back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dasma gjirokastrite, mes traditës dhe modernes nga Entela Bani

Gazeta

Dasma labe
Dasma labe

Dasma gjirokastrite, mes traditës dhe modernes

nga Entela Bani

Një ceremonial, një spektakël i pasur, një ansambël ritesh, një kolorit i Gjirokastrës apo një mrekulli e zbehur shumë tashmë? Pavarësisht epiteteve, dasma tradicionale gjirokastrite mbetet një prej krenarive të shumta të këtij qyteti, edhe pse në pjesën më të madhe të rasteve ajo ka humbur origjinalitetin dhe është njehsuar me ceremonitë që zhvillohen kudo në Shqipëri.
“Dasma është një spektakël i pasur që shtrihet në hapësirë dhe në kohë; nga shtëpia e nuses te shtëpia e dhëndrit, nga dita e hollimit të bakllavave te mëngjesi i parjes së pajës”.
Ky është një prej përkufizimeve të shumta studimore që mbart në vetvete gjithçka ndodh në ditët e dasmës. Janë shkruar shumë për të, në libra studimorë apo pasqyrues. E gjallë në çdo detaj të saj, vjen nga vitet e kulmit 1930-1940, kur madhështia dhe përsosmëria e organizimit të çdo riti ishte në majat e veta.
Vajza gjirokastrite që nuk u bë kurrë nuse, Musine Kokalari në rreshtat e librit të saj “Sa u tunt jeta”, sjell atmosferën e ceremonialit më të famshëm e më të veçantë në të gjithë trevat e jugut.
“Sa u tunt jeta”, pasqyrë e një bote të perënduar, shtegu i kapërcimit nga vajzëria, në mes të këngëve, në nusëri. Dasma bëhet kur duan nga ana e djalit. Kurrë në mes të Bajrameve se nuk trashëgohen. Fillon ose ditën e diel dhe mbaron të enjten ose të enjten dhe mbaron të dielën. Niset kënga nga dita e shënimit, te Nata e Brumit me mashalla nëpër udhë.
Pastaj dita që qepet kënaja, dita tjetër që shpihet. Nata e Kënajt, dita e fundit që merren sepetet në mëngjes e pasdreke në kohën që rruhet dhëndëri krushkat vijnë të marrin nusen.
Pragu i derës përvëlohet me ujë të zier nga frika e magjive të botës kur nusja del nga shtëpia. Jashtë portës një grua i mban një pasqyrë që atje ku të vejë të duket e bukur. Rruga ndërrohet prap nga frika e magjive. Nusja vjen në shtëpinë e burrit. Kur hyn, hedh këmbën e djathtë dhe te porta vjehrri i shtie mbi ombrellë oriz me para: Të ketë këmbën e mbarë.
Te dera një grua i lyen dorën me mjaltë, ja fshin mbi derë që të ketë gojën e ëmbël. Nusja natën kur fle me bullën i vën’ frën e kalit ndënë jastëk që të jetë me urdhëratë në shtëpi…”.
Ky është një përshkrim i përmbledhur i dasmës gjirokastrite disa dekada më parë, e gdhendur prej Musine Kokalarit, në përshkrimet e hollësishme të gjithçkaje ndodh ditëve të dasmës, vë në pah ndryshimet që sjell përgjithmonë ky ceremonial për çiftin e ri.

Vepra I e Musine Kokalarit
Vepra I e Musine Kokalarit

Ritet e Dasmës

Me dhjetra rite sa simbolike aq edhe të veçanta të mbledhura në disa ditë. Kjo është Dasma Gjirokastrite, e cilësuar si më e rralla për sa u përket zakoneve, madhështisë së mënyrës së celebrimit, ashtu edhe definicionit të saj.
Riti i Hollimit të Bakllavave, Dita e Vetullave apo e Shënimit, Nata e Brumit, Riti i Kënasë, Dita e Nuses, Riti i Berberit, Veshja e Dhëndrit… etj, janë disa prej zakoneve më të njohura e të përdorura në Dasmën Gjirokastrite. Një tjetër zakon, ndoshta ndër të paktët që vazhdojnë të aplikohen është marrja e nuses, ndërsa dielli perëndon. Edhe ky rit ka një simbolikë specifike.

Riti i Hollimit të Bakllavave,

Një javë para dasmës në shtëpinë e vajzës është Dita e Hollimit të Bakllavave, sinjali i parë që çel serinë e riteve të dasmës gjirokastrite. Gra të fisit, të komanduara nga më e vjetra përgatisnin 7-10 bakllava dhe e gjithë ceremonia shoqërohet me këngë grarishte.

Vallja Gjirokastrite
Vallja Gjirokastrite

Dita e Shënimit ose Dita e Vetullave

Korrespondon me ditën e enjte dhe ishte dita kur vajza zbukurohej dhe vishej nuse. “Ulu mal të dalë hëna/ të na stoliset kadëna/ të vishet-ë me të bardha/ të lulëzojë si dardha…”. Ky zakon vazhdon të ruhet edhe në ditët e sotme.

Nata e Brumit

Në të njëjtën ditë në shtëpinë e dhëndrit zhvillohet një nga ritet më të njohura, Nata e Brumit, e cila ka karakter komik. Ndërsa ndizen flakadanë, me të cilët kryesisht fëmijë vërtiten përreth shtëpisë, ndërsa në miell hidhet një unazë apo monedhë floriri dhe shumë njerëz përpiqen ta kapin atë. Pamja e tyre, lyer me miell shkakton edhe të qeshurat e para.

Riti i Kënasë

Një tërësi më vete përbën Riti i Kënasë, ku përfshihen ceremoni të ndryshme si: përgatitja e kënasë në shtëpinë e dhëndrit, çuarja e kënasë te nusja (dita e kënasë) dhe vënia e kënasë (nata e kënasë).
Të tria këto momente shoqërohen me këngë, shpeshherë komike dhe me romuze, të krijuara edhe në moment. “Ju sollëm këna me lule/ na dhatë bukë me krunde/ ne nuk jeshim për këtë/ na marrçi të keqen-ë…”.

Gjirokastriti Dino Çiço
Gjirokastriti Dino Çiço

Dita e Dasmës ose Dita e Nuses

Dita e Dasmës ose siç quhet ndryshe dita e nuses është e diela paradite, kur dasma në shtëpinë e nuses arrin kulmin dhe pothuajse edhe mbyllet.

Riti i Berberit dhe Veshja e Dhëndrit

Ndërkohë po të dielën në shtëpinë e dhëndrit organizohet Riti i Berberit dhe Veshja e Dhëndrit. Nisja e krushqve bëhet nga shtëpia e dhëndrit. Largimi i nuses nga shtëpia përfundon edhe ritin që quhet “Dita e nuses”, ndërsa i gjithë ceremoniali zhvendoset drejt shtëpisë së dhëndrit.
Edhe tani, kur një pjesë e madhe e zakoneve kanë humbur pothuajse fare, pak nuse dalin nga shtëpia e tyre para se të perëndojë dielli. Kjo pasi me perëndimin e diellit simbolizohet largimi përgjithmonë nga shtëpia prindërore, ndërsa dielli i ri do ta gjejë atë në shtëpinë e bashkëshortit, ku do të kalojë gjithë jetën e vet.

Ndërrimi i rrugës

Është bërë zakon që krushqit të ndërrojnë rrugën (edhe ky një rit që vazhdon të ndiqet), për shkak të frikës nga magjitë. Në Gjirokastër nusja rri ulur, por sa herë hyn njeri detyrimisht duhet të çohet në këmbë.
Një rit i posaçëm zhvillohej në mesnatë, kohë në të cilën vinte sinia me bukëvale, që quhet bukëvalja e nuses (rit dhe nevojë – për të shuar urinë, për të marrë fuqinë). Në momentin kur nusja shkonte për të fjetur nën jastëk i vinin frerin e kalit që ta kishte gjuhën e shkurtër dhe të ishte me fre.

Kalaja e Gjirokastres
Nga Kalaja e Gjirokastres

Kërcimtarët e Rakisë

Një nga elementët më të veçantë të dasmës tradicionale gjirokastrite është edhe kërcimi i rakisë apo sinisë. Një valltar kërcen brenda një sinie e mbushur plot me gota rakie dhe në kokë mban gjithashtu një tabaka plot me gota dhe gjatë kërcimit nuk duhet të derdhë asnjë pikë. Megjithëse është një mrekulli, ky ri pothuasje po zhduket, sepse sot në Gjirokastër janë vetëm dy kërcimtarë.

Kako Pino-t

Gruaja e parë që merrej me stolisjen e nuses quhej Kako Pino, e portretizuar edhe nga Ismail Kadare “Kronikë në gur”. Kaq e zonja dhe e respektuar ishte ajo në zbukurimin e nuseve, saqë të gjitha pasardhëset e saj thirreshin të gjitha Kako Pino. Procesi i kryer prej saj quhej shumë i rëndësishëm, pasi me zbukurimin dhe veshjen e nuses, dasma quhej e filluar.
“Dasma ime ishte një mrekulli. I kemi bërë të gjitha zakonet, po vallja e sinisë ka mbetur për mua më e bukura”. Kështu e nis rrëfimin me kujtimet e tij Dino Çiço, publicist e gjirokastrit i vjetër.
Gjithçka ka ndodhur gjatë atyre ditëve, megjithëse rreth dy dekada më parë ka mbetur e paprekur në kujtesë. “Dasma gjirokastrite është një margaritar në ritet dasmore në të gjitha trevat shqiptare. Dasma nisi një javë më parë, me këngë e me valle, por ritet nisnin ditën e enjte.
Te shtëpia e dhëndrit siç isha unë dasma fillonte me ditën e brumit, në masën e të cilit hidhej një monedhë floriri dhe ai që do ta gjente do të ishte kryedasmori. Ata fusnin kokën në këtë masë mielli dhe ai që e gjente ishte njeriu më i lumtur, por fakti që të gjithë lyheshin me miell kthehej në humor për të gjithë.
Dita e diel kishte një tjetër veçori, shtroheshin tryezat me gjithë të mirat dhe aty zhvillohej vallja e sinisë. Një tjetër element shumë i bukur mbaj mend edhe që në momentin që çifti shkonte për të fjetur në dhomën e tyre, në të njëjtën dhomë qëndronin dy plaka, të cilat qëndrojnë të fshehura dhe kur shikojnë ndonjë gjë thërrasin: “Ju pamë, ju pamë” dhe ky është gjithashtu një moment humori.
Në dhomën time natën e parë ishin të fshehura tri plaka”, kujton më tej duke qeshur Dinua. Por, përveç kënaqësisë që sjellin kujtimet, fakti që një pjesa më e madhe e zakoneve nuk përdoren më shkakton dhembje të përzier me nostalgji.
“Unë dasmën gjirokastrite do ta quaja tani një fatkeqësi, edhe pse ka të njëjtat gëzime. Tani dasmat bëhën të gjitha në lokal, nuk ndiqet më asnjë rit dhe kështu ato janë pa identitet…”, shton më tej Dino Çiço.

Gjirokastra - në shpat mali
Gjirokastra – në shpat mali

Përjetësimi i Dasmës

Shumë libra studimorë e kanë pasur në fokus këtë element mjaft të rëndësishëm të traditës gjirokastrite, por dasma dhe të gjithë ritet përbërës të saj si askund tjetër janë përjetësuar në librin “Sa u tunt jeta” nga Musine Kokalari, ndërsa folkloristi i njohur, doktori i shkencave Tasim Gjokutaj, i fokusuar në anën muzikore të saj nga 11 dasma të vrojtuara boton “Lirika e dasmës tradicionale gjirokastrite”. Të tjerë studiues e kanë vënë në fokus këtë ritual.

-Në Festivalin e Dytë Folklorik Kombëtar riti i dasmës gjirokastrite, merr Urdhrin e Klasit të Tretë “Naim Frashëri”. Hanko Fule, këngëtarja kryesore në një sërë festivalesh folklorike si dhe në ritin e dasmës kujton: “Në të gjithë këto festivale, më të preferuarit e mi mbeten festivali i dytë dhe i katërt, ku kemi konkurruar me ceremonialin e lindjes së djalit dhe atë të dasmës tradicionale gjirokastrite.
Kjo e fundit ka qenë me kënga dasme, këngë hidh e prit dhe me momente të caktuara, si natën e brumit, me të madhin Xhevat Avdalli, nata e kënasë, dalja e nuses nga shtëpia e prindërve, hyrja në shtëpinë e saj, me këngët që u takonim momenteve “udhë e mbar’o bijë/ të bëhesh e mirë…”, apo këngët hidh e prit të krushqve që shkojnë të marrin nusen si “Moj krushkë hundëpafidhe/ sherbeti pa karafile..” etj.
Të premten në natën e brumit kemi momentet e hedhjes së unazës në miell, e shoqëruar me këngë dhe marshallatë. Me të dy këto ceremoniale jemi nderuar me Urdhrin e Klasit të Tretë “Naim Frashëri”.
Në vitin 1972 me grupin miks në një festival në Ohër kemi marrë një tjetër çmim me dasmën gjirokastrite, por me një formë ndryshe, më të shkurtuar në 15 minuta. U pëlqye shumë atje ceremoniali i dasmës tradicionale gjirokastrite”, tregon këngëtarja e madhe gjirokastrite Hanko Fule.

Kënga Gjirokastrite
Kënga Gjirokastrite

Zbehja e traditës

Ndërsa kulmin e vet e njeh përpara viteve 1940, kohë në të cilën kur familjet e mëdha dhe të pasura gjirokastrite ishin të shumta, me kalimin e viteve, erdhi edhe zbehja e riteve.
Të moshuarit tregojnë së disa zakone vazhduan të ndiqen deri në mesin e viteve 1960, për t’u zbehur më pas thuajse totalisht e për të mbetur të gjallë vetëm në kujtime. “Sot një dasmë në Gjirokastër, me një në Tepelenë, në Sarandë, në Delvinë apo në Fier nuk kanë thuajse asnjë ndryshim. Ka ikur nga karakteri i saj i mëparshëm.
Kënga e nuses “Dallandyshe e vogël-o” këndohet në çdo dasmë, për të kaluar pastaj te Napoloni që kërcehet nga çifti dhe vijohet me këngë të ndryshme, të cilave gjithashtu u ka ndryshuar karakteri. Ka humbur veçantia dhe nuk mund të thuhet se në Gjirokastër e kemi humbur traditën.
Mirë do të ishte të mbahej karakteri tradicional, i cili është më i bukuri, pasi për të qëmtuar tekste të vjetra këngësh, më është dashur të bisedoj me dhjetëra njerëz.
Kohët kalojnë, njerëzit ndryshojnë, por mirë është që tabani dhe tradita të mbeten siç janë trashëguar brez pas brezi”, shprehet këngëtari gjirokastrit Gentian Selfo, i cili në njërin prej albumeve të tij “Fustani i bardhë” i ka kushtuar dy këngë dasmës tradicionale gjirokastrite dhe që është i pranishëm në mjaft ceremoni dasmash në të gjitha trevat e jugut.
Gjithsesi, me ritet dhe veçantinë karakterizuese apo e njehsuar me ceremonialet e zonave të tjera, me tradita të huazuara nga njëra-tjetra, dasma është një gëzim dhe si i tillë përjetohet në forma dhe mënyra të ndryshme.
http://www.albaniapress.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.