back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Datëlindjet e ngatërrueme të Lazër Radit… – nga Jozef Radi

Gazeta

Lazër Radi - Prizren 1918
Lazër Radi – Prizren 1918

Datëlindjet e ngatërrueme të Lazër Radit…

nga Jozef Radi 

Lazër Radi ka lindur në Prizren, me 29 janar 1916.
Për nji periudhë të gjatë vitesh, ndër gjithë dokumentet e tij, Lazër Radi e ka pasë të shënueme si datë të lindjes: 8 tetorin e 1918…!! 
Kur ndodhte që ne të familjes përpiqeshim me ia urue apo me ia festue at ditë të lindjes, (ai s’para i kishte fort qejf kësi festimesh) na shprehte jo vetëm pakënaqsinë e tij, mbasi ajo datë e ndodhun ndër letra s’ishte e vërteta e lindjes së tij, kjo e bante edhe ma të parandsishme atë ditë, të shënueme si e lindjes së tij, po që edhe ditën e vërtetë të lindjes e kapërcente në heshtje, pa u marrë fort me të.
deri nga mesi i viteve ’70 Lazër Radi, punonte në repartin e pikturës në Plug, dhe s’i kushtue asnji randësi asaj datë ndër dokumente, mbasi simbas saj kishte mundësi me punue edhe thuejse do vite të tjera, mbasi vitet e punës për pension do t’i afroheshin diku te 21 vite punë, mbasi vitet e burgut, edhe disa vite interrnimi nuk ia kishin marrë në konsideratë!! Pra, pensionin s’do ta kishte të plotë por gjithsesi do t’ia shtonte edhe disa vite ne sektorin e pikturës. 
Në fillim të vitit 1974, Lazër Radin e hoqën nga reparti i pikturës në Pluk. Për të do të nisnin vitet e rënda të punës në bujqësi, në Savër. Tashma ai ishte 58 vjeç, çka e bante të vështirë ta vazhdonte punën edhe për dy vitet e tjera, të shënueme gabim në çertifikatat e tij të lindjes. E ndërsa afronte dita e vërtetë e daljes në pension, punët e randa të bujqësisë po i baheshin gjithnji e ma të lodhshme. Nji mbramje ai vendos me i shkrue famullisë së Prizrenit, po njiherit edhe nji komshies sonë, që kishte disa vjet që ishte  vendosë në Ivangrad (Beranje) të Malit të Zi, në Jugosllavinë e dikurshme. Ajo ishte malazeze, ndërsa motra e saj ishte nëpunëse poste, dhe mund të interesohej pranë famullisë së Prizrenit, ku ai kishte kërkuar aktin e lindjes, që mund t’i shërbente si dokument zyrtar lindjeje, për ta spostuar datën e padrejtë ndër dokumente, te dita e vërtetë e lindjes së tij… 
Nji përgjigje prej saj s’erdhi kurrë, mbasi letra ishte ndalue dhe depozitue në dosjen e Sigurimit të Shtetit, pra s’ishte lejue të shkonte në destinacion… 
.
Lazer Radi - Klasa e e Trete Prizren 1928
Lazer Radi – Klasa e e Trete Prizren 1928
Lazri i mërzitur, po ma së shumti i lodhun, mbasi dita e vërtetë e lindjes kishte kalue ai u detyrue me e  vazhdue punën. Lazri vendos me i shkrue nji letër të dytë Famullisë së Prizrenit. Për fatin e tij, nuk vonoi veç pak muej, dhe prej Prizrenit i erdhi dokumenti autentik i kishës… që me sa mbaj mend, duhet të ketë ardhë aty kah fundi i pranverës së vitit 1976… 
Letra me dokumentin e kishës, kishte datën që pretendonte Lazri, 29 janar 1916! 
Por tashmë kishin kalue 4-5 muej, kështuqë edhe pse i kishte kapërcye të gjashtëdhjetat u detyrue me punue edhe katër muej të tjerë përtej të gjatëdhjetave,, derisa me gjyq fakti iu desh të ndryshonte vitlindjen, kurse datëlindja mbeti po ajo…
Po si kishte ndodhur që ishte registrar me datëlindjejen, 8 tetor 1918…! të cilën Lazri e ndrroi me nji gjyq fakti, duke kthye së paku vitin e vërtetë të lindjes, ndër dokumentet zyrtare.
Familja e Lazrit, kishte tre vllazën, motra dhe dy prindët e tyne. Ata hynë në Shqipni prej Prizreni, në vjeshtën e vitit 1929. Me sa kujtoj nga rrëfimet e Lazrit, në nji regjistrim të përgjithshëm të popullatës shqiptare të bàmë diku në vitin 1931 o 1932… vëllai i madh i Lazrit, Baltoja ka dëshmue në regjistrimin e gjithë familjarëve të vet, mbasi ata kishin ikë prej Prizreni pa dokumenta. N’at kohë, Lazri kishte qenë gjimnazist në Shkodër dhe s’ishte paraqitë në kët regjistrim. Ishte Baltoj, që ia kishte shënue në çertifikaten e lindjes datën 8 tetor 1918, si datëlindje të Lazrit…
.
Lazer Radi - Rome 1937
Lazer Radi – Rome 1937
Vite ma vonë, Lazri i shqetësuem për kët datë të pavërtetë e pyet të vëllanë e madh: “Pash Zotin, si asht puna, e ku ma gjete datën 8 tetor, dhe pse vitin 1918, kur ti e din fort mirë se unë jam i vjetit 1916! 
-E di si asht puna Lazër, – i thotë Baltoja, që kishte nji ndjenjë të thellë adhurimi ndajvëllait më të vogël… – 8 Tetorin e vuna, se n’at ditë ka lindë edhe Mbreti, e meqë jam i bindun se ke m’u ba njeri i randsishëm, thashë pse mos t’përmendet n’nji ditë me mbretin!! Ndërsa vitin 1918, e vendosa meqë i humbe 2 vjete shkollë, nji at vit që erdhëm, dhe nji klasë që ta zbritën kur u regjistrove… E që mos t’thojshin se ky zdapi, asht ma i madhi i shokëve, t’i zvoglova nja dy vjet..!!
Baltoja, ishte njeri me shpirt të bardhë e të pastër dhe me shumë humor!
Në verën e vitit 1976, në gjykatën e rrethit Lushnje, Lazër Radi zhvilloi nji gjyq fakti, thjesht për efekt pensioni. Krahas dokumentit të kishës së Prizrenit, ishin edhe dy shokë të gjimnazit të Shkodrës si dëshmitarë, të pranishëm në gjyq. Meqë data 29 janar, tashma kishte 6 muej që kishte kalue, dhe shteti s’kishte asnji vullnet me ia pague 9 muejt e pensionit që i takonin, mbi bazën e dokumentit të ardhun nga Famullia e Prizrenit, u vendos që: në dokumente të ruhej data ekzistuese, 8 tetor, dhe u ndryshue vetëm viti: nga 1918 u ba 1916…!!!
Me 8 Tetor 1976, Lazër Radi doli zyrtarisht në pension pleqnie! 9 muaj ma vonë dhe kishte disa muej ma pak se 20 vite punë… Pensioni i pleqnisë i doli 3340 lekë të vjetra, ose 334.oo lekë të reja.
.

Lazer Radi - Foto e Dosjes se Sigurimit 793
Lazer Radi – Foto e Dosjes se Sigurimit 793
Gjithnji në lidhje me kët datë, me 8 tetor të viti 1996, miqtë e tij të Lëvizjes për Bashkimin e Shqiptarëve, ia festuen 80 vjetorin e Lindjes përmes një konference, po përvjetori i vërtetë i tij, do të ishte data 29 Janar 1916, e cila shpersh i mungon në dokumente.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.