Demokracia dhe përparimi ngrihen vetëm mbi të vërtetën
nga Ilir Zela
6.027 shqiptarë janë vrarë nga regjimi komunist.
984 shqiptarë kanë vdekur në burgje gjatë regjimit komunist.
308 shqiptarë humbën aftësinë mendore gjatë qëndrimit në burg nën regjimin komunist.
7.022 shqiptarë vdiqën gjatë internimit nën regjimin komunist.
34.135 shqiptare janë burgosur si të dënuar politikë nga regjimi komunist.
59.009 është numri i shqiptareve të cilët janë internuar në kampe përqëndrimi nga regjimi komunist.
Këto shifra janë publikuar nga Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri. Personalisht, duke besuar në saktësinë e shifrave të publikuara, dëshiroj të shpreh nderimin tim me të thellë për të gjitha ata shqiptarë që i kanë rezistuar regjimit komunist në vendin tonë. Po ashtu, falenderoj këtë institut dhe të gjithë personat që kanë kontribuar në nxjerrjen në pah të këtyre krimeve, veçanërisht zonjën Luli Progni, zotëri Bedri Blloshmi dhe zonjën Gentiana Sula.
Uroj të jem i gabuar, por mendoj se gjatë këtyre 30 vjetëve të trazicionit përpjekjet për të shfaqur përmasën e vërtetë të krimeve të komunizmit dhe të persekutimit të shqiptarëve kanë qenë minimale. Edhe më minimal ka qenë përqendrimi i shqiptarëve por edhe i institucioneve të tyre për t’i nderuar dhe dhënë vendin e vet në histori të gjithë këtyre njerëzve që u vranë e u persekutuan, sepse nuk e pranuan regjimin komunist në vendin e tyre.
Lus të gjithë shqiptarët që ta kuptojnë se është esenciale për mbijetesën tonë si komb ta njohim të kaluarën dhe t’i nderojmë të gjithë ata që i rezistuan diktaturës. Përndryshe ne nuk do të mundemi kurrën e kurrës të ndërtojë një sistem të mirëfilltë demokratik në Shqipëri. Nuk funksionon demokracia mbi gënjeshtra, as mbi krim, as mbi korrupsion e pasuri të paligjshme. Demokracia dhe përparimi mundet të ngrihen vetëm mbi të vërtetën.
Neshat Bilali, Lumjani 95 vjeçar i cili u arratis në vitin 1946, në mënyrë sistematike më ka vënë në dijeni si të gjithë miqtë e tij virtualë për një pjesë të këtyre krimeve të një përmasë të pabesueshme. Duhet vërtet pjekuri dhe integritet i madh për t’i besuar. Duhet shumë përkushtim e sakrificë për t’i nxjerrë në dritë ato. Secili rast është një tmerr në vete. Mijëra jetë janë këputur. Mijëra familje janë persekutuar. Nëse nuk kemi qenë në gjendje të mos i lejojmë të ndodhin këto krime, të paktën duhet të bejme nje perpjekje shume me te madhe per ti nxjerre në dritë e për t’i nderuar të gjthë ata që sakrifikuan jetët e tyre për të kundërshtuar diktaturën në Shqipëri.
Marrë nga Muri i FB Ilir Zela, 19 maj 2023