Dasma shqiptare
nga Miranda Haxhia
Si është martuar gjyshja ime…
Gjyshi e gjeti nga miqtë e tij në zonën e Myzeqesë, kur kishte shkuar të gjuante pata të egra. Se ishte gjahtar i pasionuar. I thanë që siç kishte emrin, aq e hijshme dhe e mirë qe çupa e Ymerit. Meleq (engjëll) i vërtetë.
E bleu atë çupë me tre metra cohë prej Izmiri, dy okë misër e një palë këpucë frëngu që ia kishte blerë dy udhëtarëve që kalonin nëpër ato vise për të ndjekur pelikanët. Ata flisnin një gjuhë të huaj, por pazarin për këpucët e bënë pa teklif, secili në gjuhën e vet.
Gjyshi bëri një darkë të madhe, tetë sofra shtroi – pesë për burrat, dy për gratë e një për kalamajtë.
Në fillim erdhi çorba me kokla qengji e gjalpë të fërguar, pastaj pilafi me mishin e rosave të egra, kabunia e famshme me lëngun e mishit të dashit e stafidhet e blera nga një tregtar i vjetër që shkonte e vinte prej Sirie.
Këndonin burrat në një odë e gratë në odën tjetër. Sinkronizonin këngët. Sa pushonte melodia e burrave, fillonin gratë të këndonin e kërcenin. Kishin thirrur edhe Kadrijen e famshme që këndonte sa dëgjohej zëri matanë lumit dhe rrapishteve.
Nusen ia solli dajua i saj, hipur mbi qerre deri në fshat. Kërciti dyfeku e u shpërndanë ca pupla rosash mbi dasmorë. Edhe atë çast, rrëfejnë, gjyshi godiste në shenjë rosat një e nga një.
Meleqit iu drodh zemra, u shkund duvaku i kuq prej frikës së krismave, i ranë qerpikët deri mbi mollëza, kur duart e fuqishme të gjyshit e hoqën atë duvak dhe kapërcyen kufirin e fundit që e ndante nga nusja e tij.
“Sa e hollë qenke, moj çupë e Ymerit, kujtonte ajo që i pati thënë. Po mos u mërzit se mishin e patave e rosave të egra do të ta ngjis poshtë lëkurës tënde.”
Gjyshi dhe nëna gëzuan, e mbushën shtëpinë, bënë ndonjë fotografi të rrallë me kalamajtë në prehër, kur shëtiste fotografi i Gorricës asaj ane, e rrojtën pa vdiqën.
.
dhe… Si do martohet ime bijë
Pasi kaloi një vit, dy, tre… pesë vjet që takohen, dalin, bëjnë pushimet së bashku… e vendosën që do bëjnë dasmë e do martohen. Janë zgjedhur fustanet e bardhë te Geraldina Sposa; estetistja e parukierja është menduar që prej një viti.
Shfletohen faqe pa fund në internet për modelin e flokëve, të tryezave, të bonboneve dhe deri të muzikës që do shkarkohet për videoklipin.
Shqetësohet vetë nusja për detajet që lidhen me ceremoninë, shkon e vjen sa te shtëpia ime tek ajo e Ermalit, herë fle tek unë e herë atje. Shkojnë bashkë për prova këpucësh e kostumesh, prenotojnë pushimet në vende të bukura…
Kontrollohet ushqimi i lokalit: pjepri me proshutë e romstek e mish pate’; salcë me kërpudha e tartuf të shërbyer mbi… kushedi ç’emër ka një gjë që nuk ia di as shijen e as origjinën.
Do vijnë krushqit, mundësisht me makinë luksoze, do ndizet muzika e shkarkuar, do shpërndahen llokum me arra, do thyhet ndonjë shishe rakija, do hidhet oriz, e ajo do ikë… me celularin në dorë, ku ka shkruar mesazhin e fundit të vajzërisë për të fejuarin, niset sikur të shkojë… një çik te shtëpia e tij.