back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dhjetori i studentëve te 2018, dhe kujtimi i studentëve 28 viteve të shkuara… – reflektim nga Jozef Radi

Gazeta

Dhjetor 2018 - Protesta masive studentore
Dhjetor 2018 – Protesta masive studentore

Dhjetori i studentëve te 2018,

dhe kujtimi i studentëve 28 viteve të shkuara…

reflektim nga Jozef Radi

Që studentët shqiptarë të vitit 2018, shfaqen si shpresë e madhe për çdo qytetar të ndodhur midis Skillës dhe Karibdës së politikës shqiptare, ky është oguri më i mirë për cilindo prej nesh, që politikën e percepton si një shërbim ndaj komunitetit dhe jo një xhepmbushje e pajustifikuar në ligje.
Që mbas protestave studentore të 2018-s për ndryshime, po vërtitet krejt ujqëria politike, hijenëria mediatike dhe oligarkia gllabëryese shqiptare, kjo s’ka as më të voglin dyshim…
Që studentët e 2018 dhe studentët e 1990, janë dy paralele historike, po njëherësh edhe dy gjëra krejt të ndryshme, kjo as që diskutohet, sepse së pari studentët atëhershëm kërkonin ikjen nga diktatura, sot më së paku kërkohet të mos të zhytemi në diktaturën e anarkisë, ku më e pranishmja është diktati i krimit të organizuar, me mbështetjen e falangave politike…
Që një vend si Shqipëria, ku klasa intelektuale, pret t’i shkojë thika në kockë studentëve për t’u shfaqur ajo si vullnet, ka diçka që nuk shkon… e ajo që kuptohet qartë është se mjerimi qytetar ka mbrritur në atë shkallë sa s’mundet ta lexojë vetveten në kët krizë të thellë shoqërore, politike dhe ekonomike që ka përpirë çdo fushe të jetës, përpos gjuhës rebeluese të fëmijve të tyre, që kanë nisur të mbushin sheshet e protestës;
Që rebelimi studentor i 1990, ishte diçka shpresëdhënëse, ku ndjehej edhe fryma e revoltës nga brenda po edhe ajo e manipulimit nga jashtë, kjo ishte më se e qartë. Faktet mbeten fakte: studentët e dhjetorit të 1990, u thirrën në provë të rebelimit dhe u mbajtën larg pushtetit, po edhe kur u afruan u qe përgatitur terreni që pastërtia e shpirtrave të tyre t’u shërbente strukturave të pushteteve demagogjike.
Duke qenë se në dhjetor të 1990, dhe në shkurt të 1991, kam qenë midis studentëve, edhe kët dhjetor jam përkrah frymës së tyre. Besoj, që nëse ekziston një shpresë, studentët janë e vetmja e këtij vendi! Por jo ai grup arrivistësh që bën pakte me djajtë natën, dhe kërkon flatra me engjëjt ditën. Mendoj se, sa më e gjerë të jetë revolta studentore, aq më idealiste do të mbetet ajo, dhe aq më shumë energji do t’i duhen politikës së sotme në përpjekjet për ta shprishur dhe futur në vathë këtë frymë rebelimi në dukje jopolitike.
Studentët e sotëm duhet ta kenë mirë parasysh se politika e sotme ka nisur para 28 vitesh, prej një dhjetori studentësh, që u mashtruan keqas dhe u përzunë prej një hijene politike si Ramiz Alia. Shumë nga të sotmit s’kishin lindur ende, por unë ua kujtoj, për fat të keq studentët e ’90, u trajtuan si letër njëpërdorimshe, e shpejt u hodhën në kosh! Ende sot i kam ndër vesh klithmat e tyre të revoltës, ato të përzenies e më pas ikja e tyre nga sytë këmbët nëpër botë, prej dhimbjes që s’mundën t’i sillnin këtij vendi: “Demokraci, si gjithë Europa!”
Studentët e 2018, deri më sot, janë përpjekur admirueshëm ta përzenë atë politikë që solli në pushtet përpjekja e sivëllezërve të tyre të viteve ’90. Sa do të zgjasë kjo rezistencë, mbetet për t’u provuar në ditët e javët që vijnë… Hijena e sotme, simbas meje, duket sikur ka një emër të vetëm, por në të vërtetë ka shumë emra, ka një linjë solide maskash e trukesh të rafinuara politike, bile më shumë se hijena ato tashmë janë metastaza të frikshme…
Nëse studentët e 1990, kishin përpara tyre një shkretëtirë ekonomike, studentët e 2018, kanë përpara një shkretëtirë të frikshme juridike dhe institucionale. Shpesh më kap trishtimi kur mendoj se çfarë mund të realizojnë këta idealistë shpirtpastër në një shkretëtirë të tillë juridike e institucionale, që është studiuar, organizuar dhe përgatitur me kohë për ta katandisur vendin në këtë gjendje.
Theksoj se një nga kanosjet më të rrezikshme të kësaj lëvizje studentore, është përçarja përmes blerjes… Paraja në qarkullim, mbas sezoneve të bollshme të kanabizimit politik, është aq e shumtë… dhe xhepat e kësaj rinie aq të boshatisur… sa ujqëria pushtetëse do t’ia kërkojë me ngulm kësaj lëvizjeje t’i shfaqen krerët, (në mos do të përpiqet t’i krijojë ajo vetë ata)… Prandaj shfaqja e krerëve, mund të jenë edhe pragu i kërcënimit serioz të kësaj idealizme….
Unë jam me studentët, kam qenë gjithnjë me ta! Do të jem përherë me studentët, edhe për faktin e thjeshtë se: unë s’e pata fat të jem i tillë; prandaj jam i dënuar të jem me ta, pse thellë vetes protestoj me ta, për diçka që më ka munguar, për diçka që atyre u mungon…
Ai që nuk proteston për diçka që i mungon, nuk është Njeri! Unë besoj se studentët e 2018, kanë shpirtin e sakrificës të sivëllezërve të tyre të vitit 1990, po edhe kurajon dhe vullnetin të mbeten njerëz, në këtë vend të egërsuar keqas nga politike, ku po zhvillohet beteja e madhe e lirisë me errësirën…
8-12 dhjetor 2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.