back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

“Darsia”, i Harun Grecës një libër mbi vendbanim i fisit ilir të daorsëve, me gjurma jete 3200-1500 vjet p. Krishtit nga Dalip Greca

Gazeta

Zona e Darsise dhe Fusha e Myzeqesë në sfond
Zona e Darsise dhe Fusha e Myzeqesë në sfond

“Darsia”, i Harun Grecës një libër mbi vendbanim i fisit ilir

të daorsëve, me gjurma jete 3200-1500 vjet p. Krishtit

nga Dalip Greca

-Në gjurmë të historisë së Darsisë së Lushnjës dhe Peqinit nga Lashtësia deri më 1944, përmes shfletimit të librit “Darsia” shkruar nga studiuesi Harun Greca. Shfletimi bëhet si homazh për Mësuesin tim, kolegun, kushëririn si dhe në respekt e nderim të Darsisë nga vij.
-Në këtë libër enciklopedi autori përpiqet që të sjellë në vëmendje historinë e Darsisë së harruar, duke u mbështetur në qindra dokumente arkivore, në të dhënat arkologjike, etnografike, gjuhësore si dhe në Toponiminë, udhëtimin nëpër shekuj të banorëve të saj, por edhe betejat që janë zhvilluar në Darsi, përfshi edhe marshimin e ushtrisë së Jul Çezarit gjatë përballjes me Pompeun në betejën për Durrësin; merret me bëmat nëpër shekuj të darsianëve, mënyrën e jetesës së tyre, zakonet dhe traditat, pushtimin osman, Islamizimin dhe Gjurmët e Krishtërimit, arsimimin, qëndresën dhe pjesmarrjen në luftra, bujqësinë dhe blegtorinë etj.
-Në faqet e këtij libri përshkruhen për të parën herë me detaje dy tragjedi të përgjakura; ajo e marsit të vitit 1913, kur serbët therën 27 burra dhe lanë pas toponimin “Ke t’thermit” si dhe ajo e 24 tetorit 1943 , kur Mehmet Shehu në krye të Brigadës së Parë dhe në prani të Dushan Mugoshës pushkatoi 72 burra të pafajshëm duke lënë pas toponimin “Ke t’vramit”.
.
Harun Greca - (1942- 2016)
Harun Greca – (1942- 2016)

Kush është Harun Greca

Harun Greca, i biri i Tahirit dhe Behijes, u lind më 1942 në Gjuzaj, komuna Ballagat, Lushnje. I arsimuar me vështirësi për shkak të izolimit të zonës, ai arriti të kryente studimet në shkollën e mesme në Tiranë, dhe ta plotësonte me korrespondencë arsimimin e lartë falë vullnetit dhe pasionit për studime. Universitetin e Tiranës e përfundoi me korrespondencë në Fakultetin e Filologjisë, në degën Gjuhë dhe Letërsi. E kam pasë mësuesin tim të parë që në fillesat e arsimit fillor, ndërsa më pas edhe koleg e këshillues. Haruni shquhej në fushën e studimeve dhe ka një kontribut të jashtzakonshëm në historikun e arsimit të Lushnjës, por në mënyrë të veçantë në Darësi. Edhe si mësues, edhe si drejtor shkolle, ai meritoi respektin dhe mirënjohjen e nxënësëve, prindërve dhe mësuesëve. Janë me dhjetëra breza nxënësish që kanë marrë mësime prej tij.
Haruni ndërroi jetë me 28 Qershor 2016 në Tiranë. Shkolla 9 vjeçare e Gjuzajt, ku ai dha më shumë se tri dekada kontribut, sot mbanë emrin e tij: Shkolla 9 vjeçare “Harun Greca” Gjuzaj. Haruni së bashku me bashkshorten e tij, Liri (ndjesë pastë), rritën dhe edukuan 3 fëmijë shembullorë, Leonorën, mësuese për shkollat e Mesme, Alabanin – mjek reanimator në Tiranë, Silvanën – Pedagoge në Universitetin Shtetëror.
Krahas kontributin si mësues, drejtues shkolle, Haruni la pas artikuj të shumtë studimorë në organet e shtypit pedagogjik, por dhe librat e botuara:
1.Darësia
2.Mësonjëtoret e Darësisë
3.Gjuha Shqipe 9-, tekst mësimor për klasën e nëntë të shkollës 9 vjeçare dhe
4.”Gjuha Shqipe 9″, Libër ndihmës për mësuesit (bashkautor).
I ndjeri studues, një ndër kontributorët më të spikatur të arsimit në Darësinë e Lushnjës, dhe jo vetëm, na ka lënë pas si një vlerë e veçantë, një libër historik me vlera jo vetëm për darsianët, por edhe çdo lexues e në mënyrë të veçantë për studiuesit, librin “Darsia”.
Në një farë mënyre historia e krahinës rebele kishte mbetur ilegale në kohën e diktaturës edhe për shkak të dominionit nacionalist gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, por dhe të gjurmëve biografike që ajo la pas. Për rrjedhojë të ngjarjeve krahina mbeti pa infrastrukturë, pa investime, pa ujë të pijshëm, pa rrugë automoblistike. Bijtë e kësaj zone deri vonë nuk kishin shkollë të mesme, dhe izolimi i privonte për të zbritur në qytetin e Lushnjës për të vijuar arsimin e mesëm. Darsia u ndëshkua edhe për shkak të biografisë së saj antikomuniste. Por autori, kur e shkroi librin, nuk i vuri si qëllim vetes të merrej me biografinë e krahinës dhe me 45 vitet e lëngimit të saj; ai përpiqet që të sjellë në vëmendje historinë e Darsisë së harruar, Toponiminë, udhëtimin nëpër shekuj të banorëve të saj, por edhe betejat, përfshi edhe ushtrinë e Jul Cezarit gjatë përballjes me Pompeun në betejën për Durrësin; merret me bëmat nëpër shekuj të darsianëve, mënyrën e jetesës së tyre, zakonet dhe traditat, pushtimin osman, Islamizimin dhe Gjurmët e Krishtërimit etj, arsimimi, qëndresa dhe pjesmarrja në luftra, bujqësina dhe blegtoria etj…
Në faqet e këtij libri përshkruhen për të parën herë me detaje dy tragjedi të përgjakura; ajo e marsit të vitit 1913, kur serbët therën 27 burra dhe lanë pas toponimin “Ke t’thermit” si dhe ajo e 24 tetorit 1943 , kur Mehmet Shehu në krye të Brigadës së Parë dhe në prani të Dushan Mugoshës pushkatoi 72 burra të pafajshëm duke lënë pas toponimin”Ke t’vramit”.
.
Zona Kodrinore e Darsisë
Zona Kodrinore e Darsisë

Ku ndodhet Darësia?

Para se të japim burimin e emërtesës së krahinës le të prezantojmë vendodhjen e Darsisë sipas librit “Darsia” botim i vitit 2010 nga Shtëpia Botuse “Globus R”, libër me 310 faqe i ilustruar me fotografi, harta, gjetje arkologjike të lashtësisë, vizatime, dhe burime të shumta bibliografike e arkivore.
Darsia, shkruan autori, e ndodhur në zemër të Shqipërisë, ngritur mbi gjunjë mes dy fushave; të Myzeqesë dhe asaj të Peqinit, e banuar 3200-1500 vjet para Krishtit, e gjelbëruar përjetësisht prej ullinjëve shekullorë, e përshkuar kryq e tërthorë nga rruga më moderne e kohës, Egnatia, me banorët e saj punëtorë, krijues e të talentuar, me ekonomi e kulturë të zhvilluar, ka qenë zonjë mbi zonjat.
Gjeografikisht, Darsia është vazhdim i zonës kodrinore të Dumresë, ka të njëjtin reliev, klimë e bimësi, por përbën njësi të veçanta sa i takon të dhënave në fushën e shkencës së etnografisë (në tradita, në mënyrën e jetesës, në kulturën materiale, artistike, shoqërore e shpirtërore). Në Veri kufizohet me Peqinin e Rrogozhinën në Shkumbin, në lindje me Dumrenë në Trash, Pekisht, Rrasë, Çerragë, Kosovë e Vogël e Stan Karbunarë. Në Jug dhe në perëndim me fushën e Myzeqesë në autostradën Lushnje-Rrogozhinë deri tek ura mbi Shkumbin. Përfshihet në rrethin e Lushnjës dhe të Peqinit dhe përbëhet nga dy pjesë: Darsia e Lushnjës dhe Darsia e Peqinit. Ajo ka pamjen e shumkëndshit të çrregullt, shtrirë e mbështetur në Myzeqe dhe Dumre dhe laget e freskohet në ujrat e rrjedhshëm të Shkumbinit.
Relievi përgjithësisht është kodrinor. Ka vetëm pak fushë në të majtë të rrjedhës së Shkumbinit dhe disa lugina në brendësi të saj. Majat më të larta të kodrave janë: Karthneku 325 m mbi nivelin e detit, Mollasi 299 m, Shkujka në Shegas 282 m, Mollagjeçi në Ballagat 275 m, Sopi i Bardhokut në Kurtinë 239 m, dhe Balaj 230 m. Dikur të veshura me drurë e shkurre, plot bukuri e hijeshi, por sot përcëlluar, djegur e zhveshur. Sëpata dhe zjarri i shfarosën. Vetëm në faqet, poshtë tyre, rriten shkurre të llojeve të ndryshme.
Në dy anët e krahinës, lindje dhe perëndim, duke filluar nga lartësitë e kodrave, rrjedhin përrenj të shumtë, të gjatë e të shkurtër, të cilët në të kaluarën shkonin ujëplot, dimër e verë.Të tillë numërohen: Lunja në Karbunarë, përrenjtë ën Shezë e Vashaj, në Manasufaj e Jazxhijas, në Shegas e Dushk, në Gramsh e Zhamë, në Kasharaj e Garunjas, Përroi i Lushnjës dhe Laskarica në Gjuzaj etj.
E gjithë krahina, nga lashtësia deri në ditët tona, ka qenë e banuar në vazhdimësi prej banorëve autoktonë. Gjatë rrugëtimit të shekujve kanë ndodhur largime dhe ribanime të herëpashershme, që dokumentohen prej gjetjeve e mbeturinave të shumta arkologjike, nga dëshmitë e ndryshme dhe dokumente shkresore.
.

Vendbanimet e Darsise

Vendbanimet janë fshatrat: Allprenaj, Balaj, Ballagat, Biçakaj, Çelhakaj, Dushk, Garunjas, Golem, Gramsh, Gjocaj, Gjuzaj, Gjyshaj, Hasmashaj, Hajdaraj, Hysgjokaj, Jazxhias, Karthnekë, Kasharaj, Kurtaj, Kurtinë, Kupas, Karbunarë, Lekaj, Manasufaj, Murriz, Mollas (Murtajas), Rrumbullakë, Sallbegaj, Skilaj, Shezë, Shegas, Thanasaj, Vashaj, Xibrakë, Zgjanë, Zhamë dhe Lushnja qytet (dikur fshat).
Qendrat kryesore janë: Sheza, Hysgjokaj, Ballagati, Karbunara, Gjocaj, Golemi e Dushku.
.
Libri "Darsia" i autorit Harun Greca
Libri “Darsia” i autorit Harun Greca

Njësitë administrative varen historikisht janë Lushnja e Peqini

Veprimtaria kryesore e banorëve ka qenë bujqësia dhe blegtoria. Kultivohej më shumë, më lashtësi e mesjetë, gruri e vreshtaria, pas tyre, në shekullin e XVIII, misri. Përhapje të gjerë ka pasur rritja e deleve, dhive e kuajve. Sipërfaqja e zonës mbulohej kryesisht me drurë lisi, shkoze dhe blini, që mbanin një faunë të pasur me shpezë e kafshë të egra të llojeve të ndryshme. Në pyje, korie e lëndina jetonin në koloni shpendët si: qukapiku, çota, fuga, shkurtëza, turtulli, dudia, pëllumbi i egër, gjeli i egër, thëllëza, shpatorja, mullenja, gargulli, etj, por edhe kafshë të egra si: lepuri, iriqi, kunadhja, vjedulla, dhelpra, çakalli, ujku, derri i egër etj.
Banesat, në fillimet e para, ndërtoheshin kryesisht me drurë, por më vonë edhe prej guri ranor, jo shumë rezistent. Banorët ishin mjeshtra për ndërtimin e tyre.
Në shekuj Darësia, për shkak të pranisë së Egnatias, ka shërbyer jo vetëm si nyje strategjike militare, pr edhe të asaj ekonomike, kulturore e tregtare. Nëpër të kaluan ushtri të panumërta, tregtarë, shtegtarë, udhëtarë, të varfër e të pasur, dijetarë dhe varrmihës, dishepuj të Krishtit e idhtarë ët tyre, që shpërndanë e mbollën Krishtërimin. Majat e kodrave, dendësisht të populluara e të urbanizuara, u kthyen shpesh në rolin e kullave observuese, mbrojtëse e sulmuese dhe rrugët në lumenj me prurje të shumta trupash të armatosura.
Po pse krahina e mori emrin Darësia?

.
Harta e Fiseve Ilire
Harta e Fiseve Ilire

Darsia: Gjurmët Ilire përmes gjetjeve Arkeologjike

Studiuesi Harun Greca do të mbetet i pari që i ka hyrë me themel zbulimit të shtresave dhe nënshtresave të fjetura të historisë së Darsisë. Jo se të tjerët nuk kanë tentuar, por thjeshtë sa kanë gërvishur në koren e sipërme, pa shkuar në zgafellat e historisë, atje ku qëndron e rrinë fshehur mademet e darsiane. Siç shkruan autori, ai i vetëm ka ecur nëpër muzg me pishtarin ndezur për të ndriçuar sadopak atë që është konservuar që prej lashtësisë: Mijëra vjet më parë, afërsisht në mijëvjeçarin e dytë para Krishtit, Darsia, skalioni i dytë i kodrave, mendohet të ketë qenë më i rëndësishmi se kodrat e Karatoprakut, dhe mbante e ushqente një popullsi të shumtë e të dendur, që ushtronte një aktivitet ekonomik, tregtar e kulturor të zhvilluar.
.

Historia “fle” nën tokë

Gjetjet e vazhdushme të objekteve të kulturës material të përdorura prej popullsisë vendase, të zbuluara rastësisht gjatë punimeve me karakter bujqësor në kohën e plugimit të tokave, në taracimin e kodrave, hapje themelesh për ndërtime banimi, ose prej ekspeditave arkologjike sporadike e sipërfaqësore, dëshmojnë për një zonë të pasur, interesante që përbën një arsye më tepër për studimin e historisë së saj të harruar.
Në Darsi shihen rrjedhimet e kulturës së lashtë vendase, e cila duket si e heshtur, rri si e vdekur, me sytë e gojën mbyllur…
Jeta dhe vetë historia “fle” nën tokë, pret të zgjohet e të dalë sheshit, të pastrojë dheun që e ka ngrënë…
Autori përmes të dhënave arkivore dhe shfletimeve të shumta, referencave të pafundme, përpiqet të tregojë se zona ka qenë e banuar që në kohën e ngulimeve të para, atherë kur akujt shkrinë e moti u ngroh, kur drejt saj vërshuan popujt e lindjes, kapërcyen male e detra për kushte jete më të mirë.
.
Dy kusherinjte; Harun dhe Dalip Greca
Dy kushërinjtë: Harun dhe Dalip Greca

Mjetet prej guri gjetur në Darsi, dëshmi të jetës neolitike

Falë përkujdesjes së mësuesëve të historisë së asaj zone është arritë zbulimi i mjeteve prej guri, pasuria më e madhe dhe më me vlerë e gjetur ndonjëherë në pjesë të ndryshme të krahinës, që tregojnë fillesën e jetës që i përket epokës neolitike(të gurit ose 3200 vjet para Krishtit). Kjo përbën risinë më interesante të lashtësisë së saj.
Studiuesi Harun Greca tregon se gjeografia e shtrirjes së këtyre gjetjeve nis me kodrat në lindje të qytetit të Lushnjës, ku u gjet një sëpatë guri e fortë, ngjyrë ulliri, me formë trapezoidale me gjatësi 13 cm, që i përkiste kohës së Neolitit të vonë.
Një e tillë u gjet edhe në Karbunarë të Vogël, në faqet e kodrave lindore të saj. Kjo sopatë është prej guri të fortë, ngjyrë gri, e errët, me gjatësi 4.2 cm, e përdorur si mjet pune gjatë kohës Neolitike.
Një gjetje tjetër interesante doli në dritë gjatë plugimit me traktor të tokave në fshatin Gjuzaj. Ajo ishte një sopatë prej guri të brimuar, e gjetur dhe e dorëzuar nga një traktorist. Guri i punuar është i fortë, ka ngjyrë jeshile, është me teh të mprehtë e tunj të sheshtë. Ajo ka gjatësi 21 cm, me vrimë tuni në qendër për vendosjen e bishtit, diametri i vrimës është 3 cm.
Në tri sëpata të gjetura në rrethin e Lushnjës, tri i përkasin Darsisë, ndërsa vetëm një, e gjetur në qytetin antik të Babunjës (Arnisa), i përket popullsisë së lashtë të vendosur në kodrat e Karatoprakut. Gjetja e veglave prej guri që datojnë në periudhën e antikitetit, dëshmojnë se krahina kishte filluar të banohej e popullohej shumë shekuj para lindjes së Krishtit. Vendbanimet e para kanë qenë guvat dhe më pas kasollet. Objektet e gjetura japin sinajle të besueshme se Darsia ka folur që në lashtësi, në kohët prehistorike 3200-1500 vjet para Krishtit.
.

Dëshmitë që vijnë nga gjetjet e qeramikës antike

Libri “Darsia” sjell dëshmi të shumta dhe i jep vend të rëndësishëm në kulturën material prehistorike gjetjeve masive të qeramikës antike. Janë gjetur me shumicë fragmente të qeramikës antike, enë të ushqyerjes, të ujit, si dhe ato me qëllime luksi e zbukurimi. Ndër to përmenden: lekita, skifose, amfora, pitosa, kana, kupa, pjata, kandila ndriçimi, enë e tuba uji. Shumica u gjetën në varre, zbuluar rastësisht nga plugimi i tokave me traktorë, gjatë hapjes së themeleve për ndërtim banesash. Zbulime të atilla datojnë në shek. IV-III para Krishtit. Në shumatoren e objekteve prej qeramike dallohen tjegullat për mbulesën e çative të shtëpive dhe atyre që përdoreshin për varre. Ato janë të mëdha e me ullukë të përkulur, por edhe të sheshta. Të tilla janë gjetë në Hysgjokaj, Ballagat, Gramsh, Rrumbullakë, Dushk e Shegas. Në kodrën pranë Rrumbullakës, bashkë me skeletin e njeriut, brenda u gjetën enë balte (amfora) të zakonshme sferike, të fryra, me qafë e fund të sheshtë. Ornamenti i përdorur prej mjeshtrave që i kanë punuar, duket se është rrëshqitja e gishtave mbi sipërfaqe të enës gjatë përpunimit. Paretet e tyre ishin të holla dhe me pjekje të mirë. Në vendbanimin e lashtë u gjet edhe një varkë.
.

Varret e lashtë, në Darsi dëshmi e  kulturës dhe riteve ilire

Vlen të përmendet dhe varreza e madhe që u gjet nën këmbët e faqes së kodrës të Gramitorit, gjatë tarracimeve. Studiuesit pasi i kaluan në proces studimi arritën në përfundim se varreza i përkiste periudhës së Shekullit të IV-II para Krishtit. Brenda varrezës u gjetën sasi të mëdha enësh prej balte të pjekur e prodhimit vendas si dhe të importuara nga përtej detit, një sasi armësh, kryesisht maja heshtash prej hekuri, si dhe një përkrenare bronxi e luftëtarit ilir. Objektet hedhin dritë për një qendër të madhe të dikurshme banimi me kulturë materiale, rite varrimi dhe armatime. Me këto gjetje është marrë edhe S. Anamali tek “Arkeologjia e Bujqësisë”, Tiranë 1980.
Në Mollagjeç, pranë fshatit Ballagat, u gjetën varre me konstruksion tjegulle, brenda të cilave janë gjetur amfora të madhësive të ndryshme që i takojnë shekullit IV-II para Krishtit. Mbeturina të qeramikës antike në sipërfaqe gjenden me shumicë. Ato janë ndeshë në lartësinë maksimale, që zbresin e degëzohen në dy drejtime; njera vargon në perëndim dhe mbërrin deri në Gjuzaj dhe tjetra zgjatet në jug e përfudon në fshatin Gjyshaj.
Autori arrin në përfundim se shtrirja urbanistike e këtij vendbanimi të çon tek mendimi se në lashtësi, mbi lartësinë e kodrës ka qenë një qytezë e rëndësishme, e cila ka ndikuar në jetën politike, ekonomike e kulturore të krahinës. Gjetje interesante janë konstatuar në Dushk dhe kodrat në Lindje të qytetit të Lushnjës. Gjatë punimeve bujqësore traktoristët kanë zbuluar tuba në formë cilindrike, të vjaskuar, me gjatësi të ndryshme që varion nga 25 deri në 50 cm, me diametër 10-14 cm, të destinuar për ujë të pishëm e ujitje, të cilat dëshmojnë jo vetëm për teknikën e përkryer të punimit të tyre, por edhe për teknikën e ndërtimit të ujësjellësave. Studiuesi S. Anamali është marrë gjerësisht me studimin dhe interprimin e atyre gjetjeve.
Mbeturina të shumta të qeramikës gjenden edhe në lartësinë e kodrës së Shkujkës, në veri dhe jug të saj. Në pjerrësinë veriore deri deri në rrugën këmbësore që vjen e ngjitet në qafë prej Shegasit, janë konstatuar në sasi të mëdha mbetje gurësh e tjegullash. Nën këtë rrugë, gjithnjë, në veri të saj, ndodhet vendbanimi “Varret e Vjetra”. Mbi sipërfaqjen prej 1-2 ha këto material gjenden sheshit. Përfund saj, kufi me teqenë e Matjanit, ndeshen gurë varresh të një periudhe të vjetër.
Autori sjell dëshmi: Në qafën e kodrës “Varret e Vjetra”, aty ku kryqzohen rrugët këmbësore që vijnë nga Shegasi, Allprenaj e Matjani, 30 m në lindje, del ujë që vjen e rrjedh prej ujësjellësit të ndërtuar me tuba qeramike që i takojnë një kohe shumë të lashtë dhe që është i ngjajshëm me ujësjellësin e Dushkut. Në Jug, nën këmbët e Shkujkës ndodhet vendbanimi i lashtë “Dergina”. Në sipërfaqen e saj prej 2-3 ha nuk ka pëllëmbë pa mbeturina të qeramikës antike. Mes mbeturianve has: tjegulla, pjesë enësh prej balte, gurë dhe tuba qeramike të copëtuara të ujësjellësit. Në lashtësi i gjithë vendbanimi ka qenë mjaft i populluar e i urbanizuar, ai furnizohej me ujë prej burimeve të shumta, që Shkujka i ka patur me shumicë dhe nuk i kanë munguar kurrë, dhe që shpërndahej përmes tubave qeramike. Vendbanimi ka qenë një qendër e madhe urbane. Ai plotësohej me vargun tjetër të ndërtimeve, të ndodhur në lindje të Dërginës, pothuaj pranë saj. Ato shkonin paralen në drejtimin jugperëndim, që niste nga Sopi i Kozmait deri në Harbor, për të cilin legjendat dëshmojnë se ka pasë një numër të madh shtëpishë.
.

Shkujka, një vendbanim i hershëm?

Pyetjes se ka qenë Shkujka një vendbanim i shumë populluar, autori i përgjigje: Po për këto arsye: Pamja që ofron maja e Shkujkës(282m) është fantastike. Ajo ndodhet në pozita të favorshme gjeostrategjike. Mbi kupolën e saj të sheshtë, në perëndim zotërohet e gjithë Myzeqeja që nga Fieri deri tek Shkëmbi i Kavajës, po ashtu bregdeti i Adriatikut nga grykderdhja e Semanit, bregu i Divjakës, deri në Durrës. Në lindje zotëron të gjithë Darsinë, kalon përtej saj, vështrimi rrok mallet e Tiranës, të Elbasanit, të Beratit, madje dhe të Labërisë. Në lashtësi kishte përballë Karavastanë, Arnisën, Bishçukëzën, ndërsa në lindje Klodianën, në jug qytezën antike të Belshit. Ajo kontrollonte rrugët Egnatia që vinin nga Durrësi dhe Apolonia. Në Mesjetë kishte pranë Bashtovën e Pirgun, survejonte të gjitha rrugët që përshkonin Myzeqenë e Darsinë. Pra, që gjithçka në majën e Shkujkës duket si në pëllëmbë të dorës.
Një anonim venedikas që shëtiti Shqipërinë në vitin 1570, në relacionin dërgur qeverisë së tij, përshkruan qytete, lumenj, kodra, male e fusha. Për zonë e Darsisë e të Myzeqesë shkruan. “ka dhe kodrina të banuara dhe të kultivuara, ka fusha shumë të bukura e të gjera, duke nisur nga fushat e hapëta të Savrës, e cila me emër tjetër quhet Myzeqe, dhe (këto fusha) janë ndërmjet Vlorës deri te qyteti i Beratit, kurse në veri deri tek lumi Shkumbin, deri tek kështjella e Daistit (Darsit ose Dorsit – sipas I. Zamputit, e cila lidhet me emrin e Darsisë.
Studiuesit mendojnë se në Shkujkë ka pasë edhe kështjellë. Këtë pikëpamje e favorizon pozicioni gjeostrategjik; tri anët e saj janë gati të pakapërcyeshme, dhe siguronin mbrojtje natyrore; në lindje, jugë e perëndim, janë shpate të pjerrët, të thepisur, me hyrje vetëm në anën veriore. Natyra i ka dhuruar kështjellës vendin më të bukur, të përshtatshëm e strategjik.
.

Varri ilir në Garunjas

Me interes paraqitet një zbulim i vonshëm i një varri ilir në fshatin Garunjas, jo shumë larg Shkujkës. Varri u zbulua më 1983. Gjatë gërmimit për hapjen e themeleve për ndërtimin e një magazine të madhe drithi, u gjet skeleti i një njeriu, të shtrirë në pozicionin perëndim-lindje. Trupi ndodhej brenda një arkëze të përgatitur me tjegulla të sheshta, i mbuluar sipër me dy copë tjegulla të harkuara e të trasha 4-5 cm. Mënyra e varrimit kishte të bënte me kultin e besimit. Në periudhën e paganizmit ilirët e konsideronin Diellin-Perëndi. Vendosja e trupit me kokë në perëndim i jepte mundësi të vdekurit të ishte me fytyrë të kthyer nga Dielli, në lindje. Fetë që u përhapën pas paganizmit nuk e ndryshuan këtë mënyrë varrimi. Brenda me të vdekurin, në fund të këmbëve u gjetën dy objekte; një enë qeramike e fryrë, me pozicionin në këmbë, me grykë të gjatë, me buzë të dala jashtë dhe të zgjeruara; me fund të sheshtë, njëlitroshe, pa vegjë, e veshur me llak gri, mbi sipërfaqe e pikëluar në ngjyrën e bardhë të vezës, paretet e punuara me material të hollë. Mesi i enës zbukurohej me dy vija të holla si unaza, të barazlarguara, në ngjyrë të njëjtë me atë të piklave.
Ngjitur, e të vendosur përmbys, u gjet një gotë uji qelqi, e holluar prej shekujve, në madhësinë e gotës së sotme, zbukuruar në mes me ornamente zigzake, ngjyrë portokalli. Enët nga forma e jashtme ngjajnë me ato të zbukuara në shumë vende të Shqipërisë që i përkasin periudhës së hekurit të hershëm 1100-500 vjet para Krishtit, por më afër u qëndrojnë enëve të gjetura në Vajzë të Vlorës, të cilat i takojnë shekullit VI-V para Krishtit. Në kohën parakristiane mendohej se njeriu vazhdonte jetën edhe pas vdekjes duke u ushqyer si më parë, kur ishte i gjallë, prandaj në varr shoqërohej me enët e ushqimit.
Një gjetje tjetër intersante e gjetur në Darsi i takon fshatit Konjat, afër Dushkut. Është një objekt prej qeramike e llojit terrakotë. Objekti përfaqëson truporen e një gruaje me një fëmijë të kapur për dore. Studiuesit mendojnë se përfaqëson kultin e një Perëndie që merr në mbrojtje fëmijët. Teknika, forma e dimensionet janë të njëjta me ato të gjetura në Durrës dhe Apoloni, që i takojnë shekullit VI para Krishtit.
Janë zbuluar edhe objekte prej hekuri, kryesisht heshta të luftës dhe vegla bujqësore të cilat janë gjetur në kodrat e Dushkut.
Autori i librit Darsia shpreh mendimin se kodra e Gramitorit, mbi Dushk, duhet të ketë pasur rëndësi jo vetëm kulturore, por dhe ekonomike e ushtarake. Ajo mund të mbajë fshehur jetën e shumë objekteve që presin të zgjohen.
Në rajonin e fshatit Hajdaraj, në një varr të zbuluar aty, të vdekurin e kishin shoqërur me gjërat vetjake; një drapër, e një latushë prej hekuri (sqepar marangozi), që i përkasin antikitetit të vonë, shekullit IV pas Krishtit.
Të shekullit të II dhe të IV, pas Krishtit, i përket edhe inventari i gjetur në një varr pranë fshatit Hysgjokaj. Brenda varrit u gjetën vegla bujku: dy kosore e një sëpatë. Po ashtu u gjetën vegla pune edhe në një varr të zbuluar në Mollagjeç, që i përkisnin të njëjtës periudhe historike. Ato ngjasojnë me objekte të ngjashme të gjetura në Koman dhe në Krujë. Ç’ka përforcon vazhdimësinë e popullimit e të kulturës ilire në Darsi.
 
***
Në Darsi gjallonte një tregti e zhvilluar. Nëpër rrugët e saj lëviznin mallra të shumtë drusorë, bujqësorë, blegtoralë drejt tregjeve, brenda dhe jasht krahinës, si dhe përtej brigjeve të Adriatikut. Duke filluar që nga shekulli IV para Krishtit tregtia kryhej me monedha. Megjithëse disponohet pak, vetëm një e gjetur në Hysgjokaj, prerja e perandorit Romak, Aleksander Severit, 222-235 pas Krishtit, dëshmon për një lehtësi në këmbimet tregtare të përhapura gjerësisht jo vetëm në Iliri, por edhe në Darsi.
Përfundimi i autorit të librit “Darsia” për gjetjet arkologjike: Të marra së toku gjetjet arkeologjike, të përmenduara pak ose aspak prej studiuesve, ia ngrenë rëndësinë, rrisin vlerat e krahinës dhe të banorëve të saj, që e sollën stafetë pas stafete eksperiencën, kulturën, mjeshtrinë e paraardhësve ilirë. Ata i përkasin këtij trungu.
.

Avis Gjyshja

Dalip! E para faleminderit për temën e hapur.
E dyta si djalë i zonës, faleminderit shumë dhe për të vërtetat e merituara që përmënd për Harun Grecën. Ndoshta një bust i tij në një vend të studiuar do vazhdonte t’i bënte nder edhe sot e në të ardhmen Darsisë tonë hallemadhe.
Mësuesit tanë të asaj kohe, përfshi dhe ty, ishin e vetmja bërthamë intelektuale që hapnin dritare në errësirën e asaj periudhe të keqe për historinë e Darsisë e të gjithë Shqipërisë. Mësuesit e mij, kanë qenë dhe janë, idhujt e herojtë e mij të pandryshuar pavarësisht se çfarë ndodhi me jetët tona të mëvonëshme.
-Dua të shtoj pak gjëra në vijim të temës për Darsinë. E di që pohimet e mija nuk kanë vlerën e faktit përsa kohë që këto objekte që unë do përmënd më poshtë nuk ekzistojnë më si prova fizike (mbase dhe mund të gjënden!) por ndoshta mund të vlejnë për profesionistët e kësaj fushe.
1.Në kopshtin e familjes time në Gjyshaj (sot mbi të janë bërë disa ndërtime), në vitet 60, ne (unë me fëmijë të tjerë) kemi gjetur dy objekte të cilat atëhere nuk i dinim se çfarë ishin. E para ishte një kuti bronxi e jeshilosur e tëra nga koha e gjatë e qëndrimit nën tokë. Ajo më ka ngelur në kujtesë për ngjyrën jeshile të oksidit dhe për gdhëndjet e saj të pakuptueshme. Këtë gjetje e kam shkatërruar unë pa ja ditur vlerën. Po aty dikush nga ne gjeti dhe një unazë bronxi me gdhëndje të pakuptueshme në kokën e saj dhe e cila ishte po ashtu e mbuluar nga i njëjti lloj oksidi si dhe kutia. Unaza ishte çuditërisht shumë e madhe për çdo lloj gishti përfshi dhe ato të prindërve tanë. Mbaj mënd që për hatër të madhësisë ne fëmijët e quajtëm atë “myhyr gjermani”. Nuk e di se ku përfundoi kjo lloj unaze.
2.E shoqja e Beram Dukës (pas pushkatimit të tij ajo u martua dhe futi dhëndërr në shtëpinë e saj Sh. H.), Nënë Lutja, kishte në shtëpinë e saj një përkrenare të cilën e përdorte si vazo lulesh. Hyja e delja në shtëpinë e tyre dhe mbaj mënd që në të ajo mbillte një lloj lulje me ca gjethe mishtore të jeshilta në blu që ne e quanim “bar veshi” dhe që përdorej në mjekimet popullore kundër dhëmbjeve të veshit. Ajo që mbaj mënd ishte se përkrenarja kishte të njëjtën ngjyrë tipike të bronxeve të vjetra e të oksiduara. E mbaj mën pak si formë por jo detaje të tjera.
Sot, 60 vjet më vonë, unë kam parë dhe lexuar dhe e di që ato gjetje të rastit kanë qenë vlera të jashtëzakonshme. Si unë jam i bindur dhe të tjerë. Por askush nuk dinte se çfarë ishin dhe prandaj dhe nuk i vlerësonim. Dhe ato gjetje ishin të rastit. Asnjëherë, në Darsi nuk dihet të jenë organizuar ekspedita arkeologjike.
.
Darsia me pamjen e Peqinit ne sfond
Darsia me pamjen e Peqinit ne sfond

Kush ia dha emrin Darsisë

Për t’i dhënë përgjigje pyetjes: Kush ia dha emrinë Darsisë – autori i librit, studiuesi Harun Greca u drejtohet argumenteve dhe fakteve nga historia, arkeologjia, dhe gjuhësia. Të tria së bashku zbulojnë enigmën e prejardhjes, ftillojnë ose përjashtojnë tezat e debatueshme, nga ana tjetër zbulojnë përgjigjen, e cila ende s’konsiderohet e vërtetuar plotësisht e shkencërisht, por gjithësesi nuk është e hamendësuar, por e argumentuar.
Autori shkruan: Në shekujt para Krishtit, por sidomos pas rënies së rendit skllavopronar, në mesjetën e hershme e të vonë, në Shqipëri erdhën e u larguan pushtues të ndryshëm, të ëvnë e mbivënë njeri mbi tjetrin. Prej kësaj shumatoreje “vizitorësh të paftuar”, autori veçon sllavët, me gjuhën e të cilëve ngjason në formë emri i Darsisë.
Në serbisht fjala “dar” (Jo darsi), ka kuptimin leksikor “dhuratë”, i dhuroj, ia fal pa shpërblim dikujt një send që ka vlerë. Fjala edhe në bullgarisht (një tjetër pushtues) kuptimi është i njëjtë: dar- dhuratë, peshqesh…
Por asnjëra nga këto dy emërtesa me preardhje nga këto dy gjuhë pushtuesisht nuk ka lidhje emri i Darsisë. Në kundërshtimin e kësaj teze autori ëshët i sigurtë dhe i prerë: Jo nuk vjen nga gjuhët sllave emërtesa e krahinës Darsia!
Le t’i referohemi Historisë për të parë nëse fshihet apo jo nën mburojën e saj Enigma e mistershme e prejardhjes së emrit-Darsia: Barbarët sllavë e mësynë disa herë Ilirinë. Në vitet 610-641, kur Perandor në Bizant ishte Herakli, sllavët u ridyndën përsëri. Perandori Herakli, perandoria e të cilit arrinte deri në Shkumbin, (shpesh edhe pat kapërcyer Shkumbinin), – ndërkohë i zënë në luftime edhe me persët, u detyrua t’i pranojë sllavët të banonin në tokat e peradorisë së tij, kryesisht në zonat e varfëra e të shkreta, por asnjëherë në luginat e lumenjëve. Arkeologu dhe studiuesi N. Ceka shkruan: Lugina e Shkumbinit përbënte zonën e kontrollit të rreptë të autoriteteve bizantine, ku nuk u lejua vendosja e sllavëve. Kjo dëshmohet edhe nga mungesa pothuajse e plotë e Toponimisë sllave në këtë zonë – Darsi.
Tributë sllave u vendosën në zona të thella të territoreve bizantine, kryesisht në ato të shpopulluara, apo në Malësitë e thepisura e të pabanuara. Këtë tezë e mbështet edhe studiuesi P. Thëngjilli i cili shkruan: Sllavët shkelën territore të ndryshme të Perandorisë Bizantine, por kjo nuk duhet kuptuar si një sllavizim i atyre krahinave ku ata shkelën –
(P. Thëngjilli & S. Daci “Historia e Perandorisë Bizantine 395-1453, f. 79).
Dhe një argument tjetër i kuptimisisë logjike për autorin e librit “Darsia” për kundërshtimin e tezës së prejardhjes sllave: Darsia, e përmendur si vend me pasuri të mëdha dhe me kontribute në arkën e Perandorisë Bizantine, nuk mund t’i bëhej dhuratë një popullsie barbare siç ishin sllavët. Pra kuptimi i fjalës ‘dar’ nuk ka bazë historike dhe si i tillë përjashtohet.
I njëjti konkluzion arrihet edhe me origjinën e fjalës ‘dar’ në bullgarisht, mbetet e vetëpërjashtur sepse dhe këtu na vjen në ndihmë argumenti historik, që e nxjerr të pabazë, pasi ata sunduan gjatë shekujve IX-XI, afro 160 vjet.
Fjala “dar” gjendet e përdorur edhe në turqisht me kuptimin leksikor: I ngushtë, e kufizuar, i (e) vështirë. Por me gjithë sundimin pesë shekullor në Shqipëri, emërtimi nga turqishtja përjashtohet si argument gjuhësore sepse; Fjala “dar” në turqisht nuk emërton, ajo përdoret si përcaktor, është mbiemër, dhe jo emër si në rastin konkrt të emërtesës së krahinës – Darsia.
Autori i librit “Darsia” pasi i përjashton emërtimin e krahinës nga gjuhët sllave dhe turke, kthehet pas në lashtësi, për të kërkuar rrënjën e fjalës emërtuse. Në bregdetin Dalmat fiset ilire ishin të shumta. Ndër ta shquheshin edhe Daorsët në Bosnjë, të vendosur në luginën e lumit Neretva me Kryeqendër Naronin. Veç ilirëve në bregdetin Dalmat, banonin edhe Keltët (fise Gjermane) e Thrakët. Mes Iliro-Keltëve e Iliro-Thrakëve zhvilloheshin shpesh luftime të ashpra. Më i përgjakshmi është ai vitit 310 para Krishtit. Keltët sulmuan Ardinantët dhe Autoriatët, dy fiset ilire që banonin rreth lumit Sava. Të dy këto fise, prej luftimeve me Keltët, shpërngulen dhe zbresin më në Jugë, vendosen aty ku ishin Dorsët, bashkohen me ta. Luftimet e Keltëve kundër fiseve Ilire nuk rreshtën, u bënë më të rrepta. Në këto rrethana “fiset Ilire” në Bosnjë mbetën pa vendbanime, – shkruante Taloczi, studiues e arkelolog austriak në studimin e tij “Historia e Motshme e Ilirëve ndër vende të Bosnjës” – Botoi Revista “Agimi” nr. 1-12, Shkodër 1919.
Luftimet i shtynë fiset ilire të largohen nga vendbanimet e para; Ardinanët u vendosën pranë Shkodrës, të tjerët u shpërndanë nëpër Shqipëri, ku gjetën hapsira. Përjashtim nuk mund të bënte fisi i “Daorsëve”, një pjesë e të cilëve u detyruan të shpërngulen nga trojet e tyre në Bosnjë dhe të vendosen aty ku sot thirret Darsi, të mirëpritur prej fqinjëve të fisit të Parthinëve. Arkeologu dhe studiuesi Hasan Ceka në artikullin “Gjurmë të trashëgimisë Ilire në toponiminë e sotme të vendit tonë” arrinte në përfundimin se: “Dy Krahina, Darsia ndërmjet Lushnjës dhe Peqinit dhe “Labëria” në lindje të Vlorës, na kujtojnë dy nga fiset më në shenjë të Ilirisë së Jugut, Daorsët dhe Labeatët, të cilët nga mesi i shek. të II para Krishtit kanë prerë edhe moneta të shënuara me emrat e tyre. Të dy fiset e përmendura banonin në territorin e tyre të sotëm”.(H.Ceka, revista “Monumentet” nr 5-6/1973.
Stdiuesi Harun Greca në librin e tij “Darsia” arsyeton: Si rregull krahina ose kryeqendra mbanë emrin e fisit, të banorëve të saj në shumicë. Kështu fisi i Bylinëve quajti me emrin e tij kryeqendrën ”Bylis” (Ballshi i sotshëm), parthinët i dhanë emër qendrës së tyre – Partha-kurse Daorsët e thirrën krahinën e tyre – Darsi.
Në luftën e tretë iliro-romake, e zhvilluar në gjirin e Apolonisë, sipas Tit Livit, në vitin 18 para Krishtit, Daorsët u bënë aleatë të romakëve. Për kontributin e dhënë ata fituan Pavarësinë dhe të drejtën e prerjes së monedhës me emrin e tyre (Daorson), i cili s’është gjë tjetër veçse emri i fisit të Daorsëve. (Rreth kësaj ka shkruar B. Jubani revista studime historike” nr 1-2/1974.
Në arkeologji identifikimi i monedhës me emrin e Daorsëve ishte një arritje e shkencës së numizmatikës shqiptare, përmes së cilës arrihet në përfundimin se: Daorsët e Darsisë, në shek. e II para Krishtit, kishin arritur tregues të lartë në zhvillimin e konomik, politik, tregtar e kulturor. Do të ishin luftrat e mëvonshme ato që do t’i zhduknin gjurmët e këtij qytetërimi. Straboni ka shkruar: “Iliria ka qenë shumë e populluar, por sot në pjesën më të madhe ka mbetur shkret”.
Duke iu drejtuar Gjuhësisë, autori i librit Harun Greca, që u vu në gjallje të tij në kërkim të gjurmëve të historisë së fjetur të Darsisë, i referohet edhe profesorit të shquar Eqrem Çabej, i cili e përjashton ndikimin e huaj në toponiminë e Darsisë. Çabej shkruan: “…Po ka edhe emra, sidomos toponime, me kuptim të paditur si Lura, Dajti, Erzeni, Darsia, Vjosa, Labëria e plot të tjera, që nuk janë me origjinë të huaj. (Eqerem Çabej “Studime Gjuhsore” Vëllimi i IV, fq 166, Prishtinë 1977.
Autori H. Greca ndjek edhe evolimin gjuhësor të fjalës” në shqipen e sotme emri “daors” u kthye në dars-i, me theks në rrokjen fundore. Është rregull në shqipe që grupi zanor -ao-i ka rënë pjesa e dytë dhe mbeti ”dars”.
Këto diftongje argumentonte Eqrem Çabej – nuk ruhen më në shqipe, si të tilla janë reduktuar në vokal, monoftonguar, prandaj diftongjet e sotme janë sekondare. (Eqrem Çabej “Studime gjuhësore” Vëllimi i III, fq 121, Prishtinë 1976.
Duke i gjetur fundin argumentimit dhe vërtetimit se Darsi buron nga “Daorsët” autori i librit arrinë në përfundimin logjik se toponimi “Darsi-a” është thjesht fjalë shqipe me burim nga ilirishtja, emri i fisit Ilir të daorsëve. Me emërtesë të njëjtë, por me shqiptim e tingëllimë dialektore, gjendet sot në fshatrat: darsëtë – fis i zhdukur në Lumë; Darsi-fshat në Lumë si dhe emri i përroit- po atje; Darzët-lagje në Dajç, Sapë (Revista “Hylli i Dritës” nr 10-11 , faqe 518, viti 1940.
Po ashtu, në rrethin e Matit, në jugë dhe fare pranë qytetit të Klosit, ndodhet fshati Dars, i cili ngrihet në këmbët e malit me të njëtin emër “Mali i Darsit”. Mbi lartësinë e tij dikur ngrihej një kala e kohrave të vjetra me emrin e fshatit, që banorët e thërrasin edhe sot “Kalaja e Darsit”. Fshati përshkohet prej përroit që zbret prej malit. Edhe ky përrua mban emrin “Sheu i Darsit” (Fletorja zyrtare” nr 46/1938. (Vijon)
.
Marrë nga Muri i FB i Dalip Grecës, në datat 27, 28 dhe 30 Korik 2019

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.