back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dhjetë vjet të historisë europiane në romanin «Kufiri i mjegullës»

Gazeta

Shpend Sollaku - Noé
Shpend Sollaku – Noé

Dhjetë vjet të historisë europiane

në romanin «Kufiri i mjegullës» të Shpend Sollaku Noé

Gazetarja e RAI-t Floriana Gavazzi interviston shkrimtarin shqiptar Shpend Sollaku Noè

Kjo vepër voluminose e juaja është një roman politik me një hapësirë të gjerë vendore e kohore – nga 1989-a deri më 1998: dhjetë vjet të historisë europiane. Pse keni ndjerë nevojën të kaloni nga poezia e gazetaria në roman, kur këto tema historike i keni trajtuar edhe në poemat e botuara më parë? Kjo ndodhi në një mënyrë krejt natyrale, sepse ndjeva domosdoshmërinë të shprehesha në një mënyrë tjetër, për çfarë mendoja e dëshiroja t’u thosha të tjerëve. Fakti që poezia lexohet dhe shitet pak nuk qëndron. Poezia është një emocion i përjetuar, është të kapësh momentin, në masën e mënyrën e duhur. Për ngjarje të tilla historike, si ato që përshkruaj në romanin «Kufiri i Mjegullës», poezia në vetvete nuk i kishte mundësitë dhe hapësirën. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për gazetarinë, lindur për të përhapur e komentuar ngjarjet e përditëshme. Jeta e një artikulli, edhe e një scoop-i, është e shkurtër, për aq kohë sa ai është aktual. Romani, është në gjendje të tregojë një botë më të ndërlikuar, të krijojë personazhe që i përkasin grupeve shoqërore historike të caktuara, që i bën ata të jetojnë, të gëzojnë e të vuajnë si autori. Sidoqoftë, krijimtaria ime poetike vazhdon, edhe ajo në gazetari, dhe «gaveta» e punës time të mëparshme në ato gjini nuk ka qenë e kotë. Mënyra ime e të shkruajturit të një proze poetike e historikisht të saktë s’është gjë tjetër veçse frut i eksperiencës në poezi e gazetari.

Floriana Gavazzi - Gazetare e Rai-t
Floriana Gavazzi – Gazetare e Rai-t

Shumë janë qytetet e vendet në të cilat lëvizin personazhet e romanit apo përjetohen ngjarjet: Berati, Kavaja, Kruja, Lushnja, Tirana, Bukureshti, Berlini, Athina, Parma, Kosova. Pa dyshim Berati dhe dashuria e madhe për këtë qytet rebel janë protagonistë, ashtu si edhe personazhet kryesore të romanit tuaj. Ky qytet është edhe simbol i një mënyre të jetuari në shoqëri, që rrezikon të humbasë me nisjen e jetës së re në Itali. Berati ka qenë e vazhdon të jetë Ylli Polar i personazheve të mi. Arkitektura e tij e veçantë, banorët e tij, mënyra e të të jetuarit dhe rikëmbimi shoqëror janë unike në botë. Në këtë prizëm asgjë nuk është idealizuar. Në paraqitjen e këtij qyteti ka ndikuar patjetër edhe jeta ime personale. Familja jonë u detyrua të transferohej nga Berati në Lushnje. Kjo prej meje është përjetuar gjithmonë si një lloj dëbimi nga vendi ku kishte lindur im atë dhe një pjesë e vëllezërve e motrave të mia. Në momentet e ashpërsimit të luftës së klasës, kur më përjashtonin nga shkolla, ose kur nuk më dhanë të drejtën e studimit, unë shkoja në Berat, ku jetonin xhaxhallarët e mbi të gjithë halla ime që, me gjithë problemet, më trajtonte ndoshta edhe më mirë se fëmijët e saj. Berati u bë për mua, në ato periudha të vështira, Karta ime e Parisit, Konvencioni im i Gjenevës, vendi ku ndihesha i mbrojtur: me pak fjalë ai ishte azili im politik. Është kjo baza e dashurisë sime të pafund për këtë qytet rrebel, në të cilin askush nuk më qortonte pse nuk i qëndroja besnik normave të Partisë. Personazhi im kryesor – Ludovik Oresti – ka në DNA gjithë shpirtin tim, gjithë dashurinë time për këtë qytet magjik.
Në roman zë vend të rëndësishëm edhe Tirana, qyteti i pushtetit. Tirana e atyre kohrave, për banorët e provincës, ishte në përgjithësi qyteti ku të gjithë ëndërronin të jetonin. Partia i jepte shumë rëndësi kryeqytetit të saj. Tirana ishte vitrina e kombit. Ajo vizitohej edhe nga të paktët «turistë» marksistë-leninistë. Në Tiranë kishte më shumë punë. Aty punonte e jetonte elita e vendit. Ishte qyteti në të cilin kishte më shumë mundësi për të bërë karrierë, sigurisht nëse ishe besnik i diktaturës. Ndërkaq, për shumicën e shqiptarëve, ajo ishte Qyteti i Ndaluar. Kush duhej të trasferohej nga krahinat në Tiranë e vendoste Partia, pas një kontrolli të vëmendshëm të famëkeqit Sigurim të Shtetit. Nuk toleroheshin aspak kundërshtarët, që në rastet më fatlume transferoheshin në fshatra të humbur dhe, në ato më fatkeqe, të internuar në kampe o në burgje si të dënuar politikë, për periudha shumë të gjata, apo deri në vdekje. Prandaj Tirana, aq sa ishte e dashur si qendër e kulturës, artit, sportit etj, ishte po aq e urryer me gjithë shpirt nga ata që vuanin, prej ligjeve çnjerëzore që vendoste, për faktin se nga ky qytet fillonin pastrimet pas ç’do ashpërsimi të luftës së klasave, për faktin që monumenti më i lartë i saj ishte statuja e diktatorit.
Një qytet tjetër që zë vend të rëndësishëm në roman është Parma, ku bashkëjetojnë solidariteti, por edhe racizmi dhe shfrytëzimi i punës së zezë… Ky është mendimi juaj për Italinë? Nuk ekziston vetëm një Itali, por disa e të ndryshme. Eksperienza ime personale, përcjellë personazhit tim kryesor, më bëri të njoh punën e krahut në bujqësi, atë të punëtorëve në fabrikë, apo të përpunimit të proshutës… Më është dashur të kaloj muaj të tërë nëpër fjetore të varfërish, ku nuk kishte vetëm të pastrehë, por edhe refugjatë politikë, pusher të drogës, pensionistë italianë që keqtrajtoheshin nga njerëz të paskrupull duke i hedhur nëpër shkallë… Kam njohur dhe Itali të tjera, por ajo që kam mësuar nga Italia e Parë e njerëzve shpirtmirë e të thjeshtë u bë vendimtare në krijimtarinë time të mëpasshme letrare. Edhe në roman, përshtypja e parë e familjes beratase Oresti me Parmën fisnike është e mahnitëshme. Kultura e saj, Verdi i madh, varri i Paganinit, monumentet, historia e atij qyteti i lënë ata gojëhapur. Arsyeja e dytë që i bën të ndihen mirë atje është zemërgjërësia dhe solidariteti i parmensëve. Bëhet fjalë për kohën e artë të Lega Nord-it, por Orestët nuk panë kurrë racizëm tek qytetarët e Parmës. Ishin njerëz që respektonin këdo që punonte me ndershmëri. Kjo ishte Italia e Dytë. Këto përshtypje filluan ndryshonin kur personazhët e mi filluan të mendonin mbijetesën e familjes. Është kjo periudhë kur Ludovik Oresti njeh atë që pak më parë unë e quajta Italia e Parë – ajo e njerëzve të përulur, ajo e emigrantëve, ajo e të të përjashtuarve nga banketi, pjesë e të cilës po ndihej edhe ai, edhe pse ishte intelektual. Tentativat e tij për t’iu rikthyer punës mendore e çojnë atë të njohë një Itali të Tretë – shtetin italian, me ligje të mangëta për jashtëkomunitarët, të paaftë t’u japë mundësinë intelektualëve të huaj t’u rikthehen profesioneve e pasioneve të tyre. Sikur të mos kish njohur dy Italitë e para, Oresti mund edhe të ishte bindur që kish të bënte me racizëm shtetëror intelektual, sipas të cilit të gjithë të huajt shihen vetëm si krahë pune në ato profesione që italianëve nuk u pëlqejnë më.
Para fillimit të romanit keni shkruar: Ç’do përqasje me njerëz apo rrethana është krejt e rastësishme. Në të të vërtetë, nëpër faqet e tij gjen shumë nga jeta juaj. Në fakt duket kështu, megjithatë “Il confine della nebbia” nuk është një roman autobiografik. Por ç’do gjë që lexuesi gjen aty është e vërtetë dhe e jetuar – si plagët e Krishtit – sipas vlerësimit të njërit prej kritikëve të mi.
Si është jetuar nga shqiptarët kalimi nga një diktaturë e egër në një anarcodemokraci? Shpresa? Zhgënjime? Shumë shpresa të fillimeve dhe shumë zhgënjime më pas. Nuk erdhi, siç shpresohej, drejtësia për të gjithë. Të parët që u zhgënjyen ishin ata që kishin humbur lirinë nëpër burgje e kampe përqëndrimi. Edhe sot ata i gjen në greva urie me kërkesat minimale të mbijetesës. Nuk janë dëmshpërblyer siç duhet familjet e të të dënuarve me vdekje; të mbeturve vetëm prej persekutimit komunist nuk u është siguruar azili; nuk u është shpërblyer ndershmërisht puna e papaguar në burgje e kampe përqendrimi; nuk janë shpërblyer ata as moralisht. Mungon njohja institucionale e tyre, mungojnë datat përkujtimore, mungojnë monumentet, mungojnë tekstet që pasqyrojnë të vërtetën e tyre të hidhur, zhduken nga faqja e dheut ish-kampet e internimit – në vend që të kthehen në muzera për kohën e diktaturës – nuk janë bërë procese gjyqësore të paktën për autorët kryesorë të krimeve që pësuan… E këtu lista e gjërave të shpresuara, të premtuara por të parelizuara bëhet shumë e gjatë. Nuk mund të lihet në harrim edhe zhgënjimi i atyre që humbën pronat, pastaj intelektualët e trysur, vënë përballë pothuajse një regjimi të ri që i mënjanon kur ata nuk aprovojnë pushtetin, korrupsionin e përgjithshëm, përhapjen e shpejtë të mafies që kushtëzon edhe parimet politike… Të gjitha këto nuk kanë të bëjnë aspak me idetë e një demokracie të vërtetë.
Arratisja e pabesueshme shërben si urë për të lidhur pjesën e parë të romanit me të dytën. Pse ishte e domosdoshme ikja, kush ju ka ndihmuar, çfarë mendonit në atë kohë? Ikja jonë apo e personazheve? Meqenëse “arratisjet” tona ngjajnë, po përgjigjem për të dyja palët. Kur dikush ndien rrezikun për jetën, sepse ka botuar një artikull të fortë denonocues, dhe nuk e ndihmon askush që të mbrohet, e vetmja rrugëdalje mbetet ikja jashtë shtetit amë. Ishte Ambasada Italiane në Tiranë ajo që na akordoi me urgjencë tri viza gratis. Kështu u bë e mundur ikja jonë dhe e Orestëve.
“Coelum, non animum mutant qui trans mare currunt…” Me ç’qëllim është përdorur ky citim? Kjo aforizëm e Horacit, rimarrë edhe nga Seneka, shpreh më mirë gjendjen shpirtërore dhe frutin e largimit të personazheve të romanit nga atdheu i tyre. Lundërtarët ndryshojnë qiellin – që herë pas here edhe i trys – por jo gjendjen e tyre shpirtërore, thotë Horaci. Edhe Orestëve u ndodh kjo gjë: Italia shpesh u zë frymën atyre, por sipas meje janë më të rëndësishme gjurmët që lënë qytetarët e rinj në vendin ku kanë ardhur. Gjendja e tyre shpirtërore, megjithatë, mbetet përvuajtëse, e mëdyshur midis realitetit dhe kujtimeve të pashlyeshme të vendit të origjinës.
Si rilind dëshira e Ludovikut për të vazhduar pasionin e gazetarisë dhe denoncimin e mafias së re të Evropës Lindore? Ludovik Oresti lind si poet. Gazetar bëhet prej kërkesave të historisë. Ky është i dyti pasion i madh i tij, që sigurisht nuk e braktis në kushtet e reja të mërgimit. Vazhdimi i luftës kundër korrupsionit dhe depërtimit të mafies në organet shtetërore ballkanike është pasojë llogjike e veprës së tij të mëparshme.
Sa i pergjigjet realitetit ky pasion i Orestit? Plotësisht. Aq i vërtetë është ky fakt, saqë gjen përgjigje edhe në një dialog që kam patur kohët e fundit me Pietro Grasso-n (kur ai ishte akoma Prokuror Kombëtar i Antimafies Italiane – sot President i Senatit Italian). Në këtë dialog ai u shpreh se mafies shqiptare i trëmbet edhe ajo italiane!
Në konfliktin midis Serbisë e Kosovës personazhin kryesor e shtyn etja për aventurë apo pasioni? Nuk është një etje për aventurë. Episodet që e shohin atë si kronist në konfliktin e luftës së Kosovës duhen kuptuar si thirrje e gjakut të popullit nga ai vjen, të shqiptarëve.

Sh.S. Noè - Kufiri i Mjegulles
Sh.S. Noè – Kufiri i Mjegulles

Si ta kuptojmë titullin “Kufiri i mjegullës”? Mjegulla në titull? Është pasiguria, pamundësia për të programuar të ardhmen.
Çfarë ka në program tani Shpend Sollaku Noé? Jam duke punuar me përsosjen e ciklit të romaneve rreth rënies së komunizmit dhe të dukurive historike që e pasuan. Vazhdoj të kultivoj njëkohësisht edhe pasionet e mia të hershme.
Çfarë përfaqëson për ju të shkruajturit në italisht? Një sfidë të përditshme. Kur shkruaj në gjuhën tuaj, përpiqem të mendoj njëzetekatër orë rresht në italisht. Lexoj shumë, jo vetëm romane e poezi, por ç’do gjë që më bie në dorë, duke mos nënvleftësuar as edhe etiketat e faturat nëpër dyqane. Flas shumë me qytetarët vendas, sidomos me të rinjtë – krijues e shpërndarës të shumë neologjizmave. Mbaj me vete gjithmonë një bllok të vogël ku shkruaj, edhe fshehurazi, fjalën apo shprehjen e re që sapo kam dëgjuar. Në bazë të gjithçkaje, sidoqoftë, mbetet studimi i gjatë dhe i lodhshëm i gramatikës, pastaj i… pastaj i… Për t’i rënë shkurt: është një betejë e përhershme.
Përktheu nga italishtja: Edi Salla (22 mars 2013 Botuar në “Fenix”)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.