back to top
12.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Deklaratat e bashkëpunimit me Sigurimin – nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Rekrutimet - dhe Dosjet e Sigurimit
Rekrutimet – dhe Dosjet e Sigurimit

Deklaratat e bashkëpunimit me Sigurimin

nga Kastriot Dervishi

Rekrutimi në radhët e Sigurimit të Shtetit niste në çastin kur personi nënshkruante deklaratën e bashkëpunimit. Bashkëpunëtorët ishin të dy llojeve: të rekrutuar me material shtrëngues dhe me dëshirë. Te kategoria e dytë ishin vetëm komunistët. Formulimi i parë grafik i një teksti betimi haset në vitin 1947. Shihet se rast i rrallë pasi në vitet 1945-1948, përgjithësisht nuk ka pasur dosje bashkëpunëtorësh dhe kategorizim të tyre. Më vonë u rregulluan duke pasur kategorizim (në fillim në 5 e pastaj 4 kategori) dhe dosjet personale e të punës. Deklarata ka qenë model i shtypur, në krye të së cilës qëndronte përshëndetja partizane jugosllave “vdekje-fashizmit, liri-popullit”. Shkelja e deklaratës së besnikërisë apo vetëdekonspirimi përbënin vepra penale. Në vitet 1949-1956, këto gjykoheshin nga Gjykata Speciale e Sigurimit në MPB, ndërsa pas vitit 1956 kryesisht në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë. Në Kodin Penal akuza bazohej te nenet e tradhtisë ndaj atdheut dhe përhapjes së sekretit shtetëror.
.
Deklarata Model e Bashkëpunimit të lirë
Deklarata Model e Bashkëpunimit të lirë

Deklarata e bashkëpunimit me dëshirë

Vdekje fashizmit-Liri popullit
Deklaratë

Unë i nënshkruari…., duke e ndjerë si detyrë të shenjtë patriotike mbrojtjen e Republikës Popullore dhe të pasurisë së shtetit, pranoj me koshiencë dhe me vullnet të plotë të jem bashkëpunëtor informativ i organeve të Sigurimit. Me dashurinë më të madhe për popullin e republikën dhe me urrejtjen më të thellë për armiqtë, cilëtdo qofshin dhe kudoqofshin këta, do të vë gjithë forcat e mija për ruajtjen me fanatizëm të kauzës së shenjtë të popullit dhe për zbulimin dhe shfarosjen e armiqve. Jap fjalën e nderit të një luftëtari të çështjes së popullit se do të plotësoj me përpikëri detyrat e ngarkuara, do të ruaj me skrupulozitetin më të madh sekretin shtetëror e konspirancion në punë. Do jem vigjilent e gjithmonë i gatshëm në ruajtjen e sektorit ku punoj, në vëzhgimin e armiqve në punë e sipër, në zbulimin e çrregullimeve, abuzimeve, etj, që njerëz të pandërgjegjshëm ose armiq të popullit, do të mundohen të shkaktojnë dhe në bashkëpunim me shokët e Sigurimit, do të jem i pamëshirshëm karshi atyre që duan të pengojnë realizimin e jetës së re dhe të lumtur të popullit tonë. Urrejtja e madhe e popullit le të pllakosë mbi mua dhe dënimi i ligjeve të pushtetit popullor, le të më godasë, në rast se me qëllim e prish fjalën e dhënë dhe neglizhoj detyrën karshi popullit, atdheut dhe republikës.

.
07 Janar 2020
 .
Deklarata Model e Bashkëpunimit me shtrëngesë
Deklarata Model e Bashkëpunimit me shtrëngesë

Deklarata e bashkëpunimit me material shtrëngues

Ky është modeli i nënshkrimit të një deklarate me material shtrëngues. Këto lloje rekrutimesh ndodhnin kur personi ishte i arrestuar sekret, i internuar ose burgosur. Kandidatit i bëhej një presion i jashtëzakonshëm se do burgosej, zgjatej burgimi, etj, se mund të kishte pasoja mbi anëtarët e familjes, etj. Rasti i mëposhtëm i takon një të arrestuarit të njohur. Ai pranoi të nënshkruajë në paraburgim këtë deklaratë bashkëpunimi. Posa e nënshkroi, komunikoi me personin që duhej të “spiunonte” dhe të dy u arratisën pa i ndodhur asgjë. Nënshkruesi u bë një personalitet i diasporës shqiptare dhe u ndoq (aq sa dinte të ndiqte kjo armë) nga Sigurimi deri në vdekje.
.
Vdekje fashizmit-Liri popullit
Deklaratë
Duke u penduar sinqerisht dhe e ndjerë veten fajtor për qëndrimin tim që kam mbajtur deri më sot kundër pushtetit popullor; duke qenë mirënjohës pushtetit për bujarinë ndaj fajeve që unë kam bërë deri tani dhe duke përfituar nga rasti që më jepet për t’i shërbyer dhe unë atdheut dhe popullit tim; Betohem se duke shkelmuar të kaluarën, pranoj me vullnet të plotë të jem bashkëpunëtor i organeve të Sigurimit. Do të vë gjithë forcat e mija në shërbim të popullit, duke zbuluar dhe luftuar të gjithë armiqtë e pushtetit popullor, për t’u bërë kështu një qytetar i denjë i Republikës Popullore të Shqipërisë. Vigjilent dhe gjithmonë i gatshëm për ruajtjen e sektorit ku punoj, jap fjalën e nderit se do të plotësoj me ndershmëri, besnikëri dhe përpikëri detyrat që do më ngarkohen, për zbulimin e armiqve cilët do qofshin, kudo qofshin dhe ku ta lypë nevoja për të provuar kështu me punë dhe konkretisht pendimin për të kaluarën e keqe dhe për të qenë i denjë për dashurinë e popullit tij. Do ruaj me skrupulozitetin më të madh sekretin shtetëror dhe konspiracionin në punë, do jem i bindur, i sinqertë dhe korrekt në punë ndaj eprorëve. Dënimi i ashpër i ligjeve të pushtetit popullor le të godasë mbi mua pa asnjë mëshirë, në rast se me qëllim e prish fjalën e dhënë dhe neglizhoj detyrën karshi popullit, atdheut dhe republikës.
.
9 janar 2020

Marre https://www.55news.al/dossier/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.