Dekodimi i antimoralit dhe antinderit, si zvetënim i moralit njerëzor
nga Emrije Krosi
mbi romanin “Dhjetë gram nder” të Namik Dokles
Të shkruarit është ngjallmimi i njeriut. Të shkruarit është përkushtim, qëllim, dije dhe besim. Integriteti i vërtetë kulturor promovohet përmes “përvojës, që vjen nga brenda natyrës dhe strukturës së vetë kulturës, shpalos natyrshëm traditat e gjalla kulturore të jetës kombëtare, si vizion zhvillimor të progresit shoqëror. Leximi është “ushqimi i shpirtit”. Por, ndonjëherë lexojmë, ose shumë herë siç ndodh sot jemi në krizën e leximi, se ka kaq shumë libra, por ato po jetojnë “dimrin e tyre” sipas Bashkim Hoxhës. Duke iu referuar, Harold Bloom, se nuk ka ndonjë mënyrë si të lexojmë, por që ka shumë arsye se pse duhet të lexojmë, nuk duhet të themi, “si të lexojmë” dhe “çfarë të lexojmë”, apo ku “duhet të fillojmë”, nuk mund të varet plotësisht nga autori, por nga lexuesi, që duhet të dijë çfarë të lexojë. Dy lexime në kohë të ndryshme nga i njëjti individ, mund të jenë mjaft të ndryshme, për arsye të leximit të dytë, për shkak të rrethanave të jashtme, se për Xhevahir Lleshin, libri shqip përpëlitet sikur po jep shpirt. Edhe pse përvoja e leximit është shpirtërore, sa më shumë të lexosh, do të zbulosh tek ajo prozë diçka të re, që nuk e kemi kuptuar gjatë leximeve të mëparshme, duke u pajtuar me idenë, se çdo poezi/prozë është “përvojë e denjë e lexuesit”, një gjendje ideale shpirtërore, jo vetëm për një lexues të shkolluar, por për çdo lexues të pacaktuar. Romani i fundit “Dhjetë gram nder” i Namik Dokles duhet lexuar dhe dekoduar në disa rrafshe:
1.Dekodimi i rrafshit historik:
Mënyra e ndërtimit të romanit, duket si një trillim me surreales, realizmit magjik dhe historisë. Deformimi i historisë fillon me togfjalëshin: takim me historinë ku kryepersonazhit Nderimit, i nëpërkëmbet nderi i babait të tij. Shtrembërimi i qëllimshëm i historisë për arsye politike, është maskarada kryesore prej dekadash, (demaskimi i të vërtetës historike), përmes tofjalëshave:
-ideja e “tregtisë së nderit
-blerja e “dhjetë gramë nder”
-tabela ku shkruhej “këtu shitet nder.
Personazhi Nderim lidhet me gjithë strukturën dhe fabulën romanore. [Nderim/ emër (nder) + -im/(prapashesa)]. Kryepersonazhi zhenetian është i kudondodhur dhe i gjithëditur: “të hapja një shitore, qoftë edhe një qoshkë të vogël, ku të shkruhej: Këtu shitet nder!”, autori thyen historisë dhe gjithë moralin/imoralitetin dhe imazhin e përdhosur të saj (historisë). Historia e trishtë dhe rrëfimet e Bajro Jellës, (personazh) që di dhe rrëfen, i vdes nusja dhe “shefat e sigurimit” nuk e linin as të vajtonin “që të mos trazohej ai imazhi i shtetit”. Historia e një shteti të deformuar ose anasjelltas.
2.Dekodimi i rrafshit estetiko-letrar:
Ndërtimi i modelit të romanit përmes personazheve me emra nga ndikimi i etno-folkut të krahinës, ku ndërthur dhe të folmen e vendit me gjuhën e lartë të strandardit, me emra si: Jasmir Buka/ Bajro Jella / Sheh Prushi/ Tosun Brinjën/ Hanza/ Hannah/ Ermira. Kjo ndërtekstori poetike e papërcaktuar e shumëllojmërisë së përzierjeve zhanrore dhe leksikore, tëhujëzon tipare heterogjene, mes modernizmit dhe postmodernizmit (jo me tipare krejtësisht të qarta në letërsinë shqipe të sotme), si pjesë e kësaj letërsie të së tashmes, që ndërkall një lloj “poetike derterminuese” sipas Jenifer Ashton, përmes parabolave:
-parabola e rrëfimi dhe përshkrimit(rrëfimi autorial në kohën e tashme/të shkuar),
-parabola e diskursit poetik (përmes melosit dhe ironisë popullore): drejt Europës me gomar./ Dhe gomari s’ka samar./ Ka samar, por nuk ka bar./ Kur s’ka bar, i fusim kashtë./ Fusim kashtë e mbesim jashtë;
-parabola e diskursit të “mesazhit në shishe”: “Ndjeu pendesë edhe pse i tregoi Jasmirit se çfarë kishte shkruar dhe ku e kishte futur shishen”;
-parabola e diskursit të “interteksteve” (rrjetet sociale): “Një palo gazetar, i afërm i një pacienti, kishte shkruar në rrjetet sociale (facebook dhe tik-tok) se mjeku është i korruptuar, se vajzës së tezes së tij i kishte marrë 10.000 lekë (aq sa e shisja unë një gram pluhur për një copë nder) dhe u turr një prokuror” fq. 150;
-parabola e diskusit epistolar (letrat): “kjo godinë deri sot ka qenë xhami, që nuk i
gjendej shoqja në nëntë fshatrat e krahinës. Tani ky shtet e ka kthyer në magazinë drithi. Shteti është komunist, udhëheqësi është Enver Hoxha; ky shtet ka shkatërruar xhamitë dhe kishat dhe na ka rrjepur shtatë lëkura”;
-parabola e diskursit të fjalëve-algoritma: “e thirrën në SPAK/SKAP, ose: partitë tona, PPSHPD” etj. Raporti i postmodernes lidhet me traditën, historinë, kulturën se për Linda Hacion, “duke kontestuar autoritetin e vetë aktit e të shkruarit, duke e vendosur diksursin në një rrjet të pafund intertekstual”, interteksti na paraqet një komunikim aktiv, të paktën mes dy teksteve letrare dhe joletrare.
3.Dekodimi i kohës së tranzicionit përmes korrupsionit:
Njohja e realitetit dhe imazhit të Shqipërisë përmes tranzicionit (një imzh që përshkrohet në roman, si pasojë edhe e kastës së autorit si politikan), vjen përmes alegorisë, ironisë dhe sarkazmës, ku deputetë, ministra, prokurorë politikanë të korruptuar dhe të indoktrinuar, shpalosen si “të paprekshëm” përmes:
a.dhjetë gram nder,
b.një kilogram nder
c.nder për të vdekurit,
d.pluhuri në qeskat e nderit.
Ironia si metaforë apo dhe simbolika e pritjes së (integrimit të Shqipërisë në Europë) kuptohet përmes fjalisë: një kombinim interesant, fruta tropikale me hudhra shqiptare. Letërsia postmoderniste shoqërohet me tone ironike dhe tallëse, deri në sarkazëm, si ironia e fjalës por dhe ironia e situatës, si teknika të rrëfimit prozaik (më shumë romanor) e vë lexuesin para qëndrimit emocional, ku trajtohen dukuri sociale dhe shoqërore, në mënyrë ironike dhe satirike. Ironia shkon deri në paradoksin posmodernist, në formë të distancimit kritik të realitetit: “kishte vjedhur pensionin e nënës, një tjetër që kishte nxjerrë gruan e tij në semafor, një i tretë që kishte bërë grabitje shumash të mëdha, por pa prekur asnjë qindarkë me dorë, pa çarë mure e pa thyer kasaforta, por vetëm duke hakëruar disa llogari bankare, një i katërt që kishte hall të merrte vesh se si i bëhet me atë që, duke qenë shofer i një ministri, kishte marrë përsipër aksidentin e kryer nga shefi i tij, dikush që pyeste nëse ishte humbje nderi ta tradhtosh gruan me dashnoren apo edhe me vajzën e bosit të kompanisë, sekretare e të cilit është gruaja jote…” fq. 194.
4.Dekodimi i moralit/ (a)moralit në shoqëritë në tranzicion:
jë shoqëri që “shet (a)moralitet” dhe kërkon të bleje dhjetë gram nder për t’u vetëpastruar përmes ndershmërisë, është ndoshta dhe humori më i zi (përtej sarkazmës):
a)përmes prostitutave të çnderuara: “burra me çorape shtatë javë të palara, me kutërbim shurre dhe sperme”
b)përmes inçestit, (përdhunimi i së bijës nga Tosun Brinja, një ish polic famëkeq diktaturës): “por tmerrin më të madh e ndjeva atë ditë, kur ai, Tosuni i poshtër, babai i ndyrë, qelbaniku i shtatë gjirizeve, në përpjekjet për të më detyruar t’i jepja gjysmën e biznesit, më tha: kush ia mori virgjërinë gruas sate? A e gjete të virgjër nusen tënde”
c)përmes “shitjeve” materiale: një shoqëri që njeriu nuk ka më asnjë vlerë. Dashuria tashmë matet me vlerat materiale të parasë. Njeriu shitet dhe blihet si një rrobë. Një shoqëri ku dhe vrasjet bëhen me para: “e ku ka fund paraja?! Ta zëmë se i bleu të gjitha gjërat që i kanë shkuar nëpër mend; makinë 200 mijëshe, orën “Rolex” floriri 39 mijë euro (aq e ka shefi im), jaht që vetëm për ta mbajtur në portin e Budvës i kushton një milion euro në vit, një shtëpi dashnores së parë dhe një Ferrari dashnores së fundit, e të tjera e të tjera, ai nuk ngopet kurrë, me siguri do të mendojë të blejë vilë në Dubai e më vonë, më vonë çfarë mendon ti? Edhe ishull në Greqi, apo Maldive” fq. 150;
d)përmes pabarazisë çmeruese: kjo pabarazi vjen nëpërmjet: a)lufta pa kompromis ndaj krimit e korrupsionit, b) njohja e realitetit të njëmendë, c) energjia negative dhe toksike në të gjitha nivelet socio-shoqërore, deri në skajet më të thella të surrealitetit shqiptar me: “vrasës me pagesë dhe pa pagesë, vrasës të grave dhe ndonjë vrasëse të burrit; përdhunues kafshërorë, zyrtarë të korruptuar, hajdutë pronash dhe bankash, drogaxhinj të droguar dhe të tjerë esëll, shpërdorues fondesh dhe tenderash, fshehës të armëve pa lejë, bankierë hajdutë dhe avokatë mashtrues…” Thënia se në kapitalizëm: njeriu për njeriun është ujk, është ndoshta prerifrazimi më i qenësishëm për “pabararinë ulëritëse” në të gjitha nivelet dhe shkallët e shoqërisë shqiptare: “pabarazia ulërinte, njëlloj si jashtë, por në ngushtësinë e birucave e të korridoreve dëgjohej më shumë, më fort dhe jehona e saj nuk pushonte asnjë grimë, natën dhe ditën, në çdo imtë frymëmarrje, në çdo vështrim gardiani, në çdo skërmitje të oficerit të policisë gjyqësore, në çdo llogari avokatësh, prokurorësh dhe gjyqtarësh, nuk pushonte dhe të gërryente përbrenda e të terte përjashta. Të dukej vetja si skelet i tharë në diell…”.
5.Dekodimi metaforës së “nderit”/të pandershmes si katarsis:
i gjithë rrëfimi ndërtohet mbi togfjalëshin “dhjetë gram nder”. Autori përdor të gjithë njësitë leksiko-stilistikore si “katarsis” (pastrim) të imazhit dhe moralit të shoqërisë shqiptare të zhytur në llumin e imoralitetit. Fjalia: “por mielli im i nderit, kishte diçka mbi shumëçka” një pluhur i frutave ekzotike vjen përmes: a)mashtrimit së shitjes së ndershmërisë, b)besimi se e keqja mund të fshihet përmes harresës, c)katarsisi përmes pluhurit të nderit: “sa herë që dikush më pyeste se ç’dreq mielli magjik ishte ai që shisja dhe si ka mundësi që, me një gram, dhjetë gramë, apo edhe me një kilogram, i pandershmi të bëhej i ndershëm, hajduti të bëhej qytetar nderi i bashkisë apo i qarkut, që një deputet apo ministër mashtrues të zgjidhej shtatë herë pa i hyrë ferra në këmbë”;
a)togfjalësha nga kryetema e fjalës nder: [këtu shitet nder!/ filial nderi/ porositësit e nderit/ nder për të tjerë/ nder i thënçin!/ nder për gjak,/ mielli nderi/ miell për nderin e të vdekurve/ për një copë nder/ nder falas /një kilogram nder/ nderi i familjes/ dhjetë gram nder/ më mirë shit nder…/ lagjja e nderit/ shes nder/ prodhon nder/ nderin tim/ blerjen e nderit/ biznesi im i nderit/ paketimin e nderit/ tre kilogramë nder në një ditë!/ nderin e humbun/ sa nder do të blesh/ nder nderprishurve/ nder me pandershmëri/ llogaritë e shitjes së nderit tim/ asnjë gram nder/ atdheun e nderit/ asnjë shenjë nderi/ tregut të nderit/ epidemia e nderit/ perandorinë time të nderit/ frutave të nderit etj.;
semiotika strukturale: në semiotikën strukturale sema e pranishme: [nder/i pandershëm],është një figurë bërthamë, përmes rrugëtimit figurativ:
Nder i pandershëm moral
Demokraci ================= njeri ================== dehumanizëm/metamorfoza
Autori e shtron çështjen e “hapjes” apo të “mbylljes” së tekstit, apo edhe strategjisë së heqjes përmes termit “semiotikë e neutralizimit të fjalës”:
të jesh i ndershëm të ndershmen mos ta njohësh
të njohësh ndershmërinë të mos jesh i ndershëm
Duke u nisur nga teksti, kemi disa aspekte të kompetencës së lexuesit si:
-kompetenca krahasuese, (vënia në bashkëlidhje kuptimore disa pjesë të tekstit të gjatësive të ndryshme)
-zbulimi i kundërvënieve izotopike, (kapacitetet për të shkoqur izotopitë dhe për të individualizuar organizimin e vlerave bazë),
-zhvendosja e këndvështrimit, (këndvështrimi merr shkak nga përshkrimi që gjendet në roman)
-zbulimi i sintaksës së thellësive të vlerave, (shndërrimi radikal që nga vlerat ekonomike – fetare deri tek ato estetike)
-kompetenca për gjininë, (pritjet dhe konfirmimi gjatë leximit)
-zbulimi i lojrave të thënies, (leximi gradual dhe i ndryshueshëm kritik, që mund të arrijë në thellësi të vogal apo të mëdha në nivele të ndryshme të tekstit)
-kompetenca ndërtekstuale, (zonat e kërkimit dhe krahasimit i kësaj novele (apologjisë) me veprat e tjera të autori, ose më shkrimtarët e tjerë). Mënyra e të kuptuarit si një “katarsis” bashkë me estetikën filozofike, lidhet me nivelet e leximit, ku paraqitja e realitetit, në trajtën e romanit, shfaqet realiteti i njëmendtë (trekohësia), bashkë me nocionin e brendisë së gjuhës, “që ndërlidh ‘natyrën e faktit letrar’, ku u hulumtua gjithnjë në mënyrë të pamjaftueshme sipas Jacques Derridas, fundja letërsia nuk e përjashton strukturën mikse në funksionin realist dhe human të saj.
6.Dekodimi i rrafshit stilistiko-gjuhësor:
a.fjalëformimet: Meslumasin/ gjysmësekrete/ njëgramëshe/ kokëprerë/ maestreshat/ kokëpërcek/ mesoburrë/ superstrategjik/ bashkëvuajtës/ bashkëfajtorë/ gjoksrrahëse/ dhjetëgramëshe/ samarndreqësi/ dalëdritë/ pragvdekjeje/ nënshtrojën/ arkëmorti/ grimëherë/ shtatëmbëdhjetë/ ndihmësmjeke/ makthndjellëse/ matanshmes/ këndejshmes/ mendjevrella/ shpirtkëputës/ pazëshëm/ pragdimrit/ rrobëmortën/ zemërlepur/ dalëdite/ mjegullftohtë/ kryeqytetasit/ përthith/ grimëhera/ humbnajës/ bashkëqytetari/ trupngjeshur/ sherrbudalla/ kryeqendër/ anëpëranë/ sapovdekur/ lajmvdekjen/ egërshan/ ajërthithsit/ bërbëlitnin/ dërdëng/ grimëherë/ eurobotëror /shpirtgrymë/ bjerrakohës/ dejmarak/ guakguakja/ dashakëqij/ hunjëmbajtësit/ trushkulur/ kryehoxha/ kryeprifti/ gacëfshehur/ kokërruarit/ zëforcuesin/ kryekrejt/ anërrugë/ plotfuqishmërinë/ tejbotshme/ përmbrapa/ zhdërvlloshkej/ ditëvarrin/ keqkuptoi/ smirëzinj/ tmerrgoditja/ qindvjetshi/ kockëthyerjes/ frymëmarrjeje/ njëgramëshe/ dhjetëgramëshe/ kilogramë/ gazmendshëm/ sapombjellun/ pesëmbëdhjetëditëshit/ nderprishurve / flokëbardhës/ sapoardhuri/ romapërtoma/ papërballueshme/ qoftëlargut/ zhumhuri/ grimëherë/ vetëvrasja/ anëdetit;
fjalët dialektore (të folurit vendor): zhir/ piskuriq/ cupllak/ krefcë/ bungajë/ llapërçinë/barkcullak/ dallashinë/ çapaçulë/ kaploqja/ boçinga/ bërmaja/ zhim/ kllupcën/ currëm/ drojshëm/ puçek/ budéc/ droçklas/ çaprashit,/ dangalisë/ tishka-tishka/ zhugmit/ karamua/ kërrnikët/ zhegitur/ gërbellat/ astrica/ bacarunga/ gërdufje/ kanxhin/ bërmajë;
–fjalë të huaja: anór/ bixul/ capito/ veni, vidi, vici/ multicolor/ blozhme/ solo/ intentaba Darte/ Amor/ jebjat zhenshqini vsjevo mira, eto njevazmozhno, no k’etomu nada stremitsja/ sicario/ Argentina manit negra/ papaya/ mangot/ guajabat/ mazh/ con venti quattromila baci… venti quattromila baci…/ Comedia finita est;
–eufemizmat: (janë fjalë që ndërlidhen me njeriun dhe jetën shoqërore): Arnautistan/ Absurdistan/ Askundistan/ Qorrastan/ Hajnastan/ Bossastan/ Kurvastan/ Stanpastan
–shprehje frazeologjike; “Halle – halle kjo dynjá, halli hallit nuk i ngjá”/ “Hesht dhe duro, leckat arno!”/ “I ka hy tenja bletës”;
-fjalë të urta: “Se qeni që rri pas gardhit nuk bëhet kurrë trim/ “Trarët mbajnë çatinë, nderi shtëpinë”/ “Për një gardh të nxjerrin sytë”/ “Për një pulë të therin lopën”;
–mallkimet: Të vrafshin udhët e botës!/ Mos të raftë me harrue! Harrofsh pragun e shtëpisë! Harrofsh t’amlin e nanës!/ Të hyftë dreqi në bark/ Të pështyftë dielli në sy!/ T’u thafshin kocat në diell!/ Mos pafsh diell e hanë!/ U mbytshi në shurrën e pulave! Të pjellshin bretkosat në bark, o shpirtgrymët!;
–togfjalësha çelësa të krijuara nga autori: vjen me djersën në lug të bythës/ vidh që të kesh/ imazhi i shtetit/ aksion me punë vullnetare/ kush ia mori virgjërinë/ miellin e ngushëllimit/ bosët e burgut/ kishin lozur sandalkat/ misionin e krapit/ shefi i çimkave/ komça-çimka/ ishte porositësi i të burgosurve VIP/ Çunave të Londrës/ etj.
Së fundmi: Mbyllja e autorit është një analogji me një togfjalësh markezian si: “nga larg vinte era e kalbur e bananeve” ashtu siç prologu/ epilogu, kanë të njëjtin kumbim kalbësire të frutave të kalbura, ashtu si era e kërmave apo kufomave të kalbura mbitokë. Kjo është edhe metafora, simbolika, krahasimi, paralelizmi, analogjia me realitetin e përzier të moralit “Made in Albania”. Ngjizja e një fantazie të tillë kreative saora harmonike me nivelin artistik të rrëfimtarisë, shpërfaq mjeshtrinë e prozaizmit modern dhe postmodern të prozës së sotme mbarëshqiptare.