back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Demokracia shqiptare dhe partinat – nga “Ushtima e Sharrit” (Lazer Radi)

Gazeta

Lazër Radi - me pushime në - Durrës 1937
Lazër Radi – me pushime në – Durrës 1937

Demokracia shqiptare dhe partinat(1944)

nga “Ushtima e Sharrit”*

Këto parti u krijuen në luftën e përgjithshme të popullit për rifitimin e pavarësisë.
Mirëpo Partia Nacional Çlirimtare po e vazhdon luftën…
Ata po luftojnë gjithnji. Kundra kujt po luftojnë? Cilin po vrasin? Vëllain.
Çfarë po djegin e po shkatërrojnë? Tokën shqiptare, fshatnat shqiptare.
Nacional-çlirimtarët janë tuj u ba Kainat e jetës shqiptare.
A nuk do të ishte ma e mirë dhe ma e dobishme
që në vend të luftojnë ndër male kundër vllazënve të tyne,
të zbresin në fushë, të organizohen në nji parti të rregullt
dhe të marrin pjesë si kolektivitet i organizuem në jetën politike shqiptare?
dr. lazer radi, 1944
.
Lazër Radi, Balto Radi dhe dhe Jani Lili - Durrës 1938
Lazër Radi, Balto Radi dhe dhe gazetari Jani Lili – Durrës 1938
Shqipnia ka nji mënyrë qeverimi demokratike. Historikisht kjo asht nji mënyrë politike që ma shumë i përshtatet frymës sonë kombëtare. Mjafton t’i hedhësh nji sy pjesës së statutit të Kanunit të Maleve që të bindeni se na demokracinë e kemi si formë qeverisjeje tradicionale. Natyrisht, demokracia e maleve tona asht nji demokraci primitive, por asht trajta ma origjinale e saj. Në shtetet moderne demokracia ka ardhë tuj u përhapun por, baza e saj themelore ka ngelë gjithmonë ajo e vjetra, qysh prej Herodotit e këndej.
Demokraci do të thotë ajo formë qeverisje në të cilën sovraniteti i shtetit jepet jo njenës, as disa klasave të veçanta, por të gjitha përmasave të komunitetit ose pjesës ma të madhe të tij. Kjo do të thotë se ndër shoqnitë që veprojnë më vete, sovraniteti i takon pjesës ma të madhe të popullsisë.
Te Grekët e vjetër demokracia, si sundim i shumicës, kishte kuptimin e kundërt të monarkisë, çka do të thotë sundim i nji njeriu të vetëm; gjithashtu kishte kuptimin e kundërt të oligarkisë, që do të thotë sundim i nji klase të vetme të privilegjueme si nga ana e të lemit (lindjes) ashtu edhe nga pasunia.
Ma vonë, kur demokracia mori përpjestime ma të gjana, kuptimi i saj krahasohej me formën e qeverisë ku sundonte klasa ma e vorfën, klasa ma e ulët sepse ajo përbante shumicën e popullsisë. Mirëpo, kuptimi i vërtetë i demokracisë mbetet gjithnji ai i vjetri, çka do të thotë: “Qeveria e shumicës”, tuj i bashkue në gjirin e vet të gjitha klasat e të gjitha shtresat e popullsisë që përbajnë nji shoqëri të caktueme.
Në demokraci, siç dihet, liria dhe siguria individit, liria e mendimit dhe e të shprehunit, liria e shoqnive ma të vogla si p.sh. ajo e partive, janë elemente themelorë të saj. “Liria asht nji qëllim më vete, asht ma i nalti i të gjitha qëllimeve politike; liria nuk asht nji mjet i thjeshtë për qëllime të tjera”.
Lind pyetja: Si do ta përdorë populli shqiptar kët liri të vetën? A ka për t’u përmbajtun shqiptari në liri apo ka me e teprue?
E dimë se pa liri nuk mund të zhvillohet as kultura, e as përgatitja e vërtetë politike e popullit shqiptar. Tuj pasun nji kritikë të lirë, nji kritikë objektive, kritikë pa paragjykime, tuj pasë liri mendimi e shprehjeje, na do të mundohemi të zgjedhim elementat ma të mirë, ma të aftë e ma të përshtatshëm për me drejtue jetën tonë politike dhe që të përfaqësojë denjësisht pjesën ma të madhe të popullit shqiptar. Nëqoftëse na e përdorim kët liri si fre për mbarëvajtjen shoqnore, liria ka për të qenë e dobishme dhe na kemi për ta meritue plotësisht, përkundrazi, nëse do ta përdorim si mjet për interesa vetiake, për abuzime, për demagogjina, atëherë asht ma mirë që mos e kemi kët liri.
Tashti lind pyetja tjetër: A do të mund të krijohen parti të ndryshme në Shqipni dhe cili do të jetë funksionimi i tyne? E dimë se këtu tek na partitë mund ta damtojnë ashtu siç edhe mund të sjellin dobi. Mund të na damtojnë sepse nuk e kena arritë ende – këtu nënkuptojmë të gjithë shoqninë shqiptare dhe jo individë të izoluem, – pjekuninë e vërtetë politike dhe prandaj përbamja politiko-ideologjike mund të na sjellë plagë të reja, mund të na dëmtojë sepse na jena nji popull i vogël, me mjete ekonomike të kufizueme e prandaj politika e shteteve ma të mëdha mund të ndikojë edhe në çashtjet tona të mbrendshme, të cilat janë dhe duhet të mbesin çashtje shqiptare; mund të na damtojnë, ma në fund, për arsye të indisiplinimit të instikteve që i kena në gjak e që mund të na shkaktojnë trazime e turbullina të tilla sa me rrezikue qenësinë tonë si komb e si shtet.
Mirëpo kemi edhe anën pozitive të partive. Nga rrahja dhe shoshitja e parimeve dhe të tendencave të ndryshme mund të krijohet nji lëvizje intelektuale e vërtetë si dhe nji interesim për çashtjet e mbrendshme dhe të jashtme ma e gjallë, ma krijuese; mund të krijohet nji opinion i shëndoshë dhe i arsyeshëm sa të zgjedhë vetë rrugën e arsyes dhe të së mirës; nga vëzhgimi dhe mbikqyrja e partive, organet përmbaruese, janë të detyrueme të ndjekin nji rrugë të drejtë dhe për të mirën e përgjithshme.
Këto janë shkurtimisht damet dhe të mirat që mund të na vijnë nga krijimi i partive të ndryshme. Tashti duhet t’i peshojmë damet dhe të mirat dhe nëpërmjet tyne duhet të gjejmë rrugën ma të mirë, por në kët rrugë duhet të mbikqyrim në mënyrë të veçantë të mos danojmë interesin e përgjithshëm shqiptar, interesin kombëtar.
Vetëm në kët frymë e me kët shpirt partitë shqiptare mund të jenë krijuese dhe pjesë pozitive e tanësisë shqiptare. Kohët e fundit formimi i disa partive shqiptare ka dhanë përfundime negative. Kemi vu re se çdo parti që asht formue nuk ka pasë nji bazë ideologjike të shëndoshë dhe as nji program të përcaktuem në interesin e masave të shoqnisë. Mund të thami se janë krijue parti për nji sistem politiko-ideologjik dhe me nji frymë kombëtare të gjymtë.
Dami ma i madh për na ka kenë se këto parti të rastit u krijuen dhe u drejtuen prej të huejve e na mund ta marrim me mend se sa mund të na dojë nji i huej që nuk ka asnji lidhje shpirtnore me na..
Qendra e Tiranes 1942
Qendra e Tiranes 1942
Këto parti u krijuen në luftën e përgjithshme të popullit për rifitimin e pavarësisë. Mirëpo Partia Nacional Çlirimtare po e vazhdon luftën… Ata po luftojnë gjithnji. Kundra kujt po luftojnë? Cilin po vrasin? Vëllain. Çfarë po djegin e po shkatërrojnë? Tokën shqiptare, fshatnat shqiptare. Nacional-çlirimtarët janë tuj u ba Kainat e jetës shqiptare. A nuk do të ishte ma e mirë dhe ma e dobishme që në vend të luftojnë ndër male kundër vllazënve të tyne, të zbresin në fushë, të organizohen në nji parti të rregullt dhe të marrin pjesë si kolektivitet i organizuem në jetën politike shqiptare?
Na nuk i trembena asnji lufte ideologjike; na i kena ftue dhe vazhdojmë t’i ftojmë që të marrin pjesë në jetën tonë politike. Na do t’i luftojmë, edhe ata le të na luftojnë me armën e idesë, me armën e arsyes.
Violenca brutale, pushka dhe thika janë armiqtë e idesë dhe të arsyeshmes prandaj nuk mund të rrihen me ide dhe me arsye, por po me ato mjete, domethanë me forcë brutale, me pushkë dhe me thikë.
Të përdorësh pushkën në vend të idesë do të thotë t’ia heqësh tjetrit lirinë vetiake, lirinë e shprehjes, lirinë e mendimit dhe të zgjidhjes së vullnetshme. Në qoftëse doni t’i kurseni popullit shqiptar gjakderdhjen, mjerimin dhe shkretimin ejani dhe merrni pjesë në jetën tonë politike, ejani të ndërtojmë aty ku armiku na shkatërroi, ejani të bashkohemi për të mbrojtë at që armiku i ri mund të na e shkatërrojë nesër. Kjo do të ishte lufta ma e bukur – lufta ideale – lufta me të cilën parimet dhe tendencat rrihen e shoshiten në dritën e arsyes dhe të lirisë, lufta ku liria vetjake dhe shoqnore respektohet, por asht lufta me të cilën edhe ndërtohet jeta ekonomike dhe politike. Brenda këtyne kufijve përcaktohen edhe parimet demokratike.

(Marrë nga gazeta Bashkimi i Kombit Viti i II, Nr. 34, 11 shkurt 1944)

*Ushtima e Sharrit – pseudonim i Dr. Lazër Radit

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.