back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dënimi i krimit në çdo kohë është akt kulture Uran Butka

Gazeta

Pllaka memoriale e Bombës në ambasadën Sovjetike
Pllaka memoriale e Bombës në ambasadën Sovjetike

Bomba në Konsullatën Sovjetike…

dhe dënimi pa gjyq i 22 të pafajshmëve

63 vjet më parë, më 26 shkurt 1951 u ekzekutuan nga regjimi komunist 22 intelektualë shqiptarë me pretekstin se, në 21 shkurt kishin shpërthyer një bombë në ambasadën sovjetike në Tiranë. Ata u ekzekutuan në mesnatë, në afërsi të urës së Beshirit, 15 km larg Tiranës, të lidhur dorë për dorë me zinxhir dhe u varrosën në një gropë të përbashkët. Diktatura komuniste inskenoi në stilin e saj të ashtuquajturën bombë për justifikimin e një vale të re terrori që ndërmorri kundër figurave, të cilëve mund t’u njohim vetëm një faj, patriotizmin, antikomunizmin dhe formimin e tyre në vendet më të zhvilluara perëndimore. Preteksti absurd për hedhjen e bombës në oborrin e ambasadës sovjetike, kur këta njerëz nuk kishin lidhje me këtë incident, erdhi si pasojë e kthesës politike të diktatorit Enver Hoxha drejt politikës së Moskës. Në këtë ngjarje gjetën zbatim në mënyrë perfekte zbatimi i urdhërave dhe taktikave sovjetike në eliminimin e kundërshtarëve, duke ia kaluar madje edhe vetë udhëheqësit shpirtëror, Stalinit. Kjo masë e marrë nga sistemi jashtë ligjeve në fuqi, solli pushkatimin e intelektualëve nga familje fisnike shqiptare dhe kjo do të vazhdonte edhe në të ardhmen me spastrimin, internimin e këtyre familjeve në breza dhe fis. Intelektualët e vrarë nga diktatura komuniste 63 vite më parë ishin:
Sabiha Kasimati, Mehmet Shkupi, Ali Qoralliu, Anton Delhysa, Gafur Jegeni, Fadil Dizdari, Gjon Temali, Haki Kodra, Jonuz Kaceli, Lluka Rankoviç, Manush Peshkopia, Myftar Jegeni, Niko Lezo, Pjerin Guraziu, Reiz Selfo, Zyhdi Herri, Tefik Shehu, Thoma Katundi.
Në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, në kujtim të 22 intelektualëve, “viktima të terrorit komunist”, sot ndodhet një memorial, i ngritur në vitin 1993.
Ndërmjet tyre kishte njerëz të thjeshtë, mësues e akademikë siç kishte dhe ushtarake e ATSH-istë, gazetarë propagandistë dhe ekonomistë.

1.Sabiha Kasimati – lindur në Ankara 1912, dijetare e talentuar, Akademia e Shkencave Biologe.
2.Reiz Selfo – lindur në Gjirokastër, tregtar.
3.Pjerin Guraziu – lindur në Shkodër më 1906, ekonomist dhe sportist.
4.Anton Delhysa – lindur në Prizren 1904, specialist ndërtimi.
5.Zyhdi Herri – lindur në Tiranë më 1921, gazetar.
6.Gafur Jegeni – lindur në Dibër më 1908, oficer.
7.Myftar Jegeni – lindur në Dibrën e Madhe më 1915, oficer.
8.Manush Peshkëpia – lindur në Vlorë më 1912, poet i njohur.
9.Niko Lezo – lindur në Delvinë më 1891, kimist.
10.Lluka Rashkoviç – lindur në Mal të Zi më 1900, shofer-mekanik.
11.Haki Kodra – lindur në Dibër të Madhe më 1921, tregtar.
12.Thoma Katundi – lindur në Katund të Korçës më 1887, ish Vatran në SHBA.
13.Tefik Shehu – lindur në Gjakovë, ekonomist dhe jurist.
14.Gjon Temali – lindur në Shkodër më 1904, farmacist.
15.Ali Qorraliu – lindur në Tiranë më 1890, jurist.
16.Fadil Dizdari – lindur në Kavajë, librashitës në Tiranë
17.Jonuz Kaceli – lindur në Tiranë, tregtar.
18.Hekuran Troka – lindur në Kuçovë më 1919, tregtar.
19.Petro Konomi – lindur në Kajro më 1921, punonjës i ATSH.
20.Qemal Kasaruho – lindur në Gjirokastër, ekonomist.
21.Pandeli Nova – lindur në Opar më 1892, ekonomist.  
22.Mehmet Shkupi – lindur në Shkup më 1893, kalorifist

Sabiha Kasimati
Profesoresha Sabiha Kasimati

Shumë i dhimbshëm fakti që një femër, Sabiha Kasimati, ishte ndër të zgjedhurit pëer pushkatim. E para vajzë shqiptare që mbaroi Liceun e Korçës, e para vajzë shqiptare që kreu studimet universitare jashtë vendit për Shkencat e Natyrës, e para femër shqiptare që punonte si shkencëtare në Institutin e Shkencave.

Uran Butka
Studiuesi Uran Butka

Dënimi i krimit në çdo kohë është akt kulture…

nga Uran Butka

Masakra e natës së 26 shkurtit 1951 është një vepër kriminale e regjimit komunist. Është e tillë, sepse u masakruan 22 intelektualë krejt të pafajshëm dhe sepse nuk u zhvillua asnjë gjyq për të provuar fajësinë e tyre, duke tejkaluar e shkelur kështu edhe Kushtetutën, edhe Ligjet në fuqi të asaj kohe. Është, gjithashtu, absurde, por edhe skajshmërisht tendencioze, sepse ata u arrestuan dhe u pushkatuan me pretekstin e hedhjes së një dinamiti në oborrin e Ambasadës Sovjetike, por de facto nuk kishin asnjë lidhje me këtë incident, madje edhe Sigurimi i Shtetit nuk i akuzoi për këtë ngjarje. Kishte përfunduar etapa e dominimit të plotë jugosllav në Shqipëri, që e zvarriti atë pas qerres jugosllave dhe kishte nisur periudha e dominimit rus. Klika e E.Hoxhës u kthye me fytyrë nga Moska. “Duhet t’i kemi sytë drejt Moskës”, – deklaronte ai. (Arkivi Qendror, F.14.d 11) Udhëzimet, urdhrat dhe metodat staliniste Hoxha i zbatoi në mënyrë perfekte, duke ia kaluar edhe ustait.
Shqipëria u bë vendi më i mbyllur, më i varfër dhe më gjakatar në gjithë vendet e Lindjes. Diktatura ushqehej e mbahej me gjak. Sigurimi i Shtetit drejtohej nga “specialistë” rusë. Vetëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme drejtonin 40 agjentë të KGB-së. 
Por edhe reagimi antikomunist e antisovjetik gjallonte dhe heraherës kundërvepronte. Një nga këto manifestime ishte edhe hedhja e dinamitit të reduktuar në oborrin e Ambasadës Sovjetike më 19 shkurt 1951, vepër e organizatës “Bashkimi Kombëtar”. Gjithsesi, ishte një akt terrorist që nuk sillte asnjë dobi, veçse shtim të masave represive të shtetit, për të justifikuar valën e re të arrestimeve, pushkatimeve, burgimeve dhe të terrorit komunist.
Menjëherë u mblodh plenumi i KQ dhe më 20 shkurt Byroja Politike e PPSH.
Mehmet Shehu, atëherë ministër i Brendshëm, bëri ekspozenë e kësaj ngjarjeje dhe theksoi se “kjo është një ngjarje politike e kalibrit të madh, madje më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne”. Mehmet Shehu kërkoi masa represive të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh ligjet në fuqi, meqenëse “…edhe herë tjetër kemi pushkatuar jashtë ligjeve në fuqi. Të arrestojmë rreth 100 apo 150 veta, nga të cilët 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë, duke zgjedhur sigurisht ata më kryesorët. Kjo masë do të procedohet me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji. Ne duhet t’i përgjigjemi terrorit me terror dhe këtë mund ta bëjmë plot ndërgjegje dhe me gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe, po të jeni edhe ju dakord, veprojmë që sonte…”. (Nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike) Të gjithë anëtarët e Byrosë: Jemi dakord me këto masa.  Shihet qartësisht se vendimi u mor në Byronë Politike, pra kemi të bëjmë me një masakër politike të bërë me vendim partiak. Vetëm përzgjedhja e personave që do të pushkatoheshin apo burgoseshin u bë nga Sigurimi i Shtetit. Nga listat e përgatitura me kohë në Ministrinë e Punëve të Brendshme u zgjodhën dhe u shënuan me kryq ata “më të rrezikshmit”, të cilët në këtë rast nuk ishin as të rrezikshëm, as të dyshimtë dhe as që kishin ndonjë dijeni për ngjarjen e ambasadës. Ishin vetëm emra të njohur atdhetarësh e intelektualësh, nga familje të mëdha, natyrisht që s’e donin komunizmin, por qëndronin në punën e tyre, të patrazuar, të zgjedhur thuajse nga gjithë trevat shqiptare, që nga Gjirokastra e Delvina e deri nga Kosova, Shkupi, Dibra e Mali i Zi, në mënyrë që terrori dhe përgjakja të shtriheshin kudo. 
Ideator i kësaj masakre të radhës ishte sekretari I i PKSH dhe kryeministri Enver Hoxha, realizator ministri i Brendshëm Mehmet Shehu. 
Akuzën për 22 të pushkatuarit e nënshkroi prokurori ushtarak Siri Çarçani. Them “nënshkruar” se ai ka deklaruar pas përmbysjes së komunizmit: “Unë, Siri Çarçani, kur kam nënshkruar aktakuzën, nuk kam pasur dosje hetimore të dërguar nga Drejtoria e Sigurimit Shtetit në Prokurorinë e Përgjithshme Ushtarake. Personat që kanë emrat në aktakuzë, unë nuk i kam njohur fare dhe si prokuror nuk kam marrë pjesë në hetimet që zhvillonte Sigurimi i Shtetit. Unë nuk i kam lexuar dhe as i kam parë procesverbalet e marrjes në pyetje të këtyre të pandehurve dhe as ndonjë material tjetër të dosjes hetimore. Pasi nënshkrova aktakuzën, më duket se ia kam dhënë Sotirit dhe se ku ka përfunduar ajo, nuk e di… Për dijeninë time, Gjykata e Lartë Ushtarake nuk ka zhvilluar gjyq ndaj këtyre të pandehurve.”

Mehmet Shehu & Enver Hoxha
Mehmet Shehu & Enver Hoxha

Akuza e prokurorit ushtarak (megjithëse të gjithë të pandehurit ishin persona civilë!):
1.Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste.

2.Janë bërë anëtarë të një organizate terroriste

3.Kanë propaganduar për të rrëzuar me dhunë pushtetin popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve.


Kjo ishte një akuzë e përgjithshme dhe kolektive. Në shërbim të kujt spiunazhi ishin? Anëtarë të cilës organizatë terroriste? Marrëzia arrin kulmin: Kanë hedhur parulla për shpërthimin e një lufte të re imperialiste!?
 Nuk ekziston asnjë procesverbal i marrjes në pyetje të tyre, përveçse kësaj akuze në pesë rreshta, disa shënimeve të operativëve të Sigurimit gjatë torturave ndaj të pandehurve për të pranuar “pjesëmarrjen” e tyre në akte terrorizmi të munguara. “Gjatë pyetjes të të arrestuarve nga ana e hetuesve të ngarkuar me këtë çështje, shumica e të cilëve ishin operativë të sigurimit, – dëshmon Rasim Dedja, drejtor i drejtorisë II të Ministrisë së Brendshme që përgatiste listat e arrestimeve, – janë mbajtur shënime dhe nuk janë mbajtur procesverbale të rregullta në pozitën e të pandehurit dhe hetuesit. Gjatë asaj nate, njëri nga të arrestuarit, Jonuz Kaceli, kur po merrej në pyetje, është hedhur nga dritarja e një dhome të katit të dytë, duke rënë në tokë dhe ka gjetur vdekjen…” (dëshmi e tij në vitin 1993)
 Megjithë këto shkelje ligjore e proceduriale dhe të të drejtave të njeriut, prokurori ushtarak, që s’kishte në dorë asgjë nga sa kërkonte ligji, madje as dosjet hetimore, kërkoi të dënoheshin me pushkatim në bazë të nenit 12, paragrafi 2 i ligjit 373 datë 12.12.1946, mbi fajet e rënda penale kundër shtetit! Një precedent i pashëmbullt në historinë e jurispudencës botërore. Absurditeti bëhet më i madh, kur prokurori, siç e pohon edhe vetë, por siç vërtetojnë edhe dokumentet, nuk ishte prezent në gjyq! Mandej asnjë akuzë për incidentin në Ambasadën Sovjetike, për të cilin u arrestuan!
Po a u zhvillua gjyqi?
 Në dosjet e Gjykatës së Lartë së Republikës së Shqipërisë gjejmë vendimin nr. 64 datë 27.02.1951, me këtë përmbajtje:
Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë nga:
Kryetar: N/kolonel – Shuaip Panariti;
anëtar: Kapiten I – Vangjel Kocani;
 anëtar: Kapiten Nonda Papuli; anëtar dhe sekretar gjyqi: Hidai Bejo,
pasi konstatoi se të 22 të pandehurit janë armiq të betuar të popullit e të pushtetit popullor, vendosinë bazë të ligjit 373 datë 11.12.1946, dënimin e tyre më vdekje, me pushkatim, humbjen e të drejtës civile të përhershme dhe konfiskimin e së luajtshme e të paluajtshme.
 Ky vendim është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë.
Firmosur nga kyetari Shuaip Panariti dhe anëtari Vangjel Kocani.
 Pa firmosur nga anëtari Nonda Papuli, pa firmosur nga sekretari i gjyqit, Hidaji Bejo.
 Përse nuk kanë firmosur dy nga anëtarët e trupit gjykues?
 Si e konstatoi gjykata që ata ishin “armiq të betuar”, kur nuk u mblodh për të bërë gjyqin? “Trupi gjykues” nuk dispononte asnjë akuzë të veçantë për secilin, asnjë provë shkresore, asnjë dokument, asnjë dëshmi apo dëshmitar, asnjë ballafaqim etj. që të provonte fajin e tyre. Mungoi pyetja e të pandehurve, mbrojtja dhe apelimi. Mungonin, gjithashtu, firmat e dy anëtarëve të gjyqit. Aktakuza ngrihej vetëm mbi tri pika të përgjithshme dhe asgjë më shumë, ndërsa “vendimi” i gjykatës i datës 27.02.1951 si dhe një procesverbal tjetër i datës 27.02.1951 në dy copa letre ishin plotësuar shkel e shko pas ekzekutimit.
Ish-sekretari i gjyqit, Hydaji Bejo, dëshmon: “Nuk firmosa kur ma sollën vendimin se nuk mora vesh gjë, u bë apo nuk u bë gjyq. S’mund të hidhja firmë. Pa qenë në gjykim. Po kështu bëri edhe Papuli. S’kishim si të bënim ndryshe.” (dëshmi e vitit 1993)
 Natyrisht që nënkolonel Shuaip Panariti, kreu i gjykatës ushtarake, siç dokumentohet edhe nga ky proces i falsifikuar, ka firmosur për një gjyq të pazhvilluar kurrë dhe për një vendim të pamarrë kurrë në gjykatë, duke zbatuar vetëm vendimet e Partisë. 
Po kështu, edhe anëtari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Vangjel Kocani. Ky dëshmon: 
“Pas ca ditësh të kësaj ngjarjeje, apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga ish-kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti dhe më tha se ti e di që është hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike, Sigurimi ka arrestuar dhe një pjesë nga të arrestuarit, 22 veta janë pushkatuar pa u bërë gjyq. Prandaj duhet që të firmosim një vendim gjyqësor penal formal, pasi gjyq nuk mund të bëjmë, se Sigurimi i ka pushkatuar pa gjyq personat… Shuaipi më tha se vendimi i Gjykatës është formal, nuk ka asnjë pasojë dhe duhet ta bëjmë këtë pasi është urdhër i udhëheqjes së shtetit e në atë kohë ishte kryeministër E. Hoxha. Shuaipi më tha: “Ti Vangjel mos u shqetëso, derisa vendimi është formal dhe neve në fakt nuk gjykojmë njeri. Më porositi që për këtë vendim penal fiktiv, duhet të mbyllësh gojën, të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror. Pas kësaj kemi shkuar me Shuaipin në zyrat e Ministrisë së Brendshme… Shuaipi më paraqiti vendimin gjyqësor të daktilografuar dhe unë e kam firmosur. Kur ma dha vendimin për ta firmosur, Shuaipi nuk më ka treguar ndonjë dosje hetimore, nuk kam parë asnjë lloj materiali hetimor”. (dëshmi e vitit 1993) 
Për të mbuluar këtë krim, meqenëse masakra bëri jehonë brenda dhe jashtë vendit, autorët hartuan shpejt e shpejt një projektligj që lejonte dënimet, pa bërë gjykimin, të cilin nuk pranoi ta firmoste ministri i Drejtësisë, Manol Konomi, me argumentin se nuk ishte oportune një gjë e tillë. Atëherë, e kthyen në dekret dhe e firmosën presidenti Omer Nishani dhe sekretari Sami Baholli. Ky dekret i zi, i paprecedent në tërë historinë e vjetër e të re të legjislacionit botëror, përligj dënimin dhe ekzekutimin pa repektuar procedurën ligjore duke eliminuar gjithë etapat e saj si gjykimin pa pyetjen të pandehurve, mbrojtjen, apelimin, praninë e prokurorit etj. 
Mbi bazën e këtij “dekreti” që mban datën fiktivisht 26 shkurt, u përpilua procesverbali tjetër (dy procerverbale të ndryshëm për të njëjtën çështje) mbi “vendimin” e Gjykatës së Lartë ushtarake për pushkatimin e 22 personave dhe që mban në krye datën 27.02.1951 dhe në brendësi të vendimit datën 25.22.1951: 
“Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë po prej atij trupi gjykues, pa pjesëmarrjen e prokurorit dhe sipas ligjit të ri mbi gjykimin e akteve terroriste, e merr sot në shqyrtim gjykimin e çështjes etj.
Sekretari (Pa firmë) Kryetari
  (Pa firmë)

Të pushkatuar pa gjyq...
Të pushkatuar pa gjyq…

Kundërthëniet janë të shumta dhe absurde: Dekreti mban datën 26 shkurt, pushkatimi u bë në mesnatën e 26 shkurtit, procesverbalet e “vendimeve” të pafirmosura të gjyqit të pazhvilluar, mbajnë datat 27 shkurt, kur ata ishin pushkatuar, madje edhe datën 25 shkurt, kur dekreti sipas të cilit ata u pushkatuan, kishte dalë një ditë më pas, më 26 shkurt! Sido që të ishe dekreti nuk mund të zbatohej pa u botuar në fletoren zyrtare, dhe jo më të zbatohej brenda ditës apo një ditë më parë me prapaveprim! Provohet që dekreti është dekretuar pas pushkatimit, meqenëse pushkatimet e burgimet u bënë pa gjyq dhe kjo bëri bujë brenda e jashtë vendit. Duhej një gjethe fiku për të mbuluar turpin.
Nuk kishte ndonjë urgjencë apo rrezik shtetëror, që të pushkatoheshin pa u gjykuar dhe në mesnatë, kur të pandehurit s’paraqisnin asnjë rrezikshmëri shtetërore apo shoqërore, përveçse imagjinare, dhe s’kishin kryer apo as që mendonin të kryenin ndonjë akt terrorist. Nxitimi lidhej me faktin që të bëhej me dije menjëherë Ambasada Sovjetike për këtë larje hesapesh dhe të njoftohej menjëherë shoku Stalin. “Do të ishte mirë që ne si të Byrosë Politike, ku t’i tregonim sesi ka ndodhur kjo ngjarje, kjo fatkeqësi e madhe dhe t’i premtojmë e ta sigurojmë se luftën kundër armiqve të jashtëm e të brendshëm do ta vazhdojmë më me ashpërsi”. Të gjithë anëtarët e Byrosë e aprovojnë edhe këtë propozim të dytë të Mehmet Shehut. (sipas procesverbalit të mbledhjes)

Sabiha Kasimati - Shqiptarja e parë shkenctare
Sabiha Kasimati – Shqiptarja e parë shkenctare

A ishte terroriste Sabiha Kasimati?
E para vajzë shqiptare që mbaroi Liceun e Korçës, e para vajzë shqiptare që kreu studimet universitare jashtë vendit për Shkencat e Natyrës, e para femër shqiptare që punonte si shkencëtare në Institutin e Shkencave. Akuzës për terrorizëm, ajo i përgjigjet para pushkatimit: “Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit që me akt revolucionare të arrihej në socializëm. Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as që kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje, ku është marrë vendim për akt terrorist… Unë jam evolucioniste…”
Edhe të tjerët, nacionalistë e demokratë, intelektualë e ushtarakë të shkolluar në Perëndim: Pjerrin Guraziu e Gjon Temali nga Shkodra, Zyhdi Herri, Jonuz Kaceli e Ali Qorraliu nga Tirana, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasaruho dhe Petro Konomi nga Gjirokastra, Thoma Katundi e Pandeli Nova nga Korça, Fadil Dizdari nga Kavaja, Hekuran Troka nga Kuçova, Niko Lezo nga Delvina, Anton Delhysa nga Prizreni, Tefik Shehu nga Gjakova, Myftar Jegeni, Gafurr Jegeni e Haki Kodra nga Dibra e Madhe, Mehmet Shkupi nga Shkupi, Lluka Rashkoviç nga Mali i Zi, i pushkatuan në mesnatë në afërsi të urës së Beshirit, të lidhur dorëpërdore me tela me gjëmba dhe i mbuluan në një gropë të përbashkët me dhé e shkurre. Më vonë, kur vendi filloi të shpyllëzohej, një traktoristi që punonte në atë zonë, i ra të fikët kur pa që traktori nxorri papritur një kufomë gruaje dhe po e zvarriste. Ishte trupi i patretur i martires Sabiha Kasimati.
Po kush e hodhi “bombën” në Ambasadën Sovjetike? A u gjendën autorët dhe ç’u bë me ta?
Ata që e hodhën dinamitin ishin Hysen Llulla dhe Qazim Laçi të organizatës antikomuniste “Bashkimi Kombëtar”. Pjesëtarët e kësaj organizate u arrestuan dhe u mbajtën në izolim të fshehtë për 8 muaj, ndërsa në “vend të tyre” për terror u pushkatuan 22 viktimat e pafajshme dhe u burgosën e u internuan qindra të tjerë. Gjykata e Lartë Ushtarake më 9.10.1951, me dyer të mbyllura dënoi me vdekje: Qazim Laçin, Sejfulla Shimën, Rustem Thaçin, Zenel Rikën, Ali Voglin, ndërsa për Mark Zef Palin, Ramiz Voglin, Riza Shehun dhe Adem Kastratin, dënimi me vdekje u kthye në burgim të përjetshëm. Reshit Shima u vra në dhomën e torturave, Riza Pengili u pushkatua përpara derës së shtëpisë, ndërsa Hysen Llulla, kryetari i grupit që hodhi dinamitin në oborrin e Ambasadës Sovjetike, u vra kur desh t’i ikte arrestimit prej agjentit të Sigurimit të Shtetit, Besim Selita.
Dënimi i krimit në çdo kohë, është një akt kulture.
Marrë nga Gazeta Shekulli 27/02/2006

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Prenjo Imeraj
    Regjimi komunist që sundoi përmbi 40 vjet Shqipërinë, ishte regjim “i hurit dhe i litarit”. Ai gjithçka e arriti në atë sundim të gjatë, vetëm me terror dhe krime nga më të shëmtuarat tek njerëzit dhe sidomos te intelektualët nacionalistë të pafajshëm… (marrë nga muri i fb 11 mars 2014)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.