back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Derisa Stipçeviqi të jetë gjallë, mos pretendoni ta ndryshoni historinë e shqiptarëve…

Gazeta

Profesor Aleksander Stipçeviq
Profesor Aleksander Stipçeviq

Derisa Stipçeviqi të jetë gjallë,

mos pretendoni ta ndryshoni historinë e shqiptarëve…

Llukman Halilin bisedon me Profesor Aleksandër Stipçeviq

Shandri (Aleksandër Stipçeviq), ky shkencëtar me famë botërore, për Arbëneshët e Zarës, shokët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohin, mbetet Shandri, i afërt, modest, komunikativ, i përkushtuar për respekt, ndërkaq për qarqet kuazishkencore, që përpiqen të hedhin teza të paqëndrueshme dhe të rreme mbi origjinën e shqiptarëve, siç ndodhi kohëve të fundit me të ashtuquajturin pamflet të ASHAM, “Enciklopedia maqedonase”, është po ai Aleksandër Stipçeviqi, i ashpër, i rreptë dhe i prerë, që shprehet në gjuhën amtare Arbëneshe: “Falë Zotynit, unë jom gjollë (falë të Madhit Zot, unë jam akoma gjallë)”, me mesazh të qartë, që derisa akademik Aleksandër Stipçeviqi të jetë gjallë të mos pretendohet ta ndryshoni historinë e shqiptarëve.

Gazetari Llukman Halili
Gazetari Llukman Halili

Në bazë të opusit tuaj ilirologjik, a mund të thuhet me saktësi se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve? Pikësëpari, kjo është bërë e ditur që para 300 vjetëve. Aty nuk ka asgjë të re. Mirëpo, Tullmani kur ka shkruar për këtë, nuk ka pasur aq dokumente sa kemi ne tani.
Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për dokumente historike, por sot disponohet me një sërë dëshmish, duke filluar nga ato etnografike e deri tek ato arkeologjike dhe ne sot me shumë saktësi mund të themi, respektivisht të specifikojmë në mënyrë me precize, se shqiptarët kanë më shumë se të gjithë popujt e Ballkanit elemente ilire. Ajo që edhe te shqiptarët ka përzierje është fati i të gjithë popujve të Ballkanit.
Mirëpo, nëse duhet të themi se kush janë shqiptarët e sotëm, pjesa më e madhe e atyre që këtu kanë qenë, që nuk kanë ardhur nga askund, nuk ka asnjë dëshmi se ata kanë ardhur nga ndokund, pra ata aty kanë qenë. Sot shkenca tërësisht, nga filologjia, pa dyshim dëshmon se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve.
Cili është vlerësimi Juaj lidhur me ruajtjen e gjenezës së Arbëneshëve të Zarës dhe atyre të Italisë? Këto të ashtuquajturat oaza nacionale, etnike dhe linguistike sot janë në një krizë të thellë. Në Itali unë kam qenë te këta kroatët molizhanë, por jo edhe te shqiptarët dhe kam dëgjuar se si ata flasin.
Ata e flasin një gjuhë të çuditshme, që dallon nga gjuha që sot flitet në Dalmaci, e aq më tepër nga gjuha letrare kroate. Ky është në të vërtetë fati i të gjitha këtyre oazave nacionale ose linguistike që janë në zhdukje e sipër nga sulmet e medieve moderne, e në veçanti radios, televizionit, shkollave, gazetave, librave etj.

Arbanasët e Zarës
Arbanasët e Zarës

Ky është problem i përgjithshëm europian dhe UNESCO-ja ka sjellë një program për ruajtjen e këtyre oazave linguistike. Gjuha arbëneshe, e kam fjalën për gjuhën e arbëneshëve të Zarës, para tre vjetëve ka marrë një dekret të Ministrisë së Kulturës në Zagreb që kjo gjuhë arbëneshe të shpallet trashëgimi jomateriale kulturore, që duhet ruajtur në veçanti.
Ne e posedojmë atë dekret dhe në bazë të atij dekreti kemi të drejtë të luftojmë që ajo gjuhë të ruhet. Mirëpo, kurrfarë dekreti nuk do ta pengojë zhdukjen, ngadalë por megjithatë është në zhdukje e sipër kjo gjuhë. Në të gjithë e dimë dhe jemi koshientë për atë se kjo gjenerata më e re nuk e flet më këtë gjuhë – arbërishten, pos disa individëve që interesohen.
Prandaj, e konsideroj se ky kurs, ashtu ose kështu si funksionon në Arbënesh, do të korrë sukses, do të jetë i suksesshëm që disave nga kjo gjenerata e re do t’u interesojë që ta mësojnë këtë gjuhë. Aq më tepër që sot nuk ka ndonjë rrezik të flitet arbërisht, siç ka qenë para 50 apo 100 vjetëve kur janë konsideruar si ardhacakë ose që u kanë penguar zarasve që të jetojnë në “qetësi”.
Sot, të gjitha pakicat në Europë kanë privilegj që të luftojnë për të drejtat e tyre, e ato janë të drejtat që janë shënuar në dokumentet e Unionit Evropian, të drejta që janë të garantuara edhe me Kushtetutën e Kroacisë dhe të vendeve-shteteve të formuara nga ish-Jugosllavia.
Pra, sot nuk është problemi se ndokush qëllimisht do të dëshirojë ta shkatërrojë këtë ose atë, por ky është një proces i natyrshëm, që është i pranishëm edhe në Austri, te kroatët e Gradishkës, në Itali te kroatët molizhanë, te shqiptarët në Italinë e Jugut – në Siçili e në Kalabri – ku ka shumë shqiptarë, por edhe ata dalëngadalë po e humbin identitetin e tyre kombëtar, e në veçanti gjuhën, edhe pse ata kanë edicionet e tyre, kanë gazeta, por nuk shkon ashtu. Civilizimi modern i shlyen ato oaza të vogla, por, unë nuk mund të jem profet, të jap ndonjë profeci, por brenda nja 100 vjetëve asnjë nga këto pakica kombëtare më nuk do të ekzistojë – thjesht do të zhduken, sidomos në aspektin linguistik.
Gjuha është kategori e ndjeshme monumentale që zhduket nëse është në shënjestër të shumë elementeve, siç janë shkolla, radio, televizioni etj. Thjesht, ky është fati. Mua më vjen keq që kjo do të ndodhë, por unë kam qenë shumë i kënaqur kur e kemi hapur bibliotekën në Arbënesh dhe aty kanë ardhur njerëz të moshuar, të moshave 50, 60, 70 vjeç dhe unë jam befasuar këndshëm kur me ata kam mundur të bisedoj në gjuhën arbëneshe.
Mua kjo më ka befasuar, sepse ashtu flitej se kjo gjuhë po zhduket dhe unë kam menduar se ky proces ka shkuar larg, por jo, me tërë gjeneratën time unë flas arbërisht, e jo vetëm me motrën time dhe vëllanë tim, por me të gjithë, edhe nëpërmjet telefonit, edhe drejtpërdrejt, ose kur ata vijnë tek unë në Zagreb, ose kur unë shkoj në Arbënesh. Unë me ata flas arbërisht. Në rend të parë që edhe unë të mos e harroj, sepse duhet ushtruar atë gjuhë, sepse kur vijnë nga Arbëneshi unë insistoj që të flasim arbërisht që unë të mos e harroj. Sepse, unë plot 60 vjet nuk jetoj në Arbënesh, por në Zagreb. Ky është fati i të gjithëve, e jo vetëm i arbëneshëve dhe ne mund të vajtojmë, por kjo është një domosdoshmëri së cilës nuk mund t’i shmangemi.

Zadar - Zara
Zadar – Zara

Një “transmetim në arbërisht”: Ja si flet Stipçeviqi
Un fol arbënisht se e para gjy jemja është arbënisht. Në ship un fol veç arbënisht. E sot unë di me fol arbënisht. Masta, ku kam shkua në skol, kam mësua letisht – italisht, se n’at kohë Zara ko ken nën Itali. Ashtu kam bo gji skulat elementare, si thon popullore në letisht. Mua në at kohë më kan san, se ne në Arbënesh jemi taljonca. Ka kenë fashizmi dhe na kanë bo taljonca. Kur kan ardhë partizantë, na kan san ju nuk mund me ken taljonca se nuk dini mir letisht. Mirë, kaloi kjo kur kan ardhë partizant, ne s’kemi dit me folë asni fjalë kroatisht, sit hemi ne shkenisht. E na kan san me fol se na jemi hrvata… jemi hrvata ama nuk po dim me fol as kurrni fjal shkenisht. E pak koh pak e kem msua kët gjy, e ma sua në mend e kam pat një gramatikë… në mend e kam sua e tash muj me san se di mirë me fol shkenisht, me fol e me shkrua.
Por, kur pak po gjya, dëgjo, une e sot mendoj në arbënisht, me kontua, njo, dy, tre… gji i bëj arbënisht, nuk muj kursesi as letisht, e as shkenisht. Ashtu se kur vi në Shipni, ose mbrapa tri vjet kam ken në Ulqin, më kan san mua me fol arbënisht. E mirë, unë kam fol arbënisht atje. Për çish… se e kam dit se ata kanë me mar vesh gji… Këta shqiptarë që janë afër Ulqinit, ata katunda prej të cilët kanë arllë arbëneshët në Zarë, ata marin vesht kët gjye e un i mar vesht ata, ashti si kemi fol vet arbënisht. Atyne ju ka ken shum kanda me ndie kët gjy, se kjo gjye është e plaka ka 300 vjet, e ata janë zhvilluar, gjya e tyne është zhvilluar e jo në Arbënesh, se në Arbënesh e kemi ruajt ashtu si e kemi pru gjyen, ashtu e kemi rua der tash. Mua më kanda me fol arbënisht, por kur duhet me fol dini ta puna të komplikuara shkencore, nuk muj me fol arbënisht, e parë ta kam fol tash shkenisht, për me ken më praktik-ashtu është.
http://time.ikub.al/ 11.06.2014 Llukman Halili/Dialog Plus/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.