back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dhe jetuan të lumtur në jetë të jetëve… nga Andeta Radi

Gazeta

Andeta & Toni
Andeta & Toni

24 shtator 2000…

Dhe jetuan të lumtur në jetë të jetëve…

nga Andeta Radi

Kështu përfundonte përralla ime e preferuar që më pas ngjyroste ëndrrat e mia të fëmijërisë… “Jetuan të lumtur në jetë të jetëve… po a është e mundur kjo… mendoja se po, tek shihja prindët e mi dhe lidhjen e veçante që ata kishin mes tyre…edhe pse ata kurrë nuk bënë një dasëm, mamaja e veshi fustanin e bardhë të kunatës së saj vetëm për të bërë disa foto si kujtim e unë qëndroja mes çiftit si për t’i dëshmuar gjithkujt se dashuria e tyre isha unë!!
U rrita si një frut i tillë dashurie, u rrita duke pritur të jetoja përrallën aq shumë të dëgjuar. Por si gjithë përrallat edhe e imja duhej të plotësohej me personazhet e saj…Së pari më duhej një shtëpi e bukur (në të vërtetë e kisha…); më duhej një motër që të grindesha (e kisha edhe atë, sepse shpesh grindeshim kur ajo m’i vishte rrobat e mia…); më duheshin dy prindër që më donin fort (i kisha dhe isha aq e lumtur me ta…); më duheshin… upsss, i kisha dhe nja dy probleme të vogla si fjala vjen… më duhej një Princ i Kaltërt dhe një Kalë i bardhë!Çdo vit përrallës sime i shtoheshin elemente të reja… disa vite më vonë iu shtua dhe Princi edhe pse nuk ishte i kaltër dhe me flokë bjond, por me sy kafë e kaçurrela të zeza… më mungonte një shtrigë që më prishte gjithçka dhe kali i bardhë… po unë kisha kohë sa duhet ta prisja… Dashuria është të jetosh 1000 ëndrra deri në puthjen sublime… Kisha jetuar më shumë se njëmijë ëndrra, por doja edhe 1001 netë ndaj ëndrrën më të bukur vendosa ta jetoja me 24 shtator të vitit 2000… dashuri, rrahje zemre, një nxehtësi që të përshkon trupin dhe mendimet, një lëmsh i zjarrtë ndjenjash ku brenda një minute ti jeton frikë, gëzim, dhimbje, dashuri…

Dhe jetuan të lumtur në jetë të jetëve…
Dhe jetuan të lumtur në jetë të jetëve…

Dhe kështu fillova ngadalë të ndërtoja një përrallë tjetër… me po të njejtat emocione të asaj të ëndërruar me vite më parë, por çuditërisht në vend të zanës së mirë që përsos fustanin tënd të mbrëmjes ti sheh një fytyrë të njohur… atë të një miku që përgjat viteve të ka bërë të qeshësh… ai zgjat duart e mbi to qëndron fustani i bardhë i ëndrrave… deri në atë moment frika se nuk do të arrinte në kohë na kishte pushtuar por unë e dija… Mandi kurrë nuk gabonte…(atëhere edhe ai ishte në hapat e parë të ëndrrës së tij që sot mban emrin Geraldina Sposa… Me nxitim vesha fustanin dhe u ktheva përpara pasqyrës… isha unë, apo ëndrra ime…?!
-Po kalin ku do e gjesh tani – më thotë Mandi duke qeshur. Buzëqesha dhe unë… e kisha gjetur… sepse babai dhe nëna më kishin bërë gati gjthçka që përralla ime të jetohej ashtu sië duhej… Janë ca çaste unike… çaste të papërsëritshme… Ishte motra ime, që përpiqet që gjithçka të ishte perfekte… dhe nëna që më ndiqte nga pas deri në momentin e fundit… dhe babai… eh babai… O Zot!! S’kam për t’i harruar kurrë sytë e babait që shkëlqenin nga lotë gëzimesh që mezi i mbante të  mos i rridhnin faqeve…
Kisha vendosur të mos qaja, por përpara zemrës së përlotur të tim eti, nuk i mbajta dot as unë lotet… qaja edhe pse e dija që nesër që në mëngjes do të shkoja sërish aty te ai…
Aty ku përralla ime nisi të marrë jetë… dhe duke ecur ngadalë… dhe atje në mes të turmës hipur në një motor me disa kanoçe të lidhura nga pas më priste Toni… Ja dhe Princi im modern – mendova me vete… Panorama ishte e plotë… por… jo! Më mungonte shtriga e keqe… Por si mund te gjeja një shtrigë të keqe në një histori të tillë dashurië ku unë kisha penelin, ngjyrat dhe e kisha pikturuar parajsën për të jetuar brenda saj e dashuruar dhe e lumtur.
Sot, nesër pas 100 vjetësh dashuria nuk ka moshë… por gjithnjë do ta kujtoj ditën e dasmës sime Si Sot 15 vjet më parë dhe sa herë mendoj për ta rigjetur dashurinë për njeriun që zemra më rrahu fort kur shqiptova fjalët: Po, Unë Dua…
Të gjithë vajzat jetojnë e rriten me një përrallë aq të dashur, e që unë vazhdoj ta jetoj timen deri ditën që do të shfaqet shtriga e keqe që edhe sot e kësaj dite nuk duket gjëkundi… ndoshta duhet të dorëzohem, sepse kjo është një tjetër përrallë… është përralla reale e jetës sime…
Kam një listë të gjatë që do doja t’jua uroja të gjitha vajzave në ditën e tyre më të lumtur, por më mirë shkurt e me zemrën plot ju them:
Jetofshi Lumturinë që jetoj unë çdo ditë!

Familja
Familja

Andeta Radi – AGON Channel

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.