back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Darka e Krenëve të Malsisë nga Palok Prela

Gazeta

Ded Gjo Luli dhe Palok Traboini 1911
Ded Gjo Luli dhe Palok Traboini 1911

Darka e Krenëve të Malsisë

nga Palok Prela

Kur pasha i Shkodrës thirri gjithë parinë e Malësisë, Dedë Gjo Luli nuk pranoi me i dhanë vendimet e preme, përpara se me dalë e me bisedue edhe me popull. Edhe të tjerët ranë dakort me mendimin e Dedës se pa kenë populli dakort nuk mundena me thanë kurrgja.
Duelne nga pasha në miletbaçe, u bashkuene e u thotë Deda, nuk mund të bajmë muhabet këtu, se këtu ashtë rrugë e madhe, por po shkojmë sot tek Palok Luca, se kështu e thërriste Dedë Gjoni gjithmonë.
-Aty kemi shtëpinë tonë, – tha Deda, – Paloka asht njeri me shkollë e i pret mendja hollë e kështu atë natë lajmëroi Deda Palokën e i thotë, “përgatitu për 7 vetë, shtatë pari të maleve”.
Zen Paloka me bisedue me Martin Ujk Çekun e me Prelocin (Prekën), korrierin e Ded Gjo Lulit, e u thotë Paloka se me ther një dash, ai ka një krye, e ata janë shtatë burra e dashi nuk i ka shtatë krena. Prandaj nuk di se kujt me i qitë një krye e kujt një copë mish, se del dikë me e rritë e dikë me e zvoglue, por, i thotë Martinit, merr thesin e shko tek filan kasap, në mos i pastë ai t’i marrë ndër shokë, i thuaj: Ka thanë Paloka, më ço 7 krena e 15 kile mish: I thanë, ka me i ba (kushtue) kaq shumë, sa kështu ka me i shkue e nesërmja pa hangër bukë.

Malsoret e Veriut
Malsoret e Veriut

Dalë nga dalë, kah mbramja, ka kris dera e Palok Traboinit. Niset Katrina me e çilë. Ndal, i thotë Paloka, ndal se duhet me dalë vetë me i pritë e me i ndeshë.
I thotë Mehmet Shpendi në të hyme:
-Palokë na ka marrë mendja me të mushë me miq!
-More, – ja kthen Paloka, – si me ja ba armikut, se për njat zot, me miq nuk po ngihena kurrë, por juve bash ju qoftë hoshgjeldën! (mirseardhun).
Hynë burrat mrenda. Ded Gjo Luli, Mehmet Shpendi, Isa Boletini, Marash Dashi, Zenel Shaba i Kastrat, Vat Marashi bajraktari i Nikçit, Ded Nika bajraktari i Grudës që kishte ardh mësheftas Sokol Bacit, e kështu filloi sofra, filloi pija, kush mastikë e kush raki qysh herët e tuj pi po bien mbrapa 7 krena e t’ja vënë të gjithëve ka nji përpara.
E nget Mehmet Shpendi: -Shumë krenat i paska pasë njai dash, or Palokë!
Ja priti Paloka: “Duhej me kenë me shtatë krena, se shtatë prijës që ishit ju, nuk dijshem, kujt me i qitë nji copë mish e kujt nji krye, cilin me e rritë e cilin me e zvoglue! E këtë nuk mund ta bajshe se ashtë një punë e madhe dhe e randë.”

Mehmet Shpendi
Mehmet Shpendi

E kështu vazhdoi pija e muhabeti deri mbas mjesnate. E kështu mbeti dhe muhabeti, që Ded Gjo Luli nëpërmjet, miqve të vet me shikue hallet e një flamur.
Të ngjamen e flamurit e di kështu: U vonue me u projektue e punue në ndërmarrjen artistike të Vjenës së Austrisë. Tuj pa se flamuri vonoi, çoi Deda Kolën djalin e vet përsëri në Austri e atje u muerën vesh se asht tue u punue: e hala nuk ishte mbarue. Ishin në Cetinë bashkë me Hil Mosin e Luigj Gurakuqin kur u thotë Deda: “Si me ba bre burra, nuk asht çajre pa bajrak, se atëherë i thojshin bajrak, se kur s’ke flamur, nuk dihet se pse luftojmë. Prandaj ndërhyni te Gjon Gjokola e te terzija i Krajl Nikollës së Malit të Zi!”
Erdhi lajmi që delni e priteni flamurin se asht nisë prej Vjene. Prandaj Deda filloi luftën, e tue qenë se nuk mund të lente shokët, por as luftën vetëm, përcollën Palok Traboinin me e prite në Kotorr. Ai e pruni në Hot. Vazhdoi e mbaroi lufta e atë flamur e ka ruejtë në arkën vet Nore Kolja (gruaja e Kolës, të birit të Ded Gjo Lulit,) deri që filloi Lufta e Dytë Botnore. Qe pra at flamur as Zogut nuk ja dorzoj Nore Kolja deri në 1939. Kur prejt friget të Italisë, se po ja marrin e po ja humbin, çoj me e strehue tek kleri katolik, aty ku u zhduk e nuk u pa kurr ma flamuri që e prunë prej Vjene. Në pranverë të vitit 1912, Deda qiti xhevap në të gjithë malet që kush donte me e pa atë shenjë Shqipnije e që nuk e ka pa kurrnjiherë, të dilte e ta shihte ditën e diel. Aty u bashkuene gjithë malësia. At flamur e kanë hapë dy burra në një vend të nalt e njerzija thojshin se gja ma të bukur nuk kishin pa ndonjëherë. E Palok Traboini kaq patriot i flaktë ishte, sa ka qitë në atë festë 12 teneqe spirto (raki-mastikë) që zejshin nga 18 kile secila, e atë duhej me e pre katërsh me ujë që u bajshin them nja 800 kile pije. Filloi pija alkolike. Brohore e madhe sa nuk ka festë a dasëm ma të madhe, por siç thamë ai flamur u zhduk e tash fotografia e tij shihet në muzeun e Ded Gjo Lulit.

Çun Mula - Bajraktari Hotit dhe i Malsise se Madhe
Çun Mula -Bajraktari Hotit dhe i Malsise se Madhe

…Kur Paloka fillonte mësimin, nxirrte livoren aslagant e vente mbi tavolinë e u thoshte nxansëve: “Gjithmonë duhet me mësue, me punue e me luftue, e gjithmonë njeriu qysh në të leme, duhet të mendoje për Atdhenë!”
…Di që kur asht nis në luftë të Koplikut, i kanë thanë Zef Skanjeti e do shokë reshperë:
“More Palokë, s’asht nevoja me dale ti në luftë, ka kush me luftue se ti je i kalemit e ti nuk shikohe për luftë!” Paloka u pat thanë:
“Ai që nuk lufton për Atdhe e nuk asht për pushkë, nuk duhet gja as për kalem, se armiku gjithmonë shporret vetëm me pushkë! Prandaj, shokët i kam tuj u vra e vet me ndejtë me gra, mos he burra! Po këto armë atëherë çka më duhen?”
Në Luftë të Koplikut, Palok Traboini nxorri pushkën me vra Alush Lohen që thërriste: “O bini burra, djemt e Hotit! Qëndroni mos u koritni…!”, e vetë veshë ushtarak rrinte ndenjun në karrike e i përcillte të tjerët për në luftë.
Palok Traboini e mësyni: “Çohu qeni i qenit me ardhë në luftë se nuk bahet lufta prej karriket! Burrat e Hotit nuk janë korit e as do të koriten asnjiherë!” Por shokët ja kapen dorën Palokës shpejt e shpejt, kaloi plumbi përmbi kryet e Alush Lohës që shpëtoi pa u vra.
E kam pas kojshi në Hot të Ri dhe e kam ndigjue edhe vetë kur u thonte atyne që i patën thirrë në nji aparat (pritje) kur pat ardh Viktor Emanueli: “Atë ka kenë marre për shqiptarët me e lshue pa e vra e me shkue gjallë në Itali. Në vend që me e vra, ju i keni shkue me tuba lulesh. Si nuk ju ka ardhë marre he burra?!”
Megjithse i moshuem, këto fjalë i folte shumë bukur e jo si po i shkruej vetë, se nuk kam shkollë, por kam shumë vullnet që mos me i lanë të dekuna këto qëllime të shejta.
Në jetën e vet personale ka pasë edhe vështirësina. Ka pasë probleme me disa krenë të klerit, pse Paloka mor grue të dytë kur ishte mësues në Tuz. Por nuk asht nda me Katrinën e u martua me lejen e saj, (asaj i kishin dekë tre fëmijë me Palokën e s’lindte ma), se as njeni e as tjetri nuk dojshin që të mbyllej një derë shqiptare. E Katrina, fëmijët e Palokës i ka dashtë si fëmijët e vet, se ka kenë gru fetare e me zemër të mirë.

Figura e Malesorit
Figura e Malesorit

Për Palokën ka gjithçfarë të dhanash e asht zor me i kujtue të gjitha. Shtoj se i thosha mbas çlirimit në Hot të Ri: “Pse nuk shkruan për të dhanat e tua?” E kishem fjalën edhe për me ju njoftë meritat e me i lidh ndonji pension që nuk ja dhanë kurrë sa ishte gjallë, por ai më thoshte i menduem: “Unë nuk kam ba ndonji gja të tepërt, por kam ba detyrën si shqiptar. Me punue e me luftue për Atdhe e ka detyrë gjithësekush!”
Kështu pra i kishte përgjigjet Palok Traboini, kështu i kishtë qëllimet e punët më të mira që ka shqiptari.
Palok Prela, 77 vjeç
Shkodër, korrik 1984
Marrë nga http://www.dardania.biz

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.