back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Dëshmitë e xhelatëve: Si e vramë me tortura çnjerzore Teme Sejkon

Gazeta

Kryedmirali i Flotes Teme Sejko
Kryeadmirali i Flotes Teme Sejko

Dëshmitë e xhelatëve:

Si e vramë me tortura çnjerzore Teme Sejkon

Çfarë mund të ketë ndodhur në jetën e këtyre njerëzve që në “emër të armikut”
masakronin me hunj duke ia thyer në trup nji bashkëluftëtari të tyre,
cili ligj i autorizonte këta goxilla të ushtronin kësi dhune
që as ndaj kafshëve nuk mund të ushtrohej…
e që bashkarisht dy e nga dy tërhiqnin në kahe të kundërta
litarin në fytin e nji të akuzuari që kishte humbur vetëdije
e për të cilin ende nuk kishte nji vendim të formës së prerë,
cili është ai guximtar që mund t’i ketë falenderuar këto monstra
sepse fjala kafshë edhe për më bishën është tejet e nderuar dhe e respektuar para tyre,
a mund të kenë pasur këta përbindsha nëna, gra, motra, vajza, mbesa
që t’ua rrëfenin këto bëma e të guxonin me pas t’i ledhatonin e t’i puthnin…
A pati ndonjë ligj që u përpoq t’i ndëshkonte këto krime të vetdeklaruara,
këto makabritetete që tejkalojnë çdo përfytyrim njerëzor…
Nuk ka pasur kurrë, e kurrë s’do të ketë bashkëvuajtës dhe bashkfajtorë
Por kriminelë ende të pafytyrë e të pandëshkuar
dhe të pafajshëm kurrë të shpërblyer… pse besuan në Zot dhe në Shtet!
jozef radi, janar 2016

Krimet e komunizmit shqiptar për nga masa dhe nga metodat e kane kaluar çdo logjike njerëzore. Një nga këto krime është edhe vrasja ne mënyrën me çnjerëzore e ish Admiralit te flotës Teme Sejko. Po botojmë tre dëshmi nga pjesëtarët e grupit qe morën pjese ne vrasjen e tij bere ne gjyqin e Kadri Hazibut. Vetëm nga këto mund te kuptoni se deri ku ka shkuar krimi komunist në Shqipëri. Ky është vetëm njeri prej tyre, por ka edhe qindra apo mijëra krime te tilla ende të pa zbardhuara.

Deshmitare e vrasjes se Teme Sejkos
Deshmitare e vrasjes se Teme Sejkos

Dëshmia e Qemal Birçes

I vitlindjes 1920, pensionist, dëshmonte më 11 qeshor 1983 për fundin e Teme Sejkos: Lidhur me sa pyetëm, kam për të thënë këto gjëra: Kur u arrestua Teme Sejko, mua më sollën me shërbim në burg, përgjegjës për grupin e oficerëve që siguronin të pandehurit në dhomat e izolimit. Në këtë detyrë kam qëndruar deri në fund, pra, deri në kohën kur u dënua Teme Sejkua dhe grupi i tij. Pas gjykimit të çështjes e dënimit të tyre, shkova përsëri në Ministri, në vendin ku kisha qenë më parë shef i Komandaturës.
Si qëndrova 5 – 6 ditë në Ministri, një ditë, rreth orës 18:00 pasdite më thirri në zyrë Mihallaq Ziçishti. Kur shkova atje, vura re që ishte edhe Kadri Hazbiu dhe persona të tjerë, si Rexhep Kolli e Nevzat Haznedari. Mihallaqi më dha urdhër që të heqësh rojet e policisë që janë tek Burgu i Vjetër, sepse atje do të dërgojmë Teme Sejkon dhe Tahir Demin, që të mos na i shikojë njeri, kur të shkojnë atje. Në këtë kohë, Temja dhe Tahiri ishin dënuar me vdekje, por dënimi s’kishte marrë formë të prerë. Unë shkova dhe e zbatova porosinë. Pas pak më mori Mihallaq Ziçishti në telefon dhe më pyeti a je gati. Unë i thashë po, jam gati. Pak më vonë, Mihallaqi erdhi me një gaz 7-vendësh. Në gaz Mihallaqi kishte marrë Teme Sejkon e Tahir Demin. E shoqëronte edhe Nevzat Haznedari. I morëm Temen e Tahirin dhe i futëm në dy dhoma të veçanta në katin e dytë të burgut të vjetër, të përgatitur që më parë me krevat me susta, batanije, dyshek e çarçafë. Aty Teme Sejko e Tahir Demi janë mbajtur rreth një muaj. Nevzat Haznedari vazhdimisht u binte si Temes dhe Tahirit letër për të shkruar dhe u merrte ato që ata shkruanin. Se ku i çonte këto letra Nevzati, nuk e di. Bashkë me mua bënin shërbim edhe tre oficerë të tjerë, Qemal Xhaferri, Luto Beqiri dhe Islam Gjondeda. Të katërt ne rrinim në dy dhoma në katin e parë dhe bënim roje me radhë. Tahiri me Temen aty hanin ushqim, për nevoja personale i binin derës që ne ua mbyllnim nga jashtë me çelës, u jepnim brisk e makinë dhe rruheshin vetë.

Trupi gjykues i Grupit te Teme Sejkos
Trupi gjykues i Grupit te Teme Sejkos

Më kujtohet se rreth 10 ditë pasi kishim shkuar te burgu i vjetër, më mori në telefon Kadri Hazbiu rreth orës 1:00 pas mesit të natës dhe më tha: “Jam Kadri Hazbiu, dil e më prit se do të vij aty”. Dola aty te oborri i burgut dhe pa kaluar as pesë minuta, Kadri Hazbiu erdhi vetëm. Pasi më takoi, më pyeti se ku rri Teme Sejko. Unë i thashë në një dhomë në katin e dytë. Më shoqëro deri te dhoma, tha Kadriu. Të dy u ngjitëm në katin e dytë. I hapa derën e dhomës ku rrinte Teme Sejkoja. Temja u ngrit nga krevati dhe qëndroi në këmbë. Kadriu më vështroi, për të më lënë të kuptoja që të largohesha. Dola jashtë duke tërhequr pas vetes derën dhe qëndrova në mes të shkallëve. Kadriu qëndroi brenda me Temen rreth një orë dhe pastaj doli. Unë u ngjita dhe mbylla derën e dhomës së Temes me çelës. Kadriu zbriti e doli jashtë në oborr e pas tij dola edhe unë. Atje më hodhi dorën në sup e më tha: “Ki kujdes se partia thotë që këta armiq janë në duar të sigurta”. Unë i thashë, mos ki merak shoku ministër. Se çfarë bisedoi me Temen, nuk di asgjë. Pas këtyre fjalëve që shkëmbyem bashkë, Kadriu u largua. Pasi i mbajtëm te Burgu i Vjetër një muaj, një natë pas mesit të natës, vjen aty Mihallaq Ziçishti së bashku me Nevzat Haznedarin, i cili në atë kohë ishte kryetar i Degës së Hetuesisë. U hapa derën, u futëm të tre bashkë brenda në dhomën ku mbanim Teme Sejkon dhe Mihallaqi me Nevzatin i hodhi Temes hekurat në këmbë e duar. Aty qëndruam deri në mëngjes. Në mëngjes herët i zgjidhëm këmbët Temes, e mbështollëm me një batanije dhe e hipëm në një gaz 7-vendësh. Tahir Demin e lamë aty në vend. Me shërbim si roje mbeti Luto Beqiri. Pas kësaj, në gazin 7-vendësh hipa unë, Nevzati, Islam Gjondeda dhe Qemal Xhaferri. Shofer ishte një kushëri i Mihallaq Ziçishtit, oficer, emrin nuk ia kujtoj, di që ka vdekur. Mihallaq Ziçishti ishte me makinën e tij dhe u nis para nesh. U nisëm edhe ne në drejtim të Vorës. Makinën tonë e drejtonte Nevzati, i cili duhet të kishte biseduar me Mihallaqin, se e dinte ku po shkonim, por neve nuk na tha asgjë. Rrugës, Mihallaqin nuk e pamë. Kur shkuam në Maminas, qëndruam në mes të vreshtit ku është një shtëpi e vetme që quhet Pallati i Beut. Aty e zbritëm Temen. Erdhi edhe Mihallaqi me makinën e tij. Me të ishte edhe Rexhep Kolli. E futëm Temen në një dhomë. Pas kësaj, Mihallaqi dërgoi Qemal Xhaferrin për të prerë 20 shkopinj shkoze. Pasi i pruri shkopinjtë, vetë Mihallaqi në prezencë të Rexhepit e Nevzatit, filloi ta rrihte Temen me shkop. E godiste Temen me shkop, që ishte sa tre gishta i trashë, në gjithë pjesët e trupit, përfshi edhe kokën, me gjithë forcën sa thyheshin shkopinjtë. Si lodhej Mihallaqi, vazhdonte Rexhepi e pastaj Nevzati. Kjo vazhdoi gjithë ditën deri në mbrëmje sa hyri dielli. Temja nga të rrahurit gati kishte mbaruar, sa merrte frymë. Nga gjithë pjesët e trupit që i ishin nxirë e çarë, në fytyrë, kokë, brinjë, kofshë, këmbë, i dilte gjak. Pra, ishte në një gjendje të tillë që ai nuk mund të shpëtonte. Kur ai nuk ndiente më asgjë, erdhi Kadri Hazbiu. Unë gjatë gjithë ditës tërë ngjarjen e pashë me sytë e mi, sepse isha në korridor dhe dera e dhomës ku rrihnin Temen ishte e hapur dhe unë vetëm atë shikoja. Dy shokët e tjerë ishin caktuar larg si roje që mos të na afrohej njeri. Kur erdhi Kadriu, më dha dorën, më pyeti ç’kemi. Unë i thashë se Temja po vdes nga të rrahurit. Kadriu shkoi dhe u fut në dhomë, ku u takua me Mihallaq Ziçishtin, Rexhep Kollin dhe Nevzat Haznedarin. Ishte vetëm kur erdhi aty, ndërsa shoferi me shoqëruesin qëndruan te makina rreth 15 – 20 metra larg shtëpisë. Dua të shtoj se në atë shtëpi, në atë kohë nuk banonte asnjeri. Kadriu qëndroi rreth 5 minuta dhe u largua. Si u largua Kadriu, e mbështollëm Temen me batanije e duar të lidhura nga mbrapa me hekura siç i kishte kur e rrihnin, e hipëm në gazin 7-vendësh e bashkë me të, edhe unë, Nevzati, Islami e Qemali dhe u nisëm në drejtim të Tiranës. Unë nuk e dija ku do të shkonim, detyrën e kishte marrë Nevzati… Pa kaluar Vorën, unë dhe Islam Gjondeda që ishim me makinën mbrapa, i hodhëm në fyt Teme Sejkos që ishte i shtrirë në mes nesh, një litar në formë laku dhe, duke e tërhequr secili në krahun e vet, e mbytëm. Pra, Temja nuk kishte asnjë shenjë jete. Për mbytjen e Temes me litar ne na urdhëroi Nevzat Haznedari. Vazhduam rrugën dhe shkuam deri te kodrat karshi Linzës. Ishte natë. Ne qëndruam në një vend ku kishte qëndruar edhe Mihallaqi me makinën e tij, i cili kishte shkuar atje para nesh. Rexhep Kolli nuk ishte me të, se ku qe kthyer nuk e di. Na urdhëroi, nxorrëm kufomën ashtu të mbështjellë me batanije. E mbanim Qemal Xhaferri, Islam Gjondede dhe shoferi që ishte kushërirë i Mihallaqit. Unë qëndrova lart me Mihallaq Ziçishtin, ndërsa shokët e tjerë e çuan kufomën rreth 20 m poshtë xhades, kur që gjatë natës ishte bërë gropa gati. Gropën e bëri shoferi që na çoi ne në Maminas, i cili posa na çoi, u largua dhe u kthye në mbrëmje që na mori, këtë detyrë ai e kishte marrë nga Mihallaq Ziçishti. Si e zbritën kufomën te gropa, shkova edhe unë. Për t’u siguruar për vdekjen e Temes, unë me një kazmë që gjeta aty pranë, i rashë Teme Sejkos në kokë disa herë derisa iu prish fare koka. Më kazmë e qëlluan edhe shokët e tjerë. Pasi e hodhëm në gropë, e mbuluam me baltë dhe e larguam.

Procesi i montuar gjyqsor i Teme Sejkos
Procesi i montuar gjyqsor i Teme Sejkos

Dëshmia e Qemal Xhaferrit

Na thanë që po bënim roje, me ta nuk do të bisedoni, nuk do të lini njeri të futet brenda. Përgjegjës ishin Qemal Birçe dhe Islam Gjondeda. Nuk e mbaj mend sa qëndruam atje. Në këtë kohë që i mbanim atje, Temja me Tahirin ishin dënuar me vdekje dhe prisnin vendimin përfundimtar. Temen me Tahirin i mbanin në dy dhoma, ballë për ballë në kat të dytë, ndërsa ne që bënim shërbim, rrinim në dy dhoma në kat të parë. Lart në korridor, midis dy dhomave ku rrinin të arrestuarit, qëndronte roje vetëm një nga ne të katërt që bënim shërbimin sipas radhës… Më kujtohet se gjatë kohës që dy të arrestuarit kanë qëndruar atje, kam parë që kanë ardhur bashkërisht disa herë ditën Kadri Hazbiu me Rexhep Kollin, Mihallaq Ziçishtin e Nevzat Haznedarin, ku qëndronin gjysmë ore a një orë dhe iknin. Se çfarë bënin, nuk e di se nuk futeshim brenda, por me sa mbaj mend, të dy të arrestuarit i kisha parë që shkruanin. Kadri Hazbiu ose të tjerë nuk i kam parë të vinin vetëm, nga të sipërmit mundet të ketë ardhur ndonjëri natën, por unë mund të kem qenë në gjumë, po edhe shokët nuk më kanë thënë gjë. Një natë, unë e kisha shërbimin e rojës nga ora 2 deri në 4 të mëngjesit. Kur u ngrita, më tha shoku tjetër, Luto Beqiri që e kanë marrë Teme Sejkon dhe se ku e kanë çuar. Kush e mori, i thashë unë. Lutua më tha, ishte Mihallaq Ziçishti, Rexhep Kolli, Nevzat Haznedari, Qemal Birçja, Islam Gjondede dhe Jorgo Bimo. Pas një ore, erdhi tek ne Jorgo Bimo me makinë dhe më tha hajde, se do të vemi në një vend. Më çoi afër Maminasit, në mes të vreshtit ku ishte një shtëpi e vetmuar që në të nuk banonte njeri. Kur shkova atje, gjeta Mihallaqin, Rexhepin, Nevzatin, Qemal Birçen, Islam Gjondedën, kishin edhe Teme Sejkon që ishte me duar të lidhura. Unë i gjeta duke e rrahur Temen me shkopinj. I kishte plasur gjaku në gjithë trupin. Sa ndenja unë, u thyen 5-6 shkopinj. Të gjithë e rrihnin me radhë. Unë aty ndenja pak minuta se pastaj më thanë e dola roje në një kodër të vogël mbi shtëpi, ndërsa Islam Gjondede, poshtë shtëpisë se mos afrohej njeri. Qëndruam deri në darkë, rreth orës 20:00, kur erdhi Kadri Hazbiu, i cili u fut brenda, qëndroi pak minuta, se ç’bisedoi dhe u largua. Si iku Kadriu, që nga vendi ku bëja roje, pashë që Temen e nxorën jashtë për duarsh e për këmbësh dhe e hodhën në makinë. Aty shkuam edhe unë e Islami. Kur vajta aty, dëgjova shokët që thanë që do ta mbysim, që mos të qëllojmë me armë, se dëgjohen të shtënat. Se kush e tha këtë, nuk e mbaj mend. Që pa u nisur makina, mbaj mend se Temes i hodhëm në fyt një litar kërpi të trashë sa gishti dhe të dy anët e litarit i tërhoqëm me radhë në të dy krahët, derisa e mbytëm Temen, pra s’kishte më asnjë shenjë jete. Mihallaq Ziçishti e Rexhep Kolli kanë qenë prezent gjatë gjithë kësaj kohe. Ne të shërbimit e bashkë me ne edhe Nevzat Haznedari u nisëm në drejtim të Tiranës e pastaj shkuam në Linzë, në disa kodra. Para nesh, me sa më kujtohet, ishte makina e Mihallaq Ziçishtit dhe kur ndaloi ai, ndaluam edhe ne. Aty nuk e pashë më Rexhep Kollin, se ku kishte qëndruar nuk e di, mundet në Tiranë. Kur shkuam në Linzë, ishte errësirë dhe vend me shkurre. Temen e kapëm dy veta dhe zvarrë e zbritëm rreth 20 metra poshtë rrugës, vendi ishte shumë i pjerrët. E çuam ku ishte një gropë e hapur, se kush e kishte bërë, nuk e di. E hodhëm në gropë. Në gropë, me sa më kujtohet, dikush i ra me kazmë në kokë disa herë dhe tha: “Sa të fortë e paska kokën”. Para se ta hidhnim në gropë, Jorgo Bimo i hoqi pantallonat dhe një bluzë kadife dhe i mori me vete. Pas kësaj, e mbuluam me baltë, shkuam tek makinat dhe erdhëm në Tiranë.”

Deshmitare e vrasjes se Teme Sejkos
Deshmitare e vrasjes se Teme Sejkos

Dëshmia e Islam Gjondedës

I vitlindjes 1914, banues në Tërbaç të Vlorës, pensionist, dëshmonte më 14 qershor 1983 rreth vdekjes së Teme Sejkos si më poshtë: “Lidhur me sa pyetëm, kam për të dhënë këto gjëra: Vitin e saktë nuk e mbaj mend, por duhet të ketë qenë viti 1960. Isha në Drejtorinë e Policisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në sektorin e zbatimit të vendimeve penale. Një ditë më thirri në zyrën e tij armiku Mihallaq Ziçishti që në atë kohë ishte zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Aty gjeta edhe shokë të tjerë që nuk i mbaj mend. Mihallaqi na tha se do t’u ngarkoj me një detyrë të rëndësishme. Në mbrëmje vonë, me makinën që e drejtonte Jorgo, kushëriri i Mihallaqit, na çuan te Burgu i Vjetër. Veç Nevzat Haznedarit, kishte edhe tre-katër vetë të tjerë që nuk i mbaj mend. Kur shkuam te Burgu i Vjetër, erdhi edhe Mihallaq Ziçishti, i cili na tha që do të ruani Teme Sejkon dhe Tahir Demin. Temen e Tahirin, siç mora vesh aty, pasi i dënuan me vdekje, i prunë aty. Sepse, nuk e di. Unë për vete e dija deri atë ditë se ata qenë pushkatuar. Temen dhe Tahirin i kishin vendosur në dy dhoma përballë njëra-tjetrës në katin e dytë, që ndaheshin me një korridor në mes. Edhe ushqimin atje e hanin. Aty kemi qëndruar rreth një muaj. Aty bënim roje katër veta, që s’i mbaj mend cilët ishin. Roje bënim dy e nga dy. Gjatë kohës që qëndruam aty, mbaj mend që kanë ardhur Mihallaq Ziçishti, Rexhep Kolli, Nevzat Haznedari që futeshin në dhomat e këtyre, se ç’bënin nuk e di se e mbyllnin derën. Tjetër njeri nuk më kujtohet të ketë ardhur. Një mbrëmje erdhi Mihallaq Ziçishti me Nevzatin dhe shofer Jorgon. Sonte, tha Mihallaqi, do ta heqim Teme Sejkon. Dhe, me sa kujtoj unë, që atë natë e hoqën Temen, e çuam me makinën e Jorgos në një shtëpi në Maminas, midis vreshtit. Atje nuk banonte njeri. Mua më kujtohet se atje kemi qëndruar rreth dy ditë. Aty, veç ne të shërbimit, erdhi edhe Mihallaqi me Jorgon. Tjetër njeri unë nuk mbaj mend të ketë ardhur. Mua më caktuan dhe qëndrova roje aty tek dera e shtëpisë. Unë Teme Sejkon e kam njohur shumë mirë, sepse atë e kam pasur komisar batalioni për një vit, më 1944, në Batalionin e Disiplinës në Gurrë të Tiranës. E kam parë edhe më pas kur ka qenë në Vlorë. Edhe te Burgu i Vjetër që e morëm në makinë dhe e çuam në Maminas, unë kam qenë prezent dhe Temen e kam ruajtur e shoqëruar. Kam qenë prezent edhe kur e kanë nxjerrë Teme Sejkon jashtë nga shtëpia në oborr, i vumë një litar me lak në fyt dhe katër veta, dy në një krah e dy në një krah e shtrënguam sa Temja vdiq. Mihallaqi tha e lëvizni njëherë. Ne e kthyem në Linzë (Linzë) në disa kodra. Qëndruam atje ku kishte qëndruar Mihallaq Ziçishti. Prezent ishte edhe Nevzat Haznedari. E morëm kufomën unë me shokë dhe e çuam tek gropa që ishte bërë përpara, se nga kush, nuk e di, dhe ishte rreth 100-200 metra larg xhadesë në një vend të pjerrët me shkurre. E hodhëm në gropë dhe e mbuluam me baltë. Nuk mbaj mend të jetë bërë ndonjë veprim tjetër aty me kufomën. Kujtoj gjithashtu që gjithë këto veprime janë bërë në errësirë, po a ishte herët në mëngjes pa u gdhirë mirë, a ishte mbrëmje, nuk e mbaj mend. Unë nuk kam dijeni nëse Temen e kanë rrahur gjatë kohës që e mbajtën në Maminas dhe nuk mbaj mend nëse e kishin dëmtuar në fytyrë me gjak. Më kujtohet vetëm një gjë, që kur i hodhëm litarin në fyt, ia bëri vetëm njëherë “ah”, sytë i zgurdulloi dhe nuk foli më.
Marrë nga http://www.gazetaminerva.com 6 janar 2016

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Çfarë mund të ketë ndodhur në jetën e këtyre njerëzve që në “emër të armikut”
    masakronin me hunj duke ia thyer në trup nji bashkëluftëtari të tyre,
    cili ligj i autorizonte këta goxilla të ushtronin kësi dhune
    që as ndaj kafshëve nuk mund të ushtrohej…
    e që bashkarisht dy e nga dy tërhiqnin në kahe të kundërta
    litarin në fytin e nji të akuzuari që kishte humbur vetëdije
    e për të cilin ende nuk kishte nji vendim të formës së prerë,
    cili është ai guximtar që mund t’i ketë falenderuar këto monstra
    sepse fjala kafshë edhe për më bishën është tejet e nderuar dhe e respektuar para tyre,
    a mund të kenë pasur këta përbindsha nëna, gra, motra, vajza, mbesa
    që t’ua rrëfenin këto bëma e të guxonin me pas t’i ledhatonin e t’i puthnin…
    A pati ndonjë ligj që u përpoq t’i ndëshkonte këto krime të vetdeklaruara,
    këto makabritetete që tejkalojnë çdo përfytyrim njerëzor…
    Nuk ka pasur kurrë e kurrë s’do të ketë bashkëvuajtës dhe bashkfajtorë
    Por kriminelë ende të pafytyrë e të pandëshkuar
    dhe të pafajshëm kurrë të shpërblyer… pse besuan në Zot dhe në Shtet!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.