back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Deti si mefatorë, një receptim filozofik me lexuesin, në poezinë e Aleksandër Çipës – nga Emrije Krosi

Gazeta

Deti nuk ka portë
Deti nuk ka portë

Deti si mefatorë, një receptim filozofik me lexuesin,

në poezinë e Aleksandër Çipës

nga Emrije Krosi

Shumë teori letrare të leximit të poezive apo edhe të shkrimit, sugjerojnë se leximi i një teksti letar, nuk përfundon më një lexim por me disa lexime. Në vetvete poezia është imazh verbal i mendimeve të poetit, që nuk e përcakton, as shkrimi, as mendimi, as leximi, por është vështirë ta përkufizojmë poezinë, jo vetëm si kuptim i mbartur i imazheve të përgjithshme poetike, por edhe si akt shkrimor, nëpërmjet një organizimi të përcaktuar gjuhësor (Rrahmani: 2003: 133).

Poezia nuk kupton vetëm karakterin tingullor, por edhe karakterin kontekstual, që poezinë e lidh me strukturat kuptimore dhe gjuhësore, përmes të shkruarit shumështresor (Wellek & Warren: 2007: 181). Ajo çka trasmenton, përmes “vlerave ekspresive” dhe specifike, karakterin metaforik dhe simbolik, nga brendia e dukurive të përgjithshme dhe indivuale, përtej të përtejshmes por edhe momentale të kohës, sendërtohet në librin poetik “Deti nuk ka portë” (Çipa: 2019), një poezi lirike, me një komunikim metaforik të veçantë mes poetit dhe lexuesit, ku saora, mbizotëron kryemetafora e detit, një metaforë sa universale aq edhe personale.

Libri Deti nuk ka portë”, përmban tetë cikle të titulluar: “Mërzi ndriçuese”, “Vetmia në rrëmujë”, “Për shpirtin je fe”, “Në tel të nëntë si Orfeu”, “Atdheu i absurdit”, “Deti nuk ka portë”, “Statujës së mishtë” dhe “Kangjella para gjumit”, një sendërtim prej ciklesh me tituj që lidhen jo vetëm metaforikisht por edhe metonimikisht.

Poezia ka elemenete të:
a.elemente të unit lirik individual dhe universal,
b.raporti ekzistencial përmes kohës dhe lexuesit,
c.uni lirik dhe qasja socio-shoqërore,
d.si dhe interpertimi filozofik i ndjesisë së veçantë liriko-poetike.

Lirika vjen përmes imazheve;
-të natyrës dhe katër elmenteve të ciklikës së jetës (Toka+ Uji+ Qielli + Zjarri), nëpërmjet pejzazhit dhe përshkrimit me nota meditativo-filozofike,
-konceptimi i një lloj perceptimi filozofik rreth qenies, njeriut botës dhe universit,
-ndërthurja mes elementeve biografike me vendlindjen, ku shpaloset jo vetëm atdheu dhe familja (një dedikim për Lefter Çipën, si bardi i vargut të Bregut), nëpërmjet vargjeve: do të shkosh o i paikshëm/Ta mbush trupin e paktë/Me një melos të mbulohesh/Kujë pak, e këngë e gjatë/…/At i këngës në atë gjuhë/ Sa dhe deti ta zilepsi/ ai shtoi dallgë pa fund/Ty në shqip fjala të mbeti”, ku i këndoj jo vetëm Himarës, por të gjithë Bregut, për qëndresën, kulturën, traditat, zakonet dhe përditësinë e tyre,një qasje brenda të cilës është ai dhe shqisa poetike e tij (Gaçe: 2019).

Aleksandër Çipa
Aleksandër Çipa

1-Poezia drejpërdrejtë kumton topikat metaforiale si:topika metaforiale të elementeve të ujit-shiut, (stuhia) përmes vargjeve: “kanë nisur/ qiejt të kullojnë litarë shiu nëpër re,/ U frynë përrenjtë dhe po vërshojnë,/ lumenj me ujë e dhe, nga poezia: “Pellg i kujtimit nën shira qiejshapo edhe poezia: Nën shi Prizreni”: nga minaret u kullojnë vilare shiu/ Dhe bien mbi kalldrëm butë-butë, ose poezia tjetër: “U shtruan shirat”. (De)kodimi i metaforës së shiut dhe simbolika e ujit, ka po ashtu katër aspekte ciklike të ujit (shiu, përrenjtë, lumenjtë, deti) si përfytytrim apokalitik (Fraj: 1990: 195), se shiu/uji është një dukuri natyrore që rilind jetën, por edhe si pastrim moral dhe katarsis, apo si pagëzim, për besimi e krishterë/ortodoks (simboliozn rilindje dhe pastrimin emocional) nga Gjon Pagëzori, por edhe në besim islam, në Suren Furkan, “edhe Ai është, që i lëshon erërat myzhde në prag të mëshirës së Tij (shiut) dhe Ne lëshuam prej qiellit ujë të pastër” (El Furkan: 1989).
2.topika  metaforiale e detit ose krymetafora, (që njësia poetike bulon që nga Vlora deri në Sarandë apo përgjatë gjithë bregut), përmes topikave së ambiguitetit metaforiale e trinisë tokë-qiell-det, që lidh elementin e fuqisë së poezisë me shpirtin individual, si një  simbol që e drejton drejt shpërfaqjes “par excellence”, në strukturat e kuptimit, jo vetëm si  paradigma të përcaktimit ideor-poetik, por vetë qëndrimi filozofik i kategorisë së shenjave si poetika e papërcaktueshmërisë  (Lacoue-Labarthe: 1978: 38), vargjet: për tek deti mos kërko portë,/ ku mund të hysh si në shtëpi./ Dallga kurrë nuk është një shkallë,/ As ngjitesh, as zbret në thellësi./ As oborr si tek shtëpia nuk ka,/ Trokitja nuk vlen për të hyrë./ Deti është botë e ujtë para nesh,/ Ka shije të kriptën, shijon zanafillë./ Tek rëra e paktë, ku shkel këmba/…/ Tek Deti s’ka portë për të hyrë,/ Të futesh ku fryma nuk mban./ vetëtroket mbi tokën si zemër,/ dhe dallgën e shpërndan në çdo anë./ Deti nuk ka portë ku të hysh… poezia “Deti nuk ka portë”, kryepoezia apo edhe ngjizja e titullit të këtij libri.  Elementet e detit si: [deti/ dallga/ ujë/ kripa /rëra/ breg/ spërkala/ guacka], përmes përsëritjeve të kryesemës [det], si instancë e thënies, përzgjedh një stukturë hapsinore-kohore, nxjerrë nga tema, e të artikuluar, në konfiguracione discursive, përmes rrugëtimeve figurative, (Courtes: 1979: 134), bazuar vetëm në një fjalë të vetme, e quajtur si figurë semë, që është edhe fjala përmbajtësore e krejt librit:

Në formë shkallëzimi ngjitës dhe zbritës, autori ndërton:
-trinomin: Tokë-Det-Qiell;
-metafora e lartësisë: qielli/retë/shiu,

-fjalët kyçe: qielli /shirat /male /ajër /qiri /dritë /frymë /hëna /brymë /avull /ftohtë/ ngricë/ hije /hëna /vjeshtë /pemë /koha /njeri /sytë /zjarri /rreze /jeta /iluzion /mërzi /Atdhe /puthje /lumi /mali /uji /gjethe /absurd/ vis /Zoti /lartësi /gur /zall /breg /bregu /brigjet /dallgë /guacka /kripë /qyteti /trishtim /mall /grua/ poezi /fjala /zemra;

-fjalët shumëpërdorimshe: diell: [6 (gjashtë) herë]/qielli/qiejtë/qiellore: [21(njëzet herë]/deti/dete: [23 (njëzet e tre) herë]/toka: [13 (trembëdhjetë) herë]/re/resh: [9 (nëntë) herë]/shiu/shirat:[15 (pesëmbëshjetë) herë].

3-topika e elementeve të absurdit:absurdi si rrymë letrare, tek cikli i pestë “Atdheu i absurdit”, sendërtohet me elemente të qarta, nëpërmjet vargjve: nëse imazhi i visit të absurdit,/ Ju duhet,/ Kam një hise gjithë ngjyra dhe forma,/ në atdheun tim. Vlen shumë,/ Sa imazhi ju ndihmon për pasardhësit! Pranimi i absurdit, është e vetmja gjë që i ka mbetur artistit, përmes obsesionit, ankthit dhe zhgënjimit, se është ndjenja e fajit që njeriu përjeton (Beckett: 1986:48). Në këtë rrymë, poetët që iu qasën absurdit, kishin probleme me shoqërinë ku jetonin. Meqenëse është realizimi i pakuptimësisë së jetës që lind absurdin dhe që nga kjo absurdi shfaqet kryesisht përmes kujtesës njerëzore, këto mund të jenë karakteristika, që normalisht shoqëron një poet, që e gjen çdo copëz të përvojës së tij, “ të pushtuar” nga absurditeti i shoqërisë ku jeton, që kundërshton edhe interpretimin e absurdit (Camus: 1991: 32)

4.topika e elementeve të dadaizmit:dadaizmi si fjalë: (dadaizmi, është rrymë ekstreme artistike dhe letrare nga fillimi i shekullit XX (19181924). Me mënyrën e shprehjes, dadaizmi tentonte të kthehej në fillimet e para të të menduarit dhe në format e para të komunikimit, duke u mbështetur në tendecat e ekspresionizmit). Përfaqësuesit e dadaizmit si: Tristan Tzara, Hugo Ball, André Breton etj., frymëzoheshin nga poezitë-kolazh, duke përfshirë strukturën, rendin, si dhe bashkëveprimin e zërit, ose kuptimin e vetë gjuhës.

Poezi si: “Avull në brymë”, “U shtuan shiratetj.; kanë diskurs dadaist,vargjet: në gjithë këtë ngricë, fryma jonë e përbashkët/ është avull që ngroh një frut të parënë./ Ky dimër që shkon dhe në mall na ka lënë,/ e shton ngricën, të ftohtën e mbajti./ Në akull të tij edhe ti edhe unë, përcollëm dhjetorin dhe janari na zgjati/ …/ Nuk u ngri moti, por trungjet e drurëve/ u veshën me brymë dhe akull, për më tepër/ Që të mos ndienin se pëshpërima jonë,/ jetës së frymtë po i shtonte fletët, në kundërvënie me poezinë “Diell” të Hugo Ball: karroca e një fëmije lëviz midis qepallave të mia./ Mes qepallave të mia është një njeri me një qen qimedredhur./ Një grup pemësh shndërrohet në një tufë gjarpërinjsh dhe fërshëllen nëpër qiell./ Një gur mban një fjalim. Pemë në zjarr të gjelbër. Ishujt lundrues./ Shkundja dhe cingërima e predhave dhe kokat e peshqve si në fund të detit.

Koncepti i progresit të një shoqërie, në aleancë me modernitetin dhe kohën, që njeriu të mundet të ndikojë në zhvillimin e proceseve shoqërore, ku vetë ai (pra njeriu), mundet në mënyrë racionale, të planifikojë të ardhmen e komunitetit në luftën për të ardhmen (Calinescu 1987: 94). Edhe poezia: “U shtruan shirat”; thumba të ujtë bien mbi Tokë,/ Në gjendjen time,/ mjegulla bën shije./ Një siluetë zonje në rrugë,/ Vetminë e kotë s’di ku ma shpie…, në krahasim me poezinë: “Uji i egër” nga Tristan Tzara, me vargjet: dhëmbët e uritur të syrit/ mëndafshi i blozës/ e hapur ndaj shiut/ gjithe vitin/ ujë i zhveshur/ errëson djersën nga balli i natës/ syri është i mbyllur në një trekëndësh, shihen elemente të përbashkëta tëdadaizmit. Dadaizmi, dëshiron të eliminojë arsyen dhe të lartësojë sensin përsa i përket arsyes, ku surrealizmi zëvendëson kontrollin e të vetëdijshmes me atë të pakontestueshmes, ku shkronjat dhe tingujt, vendosin kodet e konventave të gjuhës, duke përformuar një lloj diseksioni gjuhësor (Schafner 2011: 223). Ngërçi dhe veprimtaria e arsyes, apo edhe jeta e shkurtër e dadaizmit, përmes kontradiktës së vazhdueshme për të fshirë kufijtë mes arteve, krijon një stil të vetin (Bürger 1984: 199).Poezitë dadaiste i japin të njëjtën gjë marrësit (lexuesit), lirinë që artistët e konsideronin aq thelbësore për veten e tyre.

Dadaizmi, përpos jashtë (-izmave), motivon:
a.thyerja e kufijve mes artit dhe shprehjeve artistike,
b.heqja e vakumeve të asgjësimit të jetës përmes sistemeve politike dhe kulturore të caktuara,
c.ironinë si funksion dhe si një element aktivizues,
d.parimin mes pranimit dhe refuzimit,
e.dinamikat e pohimmohimit,
f.prishjen e standardeve tradicionale dhe konservatore,
g.idealet “antipozitiviste” sociale dhe qëndrimet burlekse,
h.arsyejet dhe përvojat që eleminojnë dallimet referencile,
i.asgjësimin e tradicionales dhe kuptimet e koncepteve të “objekteve poetike”,
j.tendencat e përdorimit të imazheve dhe rastësisë,
k.tërësinë e ekzistencës së njësisë poetike që promovon marrëzi.

Përballë koherencës, dikotomia tekstuale me elemente të konceptit të dadaizmit (dada), brenda kufijve të kulturës së rrymës, e cila u strukturua nga gjuha dhe mendimi (Jones: 2004:230), nuk ishte jetëgjatë. Ne përputhje, me përmbajtjet absurd dhe jologjike, pakuptueshmëritë e mëdha me doza ironie, radikalizëm, shkatërrim, agresivitet, pesimizëm dhe koncepte të tilla si: nacionalizmi dhe intoleranca, u perceptuan shumë keq nga mendimi dadaist. Në këtë këndvështrim, ndjenjat patriotike, konsumizmi shoqëror dhe kapitalizmi agresiv, veçohen si shkaktarë të neveritjeve më të mëdha të njerëzimit: ashtu si luftërat, por edhe qëndrimet ndaj tyre me humor dhe burlesk veçanërisht, në format klasike të artit dhe poezisë lirike.

Sëfundmi: poezia është e ndërtuar e gjitha mbi metaforën, si refencë ndaj elementeve stilistiko-poetike, por edhe si receptim ndaj lexuesit bashkëkohor.  Duke indentifikuar veten, atdheun, vendlindjen por edhe absurdin e shoqërisë shqiptare, madje i jep zëshmëri visit (viseve) të tij, (gjenezës, fisit dhe gjithë toposit të Bregut), nga ka lindur edhe bisku i gjethimit të poezisë së tij duke thënë shpesh: se deti është ulur në prehrin e poetit dhe gazetarit Aleksandër Çipa.

Emrije Krosi
Studjuesja Emrije Krosi
Bibliografia:

1.Beckett, Samuel – (1986): The Complete Dramatic Work. London: Faber and Faber.
2.Bürger, Peter – (1984): Theory of the Avant-Garde. Manchester: Manchester University Press.
3.Calinescu, Matei – (1987): Five Faces of Modernity. Modernism Avant-Garde Decadence Kitsch Postmodernism. Durham: Duke University Press.
4.Camus, Albert – (1991): The Myth of Sisyphus and Other Essays. Translated by Justin O’Brien. New York: Vintage Books. -https://www.philosophytalk.org/blog/camus-and-absurdity
5.Courtes, Joseph – (1979): Introduzion á l’analyse narraive et discursive, PUF, Paris.
6.Çipa, Aleksandër – (2019): Deti nuk ka portë, “Dritëro”, Tiranë.
7.El – Furkan – (1989) – Quran, përkth: Hfz.Sherif Ahmeti, Prishtinë.
8.Gaçe, Bardhosh – (2019): Si pulëbardhë nëpër detin e kaltërt të Jonit… “Dita”, Tiranë.
9. https://arkiva.gazetadita.al/si-pulebardhe-neper-detin-e-kaltert-te-jonit/
10.Fraj, Northon – (1990): Anatomia e kritikës, përkth: Avni Spahiu, “Rilindja”, Prishtinë
11.Jones, Amelia – 2004: Irrational Modernism. A Neurasthenic History of New York Dada. Cambridge – London: MIT Press.
12.Lacoue-Labarthe, Philippe – (1978): The Caesura of the Speculative. Trans. Robert Eisenhauer, Glyph 4.
13.Rrahmani, Zejnullah – (2003): Leximi dhe shkrimi, “Faik Konica”, Prishtinë.
14Schaffer, Anna Katharina -(2011); Dissecting the Order of Signs: On the Textual Politics of Dada Poetics. In: Adamowicz, Elza & Robertson, Eric (eds.) Dada and Beyond. Vol. I. Dada discourses. Amsterdam, New York: Rodopi.

 

 

 

 

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.