back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Demaskimet para popullit, një në kinema e një në lëmë! – nga Gëzim Baruti

Gazeta

Gezim Baruti
Gezim Baruti

Demaskimet para popullit, një në kinema e një në lëmë!

nga Gëzim Baruti

Pjesë nga libri “Jetëshkrim” që  përgatit për botim

Lufta e klasave sa vinte e bëhej edhe më e egër! Pasi kalonin muaj pa arrestuar ndonjë njeri, pushteti komunist nëpërmjet Sigurimit organizonte demaskime përpara gjithë popullit, ku i detyronte banorët të grumbulloheshin në lëmin e sektorit ose në sallën e kinemasë që kishte 600 vende.
Në një nga këto raste, u bëmë objekt demaskimi Sadik Poda, Bajame Çeliku, unë Gëzim Baruti dhe një i katërt që sot nuk më kujtohet se kush ishte. Sa herë që ndodhnin mbledhje të tilla, i gjithë kampi ndjehej si në ethe terrori. Nëse nuk do të kishte ndonjë arrestim… e sigurt ishte se do të kishte ndonjë demaskim publik sipas shembullit të revolucionit kulturor-proletar të Kinës Komuniste…!
Pasi u bë një panoramë të politikës botërore dhe asaj shqiptare, duke folur gjithmonë me një eufori të skajme në favor të rendit socialist dhe realizimeve hipotetike, u hodhën te pengesat që po haste vendi në ndërtimin e socializmit dhe ushtrimin e diktaturës së proletariatit, për arsye të sabotimit nga armiqtë e jashtë po edhe elementë armiq venda si të sipërpërmendurit.

Gëzim Baruti - Pushtimi i Fundit (jetëshkrim)
Gëzim Baruti – Pushtimi i Fundit (jetëshkrim)

E filluan së pari me Sadik Podën.
-Ky njeri, – ja nisi sekretari i partisë, – në një ditë që binte shi e që një puntor vazhdonte të punonte i lagur e i bërë qull i ka thënë këtij puntori: “Lëre ore punën e mos u lag, se aq lek sa do të marrësh duke punuar në shi, nuk të dalin as sa për të blerë një kallëp sapun, që të duhet për të larë plaçkat që të janë bërë me baltë!”
Sadiku nuk e pranoi këtë thënie dhe ata filluan të flasin për pozitën e tija në kohën para pushtimit komunist veç që ai të pranonte diçka. Por Sadiku qëndroi në të vetën dhe nuk ua dha at kënaqësi; e deri në fund të ligjëratës së tyre, që merrte edhe formën e akuzës për agjitacion e propagandë, nuk foli më asnjë fjalë…
Më pas sekretari i partisë, si pelivan që ishte, duke qënë përballë Sadikut, i thotë ashtu si pa gjë të keq: Apo ashtu si ai fshatari yt, ai Gëzim Baruti, që na merret me gjuhë të huaja e që vërshëllen këngë italiane; apo ajo Bajamja nga Kukësi, Bajame Çeliku a si e ka ajo, që na i pëlqen muzika e huaj!! Mos harro, se Gëzim Baruti dhe Bajame Çeliku po marrin në qafë edhe shokët e shoqet e tyre me shfaqjet e tyre dekadente alla perëndimore…!
Përgjegjësi i sektorit Zenel Guçe, për ta dëshmuar praninë e tij e për të thënë, me një humor të hollë që nuk iu mungon kurrë lebërve, ndërhyri:
-Opo Barut e Çelik u bë puna këtu sot!
Mua më përshkoi një drithmë. Nëse do t’i nënshtrohesha një analize gjaku në atë çast, shiringa nuk do të ishte mbushur me gjak të kuq, por me limfë; me siguri që gjaku do më qe kthyer në ujë…!
Tronditjet e mëdha, të marra përdore nga një frikë edhe më e madhe, japin rezultate befasuese nganjëherë!

Zenel Prodani, Savër 1956
Zenel Prodani, Savër 1956

Gjatë kësaj kohe sekretari vazhdonte të propagandonte avantazhet e të mirat e sistemit socialist dhe u zgjat për nja njëzetë minuta me atë llafollogji, për të cilën ishte i bindur, po që nuk e besonte veç një numër i pakët njerëzish naivë si puna jonë që na përmendeshin emrat. Në fund, ai bëri një thirrje për të punuar e për t’ia shpërblyer partisë duke i dënuar këta elementë armiq që bëheshin pengesë për ecjen përpara të shoqërisë socialiste – siç u shpreh ai në fjalën përmbyllëse…
Turma u shpërnda në heshtje të plotë, siç shpërndahen dhëntë kur papritur, ndjejnë erën e ujkut në mes të kopesë!
Mbledhje të tilla demaskuese ishin të zakonshme në atë kohë. Sa herë që diktatura e ndiente veten dobët, apo mbasi “zbulonin” ndonjë grup antiparti, ata lart me shpejtësi dërgonin emisarët e tyre në bazë për t’i bërë masat puntore: “të ndërgjegjshme” – siç ishin mësuar të thoshin rëndom… Sidoqoftë, më të vështira për ne, ishin demaskimet politike ndaj intelektualëve me formim dhe kulturë perëndimore.
Më kujtohet rasti kur demaskuan Lazër Radin, i shkolluar dhe i lauruar nëpër universitetet e Europës para pushtimit komunist të vitit 1944.
Na kishin mbledhur në sallën e madhe të kinemasë… U ngritën këmbët dhe i ranë kokës, për gati dy orë, me shpifje nga më bajatet e më vulgaret. Mirëpo “koka” s’mund të pranonte gjëra që s’i kish thënë! Panë ç’panë e iu drejtuan edhe të birit për mbështetje. Jozefi u ngrit e i doli në mbrojtje atit të tij pa iu trembur syri; pra, ishte “i biri i tet” – siç themi ne të jugëlindjes në gjuhën e folur, për një fëmijë që i ngjan shumë atit të tij për nga karakteri. Lexuesi e merr me mend se shënjestra e re, tanimë, ishte bërë Jozefi mbi të cilin ranë të gjitha rrufetë e Jupiterit, e që nuk e lejuan të fliste më deri në fund; dhe aq më mirë për të!
Nuk ishin të rralla rastet kur të arrestonin në vend!
Të tilla demaskime bëheshin në çdo ndërmarrje e në çdo fshat të Shqipërisë deri më 1990; dhe jo më pak se dy herë në vit!
Mjerë shqiptarët e ndershëm ç’kanë hequr prej pjellave të diktaturës!

.
Marrë nga muri i Fb i Gëzim Barutit, 19 maj 2020

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.