back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 18 Nëntor, 2024

Dekonstruktivizmi postenverist – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Artan Kafexhiu
Artan Kafexhiu

Dekonstruktivizmi postenverist

nga Artan Kafexhiu

Shkrimtarët e mirëfilltë e të afirmuar, kanë privilegjin e kohës në dispozicion e të mundësisë të fermentimit të gjatë, që duhet të ketë një vepër e mirë. Por për gazetarin si kritik, analistin apo opinionistin, nuk ndodh kështu. Ai që pret për një ide t’i vijë si një vetëtimë në një qiell blu, duhet të presë ndoshta deri në mërziti, në pafundësi. Ai nuk e ka privilegjin e pritjes, i ngucur nga koha e pakët që ka, i duhet të nxjerrë kolumnet e tij të përjavëshme, e në disa raste edhe dy herë në javë. Kështu që, ai ulet përballë kompiuterit të tij si të jetë Alfieri modern, e ta lidhë veten për karrike deri sa t’i lindi ideja. Ndaç besojeni, ndaç jo, ai thjesht vendos që t’i lindë një ide. Nuk ka asgjë magjike në këtë proçes; Alfieri, ashtu si edhe gazetari i kanë thirrur nevojës, krijuan një ligj nga nevoja. Por sido që të jetë, opinionisti, nuk mund të kthehet në një Vittorio Alfieri, sepse Alfieri ishte e mbetet një krijues e letrar i mirëfilltë, përtej çdo metafore këmbënguljeje.
Periudha postkomuniste shihet si “periudha e artë” e sundimit të kritikës. Aktualisht, kritika ka monopolizuar të gjitha hapsirat e medias shqiptare. Çdo gjë është lënë në mëshirën dhe ethet e saj. Në Shqipëri, krijuesit e vlerave të mirëfillta kulturore, të çfarëdo gjinije janë kthyer në disa specie të rralla, e në zhdukje. Paaftësia dhe mosdashja e kritikëve për të kuptuar, vlerësuar imperativat e kohës, konsakruar vlerat e vërteta të kulturës shqiptare, është një fenomen që e ndeshim përditë. Dogmatizmi, kërkimi i lidhjeve e kuptimeve të paqena, gjuha pedante, sharëse, nënvlerësimi, insistimi deri në egërsim, për të gjetur mangësi në vlerat e traditën kulturore përgjat historisë të zhvillimit e kultivimit të kulturës shqiptare, pasioni deri në çmenduri, për të dekonstruktuar “alashqiptarçe” vlerat e mitet kombëtare, ka rrezikuar ta ftohë lexuesin nga trashëgimia kulturore dhe e autorëve të mirëfilltë, një pjesë e tyre të ndaluar dikur nga dogma dhe direktivat enveriste.
Është e natyrëshme dhe njerëzore, që kritiku të shohë me syrin e një ziliqari të patalentuar, krijuesin e vlerave, i cili është i aftë të transmetojë dhimbjet e gëzimet e tij, imagjinatën dhe talentin si dhunti të lindura e të zhvilluara, nëpërmjet fjalës së shkruar, në liri të plotë të vullnetit të tij. Vërehet se kritiku i sotëm, në vend që të sublimojë këtë lloj krijimtarije, përdor gjuhën e acartë të çensuruesit duke disektuar e diskretituar me cinizëm çdo gjë jashtë kapacitetit të tij krijues me një minuciozitet qesharak.
Për mua, kritika shqiptare i përngjason lëvizjes letrare, që dikur, në Italinë e pjesës së dytë të shek. XIX-të, të tejngopur nga idealet e “Risorgimento-s”, u bë e njohur me emrin, – Scapigliatura (italianizimi i “bohemizmit” francez). Ishte një çetë intelektualësh, pa ndonjë platformë të përcaktuar ideologjike apo artistike. Njëlloj si – “gli scapigliati”, – shija dhe predispozicioni i kritikëve (dekonstruktivistëve) shqiptarë për të polemizuar, ose siç pretendohet prej tyre, “për të debatuar”, nuk mbetet thjesht vetëm brenda konteksit teorik të historisë, kulturës, letërsisë e miteve, por është në thelb pjesë e krizës ekzistenciale te vet atyre, dekonstruktivisteve.

Njohësi i Artit
Njohësi i Artit

Në Itali, skapiliatura, përkoi me lindjen e shoqërisë industriale, bumin merkantik dhe industrial të qyteteve, daljen në skenë të një borgjezije të etur për para dhe pushtet, që njëkohësisht u shoqërua me varfërimin masiv të fshatit e të qytetit. Kurse në Shqipërinë postenveriste, dekonstruktivizmi, u shfaq njëherësh me bumin e një lloji të veçantë “kapitalizmi”, me fytyrën e një banknote krejtesisht e thjeshtësisht shqiptare elementësh postenveriste të mbështetur në pronën e përvetësuar shtetërore, ose asaj të mirëfilltë private të shtetëzuar gjatë komunizmit.
“Antikonformizmi, shpirti rebel” i dekonstruktivistëve shqiptarë, dalja e tyrë në media, si shprehje e anti-(akademizmit, institucionalizmit, mitizimit kulturalo-historik), të dalë boje, të mykur, etj. (gjithnjë sipas tyre); shija për të provokuar polemika gjithnjë, njëlloj siç ishte dikur edhe rasti i skapiliatëve, tashmë më tepër ndikojnë në sjelljet e tyre ekzistenciale e sociologjike, e që shpesh kthehen në subjekte fejtonesh, se në ndonjë prurje, akti të vlefshëm krijimi prej tyre. Këta lloj kritikësh, të rinj apo të regjur, vinë nga një çetë e ngjashme me atë të intelektualeve skapiliate, që njëlloj si ata dikur, e ndjejnë që me ndryshimin e raportit të “humanistit të letrave” me shoqërinë, kanë humbur rolin “udhëheqës dhe interpretues të lëvizjeve sociale e kombëtare”.
Analogjizmi i kritikëve dekonstruktivistë të Shqipërisë të sotme, i “kritikëve shqiptarë”, me skapiliatet e Italisë të shek XIX-të, mund të çohet edhe më tej. Kritikët dekonstruktiviste, – intelektualët e të ashtuquajturit “tranzicion postkomunist shqiptar”, – jetojnë me njerën këmbë në të kaluarën socialiste, e me tjetrën në periudhën e hapjes të shoqërisë shqiptare postkomuniste. Për herë të parë, shfaqja e kritikëve dekonstruktiviste shqiptarë, ashtu si shfaqja e skapiliatëve në Italinë e nëntëqindës, përkon me daljen në sipërfaqe të konfliktit të krijuesit me shoqërinë.
Intelektualët dekonstruktiviste shqiptarë, në analogji me ata italianë të asaj periudhe, – për shkak edhe të prapambetjes social-ekonomike të vendit, duke shtuar këtu si një minus të madh, terrenin zhdjerrë të totalitarizmit, – kur ky i fundit, s’ishte gjë tjetër vetëm enverizëm, – deri në dekadën e fundit të shek. XX-të, e kishin ruajtur rolin e “udhëheqësit moral, ideologjik të kombit, duke mbajtur bajrakun e vlerave dhe idealeve patriotike, e duke i kënduar lavdisë heroike të së kaluarës liridashëse sipas spektrit socialist”. Në rastin e Shqipërisë, kjo u çua në ekstrem nga izolimi i çmëndur stalinist, i kombinuar me manipulimin e idealeve rilindase; me eventin e realizmit socialist, roli i kritikut dhe krijuesit projektoi njëherazi, sipas kallëpit të modelit enverian, një Shqipëri ishull-fanar, – si kështjellë, shkëmb graniti të socializmit.
Kritikëve dekonstruktivistë të sotëm, i mungon cilësia thelbësore, – të qenurit kreativ, – qoftë edhe në kritikën e tyre. Megjithëse janë shfaqur potencialisht si plejadë avangardistësh, njëlloj si dikur skapiliatet italiane, i mungon njohja kulturore, vizioni, kthjelltësia e thellësia e mendimit. Zgjidhja e tyre, për t’iu prezantuar lexuesit shqiptar, në rolin e kritikëve dekonstruktiviste në të përditëshmen mediatike shqiptare, ethshëm e parreshtur, ashtu siç bënin skapiliatët e dikurshëm, është padyshim iracionale. Ata veçse kanë mbetur robër të gjuhës letrare postsocialiste me pak piper surrealist, prozaizmit provokues, që vetëm skandalizon e desakron vlera.

Kritiku i Artit
Kritiku i Artit

Diçka tjetër që tregon shterpësinë krijuese të dekonstruktivistëve shqiptarë është mënyra e ballafaqimit me lakuriqësinë e realitetit te ri shqiptar, përballja me ato gjërat e shëmtuara, e konfliktet që shfaq çdo shoqëri e hapur, që nuk mbulohet me nga perdja unifikuese e moralit totalitar. Ata protestojnë duke denoncuar degradimin moral të shoqërisë shqiptare, mentalitetin utalitarist të kapitalizmit, shfaqjet e reja krejt të pritëshme të një shoqërie të hapur. Flasin për politikanë të pacipë e të paaftë (e cila shoqëri i ka idealizuar duke filluar prej agorave greke?), denoncojnë moralin e hipokrizinë, që ka kapluar shoqërinë shqiptare, dëshpërohen të tmerruar duke denoncuar me nostalgji të pavend, që progresi, hapja ndaj modernes, po bën që të humbasin disa kulte sociale, një lloj jete e vlerash, që kishin ekzistuar, e që i kishte formuar atë botën e tyre si njerëzit e inkubuar nën kupolën socialiste.
Në klimën e zhdukjes së një bote që i krijoi, njëlloj si skapiliatet italianë, tek “skapiliatët” shqiptarë dallohet ambiguiteti i tyre karshi të resë, shihet pasiguria ekzistenciale si çetë, që i pret vetë ata, ankthi dhe pafuqia në vorbullën e jetës së metropolit, të xhunglës “të kapitalizmit” kaq të dallueshëm, unikal shqiptar. Revolta e tyre është individualiste, endacake, kërkon të kapet si ato bohemet skapiliate, – duke iu turrur me inat “natyrës”, “karakterin primitiv” (në rastin tonë të shqiptarit të ngratë të legjendës), botës mitike, që ka ekzaltuar shpirtin e shqiptarit, shfaqjeve sociale të tilla si besën, mikpritjen, apo figurën epike të kreshnikut të eposit, stoik e heroik; botë, e cila kishte fshehur, problemet, krizat që grryenin shoqërinë shqiptare.
Ndoshta për herë të parë, ndodhemi përpara konfliktit të hapur të shkrimtarit shqiptar me shoqërinë. Për krijuesin e mirëfilltë, kjo është një minierë krijimtarie, ndërsa për dekonstruktivistin është një udhëtim ekzocisti, për të ndëshkuar mitet dhe historinë e shqiptarëve, “fajtorët e vërtetë” të prapambetjes politike-kulturore shqiptare.
©AK
Foto: Njohësi dhe Kritiku i Artit – The Connoisseur (majtas) & The Critic (djathtas) Author: Norman Rockwell 1953

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.