back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dëshmitari Haxhi Baçinovski: “Orët e tmerrit gjatë revoltës të Qafës së Barit” – nga Afrim Imaj

Gazeta

Haxhi Bacinovski (1957-2019)
Haxhi Bacinovski (1957-2019)

Dëshmitari Haxhi Baçinovski:

“Orët e tmerrit gjatë revoltës të Qafës së Barit”

nga Afrim Imaj

Unë isha në Qafë Bari kur barbarët gjymtuan shokët në revoltë. Ishte mëngjesi i 22 majit ‘84. Guxuam një moment të kundërshtojmë urdhrin e njërit prej policëve të shërbimit dhe na përpiu kryqëzata e shpagimit të përgjakshëm. Nëna ime, ç’kanë parë sytë e mi!
Njeriu që rrëfen sa i ka kaluar të pesëdhjetat, por thotë se është sa gjysma e kësaj moshe. Gjysma e jetës i ka kaluar në ferrin e burgjeve komuniste dhe mundohet ta harrojë, madje ta largojë si diçka që nuk i përket atij. E quajnë Haxhi Baçinovski. Në pamjen e parë nuk ta krijon përshtypjen e njeriut të vuajtur. Ka trup të lidhur dhe vështrim energjik. Të pranon me bujari në bisedë, por e ka të vështirë, shumë të vështirë t’i kthehet ditëve të shpërfytyrimit njerëzor që ka përjetuar në qelitë e errëta të sigurimit të shtetit. Tmerrësisht e pamundur bëhet kjo kur i kërkon diçka nga revolta e Qafës së Barit, në të cilën ka qenë njëri nga protagonistët e saj. Megjithatë gjejmë një moment dhe futemi dalëngadalë në retrospektivën e asaj ngjarje që e ka fiksuar në kujtesë çast pas çasti, sikur të kishte ndodhur dje. Haxhi Baçinovski është gjendur në ferrin e Qafës së Barit, pas një arrestimi spektakolar në qytetin e Librazhdit, kur kryente shërbimin ushtarak. Ka qenë vetëm 20 vjeç kur u bë pjesë e komunitetit të “armiqve të partisë”. Aty pastaj jeta e tij do të përvijohej në konturet e një drame të tmerrshme, për të mbërritur te revolta e majit ‘84, ku “fjeti” me vdekjen për orë të tëra. “U pashë me të sy më sy, shprehet Baçinovski. Bile-bile e thirra me shpirt të më merrte. Po deshi Zoti dhe mbijetova”. Sakaq përmend emrat e shokëve që nuk mundën ta sfidojnë deri në fund barbarinë e atij terrori të përgjakshëm dhe çastet e tjera të revoltës që u kthye në tragjedi…
.
Të dënuar të Revoltës së Qafë-Barit - 2 - (22 maj 1984)
Të dënuar të Revoltës së Qafë-Barit – 2 – (22 maj 1984)

Mëngjesi që ndezi gjakrat

Në fakt aty çdo çast pritej të shpërthente. Ishte një lloj eksplozivi që akumulohej dita-ditës. Çdo moment përballeshim me barbarinë çnjerëzore. U desh një shkak, një fërkim i rëndomtë dhe të gjithë u ngritëm në këmbë. Pikërisht mëngjesin e 22 majit. Kur ndërrohej turni i tretë me turnin e parë. Me grupin e atyre që e kishin gdhirë natën në thellësitë e galerisë, njëri nuk kishte realizuar normën. Kjo, sipas rregullit të xhahilëve, do të thoshte se duhej të rifutej prapë në zgafellë për të bërë edhe turnin e parë. Madje nuk lejohej të hante as mëngjesin. Polici i shërbimit e urdhëroi të kthehej mrapshtë. Zëri i tij buçiti fort: Ndue Pisha ke porta! Dy policë të tjerë rrinin gati te hyrja e galerisë për ta marrë që ta çonin në punë. Kur Nduja u bë gati që t’u bindej, i dolën para disa nga bashkëvuajtësit e tjerë. Jo, nuk ke për të shkuar! – e këshilluan të vendosur. Sakaq ndërhynë policët që më sa dukej u revoltuan jashtë mase nga guximi i tyre. Po qëndresa ishte e prerë. Një lloj vendimi ishte marrë në heshtje. Teksa turni i parë bëhej gati për t’u futur në galeri, Ndue Pisha qëndronte mes një grupi shokësh që e ndaluan t’i bindej urdhrit të çmendur. Këtu nisi kacafytja e parë. Për një çast, raporti i forcave ishte në favorin tonë. Policët e shërbimit ishin fare pak përballë grumbullit të të dënuarve. Të gjendur në befasi ata iu drejtuan oficerit të rojes. Menjëherë pastaj erdhi turma e parë e taborëve të pamëshirshëm. Pas saj erdhi skaloni tjetër…
.
Të dënuar të Revoltës së Qafë-Barit - 3 - (22 maj 1984)
Të dënuar të Revoltës së Qafë-Barit – 3 – (22 maj 1984)

Përplasja e parë te mensa

“Të gjithë në mensë! Të gjithë në mensë!”. Oficeri i rojes që kishte ndjekur situatën në distancë, dha sinjalin e kushtrimit. Për çaste të tëra çanga binte papushim. Brezi i parë i policëve u vendos menjëherë para fjetores. Të gjithë gati në një zë përsërisnin pandërprerë: “Në mensë, në mensë!” Nuk bëhej fjalë për ta vënë në diskutim urdhrin e tyre. Në pak minuta u grumbulluam aty. Hyri vrullshëm komandanti. Qysh nga larg dukej i xhindosur. Sa kaloi portën, hipi në stolin e parë që gjeti dhe filloi me zë të lartë: Kush dëgjon emrin të dalë jashtë, pa një pa dy! E morët vesh?! Ndryshe e dini çfarë u pret! Të dilje jashtë, të priste dhoma e izolimit, aty pastaj fillonte seria e torturave. Ndue Pisha, të dalë jashtë! Këtë radhë zëri i urdhërdhënësit u bë më i prerë. Ndërkaq, Nduja i gjorë si pa me bisht të syrit rreth e qark, u çua në heshtje dhe mori drejtimin nga dera. Pas emrit të tij, u përmend ai i Kostandin Gjordenit dhe i atyre që prapësuan Nduen për mos t’u futur dy turne bashkë. Sa dilnin te porta i prangosnin menjëherë dhe i qëllonin me shkelma e grushte. Të revoltuar nga kjo u çuam të gjithë në këmbë dhe u vërsulëm nga dera. Dikush dha urdhër për ta mbyllur, por vërshimi ynë ishte shpërthyes. Me çfarë kishim në duar shpartalluan portën dhe dolëm jashtë duke u përballur me policët e shumtë. Ata të mbërthyer deri në grykë me pajime ushtarake, ne me gurë e tulla. Një dyluftim i egër. Palës tjetër nisën t’i vijnë përforcime, por ne i vumë para si lopët. Me duart në kokë nxitonin për të dalë jashtë rrethimit. Sulmi i “armëve” tona nuk i linte të merrnin frymë. Një skenë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë. Asnjëherë nuk kishte qëlluar që efektivi i sigurisë të binte në pozita kaq të pasigurta. Një breshëri automatiku na ndali për një moment. Oficeri i rojes duke parë rrezikun që u kanosej shokëve të tij shkrepi kallashin në drejtimin tonë. Plumbat e parë ranë mbi shpatullat e Kostaq Gjordenit. Një “of” i tij nga thellësia e shpirtit na shtangu në vend…
.
Plaget e Revoltës së Qafë-Barit dhe Vendimet e gjyqit
Plaget e Revoltës së Qafë-Barit dhe Vendimet e gjyqit

Shpagimi i përgjakshëm

Me tërheqjen e policëve dhe afrimin e tyre te rrethimi, kujtuam se ia dolëm mban, por nuk kishte qenë e thënë. Sa hap e mbyll sytë, u shfaqën reparte të tëra me policë dhe ushtarë. Një helikopter i ardhur nga Tirana, si fluturoi disa herë mbi kamp, u ul në kodrinën përballë. Të grumbulluar te sheshi para mensës, pyesnim njëri-tjetrin se çfarë mund të ndodhte. Pas një pauze të shkurtër, u dëgjua zëri i komandantit që fliste nga jashtë rrethimit. Ai filloi të lexojë listën me emrat e të dënuarve që duhej të dilnin jashtë. Askush nuk lëvizi. Një heshtje varri ra sakaq. Ai prapë nga e para, këtë herë me një ton disi më të qetë. Po përsëri as një reagim nga turma. Ishin momente dramatike. E dinim që nuk do na i falnin, por ishim të gëzuar që u dhamë një mësim të mirë gjakësorëve të pamëshirshëm. Situata u bë vërtet kërcënuese. Sidoqoftë, nuk kishim çfarë të humbitnim tjetër. Vdekja na dukej mjaltë para terrorit që na priste orë e çast. Me dhjetëra makina me sirena ndezur frenonin pas njëra tjetrës te hyrja kryesore. Forca të shumta që me sa dukej vinin nga Tirana, sa zbrisnin prej tyre shpërndaheshin me shpejtësi në pozicione. Grupi i oficerëve të ardhur rishtas nga Ministria e Brendshme, u futën për një moment në komandë dhe pas disa minutash dolën duke zunë vend në vendrojen afër derës nga hynin mjetet. Njëri ndër ta, si komunikoi aty për aty me komandantin, mori megafonin dhe komandoi ushtarakisht “Armë mbush!” Që nga ky moment ishim në shënjestrat e dhjetëra kallashnikovëve që prisnin komandën “Zjarr!”.
Eprori i lartë i ardhur nga Tirana, si vendosi situatën paralajmëruese, na u drejtua për herë të fundit duke na lënë vetëm pesë minuta kohë.
Pastaj hodhi në tokë megafonin dhe u kthye nga komandanti duke i kujtuar listën. Ç’të bënim?! Të penalizuarit e saj sugjeruan të parët zgjidhjen. Të shkojmë për të shpëtuar shokët! Vendimi i tyre ishte i padiskutueshëm. Dhe ashtu bënë. I pari u afrua te rrjeta me tela Sokol Sokoli. Tom Ndoja pas tij. Kështu me radhë të dymbëdhjetë. Po ç’na priste aty? Sa na lidhën këmbë e duar na futën te dhoma afër komandës. Nëna ime ç’më kanë parë sytë…
.
Të dënuar të Revoltës së Qafë-Barit (22 maj 1984)
Të dënuar të Revoltës së Qafë-Barit (22 maj 1984)

“Teknikët” e dhomës teknike

Orët në dhomën teknike, siç quhej ndryshe njëra nga zyrat e komandës, ishin të tmerrshme tek Zoti. E kishim përjetuar dhe më herët misterin që fshihej aty. E përzgjedhur për t’u dhënë “mësim” të pabindurve, dhoma me mbishkrimin teknike, pa pikë mëdyshje ishte si qelitë e kuesturës fashiste. Shumëkush që stononte me regjimin e kampit, do provonte “bekimin” e saj. “Teknikët” e besuar nga komanda, sa kapërceje pragun, fillonin nga avazi i tyre. Ishin shumë të përpiktë në atë që bënin, jo vetëm nga përkushtimi, por dhe nga teknikat e përdorura. Të rrihnin mirë e mirë me ç’t’u ndodhej dhe nuk të shqiteshin deri sa të mbeteshe pandjenja. Kur dilje që andej, mund të ecje vetëm këmbë e duar ose i mbështetur për muri. Nuk qëllonte kurrë që të futeshe atje dhe të dilje me këmbët e tua. Sidoqoftë, këtë herë xhahilët kishin një arsye më shumë për t’u xhindosur tej cakut të zakonshëm. E ndjemë tërbimin e tyre që në kontaktin e parë. Në krye, si nga hera, qëndronte shefi i policisë së burgut, barbar e gjakësor si ai. Na urdhëroi fillimisht të hiqnim peliçet. Pastaj u kujtua se duhej të hiqnim dhe çizmet, trikot dhe çorapet. Ashtu bëmë. As që mendohej një sjellje tjetër. Më tej na tha të uleshim në dysheme. Aty filloi dhe rrebeshi i goditjeve me shkelma e grushte deri sa përdoruesit e tyre u lodhën. U kujtuan një moment se nuk kishin mbaruar punë dhe rrëmbyen drutë e zjarrit që ishin aty pranë. Me to në dorë bam e bum në kokë, në krahë, në gjoks. Një terror i paparë. Dhoma sa nuk shpërthente nga britmat e ulërimat. Muret dhe dyshemeja u mbuluan me gjak. Në katrahurë e sipër, nuk u përmbajta dhe diçka fola protestueshëm. Dy policët që kisha afër më kapën nga këmbët dhe duke më hequr zvarrë më qëllonin me forcë me mjete të forta. Brita me sa fuqi kisha, po kush të dëgjonte. Thirra me zë të lart deri sa mbeta pa ndjenja. Kur u përmenda provova të lëviz, por ishte e kotë. Pashë përreth. Të gjithë kishin mbetur përtokë të mbuluar në gjak. “Beteja” e xhahilëve pa shpirt vazhdoi disa orë. Pas saj eprori i policëve, që krekosej si pas një triumfi, urdhëroi të na çonin në birucë. Aty kam rënë përsëri në koma. Jam përmendur të nesërmen kur më kërkonin të çohesha për të hipur në makinën e burgut. Po ishte e pamundur të ngrihesha në këmbë. Më tërhoqën zvarrë e më hodhën në karrocerinë e një “IFA”. Aty kishin sjellë dhe të tjerët që nuk pushonin nga britmat e dhimbjeve. Po nuk donte t’ia dinte kush. Na nisën në drejtim të Pukës. Për disa ditë na mbajtën në qelitë e degës së të brendshme. Aty më futën këmbët në allçi. Pa marrë mirë veten, iu nënshtruam seancave hetimore. Hetime sa për t’u thënë. Pas tyre vijoi gjyqi me dyer të mbyllura. As që bëhej fjalë për dënime të lehta. Nga gjithë ai proces mbaj mënd pjesën e akuzës që bënte fjalë për terror dhe tradhti…
.
Burgu i Qafë-Barit
Burgu i Qafë-Barit

Mashtrimi i mjekëve për vdekjen e Sandër Sokolit

“Barbarët mbeten barbarë deri në fund!”
I bindur në atë që përmend, Haxhi Baçinovski, dëshmitari i revoltës së Qafës së Barit, risjell me lot në sy një episod tronditës. “E mbytën burrin e huaj, pasi më parë e thyen në mes. E mbytën si të ishte një shpend. U ulën pastaj e shkruan qetë-qetë dokumentin “Vdiq nga infarkti!” Sakaq ish i dënuari, tregon raportin me firmat e mjekëve të burgut, të cilët vazhdojnë në radhët e bluzave të bardha. E pashë bre me sytë e mi, shton Baçinovski. E pashë si dha shpirt Sandër Sokoli. Ishte më i forti ndër ne, me trup të gjatë e gjithë muskuj. E thirrën ditën e protestës xhahilët. I ranë me shkelma, me shkopinj druri, me shufra hekuri. E thyen në mes. Ra si lis në tokë duke bërtitur nga dhimbjet. Çaste të tëra vazhdoi të lëngojë nga plagët i gjori. Ulërimat e tij bezdisën barbarët dhe filluan prapë ta godasin. Më fortë, më egër. Sandri vazhdonte të bërtiste me zë të lartë. Policëve u duhej t’ia mbyllnin gojën përgjithmonë. Po nuk dalka kollaj shpirti i shkretë. Kur e panë që druri nuk jepte efekt, e rrëmbyen me forcë dhe pasi e ngritën lart e palosën më dysh në tokë. Pas dy-tre rënkimeve të mbytura Sandri ra në qetësi. Pashë vetëm dy currila gjaku që i dolën nga goja dhe kokën që iu var anash. Në vështrimin e mbërthyer mbi majëmale dukej sikur na thoshte: Më në fund shpëtova nga barbarët!…” Këtë skenë, siç thotë Haxhi Baçinovski, nuk ka për ta harruar kurrë. Më shumë se ajo, më lëndon mashtrimi i madh i atyre palo mjekëve, që e panë me sy si përfundoi Sandër Sokoli dhe firmosën diçka krejt tjetër, përmbledh i dënuari i Qafë Barit.
.
Nexhmije Hoxha
Nexhmije Hoxha

“I bëra letër Nexhmijes: Ç’bëni kështu more kriminelë”

“Të burgosurit politikë në asnjë rast nuk kërkuan mëshirë. Madje edhe kur adresonin ndonjë letër për krerët e regjimit” I vëmendshëm ndaj asaj që thotë, Haxhi Baçinovski përmend korrespodencën që mbante gjatë viteve të burgut me liderët komunistë të Tiranës. Në të gjitha letrat e shkruara në qelitë e Burrelit apo të Qafës së Barit, bie në sy preokupacioni për të sjellë në vëmendjen e tyre krimet dhe genocidin e ushtruar jo vetëm mbi bashkëvuajtësit e tij, por mbi një popull të tërë. Në arkivin e shtetit ruhet ende letra e fundit që ai i ka drejtuar Nexhmije Hoxhës në cilësinë e kryetares së Fronit Demokratik. Po çfarë vë në dukje Baçinovski në të…
Quhem Haxhi Baçinovski – pinjoll i një familje luftëtarësh që qëndruan në malet e Kosovës 15 vjet me radhë me armë në dorë. Jam arrestuar në radhët e ushtrisë në vitin 1981, krimi agjitacion e propagandë. Në maj 1984 arrestohem përsëri, por kësaj radhe si pjesëtar i organizatës kundërrevolucionare, fantazi e bandës kriminale të Sigurimit të Shtetit. (Imagjino organizatë kundërrevolucionare e krijuar brenda telave me gjemba e grykës së mitrolozëve). Aktualisht gjendem në burgun mesjetar të Burrelit, natyrisht mbas një torturimi fizik dhe psikik dhe një gjyqi me dyer të mbyllura. Të përshkruhen krimet e gjenocidit që ushtrohet mbi popullin shqiptar nga regjimi juaj, duhen penat e sociologëve e shkrimtarëve të të gjithë botës dhe zor se do të ishin në gjendje me e portretizue këtë realitet tragjik. Por desha t’ju pyes ju çfarë i kam ba unë shtetit konkretisht dhe kush jam unë? Një njeri krejt i thjeshtë me arsim fillor, pra kuptohet edhe aftësia ime për t’ju rrezikuar juve pushtetin. Për të tilla “krime” asnjë lloj regjimi diktatorial as që do të merrte mundimin me më pyetë dhe jo më të më merrte rininë dhe krejt jetën time, përveçse regjimi juaj gjakatar. Ku keni ju gojë të flitni për humanizëm apo për të drejtat e njeriut, kur ju keni 46 vjet që torturoni një popull 3 milionësh që Shqipërinë e keni kthyer në burg 28 mijë km2… Ju, me paturpësi arritët me i bë telegram Nelson Mandelës, duke e ngushëlluar për “vuajtjet” në burgjet raciste, kur ai ban burg me çokollata dhe është politikan i deklaruar dhe kur në burg takon gazetarë e personalitete nga e gjithë bota dhe në rast sëmundje, kurohet në klinika private. Kurse mua, e qindra si unë, njerëz të zakonshëm, nuk lejohet as shokë, as miq, as farë e fis, vetëm familja në takim dhe ky takim vetëm 10 minuta në muaj nëpërmjet një sporteli të blinduar ku nanat tona nuk na shohin vetëm 1/3 e fytyrës. Po kufizimi i ushqimit në 2 kg në muaj. A ka krim më çnjerëzor se një trajtim i tillë dhe kundër kujt pa? kundër njerëzve të pafajshëm. Jua drejtoj këtë letër me qëllim përgjigje dhe përgjigjja juaj do të jetë ekzekutimi im. Por jam krenar t’i jap fund këtij poshtërimi dhe asgjësimi të ngadalshëm. S’kam frikë nga vdekja, se jam pjellë e atyre që veç pushka i ka marrë dhe vdekjen e kanë përbuzë. Natyrisht që ju nuk do të keni kuarjo me më ekzekutu direkt, por me metoda të stërholluara siç keni ba tash e 46 vjet, por dije se gjithë shqiptarët nuk do t’i shfarosësh.
I dënuari politik, Haxhi Baçinovski
18 shkurt 1990
.
Marrë nga gazeta “Panorama” 06.10.09

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.