe hedh sytë pas tij. Është një çlodhje dhe një dëfrim, një kurajo për të vajtur më përpara, kur sheh se sa eci dhe ç’mbaroj gjer atje…”
Jam i sigurt se Dalip Greca në udhëtimin e tij të parakohshëm për në amshim, shikon pas dhe krenohet me veten e tij për arritjet dhe sukseset, për trashëgiminë gazetareske dhe letrare që ka lenë pas – trashëgimi për familjen e tij të nderuar dhe të dashur – por edhe për shoqërinë dhe kulturën shqitare në përgjithësi. Dhe i thotë vetes: Job Well Done! Punë e kryer shumë mirë! Rolin e editorit të Diellit, Dalip Greca e kishte marrë me shumë seriozitet, dinjitet dhe përgjegjësi dhe krenari për ta drejtuar gazetën Dielli në një frymë përbashkuese, por mbi të gjitha, në interes të Vatrës, komunitetit shqiptaro-amerikan dhe në veçanti, me aq sa kishte mundësi në mbrojtje të intersave dhe vlerave kombtare të shqiptarëve – si një pasqyrë të interesave të komunitetit shqiptaro-amerikan por edhe më gjerë.

Me Dalip Grecën një intervistë kur punonte si editor i gazetës Illyria, Mars 2005
Me Dalip Grecën një intervistë kur punonte si editor i gazetës Illyria, Mars 2005

Ishte meritë e Dalip Grecës që me diplomaci dhe urtësinë që e karakterizonte atë si person dhe punën e tij, që ai mundi të menaxhonte me aftësi, për 12 vjet, pritëshmëritë e individëve dhe të grupeve të ndryshme brenda dhe jashtë Vatrës, duke pajtuar kërkesat dhe pritshmëritë e diasporës së vjetër me ato të emigrantëve të ri në këtë vend. Është gjithashtu meritë e Dalipit që gazetën Dielli e ngriti nga një gazetë e komunitetit, në një forum diskutimi të subjekteve të ndryshme me rëndësi dhe karakter kombëtar dhe ndërkombëtar.
Nga ky këndvështrim, dëshiroj të shpreh falënderimet e mia të thella Dalip Grecës, i cili për gjithë periudhën që shërbeu si editor i Diellit, pa asnjë hezitim dhe pa asnjë përjashtim, gjithmonë i ka botuar të gjitha shkrimet e mia modeste që i kam dërguar gazetës Dielli. Për këtë i jam, përjetësisht, mirënjohës!
Kalimi në amshim i Dalipit dhe zbraztësia që le pas do të ndihet për një kohë të gjatë në komunitetin shqiptaro-amerikan. Mungesa e tij natyrisht do të jetë shumë më e rendë dhe më e thellë për familjen e tij dhe për farefisin këtu në mërgim dhe në Atdhe.
Familjes së ngushtë bujare dhe të nderuar të Dalipit këtu në Shtetet e Bashkuara dhe farefisit më të gjerë Greca kudo qofshin ata, u paraqes me zemër dhe mendje të pikëlluar, përdhimbtimet e mia më të thella, duke marrë pjesë në zinë e tyre në këtë moment të vështirë për humbjen e fort të dashurit të tyre, Dalipit, me ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe me ndiesi miqësije vëllazërore!
Frank Shkreli

Foto 1 – Nga darka e daljes së Dalipit në pension, korrikun e vitit që kaloi, me kolegun dhe mikun tonë të përbashkët, studiuesin Idriz Lamaj, Dalip Greca dhe autori.
Foto 2 – Nga darka e daljes në pension e Dalipit, Korrik, 2021, duke festuar me disa miqë e kolegë të Dalipit
Foto 3 – Takimi im i parë me Dalip Grecën ishte një intervistë kur ai punonte si editor i gazetës shqiptaro-amerikane Illyria, Mars 2005. Ç’prej atëherë kemi mbetur miq e kolegë.
Të falënderoj për miqësinë Dalip!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.