back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Darsma e çiftit Buçaj-Shiroka – “Shejzat” – 1973 (e. k.)

Gazeta

Martesa e Gjon Buçaj me Nikoleta Shirokën - Dhandri dhe Nusja para altarit të shejtë dalë në Vatikan…Martesa e Gjon Buçaj me Nikoleta Shirokën - Dhandri dhe Nusja para altarit të shejtë dalë në Vatikan…
Martesa e Gjon Buçaj me Nikoleta Shirokën – Dhandri dhe Nusja para altarit të shejtë dalë në Vatikan…
Darsma e çiftit Buçaj-Shiroka
“Shejzat” – 1973 (e. k.)

Në jetën e mërgimit, në vargun e ditëve qi zbardhen edhe erren të njinjishme tue na randue me kujtimin e mjerimeve të vendlindjes së humbun dhe me ato vetjake, qi askuj nuk i mungojnë, na fal Perendija heraherë edhe ndoj ditë dëfrimplotë në të cilën zemra zgjanohet edhe mërzija davaritet për pak orë.
Natyrisht çdo shpërthim i papritun hareje, në kushtet tona, hijesohet nga nji re mallëngjimi, pse mendja na shkon te darsmat e dikurshme të vendit tonë të pashoq e për sqimti pritje dhe bujari prefatitjet.
Zakonisht martesat në vend të huej (s’pakti këtu në Romë) shtrëngohen të ndjekin doke t’ashtuquejtuna alla franga. Ata qi marrin pjesë në ceremonitë e ndryshme pruhen në mënyrë të gjinishme (aimable, courtoise) por pa shkas gazmuer, pa gjallninë e nji gëzimi qi kapërdin e zhduk pengesat e nji të përmarrshëshmit topitës. Kjo shutije e ngazëllimit nuk rrjedh prej nji mungese ndjesish, por prej atmosferës së vendit të huej dhe prej ngrythësisë (timidité) qi shkakton mërgimi.
Martesa e çiftit Buçaj-Shiroka qe nji përjashtim në kët pikë sepse u zhvillue me kangë e valle shqiptarçe në mes nji gazmendi ku të njoftun e të panjoftun u shoqnuen dhe u përzienë në dëfrim tradicjonal darsmuer.
Më 19 nanduer 1973, në Kishën e Shën Anës (Via di Porta Angelica) n’orën 11 paradite z. Gjon Lekë Buçaj, i lidh me nyje ari të martesës me Nikoletën Shiroka. U vuni kunorë tue çue nji meshë në gjuhë shqipe, i përndershm Zoti Dom Zef Oroshi, Famullitar i Katolikve banuesa në Neë York, qi ndodhej për fat n’ato ditë n’Itali. Kumbarë: zoti Robert Mc Keever dhe Ernest Koliqi.

Martesa e çiftit Buçaj - Shiroka - Të martuemit midis të afërmve të tyne
Martesa e çiftit Buçaj – Shiroka – Të martuemit midis të afërmve të tyne

Nji tubë dashamirësh, zoja e zotnij të kolonisë shqiptare të Romës dhe zoja e zotnij ardhë nga Kosova për ta përcjellun nusen u gjetën pranë në ceremoninë fetare, në gjymsë të së cilës Dom Zef Oroshi u mbajti Çiftit të zgjedhun nji fjalim të thekshëm tue përzi urimet mà ta nxehta me këshilla urtije ashtu si e ka me detyrë nji meshtar. Në zà të Dom Zefit, Mik shtëpije i dhandrit, ndëgjohej nji theksim i veçantë përzemërsije.
Për rasën e gëzueshme kishin ardhë prej Shteteve të Bashkueme të Amerikës e Ama e Gjonit, zojë Suta Buçaj dhe të Motrat zoja Mrika Dedaj dhe zoja Drande Berisha. Përcjellsa të Nuses nga Kosova ishin: prindët Zef e Marija Shiroka, vllazënt zz. Gjon e David Shiroka, e motra zoja Ana dhe bashkëshorti i sajë: Pjetër Tomovski me dy fëmijë.
Mbas ceremonisë kishtare darsmorët u bashkuen në sallat e ndritëshme të Hotelit Columbus, qi njoftën në vjetet e kalueme shumë mbledhje patriotike e shoqnore shqiptarësh. Kthina kryesore, ajo e pritjes, ishte stolisë me lule të njoma. Në tymtar artistik, qi ngrehet i madhnueshëm në fund të sallës, flakronte nji zjarrm drùsh qi përhapte rreth e rrotull ndijimin e nji intimiteti shtëpijak. Hijeshija e Nuses me typare të kullueta shqiptare spikatte në petk të bardhë. Hymja e saj në krah të dhandrit në sallën ku gjindeshin të grumbulluem dasmorë e dasmoresha u përshëndet me duertrokitje…
Te salla e bukës, në tryeza të vogla, u gostitën mysafirët me gjellë, pije e miradije. Në sofër nderi, vndue në krye të sallës kishin zanë vend çifti i të martuemve me pjestarët ma t’afërm të farefisit të njanës dhe të tjetrës palë edhe kumbarët.
Qenë kosovarët ata që i dhanë shpirt mbledhjes, tue ia nisë me këndue valle dasme, ato të zakonshmet qi na e fryjnë zemrën me mall.
Të pranishmit u përzienë në nji shoqnim vllaznuer dhe s’mbet kush, burrë a grue, i ri a i vjetër, pa marrë pjesë në kangë e në kërcime. Mbi të gjitha zanet zotnonte ai kumbuer e i kandshëm i Piktorit tonë Lin Delija. Festimi ngjati deri buzë mbramjes e shifej kënaqja e shkrueme në fytyrë të të gjithëve. Ai shfrim mallesh në kangë e në valle gojdhanore disi lehtësoi at ditë brengat e përditshme me shkrepëtimin e nji rreze së papritun shprese.
E gjithë miqsija ishte e ftueme për drekë, por disa, të penguem nga angazhime të maparëshme, morne pjesë vetëm në ceremoninë fetare.
U gjetën pranë në kishë: Gjeneral Zef Serreqi, dr. Ismail Verlaci, i përnd. Àt Danjel Gjeçaj, dr. Ragip Frashëri, prof. Giuseppe Gradilone, Mons. Eleuterio Fortino, Fratel Pashko, Madre Celina me nji motër tjetër, Padre Alois Hornung, z. Cyril Hughes.
Në Hotel Columbus ishin: veç dhandrit e nuses me kumbarë dhe me pjestarë mà të ngushtë të farefisit të sejcilit, edhe Zoja Silvia Zorzoli, z. Dom Zef Oroshi, z. Dr. Ton Koka me zojën Çezarina, z. Dr. Gac Sereqi me zojën Laura, dr. Petro Vuçani, dr. Mark Koliqi, z. Dom Gjeto Radi, Prof. Lin Delija, zojusha Hajdée Lacchè, daja i nuses z. Ukë Marjakaj me zojën Angjelina, kushrina e nuses zojusha Viktore Kaçinari, z. Robert Mc Keever junior me të fejuemen zojushë Ivana Pace, z. Alfredo Alfieri me zojën, z. Alberto Trionferà, z. Romolo Miriametro me zojën Fernanda dhe me të birin Antonio dhe të bijën Giovanna, z. Benito Munaro me zojën e vet dhe zojusha Giulia Assante.
Shumë telegrame urimi i kanë ardhë çiftit të ri, sidomos nga USA. Mikut të dashun z. Gjon Lekë Buçaj, pinjuell i maleve tona, i pajisun me pregatiti e kulturore e sjellje fisnike të traditës, nuses së Tij të njerzishme znj. Nikoleta Shiroka dhe mbarë farefiseve të tyne, Drejtimi dhe Redaksija e “Shèjzave” u paraqesin urimet ma të flakta për nji jetë të gjatë, në harmoni të përhershme mendjeje e zemre, plot e përplot me të mirat qi ata meritojnë.

Marre nga Vëll. 17 No. 9-12 (1973): Shêjzat

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.