back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Dekorimi i katër figurave të shquara antikomuniste nga Reshat Kripa

Gazeta

Presidenca e Republikës së Shqipërisë
Presidenca e Republikës së Shqipërisë
Me datën 28 prill 2017,
në Presidencë u zhvillua ceremonia e dekorimit
të katër figurave të shquara të nacionalizmit shqiptar, zotërinjve:
Isuf Hysenbegasi, Kudret Kokoshi dhe Hysni Alimerko (pas vdekjes)
me urdhërin “Nderi i Kombit”
si dhe të zotit Avni Xhomaqi
me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”
.
Reshat Kripa
Reshat Kripa

Dekorimi i katër figurave të shquara antikomuniste

nga Reshat Kripa

Fort i nderuari Shkëlqesia Juaj zoti President i Republikës.
Me lejoni t’ju falenderoj për dekorimin që i bëtë këtyre katër figurave të shquara të rezistencës antikomuniste në Shqipëri. Veprimi juaj nuk është vetëm një nder që u bëhet këtyre figurave por është gjithashtu një vlerësim i madh që i bëni gjithë shtresës së të përndjekurve politike. Dua te theksoj se ky nuk është rasti i vetëm që ju keni ndërmarrë inisiativa të tilla dhe ne e vlerësojmë qëndrimin tuaj për këtë veprim.
Ndaj ju faleminderit edhe një herë i nderuar zoti President.
Por cili është kontributi i këtyre figurave që merituan nderimin nga ana juaj? Dua të përqendrohem në disa çaste të veçanta që karakterizojne karakterin dhe veprimtarinë e tyre dhe këto janë ngjarje që i kam mbijetuar vetë se bashku me ta ose që m’i kanë rrëfyer miqtë e tyre më të ngushtë!
Më lejoni pra të filloj:
Isuf Hysenbegasi (1913-1988) - Nderi i Kombit
Isuf Hysenbegasi (1913-1988) – Nderi i Kombit

***

Isuf Hysenbegasi, lindi në vitin 1913 në Starovë të Pogradecit. Ishte biri i Jasharit, një luftëtar i vendosur kundër pabesive greke që, në atë periudhë, ndesheshin në çdo hap që hidhte atdheu. Ati i tij i shkolloi të dy djemtë. Isufin e dërgoi në Romë, në Universitetin Shtetëror, që më vonë do të merrte emrin “La Sapienza”, në fakultetin e mjekësisë në vitin 1932, ku u laureua për doktor në mjekësi dhe kirurgji me rezultate të larta. Nga 100 pikë të mundshme mori 97. Një rezultat me të vërtetë i mrekullueshëm.
7 prilli i vitit 1939 e gjen në Tiranë. Është njëri nga tetë anëtarët e komisionit të të rinjve që shkuan për të kërkuar armë në pallatin mbretëror, por mbreti tashmë kishte ikur.
Në vitin 1941, shkon për specializim në Itali. Dikush i propozon që të vishej mjek ushtarak në frontin italo-grek, kundrejt një page të konsiderueshme. Doktori përsëri refuzoi. Rezultati ishin tetë muaj internim në ishullin Capraia në Firence.
Viti 1945, e gjen në klinikën e tij në Tiranë ku, në fund të dhjetorit 1946, arrestohet. Pas dy vjet torturash të tmerrshme në hetuesi, përballë të cilave qëndroi i paepur, dënohet nga Gjykata e Lartë Ushtarake me pushkatim. Pak më parë kishte vdekur nga torturat në hetuesi i vëllai Feriti. Kjo bëri që me vendim të Kuvendit Popullor, vendimi t’i kthehej në burgim të përjetshëm. Lirohet pas nëntë vjet burg.
U lirua në fund të vitit 1955, dhe u emërua të punonte në qytetin e Vlorës.
Vlonjatët nuk do ta harrojnë kurrë figurën e ndritur të tij dhe në mënyrë të veçantë ish-të burgosurit politikë të cilëve ai u qëndroi gjithmonë në krah.
I mbylli sytë më 4 tetor 1988. I mbylli i qetë, pa iu rënduar njeriu, pa u ankuar. I mbylli siç i mbyllin burrat e mëdhenj. Por i mbetën dy brenga pa u plotësuar. E para që nuk pa ditën e rilindjes së atdheut, ditën e demokracisë, së cilës i ishte përkushtuar dhe që do të vinte pas dy vitesh dhe e dyta për djalin e vetëm, Enin, që nuk kishte mundur t’i trasmetonte profesionin e tij, profesionin e mjekut, për të cilin ai kishte punuar gjithë jetën.
Megjithatë të dy këto dëshira u plotësuan, ndonëse ai nuk mundi t’i gëzonte. Shqipëria e shpërtheu perden e hekurt që e kishte ngujuar për gati një gjysëm shekulli, ndërsa Eni, me përkujdesjen e jashtëzakonshme të nënës së tij të nderuar, fisnikes Gjyltere Hysenbegasi, sot punon në profesionin e mjekut në Romë, duke ndjekur shembullin e të atit.

 .

Kudret Kokoshi (1908-1991) Nderi i Kombit
Kudret Kokoshi (1908-1991) Nderi i Kombit

* * *

Kudret Kokoshi lindi në vitin 1908, në qytetin e Vlorës. Bir i një familje të madhe qytetare me tradita të pasura patriotike, nacionaliste dhe intelektuale. Lindi në ato vite kur Shqipëria përgatitej për të firmosur aktin më të madh të historisë së saj, që nga koha e Skënderbeut legjendar, aktin e pavarësisë kombëtare, ku krahas firmës së Plakut të Vlorës, do të vihej dhe ajo e Qazim Kokoshit, xhaxhait të tij. Do të ishte përsëri ky një nga ata që do të formonin treshen drejtuese Osmën Haxhiu, Qazim Koculi dhe Qazim Kokoshi në luftën patriotike të Vlorës më 1920, për të vazhduar me aktivitetin e tij patriotik deri sa do ta mbyllte jetën e tij në burgun e Vlorës më 1946, si kundërshtar i regjimit komunist.
Që kur ishte fëmijë Kudreti, i ati Hasan Efendiu, e kishte njohur karakterin dhe intelektin e të birit. E dërgoi në Romë ku kreu studimet e mesme dhe të larta, duke u laureuar “Doktor në jurisprudencë” në vitin 1933.
7 Prilli 1939, e gjen anëtar të gjykatës së shkallës së parë në Korçë. Më vonë shkon po me këtë detyrë në Shkodër dhe Tiranë. U angazhua në radhët e Ballit Kombëtar si anëtar i qarkorit të Vlorës dhe mori pjesë në të gjitha aktivitetet kryesore të tij.
Në vitin 1941, shkon në Kosovë për organizimin e gjykatave të atjeshme.
Më 28 nëntor 1942, është në ballë të demonstratës së madhe antifashiste të zhvilluar në Prizren.
Gushti i vitit 1943 e gjen ne Mukje, në konferencën historike.
Ne fund te dhjetorit 1944, duke u kthyer nga kampi i internimit ne kufirin Austro-Hungarez arrestohet dhe i lidhur i dorëzohet Shefqet Peçit në kufirin shqiptar.
Kështu për Kudretin filloi kalvari nëntëmbëdhjetë vjeçar i vuajtjeve të burgut të Burrelit.
Kudret Kokoshi ndërroi jetë më 26 prill 1991.
 .
Hysni Alimerko (1919-2002) - Nderi i Kombit
Hysni Alimerko (1919-2002) – Nderi i Kombit

* * *

Hysni Alimerko lindi në Tragjas të rrethit të Vlorës në 19 Janar 1919. Mësimet e shkollës fillore i kreu në Vlorë, më tej vazhdoi të ndjekë shkollën Teknike Amerikane të Harry Fultz deri ne 1935. Studimet e mesme i kryeu në shkollën Normale të Elbasanit deri në 1939.
Ndjek dhe përfundon shkëlqyeshëm studimet e larta Universitare në Firenze të Italisë deri në 1943, ku titullohet Profesor në Letërsi-Histori. Njohës shumë i mirë i tre gjuhëve të huaja Anglisht, Frengjisht dhe Italisht.
Pas përfundimit të studimeve universitare, emërohet si arsimtar në Prishtinë. Kthehet në Vlorë ku përfshihet në lëvizjen antifashiste të Ballit Kombëtar.
Merr pjesë si dëgjues në Konferencen e Mukjes, 1-2 Gusht të 1943. Nga Shtatori i 1943, zgjidhet si Sekretar i Komitetit Qarkor të Ballit Kombëtar deri në fund të vitit 1944
Në fillim të vitit 1945, emërohet profesor në gjimnazin e Elbasanit. Në 1946, transferohet për në gjimnazin e Tiranës dhe në Nëntor të po atij viti transferohet në gjimnazin e Peshkopisë
Me 16 maj të 1947, arrestohet si pjesëmarres i grupit të ashtuquajtur të “Bashkimi Demokratik” .
Më 21 nëntor 1947, me Vendim te Gjykatës Ushtarake të Elbasanit dënohet me vdekje. Dënimi kthehet me burgim të përjetshëm dhe punë të detyruar nga Gjykata e Lartë. Vuan 20 vjet në burgun e Burrelit deri në 1964.
Pas përfundimit të dënimit lirohet dhe punon si punëtor i thjeshtë për 16 vjet në Fabrikën e Tullave Vlorë derisa del ne pension.
Në fillim vitet ’90, përfshihet dhe jep kontribut familjarisht në lëvizjet antikomuniste. Merr pjese në organizimin e Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë ku zgjidhet kryetar për degën e Vlorës dhe njëkohësisht Nënkryetar i Përgjithshëm i Shoqatës Kombetare te ish te Perndjekurve Politikë deri në vitin 1995.
Në zgjedhjet e para demokratike për administrimin lokal të vitit 1992 zgjidhet anëtar i Këshillit te Bashkisë Vlorë dhe njëkohësisht Kryetar i Grupit të Partisë Demokratike deri në 1996.
Ndërroi jetë në moshën 83 vjeçare në Mars 2002
 .
Avni Xhomaqi (1924) - Dekorata e Artë e Shqiponjës
Avni Xhomaqi (1924) – Dekorata e Artë e Shqiponjës

* * *

Avni Xhomaqi lindi me 18 dhjetor 1924, në fshatin Bejkovë të Kolonjës në një familje me tradita të pasura nacionaliste.
Në vitin 1943, i ati i tij Zenel Xhomaqi rreshtohet në rradhët e çetës balliste që drejtohej nga Safet Butka.
Me krijimin e organizatës së Ballit Kombëtar edhe Avniu bashkohet me këtë organizatë.
Zenel Xhomaqin e arrestuan në fillim të vitit 1945. E dënuan me vdekje me pushkatim.
Me 23 maj 1945, arrestohet dhe Avniu. Vendimi, Avni Bejkova me vdekje me pushkatim. Më pas ky dënim u kthye në burgim të përjeeshëm.
Në 1946, Avni Bejkovën e dërguan në Burgun e Burrelit. U lirua pasi kreu 20 vjet në këtë burg. Por odisea e persekutimit nuk mbaroi këtu. E internuan në fshatrat e Elbasanit ku qëndroi deri në përmbysjen e sistemit totalitar.
Menjeherë sapo u krijua Shoqata e të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, me në krye të nderuarin Osman Kazazi, u bashkua me të duke mbajtur postin e anëtarit të kryesise kombetare, post të cilin e ruan deri në ditët tona.
 
Dekorata "Nderi i Kombit"
Dekorata “Nderi i Kombit”

* * *

Prill 1953. Kampi i punës së detyruar Vlashuk. Djali gjashtë vjeçar i toger Ademit, operativit mizor të kampit, ishte sëmurë rëndë. Një ftohmë e tmerrshme e kishte shpënë në buzë të varrit, me gjithë kujdesin që kishte treguar doktor Isufi. Shpëtimi i vetëm ishte inxheksioni me penicilinë oleoze, një medikament i kohëve të fundit që vinte nga SHBA. Një të tillë kishte avokati Jani Ikonomi nga Narta, një i burgosur politik. Togeri e mësoi një gjë të tillë dhe iu lut doktorit t’ia merrte duke i premtuar se do t’ia kthente përsëri. Ujku ishte shndërruar në dele. Doktori ndërhyri, e mori penicilinën dhe ia injektoi fëmijës që u shërua, por bashkë me sëmundjen togeri harroi edhe premtimin. Delja ishte kthyer përsëri në ujk
Pas pak kohe u sëmur rëndë Bejo Vrazhdua nga Bolena. Edhe për këtë rast shpëtimi ishte penicilina oleoze. Doktori i kërkoi togerit të mbante premtimin, por ai ishte i atij brumi që premtimet i hidhte në koshin e plehrave pa e vrarë farë ndërgjegja, sepse nuk kishte ndërgjegje. Në fillim të qershorit Bejua mbylli sytë. Ajo ishte një ditë zie për gjithë kampin… Më i prekuri, më i revoltuari ishte doktori. Një i burgosur, një nga ata që fjalën e fundit e thonë në fillim, i tha një fjalë të rëndë. Doktori iu përgjigj:
-Unë jam mjek. Detyra ime është të shëroj çdo të sëmurë, i kujtdo krahu qofte, aq më tepër kur ai është fëmijë. Ndoshta një ditë këtij djali do t’i vijë rëndë për xhestin e të atit.
Nuk dihet nëse ky djalë rron apo jo dhe se çfarë mendon për të atin, por po të jetonte duhej ta dinte se jeta e tij është ngritur mbi vdekjen e dikujt tjetër.
Maji i vitit 1954.
Kampi i punës së detyruar Shtyllas. Sulejman Dizdari e ndjeu veten të sëmurë. Ishte i pafuqishëm dhe me temperaturë. Doktori e pa dhe vendosi ta shtronte në infermieri. Por e ndaloi toger Ademi. Sulejmani bënte pjesë në forcat që duhej të shkonin në punë. Doktori u mundua shumë, bile u ndesh shumë ashpër me togerin, por ishte e pamundur. I sëmuri u detyrua që i mbajtur nga shokët të nisej. Por ai nuk ishte në gjendje të punonte. Duke shtyrë karron u rrëzua dhe nuk ngrihej dot më. Togeri urdhëroi disa të dënuar ordinerë ta mbulonin me dhe. Dëgjoheshin rënkimet e mbytura të Sulejmanit, por askush nuk kishte mundësi ta ndihmonte. Rojet nuk lejonin t’i afroheshe. Ai u mbulua me dhe duke patur jashtë vetëm kokën. Në mbarim të orarit të punës shokët e tij e nxorrën nga dheu dhe duke e mbajtur në krah e çuan në kamp. Atje shkëlqeu gjenia e doktorit. Ishte merita e tij nëse Sulejman Dizdari u kthye përsëri në jetë. Doktor Isuf Hysenbegasi me përkushtimin e tij, me vetëmohimin e tij e ringjalli përsëri.
Shtatori i vitit 1955 në kampin e punës së detyruar të Bulqizës.
Me nismën e doktor Isuf Hysenbegasit u organizua fshehurazi një pasdite përkujtimore kushtuar tridhjetepesë vjetorit të luftës së Vlorës. Në atë pasdite nuk pati fjalime dhe kumtesa. Nuk pati kokteje dhe darka. Në vend të koktejit ishte çaji i ftohtë pa sheqer, dhe në vend të kumtesave ishin vargjet e mikut të tij, poetit të burgosur politikë Kudret Kokoshi, një figurë tjetër e shquar e nacionalizmit shqiptar. U deklamuan “Toto Bolena” dhe “Epopeja”, “Luftëtarit të Kombit” dhe “Vegimi epik”, “Vlorës” dhe “Këngën më të bukur këndoj”’, “Spartaku” dhe “Neroni”, “Nënës” dhe “Gruas shqiptare”, “Një ditë vjeshte” dhe të tjera. Natyrisht atë natë dhe netë të tjera të gjithë përfunduan në qeli.
 
* * *
Në kohën kur Kudret Kokoshi studionte në Itali për drejtësi në ambjentet studentore të asaj kohe shqiptarët konsideroheshin inferiorë në krahasim me studentët e vendeve të tjera. Një gjë e tillë nuk kishte si të mos binte ndesh me karakterin e Kudretit dhe të miqve të tij. Ndaj vendosën që t’i sfidojnë. Organizuan një konferencë në të cilën përveç profesorëve dhe studentëve të universitetit, morën pjesë edhe disa nga mendjet më të ndritura të asaj kohe në Romë. Kumtesën kryesore e mbajti Kudreti.
Foli e foli me oratorinë e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, për shqipet dhe vendin e tyre, për doket dhe zakonet e këtij populli, për besën dhe nderin e shqiptarit. Foli për Pirron dhe Teutën, per Skënderbeun dhe Ismail Qemalin, për Faik Konicën dhe Fan Nolin. Foli per Bilbilenjtë që “vanë në litare vetë” duke dredhur cigaren. Në fund foli për historinë e malësorit krenar që luftonte pa u epur para hordhive pushtuese otomane. Dikur malësori trim kapet nga koshadhet turke dhe dërgohet para trikëmbëshit. Në ekzekutimin e tij merr pjesë edhe valiu i krahinës. Në momentin e hedhjes së litarit ai, gjithë fodullëk, i drejtohet me ironi malësorit:
-Eh or mik, a e ke ndjerë veten ndonjëherë më ngushtë se sot?
Malësori i qetë, pa i lëvizur qepalla, i përgjigjet rëndë rëndë me një krenari mospërfillëse:
-Po mor zotni! E kam ndier atëhere kur më ka ardhë miku për darkë dhe nuk kam patun as bukë dhe as krypë per t’i nxjerrun.
Suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Që nga ajo ditë nëpër gazetat e kohës filloi të shkruhej për Shqipërine dhe shqiptarët.
 
Në mars 1944, ndodhej në Kosovë, ku arrestohet nga gestapua dhe internohet në kampet e shfarrosjes në Prishtinë dhe, më pas, në kufirin Austro-Hungarez. Lirohet nga forcat aleate në fund të dhjetorit 1944. Mori rrugën e kthimit. Rrugës spiunohet nga agjentët shqiptarë të UDB-së. Arrestohet dhe i lidhur i dorëzohet Shefqet Peçit në kufirin shqiptar.
Nje farsë e vërtetë gjyqi i zhvilluar kundër tij. U quajt antishqiptar dhe bashkëpuntor i fashizmit. Lakejtë e regjimit lëshonin thirrje histerike. Prokurori çirrej dhe hakërrohej. Kudreti në vend që të revoltohej apo të mbrohej me termat juridike për të cilat ishte mjeshtër, u drejtohej me vargjet e tij që i kish shkruar pas demonstratës së zhvilluar në Prizren:
Mallkuar qofsh, Benito Musolini!
Një zë nëmës shpërthen nga çdo stërkalë,
Mallkuar qofshi ju që vdekjen bini,
Dhe nëma ushton nga mali në mal.
 
* * *
Po afronte festa e flamurit, 28 nëntori i vitit 1991. Shoqata e te përndjekurve politike Vlorë vendosi të mos lejonte që në shtizën e flamurit të ngrihej ai me yll. Për këtë, me nismën e kryetarit të saj, Hysni Alimerko, u organizua një takim me forcat e djathta, Partinë Demokratike, Republikane dhe Bashkimin e Sindikatave të Pavarura e Shoqatën “Çamëria”. Iu dërgua një kërkesë Komitetit Ekzekutiv Pluralist ku shumicën e kishin ish-komunistët të cilën ai e refuzoi.
Me 27 nëntor, me urdhër të Komitetit u ngrit flamuri me yllin e kuq. Por Vlora kishte djem të gjallë. Xhemal Mustafaraj, ish-i dënuar politike dhe Fadil Ndreu, lindur dhe rritur në internim, hipën në shtizën e flamurit, grisën yllin e kuq dhe e ngriten atë pa yllin e urryer. Në mbrëmje komiteti u detyrua të pranonte që të nesërmen të ngrihej flamuri pa yll.
28 nëntor. Suita e drejtuesve të Komitetit Ekzekutiv po drejtohej për te ngritur flamurin. Te porta e lulishtes, një grup ish-te burgosurish politikë me në krye kryetarin Hysni Alimerko i dolën para dhe i thanë:
-Duart e atyre që kanë ngritur flamurin e komunizmit nuk do të ngrenë flamurin e Ismail Qemalit! Ky flamur është i yni!
Flamurin e ngritën duart e pastra të Altin Kokoshit, djalit 17 vjeçar të Burim Kokoshit, ish – i burgosur politikë dhe nipit të Qazim Kokoshit, firmëtar i aktit të pavarësisë më 1912.
Në ato çaste nga sytë e Hysniut filluan të rridhnin dy pika lot.
Mos harroni, në atë kohë Kuvendi i Shqipërisë nuk e kishte vendosur ende heqjen e yllit nga flamuri.
Dekorata e Artë e Shqiponjës
Dekorata e Artë e Shqiponjës

 * * *

Avni Xhomaqin e arrestuan më 23 maj 1945.
E morën para syve të ngrirë nga tmerri i të vëllait katërmbëdhjetë vjeçar, Hasanit dhe e çuan në komandën e vendit. E futën në birucë.
Kështu erdhi dita e gjyqit, por Avniu nuk e kishte firmosur procesverbalin. Pasdite hetuesit bënë gjithçka që ai të firmoste një procesverbal tjetër, më të zbutur por ai nuk pranoi. “Nuk dua të më vrisni me duart e mia!”, u tha. E hodhi firmën vetëm në një variant të hartuar siç deshte ai. Gjithçka u mbyll pak minuta para se të niste seanca gjyqësore.
U dha vendimi, Avni Xhomaqi me vdekje me pushkatim. Më prapa ky dënim u kthye në burgim të përjetshëm. Ndërkohë i ati ishte ekzekutuar.
Në 1946, Avniun e dërguan në Burgun e Burrelit. U lirua pasi kreu 20 vjet në këtë burg. Por odisea e persekutimit nuk mbaroi këtu. E internuan në fshatrat e Elbasanit ku qëndroi deri në përmbysjen e sistemit totalitar.
Menjeherë sapo u krijua Shoqata e të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Avniu nuk mund të qëndronte spektator. Ndërgjegja e tij nuk e lejonte. Erdhi në Tiranë dhe mori pjesë qysh në konferencën e parë të shoqatës, me 28 prill 1991, e cila zgjodhi në krye të nderuarin Osman Kazazi. Qysh nga Kuvendi i Parë i Shoqatës dhe deri në ditët tona Avniu ka qenë anëtar i Kryesisë Kombëtare të saj.
Eshtë fati ynë i madh që sot e kemi ende në mes tonë këtë figurë të shquar të rezistencës antikomuniste, këtë enciklopedi të nacionalizmit shqiptar. Pyeteni për çfarë të dëshironi rreth historisë së luftës se dytë botërore dhe përballjes së egër midis dy forcave, komunistëve dhe antikomunistëve dhe do të merrni një përgjigje që nuk do e dëgjonit nga asnjë historian i njohur. Atë mund ta gjeni çdo mëngjes duke pirë kafe në “Fast Fut Xheni” në rrugën Ismail Qemali.
Avni Bejkova nuk ka qejf të zbresi në nivelin e fanatikëve partiakë. Ndoshta ky është edhe sekreti i mbijetimit të bindjeve të tij. Këtë bindje ai e ka edhe sot kur deklaron:
“Sa më shumë kohë shkon aq më tepër ballist bëhem”.
Ky është Avni Xhomaqi.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.