back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Datëlindjet e Lazër Radit… – nga Jozef Radi

Gazeta

Lazër Radi ne Vitet '70
Lazër Radi ne Vitet ’70

Datëlindjet e Lazër Radit…

nga Jozef Radi 

Lazër Radi ka lindur në Prizren, me 29 janar 1916.
Po, për nji periudhë të gjatë vitesh, ndër gjithë dokumentet e tij, Lazër Radi e ka pasë të shënueme si datë të lindjes: 8 tetorin e 1918…!! 
Kur ndodhte që ne të familjes përpiqeshim me ia urue apo me ia festue at ditë të lindjes, (ai s’para i kishte fort qejf kësi festimesh) na shprehte jo vetëm pakënaqsinë e tij, mbasi ajo datë ndër letra s’ishte e vërteta e lindjes së tij, kjo e bante edhe ma të parandsishme atë ditë të shënueme si e lindjes së tij, po që edhe 29 janarin e kapërcente në heshtje, pa u marrë fort me të.
Asokohe ai punonte në repartin e pikturës në Plug, dhe nuk i kushtonte asnji randësi asaj datë, mbasi kështu kishte mundësi me punue edhe thuejse dy vite të tjera, dhe vitet e punës për pension do t’i afroheshin diku te 21 vite punë, pra do ta kishte disi ma të mirë pensionin, jo të plotë mbasi i kishte të humbuna dhjetë vite burg e disa vite interrnim pa dokumenta. 
Në fillim të vitit 1974, Lazër Radin e hoqën nga reparti i pikturës në Pluk dhe për të nisën vitet e ma të rënda të punës në bujqësi, në Savër. Tashma ishte në moshën 58 vjeçare, çka e bante edhe ma të vështirë ta vazhdonte punën edhe për dy vite tjera, që ishin të shënueme gabim në çertifikatat e lindjes. E ndërsa afronte dita e vërtetë e daljes në pension, punët e randa të bujqësisë i baheshin edhe ma të lodhshme. Nji mbramje ai vendosi me i shkrue nji komshies sonë, që kishte disa vjet e vendosun në Mal të Zi të Jugosllavisë, mbasi ishte malazeze, dhe motra e saj ishte nëpunëse poste dhe mund të interesohej pranë famullisë së Prizrenit, ku ai kishte edhe aktin e lindjes, e që mund t’i shërbente si nji dokument zyrtar lindjeje, për ta spostuar datën e padrejtë te dita e vërtetë e lindjes së tij… 
Por nji përgjigje prej saj, s’erdhi kurrë, mbasi letra ishte ndalue dhe depozitue në dosjen e sigurimit të shtetit, pra s’ishte lejue të shkonte në destinacion… 
I mërzitur, po ma së shumti i lodhun, mbasi dita e vërtetë e lindjes i kishte kalue dhe ai vazhdonte me punue, Lazri nji ditë vendos me i shkrue vetë famullisë së Prizrenit. Për fatin e tij, nuk vonoi veç pak muej, dhe prej Prizrenit i erdhi dokumenti autentik i kishës… që me sa mbaj mend duhet të ketë ardhë aty kah fundi i pranverës së vitit 1976… 
Data në dokumentin e kishës ishte ajo që pretendonte Lazri, 29 janar 1916! 
.
Muzeu Historik Kombëtar - 5 tetor 1996 - Simpozium i mbajtur me rastin e 80-vjetorit të Lazër Radit
Muzeu Historik Kombëtar – 5 tetor 1996
– Simpozium i mbajtur me rastin e 80-vjetorit të Lazër Radit
Por tashmë kishin kalue 5-6 muej, kështuqë edhe pse i kishte kapërcye të gjashtëdhjetat ai u detyrue me punue edhe katër muej të tjerë, derisa me gjyq iu desh ta ndryshojë vitlindjen, kurse datëlindja mbeti po ajo. 
Po si asht historia e asaj datëlindjeje, në 8 tetor 1918… që tashma Lazrit iu desh me e ndërrue me nji gjyq fakti. E m’u kthye së paku në vitin e vërtetë të lindjes ndër dokumente.
Familje Lazrit, tre vllazën, motra dhe dy prindët e tyne, hynë në Shqipni prej Prizreni, në vjeshtën e vitit 1929. Me sa mbaj mend nga rrëfimet e Lazrit, në nji regjistrim të përgjithshëm të popullatës shqiptare që asht bà diku në vitin 1931 o 1932… vëllai i madh i Lazrit, Baltoja ka dëshmue regjistrimin e gjithë familjarëve të vet, mbasi ata kishin ikë prej Prizreni pa dokumenta, në vjeshtë të vitit 1929. N’at kohë, Lazri kishte qenë gjimnazist në Shkodër dhe s’asht paraqitë ai vetë në kët regjistrim. Asht Baltoja ai, që e ka shënue në dokumenta datën 8 tetor 1918, si datlindje të Lazrit…
Vite ma vonë, Lazri i shqetësuem për kët datë e pyet të vëllanë e madh: “Pash Zotin ku ma gjete datën 8 tetor, dhe pse vitin 1918, kur ti e din krejt mirë se kam le në vjetin 1916!” 
-E di si asht puna Lazër, – i thotë Baltoja, i cili kishte nji ndjenjë të thellë adhurimi ndaj Lazrit… – 8 Tetorin e kam vu, sepse e ka ditëlindjen edhe Mbreti, e meqë jam i bindun se ke m’u ba njeri i randsishëm, thashë pse të mos përmendet n’nji ditë s’bashku me mbretin!! Ndërsa për vitin 1918, e mendova, nga që i humbe 2 vjete shkollë, nji at vit që erdhëm, dhe nji klasë që ta zbritën kur u regjistrove… E që mos t’thonë se ky zdapi asht ma i madhi i shokëve, t’i zvoglova dy vjete…!!
Në verën e vitit 1976, në gjykatën e rrethit Lushnje, Lazër Radi zhvilloi nji gjyq fakti, thjesht për efekt pensioni. Krahas dokumentit të kishës së Prizrenit, ishin edhe dy shokë të gjimnazit të Shkodrës si dëshmitarë, të pranishëm në gjyq. Meqë data 29 janar, tashma kishte 6 muej që kishte kalue, dhe shteti s’kishte asnji dëshirë me ia pague 9 muejt e pensionit që i takonin mbi bazën e atij dokumenti të ardhun nga Famullia e Prizrenit, u vendos që në dokumente të ruhej data ekzistuese, 8 tetor, dhe u ndryshue vetëm viti: nga 1918 u ba 1916… 
Me 8 Tetor 1976, Lazër Radi doli në pension pleqnie, 9 muaj më vonesë dhe kishte disa muej ma pak se 20 vite punë. Pensioni i pleqnisë i doli 3340 lekë të vjetra, ose 334.oo lekë të reja.
Gjithnji në lidhje me kët datë, me 8 tetor të viti 1996, miqtë e tij të Lëvizjes për Bashkimin e Shqiptarëve, ia festuen 80 vjetorin e Lindjes, po përvjetori i vërtetë i tij, do të mbeste gjithnji i lidhun me datën 29 Janar 1916.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.