back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dëmshpërblimi… poezi nga Meti Fidani

Gazeta

Meti Fidani
Meti Fidani

Dëmshpërblimi… poezi nga Meti Fidani

Meti Fidanin, mund ta shohësh duke bërë mure, e duke ngritur çati, duke mbjellur arave e duke u kujdesur për lulet, duke prerë pemë e duke krasitur vreshta, duke bërë humor e duke marrë inisiativa që të mrekullojnë me atë shpirtin e sakrificës të ketij njeriu… E mbas gjithë kësaj së përditshmeje përplot lodhje e mundim, mund ta gjesh të ulur mbrëmjeve para tavolinës dhe kompiuterit dhe të shkruajë poezi, a të rrëfejë ngjarje që i ka në lëkurë, me po at humanizëm dhe at dashuri që e ka përcjellë ditën e gjatë e të lodhshme, ta përcjellë edhe mbrëmjen përmes shkrimet e tij… Më ka ndodhë shpesh të jem ndalur te shkrimet e Metit dhe kam ndjerë aty at përmasën e njeriut të paepur që s’dorzohet kurrë, që e ka ditën aq përplot me dritë e besim sa të tërheq ta ndjekësh, për të kuptuar se deri ku mund të mbrrijë ai… Dhe vërtet, mbasi ke lexuar nji poezi antologjike si “Dëmshpërblimi”, mund të kuptosh se këtij njeriu nuk i mungon asgjë, sepse ai ia merr të gjitha kësaj jete…  E pra, ky puntor me shpirt artisti që s’pretendon asgjë të madhe, shpërndan energji dhe besim, pa u trazuar nëse ndokujt i bie ndërmend a jo për jetën dhe veprën e tij, at jetë dhe at vepër aq ndërtuese, që ai s’e ndrron me asgjë tjetër të kësaj bote…
Shpesh i kam bërë vend Metit me shumë respekt në sitin tim, dhe shkrimet e tij mbeten ndër më të lexuarat dhe më të pëlqyerat… pse ato janë ndër më të vërtetat dhe më njerzoret… pse i tillë është dhe mbetet Meti Fidani… Dhe mua s’më mbetet tjetër veçse t’i bëj gjithnji vend, dhe ti them me zemër në dorë:
Të falemnderës  Met!
Jozef Radi
15 maj 2014

Protestë të përndjekurit...
Protestë të përndjekurit…

Dëmshpërblimi… poezi nga Meti Fidani

Më ke borxh demokracinë, që babai mezi e priste
më ke borxh, ato gjuhë të huaja, që aq bukur i fliste
dhe këngët e tij më ke borxh, dhe zërin kanarinë
më ke borxh babanë, më ke borxh pafajsinë…

borxh këmishën e dhëndërisë, gjakosur në Burrel
n’ato birucat ku dielli as hyn e as del
më ke borxh thonjtë e tij, ia shkule për së gjalli…
oh, sa borxh më ke, hyy… të marrtë djalli

Hallet e nënës, më ke borxh, të kuqtë, nusërinë
ti vellon ja hoqe, dhe ia veshe vetminë
oh borxh lotët e saj, që s’mi shlyen dot kurrë
vite e vite në pritje, me burrë e pa burrë…

më ke borxh të qarën e parë, ç’them, nuk qava, u tremba
në kampin e Gjazës, me policë dhe gjemba
mushkonjat kisha lodra dhe baltën plastelinë
më ke borxh dritën, buzëqeshjen, fëmijrinë

Poezit’e para më ke borxh, që s’di ku m’i gropose
e dyert e dijes që m’i mbylle, me kyçe e me lloze
më ke borxh rininë, dëftesat mbushur plot 10-a
më ke borxh jetën time, dhe të vashës me gërsheta
që për mua të përndjekurin, e prangose në qeli
më ke borxh dy zemra, borxh një dashuri…

Në grevë urie...
Në grevë urie…

E thanë, që marrëzitë e tua, o i marrë, u sosën
e thanë që të hoqën zvarrë, e diku të varrosën
por një natë dole nga dheu, e u ngjalle lugat
ti, që ngrysesh diktator, e gdhihesh demokrat

ti sot thërret e ngjiresh, më kot e shan diktaturën
ti sot je ujku, bisha që ka ndrruar lëkurën
po
je e njëjta fytyrë, me djallëzira kallaisur
ti je ligjvënësi im, ndër kolltukë kapardisur

Un’ mbeta i përndjekuri, por jo lipsari yt
me përralla dëmshpërblimi, ti sërish më mbyt,
i mbarsur me ligësi je, që n’embrion, që n’vezë
-Ptuuu…. përjetë  ptuuu… Paç faqen e zezë!

Marrë nga faqja e fb. Meti Fidani, 14 maj 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.